TIRANE- Shoqëritë e Transportit Publik, që detyrojnë invalidët të paguajnë biletën dhe do t’i zbresin ata nga autobusët e linjave, rrezikojnë heqjen e licencës së tyre. Atë që nuk e bën Bashkia e Tiranës, ka marrë përsipër ta bëjë Qeveria duke ndërhyrë me inspektorët e saj. Ministri i Punës, Erion Veliaj ka urdhëruar Inspektoratin e Punës që të kontrollojë të gjitha linjat e autobusëve dhe në ato linja që do të vërehen anomali, kompanitë do të rrezikojnë licencën,  ka pohuar ministri Veliaj. Ndërkohë kreu i këtij institucioni ka kërkuar që Bashkia e Tiranës duhet të kryejë detyrat e veta që i përcakton ligji sa i takon kësaj kategorie.

“Bashkia e Tiranës duhet të kuptojë se çdo privilegj ka edhe përgjegjësi. Prej shumë kohësh, ajo kërkoi të merrte në administrim linjat e autobusëve dhe tani ka gjithë fuqinë që të caktojë çmimin e biletave. Por, sot po shkel një të drejtë kushtetuese, të cilën ligji ua njeh invalidëve si të drejtë për të udhëtuar falas. Ajo që po bën Bashkia, duke zbritur invalidët nga autobusi, së pari është çnjerëzore, dhe së dyti është edhe e paligjshme” ka pohuar Veliaj. Ndërkohë edhe gjatë ditës së djeshme, invalidët janë gjendur përballë dy zgjedhjeve në ose të paguajnë biletën ose të zbresin nga autobusët. Në rastet kur ata kanë kundërshtuar për të paguar janë fyer nga fatorinot, ndërkohë që shkeljet ndaj personave me aftësi të kufizuara kanë ndodhur në çdo linjë urbane.

Kryetari i Shoqatës se Invalidëve te Punës i bën apel qeverise dhe Bashkisë se Tiranës te zgjidhin situatën pasi operatoret private po shkelin hapur ligjin dhe kontratën kur kane marre licencën. “Ju bëj apel të gjithë atyre individëve të zgjedhur apo jo, që kryejnë funksione publike, të mos i politizojnë të drejtat tona dhe aq më keq të mos tallen me gjendjen tonë shëndetësore duke na ofenduar, duke na diskriminuar psikologjikisht e fizikisht. I bëjmë apel Qeverisë të mbrojë të drejtat tona legjitime dhe të marrë masa ndaj cilit do shkelës të ligjeve në fuqi.

Shoqata e invalidëve të Punës e Shqipërisë si përfaqësuesja legjitime e mbi 70 mijë invalidëve të punës në vend, do të marrë të gjitha nismat demokratike në lidhje me mbrojtjen e të drejtave ligjore të invalidëve të punës”, ka deklaruar Abdulla Omari, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës. Nga ana tjetër, personat me aftësi të kufizuara të të gjitha kategorive kanë planifikuar protesta para bashkisë për shkeljen e të drejtave.
 
Operatorët
Operatorët e linjave urbane në kontratat e lidhura me pushtetin vendor kur kanë marrë licencën kanë pranuar zbatimin e ligjit, pra udhëtimin flas të invalidëve. Shkelja e ligjit pritet t’i verë përballë kontrollit të inspektoratit të punës.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)