LSI: Terror në Kukës, Berisha
e Noka do përballen me ligjin

LSI: Terror në Kukës, Berisha<br />e Noka do përballen me ligjin
TIRANË – Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar sot publikisht me emra dhe fakte, terrorin dhe presionin elektoral që është duke u ushtruar mbi kandidatët e majtë, veçanërisht ata të LSI-së në qarkun e Kukësit, nga ministri i Brendshëm Flamur Noka, i cili kandidon në këtë qark.

Në një konferencë të posaçme për shtyp, Ralf Gjoni, Sekretar për Çështjet Ndërkombëtare në LSI, ka denoncuar “aktet e dhunës e të terrorit dhe presionin elektoral që po ushtrohen në qarkun e Kukësit e konkretisht: 

Para 3 ditësh, kreut të LSI në Fshatin Crnalevë të komunës Shishtavec, z.Eshref Islami, i është bërë kontroll dhe bastisje në shtëpi nga efektivë të Policisë së Shtetit pa patur mandat. Më pas z. Islami është shoqëruar në komisariat ku është mbajtur për rreth 4 orë.

Sot në mëngjes, ndërsa Ministri i Brendshëm dhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike Flamur Noka vijonte takimet e tij elektorale, është telefonuar Kryetari i LSI dhe këshilltar në komunën Topojan, z. Rrustem Ahmeti dhe i është kërkuar të paraqitet në Drejtorinë e Policisë, pa asnjë lloj arsyeje.

Po sot, është ushtruar terror mbi kandidatin për deputet të LSI në Has, z. Pëllumb Bardhoshi si dhe mbi të afërmit e tij. Forcat speciale dhe efektivë të Policisë së Shtetit, kanë zbarkuar në mënyrë të dhunshme në lagjen "Bardhosh" të fshatit Qarr në rrethin e Krumës, duke hyrë në shtëpitë e anëtarëve dhe mbështetësve të LSI, të të afërmve të kandidatit, duke bërë bastisje dhe kontroll të pamandatuar.

Ndërkohë, sot në mëngjes është shoqëruar edhe shoferi i z. Bardhoshi në Komisariatin e Hasit pas ndërhyrjes së rreth 30 efektivëve të policisë dhe të forcave speciale. Shefi i krimeve të zonës Shpëtim Maçi ka qenë prezent. Kur është kërkuar nga z. Bardhoshi për arsyen e kësaj sjelljeje të paligjshme dhe të dhunshme, përgjigja nga policia ka qenë së nuk mund të jepen shpjegime, por se ka patur urdhër nga lart.

"Eshtë e qartë se Flamur Noka po kthehet nga Ministër në shkatërrues i zgjedhjeve me bekimin e Sali Berishës,"- theksoi Gjoni. - "Dua që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të paralajmëroj Ministrin e Brendshëm, Noka, dhe të gjithë ata individë që kanë ndërmarrë një operacion kaq të shëmtuar terrori ndaj kandidatëve, aktivistëve, mbështetësve të LSI apo të çdo force tjetër politike, se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për aktivitetin kriminal, intimidues dhe kërcënues që kanë ndërmarrë. Këto veprime antiligjore deri në kriminale për të intimiduar zgjedhësit, për të krijuar klimë presioni deri në terror, janë ligjërisht të ndëshkueshme dhe janë tashmë të konsumuara në tentativë të plotë.

Këta lloj "terrorucësh" nuk trembin dot as pulat, jo me hasianët, kuksianët dhe tropojanët, të cilët nuk kanë pyetur ndonjëherë për dhunën e Sali Berishës. Shteti i pas datës 23, do t’i qepet këmba këmbës të gjithë këtyre policëve, shiksave, forcave speciale që janë vënë në shërbim të kësaj dhune zgjedhore të Partisë Demokratike, deri sa të vendoset drejtësia dhe të japin llogari para ligjit për çdo akt terrori që po kryejnë. E themi këtë jo për hakmarrje politike, por si qëndrim politik për drejtësi.

LSI ka kontaktuar me zyrën e OSBE-ODIHR, Prezencën e BE në Tiranë, Ambasadën Amerikane dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ndalimin e kësaj dhune shqetësuese elektorale,"- përfundoi ai.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës