Vendimi i ndërmarrë nga Ministria e Arsimit për mënyrën e re të zhvillimit të procesit mësimor, “tre lëndë në 6 orë” ka nisur të zbatohet edhe në qytetin e Fierit. Për nxënësit zhvillimi i një lëndë mësimore në dy orë është parë pozitive, pasi sot për herë të parë në çantat e tyre ka më pak libra dhe nga ana tjetër u ka krijuar lehtësi, pasi një pjesë të mirë të mësimit gati e kanë mësuar që në klasë.

Report Tv ka qenë në shkollën 9 vjeçare ‘Naim Frasheri’ ku ka ndjekur inspektimin e bërë nga Drejtoria Arsimore. Sipas drejtorit të DAR Fier, kjo mënyrë do të jap më shumë mundësi që nxënësit të kenë më shumë sukses. “Shpresojmë që të sjellë akses pozitiv te fëmijët, pasi lidhet me përgatitjen e tyre dhe zhvillimin e orëve të mësimit. Mendojmë se nxënësit do të kenë përfitim maksimal”.

Nxënësit e kësaj shkolle shprehen se ndihen më të lehtësuar, pasi do të kenë më shumë kohë për të mësuar dhe nuk do të mbajnë më shumë libra në çantë. “Është më e thjeshtë për ne, pasi në shtëpi përgatitemi më shumë për lëndët që kemi. Në orët e mësimit kemi më shumë bashkëveprim me mësuesit, jemi më të lirshëm, ka më shumë ushtrime që realizojmë” shprehen ata.

Edhe drejtoresha e shkollës Fatmira Merkaj shprehet se ky vendim po shihet si një opsion i thjeshtë si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit. ‘Edhe në shkollën tonë është pritur mirë. Mendimi i përgjithshëm është pozitiv” tha ajo. Për të zbatuar këtë vendim të Ministrisë së Arsimit drejtorit e shkollave kanë punuar në fazën përgatitore me trajnimin e mësuesve dhe zhvillimin e takimeve konsultative me prindërit.  

d.b/shqiptarja.com