‘Butrinti’,Forumi i Trashëgimisë
reagon ashpër ndaj Kumbaros

‘Butrinti’,Forumi i Trashëgimisë<br />reagon ashpër ndaj Kumbaros<br>
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka kritikuar ashpër ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, në lidhje me skandalin në Butrint. Forumi i Trashëgimisë ka risjellë në vëmendje diskutimin maratonë të ditës së djeshme në Komisionin e Medias, ku ministrja Mirela Kumbaro, e thirrur për të dëshmuar mbi ndërtimin e lokalit brenda zonës historike të kulturës shqiptare, u përball me kritika të ashpra edhe nga vetë deputetët socialistë. Forumi i drejtohet ministres, duke i thënë se në Butrint po ngrihet një bar-kafe private dhe këtë e provon edhe projekti i IMK i publikuar nga vetë stafi i Kumbaros.

Sipas këtij forumi mjaft të rëndësishëm të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, objekti ekzistues ka një sipërfaqe prej 64 metra katrorë, ndërkohë që dy shtesat e reja zënën rreth 157 metra katror të parkut, pra “rehabilitimi” zë dy herë më shumë truall se vetë ndërtesa ekzistuese. 

Më tej, Forumi i Trashëgimisë Kulturore dënon me ashpëri dhe pengimin e gazetarit të Report Tv për t’u futur në ambientet e Butrintit, dy ditë më parë, duke kritikuar hapur ministren Kumbaro, që përdori si justifikim Nenin 16, pika 2 të ligjit të Trashëgimisë, i cili thekson: “Fotografimi, filmimi ose regjistrimi kompjuterik dhe publikimi i objekteve te trashëgimisë kulturore, te ekspozuara ne muzetë vendore, behet pasi te jete marre autorizim nga institucioni shtetëror, ne varësi te te cilit është muzeu. Për objekte te tilla, te ekspozuara ne muzetë kombëtare, leja miratohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve.”  

Postimi i plotë i Forumit të Trashëgimisë Kulturore:
Pas pesë orësh diskutime në komisionin parlamentar, ku ministrja Kumbaro u vendos nën kritika edhe nga vetë deputetët socialistë për skandalin e ndërtimit në Butrintit, duhet theksuar edhe njëherë se ky ndërtim nuk është i paligjshëm. Nëse do të ishte i tillë, do të akuzonim të gjithë sot firmën private. Ndërtimi në Butrint është ligjëruar, licensuar dhe ka mbrojtjen e plotë të ministrisë së Kulturës, e cila ka përgatitur ligjin, udhëzimet dhe është vetë firmosëse e të gjitha lejeve të dhëna. Për këtë qëllim, Forumi dhe të gjithë zërat publikë po kritikon Kumbaron dhe konceptin e saj për zhvillimin e parkut të Butrintit. 

Më poshtë disa pika në vijim të seancës së djeshme dhe dokumenteve të publikuara:
1. Ministrja pranoi se nuk ka përgatitur planin e menaxhimit të parkut të Butrintit, sepse sipas saj nuk ka patur kohë. Që këtu zbulohet nxitimi i saj për të dhënë një leje për biznes privat, me afat disavjecar, ndërkohë që në planin e menaxhimit mund të propozohet një zgjidhje tjetër. Kjo i ngjan lejeve abuzive për ndërtime që dhanë për 20 vite kryetarët e bashkive, pa patur një plan rregullues të qyteteve. Katrahurën urbanistike e vuajmë të gjithë sot.

2. Ndërtimi i ri që po ngrihet rreth 50 larg larg teatrit antik (apo amfiteatrit siç e quan Kumbaro) është një bar-kafe private. Këtë e provon edhe projekti i IMK i publikuar dje nga vetë stafi i Kumbaros “Coffee bar service point”. Ministrja nuk iu përgjigj argumentit të arkeologëve se përse kjo kafe nuk ndërtohet jashtë zonës arkeologjike, ku mund të evitohen dëmtimet ndaj sitit. (Figura 1)

3. Ligji i trashëgimisë, në nenin 30, pika 3 thekson se “Në zonat arkeologjike “A” është e ndaluar çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor”. Justifikimi i ministrisë është se nuk po ndërtohet objekt i ri, por vetëm rehabilitohet ndërtesa ekzistuese e vjetër. Dokumentet e oficerit të policisë gjyqësore që ka bllokuar punimet më datë 2 tetor, dëshmojnë se objekti ekzistues (shtëpia e arkeologëve) ka një sipërfaqe prej 64 metra katrorë, ndërkohë që dy shtesat e reja zënë rreth157 metra katrorë të parkut. Pra, “rehabilitimi” zë dy herë më shumë truall se vetë ndërtesa ekzistuese.

4. U justifikua që ndërtimi i ri nuk prek nëntokën dhe bëhet fjalë për “beton të varfëruar”. Projekti i IMK vërteton atë që shikojmë të gjithë me sy, është gërmuar një themel me beton prej 30 cm dhe është vendosur gjithashtu një shtresë hekuri. Ministres i duhet shpjeguar që çdo objekt që ka beton dhe hekur quhet ndërtim, pavarësisht prapashtesës “i përkohshëm”. Më poshtë edhe përkufizimi i ndërtimit në ligjin Nr. 107/2014, Për Planifikimin dhe zhvillimin e Territorit: “Ndërtim” është çdo objekt që ndërtohet ose instalohet në territor, me vendosje të palëvizhme apo të përkoshme, dhe që zhvillohet nën dhe/ose mbi tokë.” (Figura 2)

5. Justifikimi se ndërtimi i kafes private nuk prek murin antik është një gënjeshtër tjetër. Vetë leja e dhënë nga ministria e Kulturës dhe IMK e titullojnë punimin: “Rehabilitimi dhe ndërtimi i pikave të shërbimit te muri antik”. Projekti dëshmon se ndërtimi i ri modern me bazament betoni po prek murin antik në pjesën anësore të godinës ekzistuese të arkeologëve. Edhe fakti i Kumbaros që kjo godinë e ka mbuluar murin antik nga syri i vizitorëve gjatë 70 viteve të fundit sepse është ndërtuar në periudhën e diktaturës, nuk e zhbën përgjegjësinë e saj për të mbuluar edhe atë pak pjesë që ka mbetur nga muri. Me këtë logjikë, ministri i rradhës i Kulturës, do të shtojë sipërfaqen e kafeve dhe restoranteve në park, sepse e para që e bëri këtë ishte Mirela Kumbaro. (Figura 3)

6. Përsa i përket akuzës për pengimin e gazetarëve që të hyjnë në ambjentet e Butrintit, Kumbaro përdori si justifikim Nenin 16, pika 2 të ligjit të Trashëgimisë, i cili thekson: “Fotografimi, filmimi ose regjistrimi kompjuterik dhe publikimi i objekteve te trashëgimisë kulturore, te ekspozuara ne muzetë vendore, behet pasi te jete marre autorizim nga institucioni shtetëror, ne varësi te te cilit është muzeu. Për objekte te tilla, te ekspozuara ne muzetë kombëtare, leja miratohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve.”

Pra leja me sms që jep Kumbaro për BBC apo mediat e tjera, është vetëm për objektet që mund të filmohen në muzetë kombëtarë dhe nuk kufizon filmimin e parkut në tërësi. Edhe ky kufizim ka për qëllim evitimin e falsifikimit të objekteve të trashëgimisë apo dëmtimit të tyre nga blicet. Aktualisht, çdo turist që hyn në Butrint ka një kamera në celularin e tij apo një kamera private dhe me këtë logjikë, duhet t’i dërgojnë të gjithë sms Kumbaros që të lejohen të hyjnë në Butrint. Deputetët e komisionit të medias, të kenë kujdes që të evitojnë përsëritjen e këtij neni që keqpërdoret nga ministrja për të shkelur të drejtën e informimit, në momentin që do të sillet për diskutim projektligji i ri i Trashëgimisë.

forumi reagim

(Postimi në Facebook i Forumit të Trashëgimisë Kulturore)

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari.

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari.