‘CEZ’, thirret dëshmitari kyç
që rrezikon Shkëlzen Berishën
 

‘CEZ’, thirret dëshmitari kyç<br />që rrezikon Shkëlzen Berishën<br /> 
Komisioni hetimor parlamentar për çështjen ‘CEZ’ ka nisur zyrtarisht procedurat për të marrë dëshminë e ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i cili do të pyetet për prapaskenat e privatizimit të OSHE, personat e përfshirë, raportet me sekserin Nuel Kalajn, për favorizimet, kontratat dhe për çdo shkelje në dëm të shtetit shqiptar.

Lajmi është konfirmuar për Shqiptarja.com nga kryetari i komisioni hetimor, Taulant Balla, i cili ka shprehur edhe një herë vendosmërinë e komisionit për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje.

Dëshmia e Josef Hejsek konsiderohet e një rëndësie të veçantë dhe përcaktuese për pozitat e Shkëlzen dhe Sali Berishës. Komisioni hetimor ka administruar një e-mail të ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i cili i shkruante nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, rreth një takimi të planifikuar me ish-kryeministrin Berisha dhe të birin e tij, me ndërmjetësimin e Nuel Kalajt.

Kjo është një ndër provat kryesore që implikon Shkëlzen Berishën në këtë histori. Publikisht, Shkëlzen Berisha ka deklaruar se ky takim nuk është zhvilluar kurrë. Po ashtu, Shkëlzeni ka hedhur dyshime se ky e-mail mund të jetë manipuluar.

Në këto kushte, dëshmia e Josef Hejsek, autor i e-mailit, mund të rrezikojë apo të shpëtojë djalin e ish-kryeministrit. Mbetet për t’u parë nëse Josef Hejsek do të pranojë të dëshmojë dhe nëse po, do të konfirmojë apo mohojë vërtetësinë e e-mailit. Juristi i OSHEE, Romeo Kara, asi i cili zbuloi dokumentet, deklaroi dy ditë më parë për Shqiptarja.com se e-maili i Josef Hejsek është pacënuar dhe i pamanipuluar.

Procedura
Meqenëse Josef Hejsek nuk është një shtetas shqiptar, komisioni hetimor ka ndjekur një tjetër procedurë për të mundësuar dëshminë e tij. Fillimisht, komisioni pati një dilemë nëse duhej t’i drejtohej Prokurorisë së Përgjithshme apo Ministrisë së Drejtësisë për t’u dërguar autoriteteve çeke letërporosinë. Me propozim të anëtarit Ulsi Manja, komisioni ka vendosur t’i kërkojë Ministrisë së Drejtësisë, për të vënë në lëvizje drejtësinë çeke me anë të letërporosisë.

Ligji parashikon që komisioni hetimor, për pyetjen e dëshmitarëve, zbaton Kodin e Procedurës Penale. Neni pika 7 e nenit 361 i KPP parashikon që dëshmitari mund të pyetet në distancë, brenda ose jashtë vendit, me anë të lidhjes audiovizive, duke respektuar rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kërkesa për të marrë dëshminë e Josef Hejsek është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike në komisionin hetimor. “Duke presupozuar që duhet të jenë diku, nuk po vë në dyshim që mund t’i keni, por thjesht i kërkoj për t’i pasur edhe unë. Nga e-mail-et del se Nueli nuk e ka komunikimin në ajër, por e ka me Josef Hejsek, kështu që e vetmja mënyrë që të konfirmohet më pas edhe vërtetësia e e-mail-ve, duhet të thërrasim edhe Hejsekun”, ka deklaruar Arben Ristani.

Thirret sërish Shkëlzen Berisha
Ashtu siç edhe u paralajmërua, komisioni hetimor për çështjen ‘CEZ’ ka thirrur sërish Shkëlzen Berishën për të dëshmuar rreth rolit të tij (nëse ka) në procesin e privatizimit të OSSH. Seanca kur Shkëlzen Berisha pritet të paraqitet për të dëshmuar është parashikuar për t’u mbajtur ditën e hënë. “Nuel Kalaj, presioni që ka marrë 7 milionë euro, nuk paraqitet në këtë komision. Sali Ram Berisha, ish-kryeministër, ka dhënë një dëshmi në komision. Dëshmia është e pavlefshme sepse s'ka kryer betimin, dhe nuk është përgjigjur fare për këtë çështje. Dhe personi tjetër i lidhur, Shkëlzen Berisha, nuk pranon të bëjë dëshminë dhe mos bërja e dëshmisë bën të pavlefshëm marrjen e dëshmisë. Ka një dakordësi mes të treve për të mos furnizuar komisionin me informacionin që ata kanë. Përveç thirrjes sërish të Shkëlzen Berishës, edhe Sali Berisha do të thirret sërish pasi dëshmia e tij është e pavlefshme”, paralajmëroi kryetari i komisionit, Taulant Balla, pas seancës ku Shkëlzeni refuzoi të bënte betimin.
 
Procedurat
Komisioni hetimor parlamentar për çështjen ‘CEZ’ ka nisur zyrtarisht procedurat për të marrë dëshminë e ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i cili do të pyetet për prapaskenat e privatizimit të OSHE.
 
Dëshmia
Përpos dëshmisë së sekserit që ndërmjetësoi privatizimin, Nuel Kalajt, dëshmia e Josef Hejsek konsiderohet e një rëndësie të veçantë dhe përcaktuese për pozitat e Shkëlzen dhe Sali Berishës.
 
E-maili i plotë i Josef Hejsek drejtuar Tomas Pelskac
 
Dërguar: E enjte, 28 Janar 2010, 22-40 PM
Nga: Josef Hejsek
Te: Tomas Pelskac
Subjekti: Shqipëri-Përgatitja e takimit me kryeministrin
Rëndësia: E lartë
Mirdita Tomas,
Në anekse janë përgatitur dokumentet. Ne do të përmendim gjithashtu kërkesat tona ndaj qeverisë, sa është debia që duhet paguar tani, rregullimin e çmimit etj.
Do të të pres ty me Nuelin në aeroport, në sallonin VIP.
Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë.
Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit).
Çfarë duhet të presim nga kryeministri?
Sipas Nuelit rezultatet në mënyrë të sigurt do të jenë pozitive dhe në 90 % konkrete. Ai më siguroi se për kryeministrin po punon një komision ndërministror i cili në mënyrë të specializuar po trajton problematikën tonë. (Mund t’ju konfirmoj që kam folur me disa anëtarë të komisionit që po merren me këtë marrëveshje).
Rezultatet e tyre nuk janë akoma të mbaruara apo përfundimtare. Ai më siguroi se përfundojnë shpejt dhe pas kësaj do ulemi sërish.
Si përfundim, sapo detajet e negociatave do jenë gati, do të fitojmë MR në Tiranë (Martin Roman). Gjithë të mirat.
 
 
Versioni i Shkëlzen Berishës
 
Kam bërë disa deklarata publike që ezaurojnë përtej çdo dyshimi faktin që unë as me z. Kalaj, as me z. Ismaili, nuk kam asnjë lidhje, as me aktivitetet e tyre dhe as punën e Komisionit. Nëse z. Kalaj nuk e thërrasin se nuk e gjejnë dot, po z. Ismailaj pse nuk e thërrasin në komision, nuk e gjejnë dot se ku është? Kjo është e ezauruar. Nuk e di çfarë provash ka administruar ky komision. Asnjë prej jush nuk ka parë nëse këto prova kanë qenë të certifikuara me origjinalin, kanë ardhur të apostiluara. Janë apo nuk janë prova reale nuk mund ta them dot. Unë kam bërë deklarata publike, kam theksuar qartë se nuk kam asnjë lidhje as me personin dhe as aktivitetet e tyre dhe asgjë tjetër. Për fat të mirë kjo punë ka dëshmitarë, mund të pyeten të gjithë dhe mund të flasin. Unë nuk pranoj të bëj një betim para një njeriu të dënuar për shpifje. Zotëria mund të çohej dhe t’ia lironte vendin një nga kolegëve të tij, nuk deshi sepse nuk është i interesuar për të vërtetën por për interesin politik.
 
Pretendimet e Romeo Karajt
 
Për sa kohë shkuan te djali, kanë pasur lidhje. Djali ka shkuar me këta me leje të të atit. Dhe kryeministri e ka deleguar atë. Fakti që është gjetur Nuel Kalaj, një person emigrant në Francë, nga Prizreni, për të marrë pjesë në këtë privatizim, tregon se ka qenë i besuar i familjes së tij. Nuel Kalaj dhe Kastriot Ismailaj kanë qenë sekserë në marrëdhëniet mes ERE dhe CEZ, pasi ka pasur luhatje të çmimit të energjisë. Kemi pagesat e bëra në nëntor-dhjetor të vitit 2010 dhe kemi një ulje të çmimit të blerjes së energjisë nga CEZ-i te KESH-i me pasoja për buxhetin dhe favorizime për CEZ-in. Është premtuar 10 milionë dollarë për t'u paguar në dorë, është paguar një shumë e vogël e cila nuk ka shkuar në destinacionin e duhur. Pasi janë bërë këto pagesa, mblidhet ERE dhe merr një vendim për uljen e çmimit të energjisë në favor të kompanisë çeke. P.sh nëse KESH e blinte me 8 lekë e shiste me çmimin 1 lek e ca. Në momentin që prishet kontrata me DIA, çmimi shkon nga 1.48 lek në 2.83 lek. Kemi një letërkëmbim ku futet sërish në lojë Nuel Kalaj.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim