Për të shtatin vit radhazi, qyteti i Ersekës e mirëpret Ditën e Verës me një organizim të veçantë dhe plot gjallëri nga vetë banorët. Nga qytetarët e zakonshëm, te grupet artistike dhe amvisat kolonjare, të gjithë bëhen pjesë e festës duke i dhënë sheshit një atmosferë tradicionale. Amvisat sjellin për vizitorët gatimet tipike të kësaj dite, duke e kthyer festën në një ekspozitë të shijeve të zonës.
Sipas tyre, në tryezën e Ditës së Verës nuk mund të mungojnë kulaçi, vezët e ziera, veroret dhe ëmbëlsirat e ndryshme, të cilat përgatiten sipas traditës së vjetër të Kolonjës.
“I kam trashëguar të mamave. Bëjmë verore të bardhë me pe te kuq. E vëmë në duar dhe fëmijëve. Marrim thanat. Misrat e zier me hi, i lajmë. Bëjmë kulaç, petanik, nga ato që bëjmë pastërma. Vezë të kuqe, kulaç, kush e kush nga komshinjtë të çohej më parë në mëngjes. Ishte traditë që na i kanë lënë të vjetrit”, thonë zonjat.
"Ziejmë vezë, Bëjmë kulaç, ëmbëlsira. Misra, grurë. I ndajmë në lagje, lajthi. Karamele. Portokalle, mollë etj”, shton një tjetër. " Ja shikoje, me misra, me kulaç, manushaqe, luledele, të gëzuar”, vijon një prej amvisave.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë Kolonjë thekson se aktivitetet e organizuara për këtë festë sjellin gjallëri dhe atmosferë festive në sheshin “Rilindja”.
"Sado traditë e zhurmë do ketë njerëz që thonë s’ka, njerëz por rrjetet virtuale e dinë. Dita e Verës është festë që buron jo nga komercialiteti, por festë pagane e festuar ndër shekuj mes traditave fetare dhe pagane. Uroj që shqiptaret te kenë shëndet, begati, qetësi”, uroi Isai.
Lajmi kryesor:
Sot Dita e Verës/ Ballokume, verore dhe festime në çdo qytet të Shqipërisë, Elbasani mbetet ‘shpirti’ i festës










