Luan Rama publikon letrën e rrallë dërguar nga Dritëro Agolli

Luan Rama publikon letrën e rrallë dërguar nga Dritëro Agolli

Zv. kryetari i LSI. Luana Rama vendosi këtë të dielë pushimi të largohet disi nga situata politike që ka kapluar vendin dhe të na dërgojë në një tjetër dimension.

Në një postim në rrjetin e tij Facebook, ai ka publikuar një letër të marrë nga shkrimtari i madh, Dritëri Agolli në vitin 2003.

"Nuk është një copë letër. Është Dritëroi në çdo gërmë, në çdo fjalë. 
E gjithkund ku është Dritëroi, ka shumë zemër, ka shumë mirësi."- e përshkruan Rama letrën e  Agollit.

Letra:

I dashur Luan!

siç folëm atje në atë pasdite të shumënderuarit Todi Lubonja lëri një pritje Ali Bërbatit të Tropojës, se si gjithë kjo krahinë, ka edhe ai halle.

Përqafime, Dritëroi!

Postimi i Zv. kryetarit të LSI, Luana Rama:

Dritëroi: sa shumë zemër, 
sa shumë mirësi!...

Nuk është një copë letër. Është Dritëroi në çdo gërmë, në çdo fjalë. 
E gjithkund ku është Dritëroi, ka shumë zemër, ka shumë mirësi. 
Siç e dëshmon edhe kjo letër e thjeshtë me nënshkrimin unik e me aq shenjtëri; Dritëroi, të cilën po e bëj të njohur sot.

Ndërsa rrëmoja nëpër dosjet e mia, gjeta edhe këtë shënim. Ma pati sjellë dorazi në zyrë Ali Bërbati prej Tropoje, një mik i hershëm i Dritëroit, e më pas prej tij edhe miku im. 
Unë në atë kohë (ishte viti 2003), shërbeja në detyrën e Ministrit të Rendit Publik, siç emërtohej Ministria e Brendshme.
Bashkë me Dritëronë dhe Sadijen shkuam për t’i uruar ditëlindjen e tetëdhjetë Todi Lubonjës, partizan antifashist e më pas edhe funksionar i lartë i pushtetit komunist, edhe i burgosur politik i pushtetit të vet. Por gjithnjë mendjehapur, njeri përparimtar e burrë i mençur. Ishte 13 shkurt.

Siç ndodhte shpesh kur isha me Dritëronë, as në këtë “rast” ai nuk harroi të bënte pjesë të bisedës tonë, edhe hallet dhe shqetësimet e njerëzve të zakonshëm.E takonin shumë njerëz. Edhe ai takonte shumë, pafund. Nuk lodhej kurrë së takuari njerëz, nuk mërzitej me ta. Ata e gjallëronin, e gëzonin, por edhe e trishtonin kur flisnin për hallet e tyre, e vinin në mendime. 
I ndjente dhe i respektonte me shpirt. Njihte me emër njerëz nga e gjithë Shqipëria, nga të gjitha viset e saj, nga çdo trevë, nga çdo krahinë. Mund ta them me bindje që asnjë shkrimtar tjetër në Shqipëri nuk mund të ketë takuar e njohur aq shumë njerëz sa Dritëroi e t’i ketë bërë ata pjesë të veprës së vet sa ai. Një ndër ta ishte edhe Ali Bërbati.

- E kam mik, më tha. Prite se ka një hall. Është burrë i mirë, burrë Tropoje.
- Po, i thashë menjëherë. Thuaji që të vijë. 

E mbaj mend që i lashë një datë, e cila me siguri është ajo që mban letra e Dritëroit.
Unë i kisha dhënë fjalën e natyrisht që nuk kisha më nevojë për letër nga ai. Por Dritëroi kishte mënyrën e vet të komunikimit. Një lloj tjetër i poezisë së tij edhe kjo.
Me pak fjalë. Por me shumë zemër, me shumë mirësi. Gjithë elegancë, plot sqimë, gjithë etikë. Dhe sa nderim, sa shumë shprehet përmes saj.

Ai mua mund të më drejtohej fare thjeshte vetëm Luan. Ose edhe pa e shënuar emrin tim fare. 
Por e zgjedh enkas atë “I dashur Luan”, sepse ai kështu dinte të të drejtohej, njerëzor, gjithë dashuri.
Dhe më tej, vazhdon bisedën e disa ditëve më parë: “Siç folëm atje në atë pasdite të shumënderuarit Todi Lubonja...”. 
E përveçon mikun e vet dhe zgjedh qëllimisht të përdorë mbiemrin “ të shumënderuarit” para emrit. Enkas për të shprehur një nderim krejt të veçantë, një nderim sipëror për të. Një nderim prej Dritëroi, që i ka të gjitha brenda një kompozite.

E pasi e ka bërë këtë për Todin, ia lë rradhën në vijim “kërkesës” së tij: “ lëri një pritje Ali Bërbatit të Tropojës”.
Nuk thotë një takim, nuk thotë as vetëm prite, gjë që mund ta bënte krejt natyrshëm nga lartësia e emrit të tij dhe e nderimit tim për të, por sërish zgjedh: “lëri një pritje”.
Fare thjeshtë, por shumë bukur, deri në lirizmin e lutjes. Krejt natyrshëm ai e përcjell porosinë e tij me gjuhën e vet, përmes fjalës “pritje” të zgjedhur qëllimisht.
Sepse pritja ka më shumë kofidencë, edhe më shumë nderim. Pritet një mik, një shok, një i afërm, përkundrejt fjalës “takim” që është më e thatë, më zyrtare, më burokratike.

E mandej shkruan: “Ali Bërbatit të Tropojës”. I bën bashkë Aliun dhe krahinën, sepse në këtë rast, “si gjithë ajo krahinë, ka edhe ai halle”.
Ketu shfaqet përmasa e ndjeshmërisë së tij; e ndjeshmërisë, e dashurisë, e vëmendjes, e respektit, e mirënjohjes dhe e mirësisë së një shpirti që nuk mund të ishte tjetër, por shpirti prej apostulli i Dritëroit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë