‘Dibra’, PS: Rrëzimi nga gjykata
Vetingu, zgjidhja për të tillë gjyqtarë

‘Dibra’, PS: Rrëzimi nga gjykata<br />Vetingu, zgjidhja për të tillë gjyqtarë
Partia Socialiste ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike për shantazh dhe kërcënime të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që të shtyjnë datën e zgjedhjeve në Dibër.
 
Në përgjigje të akuzave të PD, Partia Socialiste deklaron se “nuk kemi bërë ankim në Kolegjin Zgjedhor dhe ky fakt i bën pretendimet e ngritura në deklaratën e sotme të Partisë Demokratike, një shpifje banale të radhës”.
 
Përsa i përket vendimit të gjykatës Administrative të Shkallës së Parë lidhur me mospranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të efekteve të Dekretit të Nishanit për zgjedhjet në Dibër, PS akuzon se vendimi është dështimi i radhës i drejtësisë.
 
Ai është marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Administrative dhe ligjin e posaçëm që rregullon funksionimin e kësaj Gjykate.
 
Ky vendim nuk lidhet dhe nuk krijon pasoja për themelin e kërkimit tonë por vetëm me kërkimin e masës së sigurimit të padisë.
 
Pritja e gjykimit të themelit të kërkimit do të jetë sfidë e radhës për drejtësinë. Argumentet e përdorura për mospranimin e kërkesës sonë janë të pabazuara dhe në padijeni të plotë të ligjit
”.
 
Sipas PS, gjykimi i masës së sigurimit të padisë mund të shqyrtohet edhe në mungesë të palëve. “Kjo është praktikë e konsoliduar e autoritetetit gjyqësor.

Për më tepër, gjykatësi që sot u mor në mbrojtje me zell të madh nga Partia Demokratike për një kërcënim imagjinar dhe kjo Gjykatë, ka dhënë plot masa sigurimi edhe pa praninë e palëve
”.
 
Një gjykim kaq i mjerë profesionalisht sipas PS dhe zbatimi i dy standardeve në drejtësi nga gjykatësi dhe Gjykata Administrative, është një tjetër alarm i fortë për pushtetin gjyqësor dhe domosdoshmërinë e fillimit të zbatimit pa humbur kohë të Reformës në Drejtësi.
 
Partia Socialiste deklaron se Vetingu është zgjidhja për të tillë gjyqtarë. “Ndërkohë që po, Vetingu për gjykatës të tillë që shqelmojnë ligjin, interesin publik dhe profesionin e tyre pa pikën e turpit, është e vetmja zgjidhje!

Dhe Partia Socialiste do të vazhdojë të ngrejë zërin dhe të qëndrojë e palëkundur pro Reformës në Drejtësi si një proces që do të pastrojë sistemin nga autorët e papërgjegjshëm të vendime gjyqësore të turpshme e të paligjshme si ky i sotmi.
 
E kuptojmë shumë mirë siç e kupton mbarë Shqipëria dhe bota demokratike, pse Partia Demokratike e ka kaq shumë problem zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe pse ajo rend të inkurajojë me deklarata shpifëse gjykatës të tillë. Por Reformën në Drejtësi dhe pastrimin e gjyqësorit nga veglat e padrejtësisë nuk e ndal dot më asgjë dhe askush
”thuhet në reagimin e PS.



d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois