Lucia Nadin, Shqiptarët e famshëm
të shek XVI në Venecia

Lucia Nadin, Shqiptarët e famshëm<br />të shek XVI në Venecia
Bernardino Vitali filli udhërrëfyes i një hulumtimi mbi gjurmët e kulturës dhe artit shqiptar të mesjetës...
 
Libri i fundit i studiueses italiane Luçia Nadin “Shqipëria e rigjetur”  botuar nga “Onufri”, i kthen Shqipërisë protagonistë të kulturës dhe artit të Venecies së shekullit XVI dhe tregon përkatësinë e tyre në familje të mërguara në tokat e Republikës së Përndritur.

Siç thotë Nadin, në hyrjen e librit të saj “hulumtimi është gjithmonë fryt i një procesi të gjatë, të gjithanshëm e të mundimshëm; herë-herë ndonjë rezultat fatlum vjen si dhuratë e fatit, por më shpesh si kurorëzim i një pune prej murgu për gjetjen dhe bashkimin në një të tërë të një morie copëzash, në dukje pa lidhje mes tyre. Ky punim nuk i shpëton këtij rregulli: ai kërkon një mënyrë të posaçme leximi, për shkak se në momente të veçanta është i mbingarkuar me të dhëna, që ngjajnë të jenë të tepërta, në fakt janë të domosdoshme, pasi vetëm shpalosja në tërësi e tyre mund të përligjë përfundimet në të cilat kemi mbërritur”.
Fill udhërrëfyes i këtij hulumtimi është veprimtaria e Bernardino (de) Vitalit, me rëndësi të madhe në Venecien si kryeqytet europian i shtypit.

Sipas studiueses Nadin, Bernardino de Vitalit erdhi duke e humbur gjithnjë e më shumë epitetin “albanesotto”, me të cilin njihej në fillim, aq sa në botimet e tij të vetëquhej plot krenari “venecian”: një nga ato historitë domethënëse për fenomenin e integrimit, që karakterizoi në zotërimet e Venedikut diasporën shqiptare qysh prej dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XV. Analiza e veprave të shtypura prej tij, që siç njofton studiuesja Luçia Nadin, deri tani janë mbledhur 209 tituj, e vendos atë në krye të tregut venecian të botimeve.

Lidhjet e tij kulturore hedhin dritë të re edhe në prapaskenën e formimit të historianit humanist shqiptar Marin Barleti. Nga jeta dhe vepra e Barletit përcaktohen data e saktë e fillimit të veprimtarisë së tij si prift, viti 1494, si dhe data e hartimit të veprës Jeta e Skënderbeut, viti 1510.

“Marrëdhëniet qysh në fillimet e veprimtarisë së tij me një nga personalitetet madhore të humanizmit italian, ushtruesin e rafinuar të arteve të bukura, Girolamo Donà, na kanë dhënë një pistë të re hetimi mbi Marin Barletin, vepra e të cilit pati për botues pikërisht Bernardinon. Barleti ishte gjithashtu një “shtetas besnik” i Venedikut, ku gjeti më së pari një mbështetje ekonomike, dhe më vonë shtysën për t’u bërë prift, në 1994, e së fundi edhe mundësinë për të fituar njohuri të thella e kulturë sovrane. Jeta e Skënderbeut në gjininë e oratorisë i përket periudhës së vonë të humanizmit, produkt i një epoke dijetarësh të vërtetë, përfaqësues i denjë i së cilës ishte Girolamo Donà”, shpjegon Nadin në hyrje të librit të saj, i cili paraqet gjithashtu edhe personalitetin e Paolo Campsës, lindur në Venecie, por nga familje me prejardhje nga Shkodra, të cilin sot kritika e artit e njeh si gdhendësin më të madh të drurit në Rilindjen Veneciane.

Më pas në librin e saj Luçia Nadin ndriçon edhe veprën e Giovanni (de) Vitalit, kushëri i Bernardinos, transkriptues i Matricola-s së “Shkollës së Shqiptarëve”, kaligraf i çmuar në Kancelerinë dukale veneciane dhe piktor miniaturash.

Sipas nadin “nga ana e tij, Giovanni Vitali, që aty nga mesi i shek. XVI u afirmua në Venedik si miniaturist e mjeshtër kaligraf, i përkiste brezit të tretë të emigrantëve pas valës së parë të viteve 1474-1478. Ka të ngjarë të ishte nip, ose gjithsesi i afërm i Bernardinos: punimet e tij në Kapelën e Dukëve mund të admirohen edhe sot në Sallën e Mensës, në katin e parë të Bazilikës së Shën Markut”. Më tej Nadin thekson se  është pikërisht Giovanni Vitali shkruesi i Mariegolas së Shkollës së Shqiptarëve (Scuola degli Albanesi) në vitin 1552. “Mendohet se ai ishte në qendër të asaj ripërtëritjeje shpirtërore të Shkollës, që u bë e domosdoshme kur, me kalimin e kohës, identiteti kombëtar po shkonte duke humbur.

Kjo ripërtëritje duhej të përfshinte edhe një ringjallje të gjuhës amtare. Në kuadrin e këtij programi, një rol jo të parëndësishëm duhet të kenë luajtur Engjëllorët, sidomos dy priftërinjtë Andrea e Pali, djem të Pjetër Engjëllit” –shkruan autorja e librit “Shqipëria e rigjetur” Luçia Nadin. Ky studim i saj mbyllet me autorin e parë të një teksti të shkruar në gjuhën shqipe: me Gjon Buzukun, alias Giovanni Busichio, me veprën e tij “Meshari” të vitit 1555. Besohet se jetonte në Venedik, thotë Nadin, ndaj edhe përkthimin nga latinishtja në shqip të tekstit ia besoi një shtypshkronje veneciane.

“Për vendbanimin venecian të tij ishin shprehur me kohë studiues të ndryshëm shqiptarë: nga At J. Rrota, te Çabej e Zamputi: atyre u mungoi vetëm mundësia për të konsultuar arkivat veneciane”, shkruan Nadin. Sipas saj emigrantë shqiptarë, ishin  protagonistë të kulturës në tokën veneciane në vitet një mijë e pesëqind. Kësisoj të rindërtosh sot figurën e tyre, sipas Nadin “nuk do të thotë aspak të përfshihesh në lojën e pretendimeve nacionaliste, pasi thelbi i historisë është diçka krejt tjetër, që ka të bëjë me metabolizmin e anëve të ndryshme. Përkundrazi, do të thotë të përpiqesh t’i kthesh një pjesë të kujtesës një vendit, Shqipërisë, i cili, siç na mësojnë Statutet e Shkodrës, qysh në kohët e largëta të shek. XIV, ishte përfshirë plotësisht në realitetin ekonomik, social e kulturor të botës mesdhetare”.

Studiuesja veneciane Luçia Nadin, ka kaluar në Shqipëri një periudhë të gjatë mësimdhënieje dhe pune kërkimore. Ka përgatitur botimin e Statuteve të Shkodrës (përkthyer në shqip nga Pëllumb Xhufi) duke nxjerrë në dritë tekstin nga Biblioteka e Muzeut të Venecies: një “monument” i historisë mesjetare të Shqipërisë. Ka rindërtuar dukurinë e emigrimit shqiptar në krahinën e Venetos mes shekujve XV e XVI në librin “Shqiptarët në Venedik”. Mërgim e integrim 1479-1552 (përkthyer në shqip nga Pëllumb Xhufi). Ka studiuar traditën ikonografike të Skënderbeut në anijen e dukëve të Venecies, të famshmen Bucintoro. Po punon mbi mërgimin e klerikëve katolikë në tokat e Republikës së Përndritur mes shekujve XV e XVI, në lidhje me porositjen e veprave të artit. Në vitin 2010 ka marrë titullin e qytetares së nderit të Shkodrës.

Pjesë nga vepra studimore e Luçia Nadin “Shqipëria e rigjetur. Botuesi i Marin Barletit, Bernardino de Vitali: fillimet e veprimtarisë botuese dhe patronazhi i Girolamo Donà (1494-1511)

Në krye të komunitetit të humanistëve venecianë në fund të shek. XV shquheshin dy protagonistë: Ermolao Barbaro e Girolamo Donà; Barbaro i mbylli ditët e tij në Romë, për shkak të murtajës, në 1493. I kishte dhënë shumë kulturës. Zhvendosjet e tij të shpeshta në principata të ndryshme italiane i kishin krijuar lidhje e miqësi me mjedise kulturore nga më të ndryshmet: nga Venediku në Veronë, da Padova në Ravenna, nga Firencja në Romë e në Napoli. Ishte tejet ambicioz projekti i tij për mbledhjen e leximin në original të të gjitha veprave të Aristotelit, që deri atëherë bëheshin gjithsej njëqintenjëzetepesë, pjesa më e madhe e të cilave ishte përcjellë nëpërmjet leximit të komenteve, e njëherësh për një ristudim të Platonit, për të kuptuar më mirë Aristotelin.

U bënë mjaft të njohura korrigjimet e tij filologjike të tekstit të Plinit (të ashtuquajturat Castigationes plinianae, d.m.th. Ndëshkimet pliniane); themeloi në Padova të parin kopsht botanik në botë dhe u njoh njëzëri në gjithë Italinë e në të gjitha qendrat kulturore të Europës si “kollonë e studimeve dhe e letrave”. Girolamo Donà, të cilin e lidhte një miqësi e ngushtë me Barbaron, i përket së njëjtit rreth kulturor; kryesisht i ngarkuar me detyra politike, por njëherësh përfaqësues i denjë i humanizmit italian. Pas vdekjes së Barbaros, e çoi përpara trashëgiminë kulturore të tij. Ishte studiues i rafinuar i botës helene, amator i muzikës, “kureshtar” për të njohur gjithçka që lidhej me lashtësinë, e për rrjedhojë, koleksionist antikuaresh, mbrojtës i njerëzve të artit e të kulturës. Vlen të veçohet fakti që ishte mbrojtës i skulptorit Andrea Briosco, i mbiquajtur “Kaçurreli”. Dihet me siguri se kishte marrë nën mbrojtje studiues të ardhur nga bregu tjetër i Adriatikut për t’i shpëtuar vërshimit të turqve. Në këtë pikë ai u tregua zëmërgjerë e dorëlëshuar si shumë e shumë patricë të tjerë venecianë, që nxituan t’i ndihmonin pa u kursyer të ardhurit, veçanërisht të rinjtë.

Marin Beçikemi fliste për të sikur ta kishte baba, që i falte atij jo vetëm mbështetje, por edhe dashuri; vetë Beçikemi na njofton se nën mbrojtjen e Donàsë, bujtës në shtëpinë e tij, ishte edhe gramatikani Trifon, të cilin, thotë ai, e kishte bashkëpatriot. Midis dëshmive të shumta që flasin për klimën e shëndetshme kulturore që thithej në Venedik falë protagonizmit të Ermolao Barbaros e Girolamo Donàsë, vlen të veçohet ajo e Battista Guarinos, i mësuar e mësues nga Ferrara, i cili mbeti i mahnitur kur në vitin 1487, ndërsa shoqëronte Alfonso d’Este-n në Venedik, mori pjesë në disa takime njerëzish të ditur, ku e morën fjalën Barbaro, Donà, Marco Dandolo, Sebastiano Priuli, Benedetto Brugnoli, Daniele Rainero.

3. Në atë kapërcim shekujsh, pra, Venediku njohu njërën prej stinëve më të jashtëzakonshme kulturore: elementë përbërës të saj ishin shtysa e fuqishme që morën hulumtimet filologjike, të cilat çuan në formulimin plot kujdes të një kritike teksti që mbetej për t’u zbatuar në të gjitha fushat e dijes; interesi për njohjen e plotë të të gjithë antikitetit klasik në disiplinat më të ndryshme, nga ato letrare, në ato filozofike e shkencore, mbështetja po aq e madhe që vinte nga studimet e botës greke, shkëmbimet e veprave e të debateve midis 1 Qe gdhendës i zgjedhur nga Donài për relievet prej bronzi në altarin e kishën e Santa Maria dei Servi në Venecie, ku ishin varrosur paraardhësit e Donàsë. Atij i detyrohet edhe prerja e monedhës së Leonik Tomeit.

Për veprat e Girolamo Donàsë khs. P. Rigo, Catalogo e tradizione degli scritti di Girolamo Donato, në: “Atti della Accademia dei Lincei. Rendiconti della Classe di Scienze mor., st., e fil.”, serie VIII, XXXI, 1976, fash. 1-2, ff. 49-80. Disa vepra të Donàsë kanë humbur. 2 U referohemi studimeve klasike e të shumta të Vittore Branca-s për këtë temë: së paku studimit L’umanesimo veneziano alla fine del Quattrocento. Ermolao Barbaro e il suo circolo, në Storia della cultura veneta, III, I, përg. nga G. Araldi - M. Pastore Stocchi, Vicenza, Neri Pozza, 1980, ff. 166 vv. 3 Rainerit do t’ia kushtojë veprën e tij De ponderibus et mensuris Medicinalibus (Venezia, Taccuino, 1511) mjeku dhe humanisti nga Viçenca Domenico di Arzignano: ky ka firmosur me një teks poetik të vetin ballinën e Vita di Scanderbeg të Marin Barletit. shkollave të ndryshme të mendimit, në Itali e në Europë; sprovat në artet figurative dhe ndërthurrjet midis mendimit e figurës në pikturë (kujto ndër të tjerë Gentilen e Giovanni Bellinin, pastaj Carpaccion e Giorgionen).

Mjet për shpërndarjen e këtyre diturive u bë zhvillimi i pamendueshëm i shtypit: në tre dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XV ishin rreth pesëmijë vëllime ato që u shtypën në Venedik nga rreth 150 shtypshkronja. Ky, pra, është konteksti në të cilin domosdoshmërisht duhet vendosur edhe personaliteti i Bernardino de Vitalit, si edhe fazat e para të karrierës së tij si botues. Në vijim do mundohemi të provojmë se si u ngjiz marrëdhënia e tij me Girolamo Donànë, personalitetin më të shquar të kulturës për kohën, i cili, për më tepër, kishte trashëguar nga Ermolao Barbaro rolin e nyjes, ku ndërthurreshin miqësitë e eksponentëve të shumtë të kulturës së kohës.

Dalja në skenë e tij dëshmohet në Venedik midis viteve 1494 e 1495, me tre vepra që duket se zbulojnë një lidhje të qartë me mjedisin universitar të Padovës dhe me debatin e ndezur atë kohë mbi filozofinë e Aristotelit e komentuesit e shumtë të tij, si dhe me fushat më të ndryshme të njohurive shkencore: me mjekësinë, shkencën, filozofinë, me tekstet e Gilles de Corbeille (1494), Albertit të Saksonisë (1494), Avicennan (1495). Në mjedisin padovan kishte zënë fill, për të vazhduar më tej në Ferrara, karriera e Niccolò da Lonigos, i mbiquajtur Leoniceno, mjek nga Viçenca, nxënës i Ognibene da Lonigos (Viçenzë): ai e aplikoi metodologjinë filologjike mbi tekstet mjekësore të antikitetit me qëllim që të formulonte një fjalor të saktë të termave mjekësorë. Bashkëpunoi me Ermolao Barbaron e Aldo Manuzion, mësues edhe i Pietro Bembos. 4 Me shumë gjasa, Bernardino de Vitali e kishte origjinën nga viset mes Bergamos e Breshias, ku ishte vendosur familja e tij pas largimit nga Shqipëria.

Nuk mund të përcaktohet me siguri se në ç’vit ka ndodhur ky fakt, nëse gjatë apo pas rrethimit që turqit i bënë qyteteve të Shqipërisë së Veriut, Shkodrës e Drishtit (vitet 1474 e 1478-1479) apo në ndonjë datë tjetër. Meqenëse veprimtaria e tij shtrihet afërsisht deri në vitin 1540, ka të ngjarë që ai i përket një brezi të lindur mes viteve ’60 e ’70 të shek. XV. Në trevën e Breshias lulëzonte atë kohë veprimtaria e tipografëve dhe e botuesve, mjaft 4 D. Mugnai Carrara, La Biblioteca di Nicolò Leoniceno. Tra Aristotele e Galeno: cultura e libri di un medico umanista, Firenze, Olschki, 1991. të përmendet vetëm emri i familjes së botuesve Britannico. Në këtë mjedis do të ketë përftuar njohuritë fillestare, përpara se t’i hynte aktivitetit prej tipografi të mëvetshëm. Nisur nga niveli aktual i njohurive, për të hetuar veprimtarinë tipografike të tij në Venedik jemi të detyruar të nisim nga viti 1496. Në British Catalogue, për vitet 1494 e 1495, janë regjistruar disa tekste mjekësorë me përmbajtje shkencore.

Siç duket, në fillimet e tij Bernardino ka qenë i lidhur me mjedisin e Studios së Padovës, të cilin, siç do të shohim më poshtë, e frekuentonte atë kohë falë ndërmjetësimit të Këshillit Ipeshkvnor edhe Marlin Barleti, i cili u shugurua prift pikërisht në vitin 1494. Nuk mund të ishte ndryshe: Studioja e Padovas ishte qendra shpërndarëse për tregun e ideve e të dijeve. I njëjti Catalogue ia atribuon një botim të Shën Agustinit të vitit 1498 pikërisht Bernardino de Vitalit e “të tjerëve”: pra, ishte ende në fillimet e aktivitetit, përderisa punonte në grup bashkë me tipografë të tjerë. 5 Piero Lucchi në zërin Bolis Giovanni në Dizionario dei tipografi e degli editori. Il Cinquecento, përg. nga M. Menato, E. Sandal, G. Zappella, Milano, Editrice Bibliografica, 1997, mendon për një farefisni të mundshme mes tipografit Bolis, me prejardhje nga rrethinat e Bergamos (prej nga do të transferohej në Çezena) dhe Bernardino de Vitalit, pasi në dokumente noteriale që lidhen me të përmendet me patronimin “quondam Vitalis Rubei de Bolis”, “quondam Vitalis de valle magna de Bergamo”, “testamentum Ioanni Vitali”. Një tjetër Bolis, Bartolomeo, qe protonotar, redaktor i Papës, regjistrues apostolik. Ishte mik i ipeshkvit të Kremonës, kardinalit Francesco Gonzaga dhe bashkëpunëtor i përhershëm i Bartolomeo di Alvise Sanvitos, vizatues miniaturash të kodikëve. Khs. S. de Kunert, Un padovano ignoto ed un memoriale del cinquecento (1505-1511) con cenni di due codici miniati, Padova, Soc. Coop. Tipografica, 1907. Nga autorja e këtij punimi është duke u zhvilluar një hetim në arkivat e Breshias.

Për një bërthamë të de Vitalëve është e sigurt prania e tyre në Quinzano, në territorin e Bergamos: nga ky vend është me origjinë Giovanni Vitali, ndoshta nip i Bernardinos, kaligraf dhe vizatues miniaturash që do të ushtrojë aktivitetin në Venecie në dhjetëvjeçarët e mesit të shek. XVI dhe për të cilin do të flasim më tutje. Ndoshta mund të jetë koincidencë, por gjithsesi duhet shënuar se Girolamo Donà gjatë ushtrimit të funksionit të gjykatësit në Breshia u mor me një çështje mes komunave Quinzanos e të Bordolanos. Një shënim arkivi (ASV, Duca di Rivoli, “archivi i vogël”) ia përmend emrin në një listë tipografësh në Venecie qysh në vitin 1480: por kjo e dhënë nuk ka gjetur përforcime. Në vitin 1494, Girolamo Donà shfaqet si Avokat i Bashkisë; nga Venediku ai lëviz vazhdimisht në drejtim të Padovës, ku qysh në fund të viteve ’80 ishin bërë të famshme debatet intelektuale të tij me Ermolao Barbaron, Marco Dandolon, Sebastiano Priulin, Benedetto Brugnolin: një rreth njerëzish me nivel kulturor të jashtëzakonshëm.

Prej vitit 1487 ipeshkëv i Padovës ishte Pietro Barozzi, që kujdesej shumë për ruajtjen e besimit; edhe ky merrte pjesë në tubimet e Donàsë dhe shpesh ndërhyri në debatin e nxehtë, që aso kohe zhvillohej në mjediset universitare, mbi komentuesit e Aristotelit e posaçërisht mbi Averroèn. Në mars 1495 na shfaqet si podestà (gjykatës i lartë) i Breshias, detyrë që e mban deri në 1497; më tej, prej vitit 1497 në 1499, shërbeu si orator, d.m.th. ambasador, pranë papës Aleksandër VI në Romë. Këtë funksion e kishte mbuluar edhe në vitin 1472, kur papë ishte Inoçenti VIII. Përvoja e fituar gjatë misioneve të tij diplomatike, kontaktet e krijuara gjatë këtyre misioneve edhe me mjedisin kishtar, aftësitë e tij prej ndërmjetësi të besuar apo edhe vetë prirjet e tij individuale, që e përcaktuan atë si ambasadorin më të përshtatshëm për të negociuar midis Republikës së Venedikut dhe papës Juli II, i cili madje e përfshiu ndër njerëzit e preferuar të tij. Ka disa shenja që flasin në të mirë të lidhjes pikërisht në ato vite të miqësisë midis politikanit humanist dhe botuesit rishtar, i cili në fillim shfrytëzoi edhe aftësitë e vëllait, Mateut.

Së pari, vepra Enneades e Marcantonio Sabellicos, dikur nxënës në Romë i Pomponio Letos (edhe Barbaro kishte qenë nxënës i Letos në vitet 1462-1463), u botua në 1498 nga vëllezërit Bernardino e Matteo de Vitali: në kolofonin (pasthënien) e saj lexohet: Bernardino e Matteo de Vitali “që populli i quan shqiptarët (albanesotti)”: është e para dhe e vetmja herë që deklarohet origjina shqiptare e familjes Vitali. Duhet nënvizuar këtu, se të gjithë ata që ishin me kombësi të huaj, sidomos shqiptare, dhe që me kohë fitonin qytetarinë veneciane, prireshin ta fshihnin prejardhjen e tyre dhe të deklaroheshin me krenari si qytetarë venecianë. Një gjë e tillë ndodh edhe me Bernardino de Vitalin, që më vonë, krahas emrit të tij, në kolofon do të shtonte thuajse gjithmonë edhe cilësorin “veneciani”. Një kopje të vëllimit Enneades Sabellico ia dërgoi menjëherë në Romë Donàsë. Autori bën pjesë në rrethin kulturor të patricit, kurse botuesi (ose më mirë botuesit në këtë rast) “hyn” aty në mënyrë zyrtare. Në Romë, Donài frekuentonte Akademinë e Pomponio Letos, një pikë referimi për çdo intelektual të shquar: mes emrave të shumtë shquhej ai i Michele Marullo Tarcaniota. Me vdekjen e Letos, në 1498, ishte pikërisht Donà që mori përsipër shkruajtjen e epitafit. Trashëgoi shtëpinë e Leto Angelo Coloccit, humanist i rafinuar, i cili kishte mbledhur libra e objekte arkeologjike të Letos e kishte vendosur lidhje të ngushta me Akademinë e humanistit Giovanni Pontano në Napoli.

Ermolao Barbaro, gjatë viteve që jetoi në Romë, ku vdiq në 1493, kishte patur marrëdhënie kulturore me mjedisin napoletan, edhe me Pontanon e Galateon, emër ky i fundit që nuk duhet harruar, pasi do ta ndeshim edhe më vonë kur të flasim për miqësitë e Belisario Acquaviva di Aragona, vjehërr i Ferrante Kastriotit, të cilit do t’i kushtohet Jeta e Skënderbeut e Marin Barletit. Gjatë dy vjetëve të misionit të tij pranë papës, Donài vazhdon të jetë pjesë e kontakteve që mbanin mes tyre studiues it e Venedikut, Romës e Napolit. Një vit pas vdekjes së Letos, në 1499, vepra e tij Romanae historiae u botua nga de Vitali: edhe kjo është një provë e lidhjeve dhe e miqësive mes njerëzve të kulturës, konkretisht mes Letos, për sa kohë ky qe gjallë, dhe rrethit të tij: Donàsë e Sabellicos; miqësi që ka lënë gjurmët e saj në shtypshkronjën e de Vitalit. Ndërkohë, në vitin 1498, ky kishte nxjerrë nga shtypi një kolanë të Autorëve të vjetër (grekë, kaldej, latinë, mesjetarë) që kishin shkruar posaçërisht për gjeografinë, dhe kjo përzgjedhje e botuesit ishte në përputhje të plotë me një lloj historiografie të re të inauguruar pikërisht nga Leto, që i ofronte lexuesit plot kuriozitete.

Në këtë rast, objekti nuk përfaqësohej nga botët e reja që po zbuloheshin, por nga lashtësitë italike. Në fakt, në kolanën e Bernardinos përfshihen, mes të tjerësh, edhe Marsilio Lesbio, M. Porcio Catone, C. Sempronio, Antonino Pio, Berosus). 7 Prania në këtë përzgjedhje e Berosus-it tregon që Bernardino i njihte Commentaria-t e Giovanni Nannit, ose Annio da Viterbos, i mbrojtur i papës Aleksandër VI, i cili në vitin 1480 kishte komentuar Apokalipsin sipas një riinterpretimi modern të luftës kundër turqve. Libri i tij Antiquitates ose Interesat gjeografiko-historike shtriheshin edhe në sektorin e hartografisë, pasi kartografët merrnin pjesë në rrethet kulturore. Sa për shembull, mund të përmendim me këtë rast një kartograf të nivelit të Francesco Rossellit, i cili pasi bëhet i njohur aty nga viti 1470, në vitet ’80 e gjejmë në oborrin e Mattia Corvinit në Hungari, më tej u shpërngul në Firence e në Venecie. Rasti i tij është një dëshmi e qarkullimit të personave e të dijeve, e ndërthurrjes së përvojave e të stimujve shkencorë.

Lidhjen e de Vitalit me kartografët e provon më së miri botimi i Ptolemeut, në vitin 1508, por për këtë do flasim më poshtë. Në ato vite të fillimit, ashtu si edhe në dhjetëvjeçarët e mëvonshëm e vazhdimisht, katalogu i veprave të botuara nga de Vitali do të përfshijë autorë të traditës së krishterë, si p.sh. Shën Agostinin, si dhe eksponentë të historiografisë papnore. Do të përfshijë gjithashtu edhe juristë të mëdhenj, si Ubaldo Ubaldit, komentues i kodikëve të Justinianit, i cili në vitin 1499 përfshihej edhe në katalogun e Andrea Torresanit. Po aty gjenden, veç të tjetëve, Pico della Mirandola (Opera), mik i afërt i Girolamo Donàsë, me të cilin kishte polemizuar ashpër Ermolao Barbaro. Gjenden gjithashtu Bartolomeo Sacchi, i mbiquajturi Platina, i cili atë kohë kishte ribotuar veprën e tij origjinale, De honesta voluptate, e cila i kushtohet jetës së shëndetshme, posaçërisht artit të të gatuarit.

Edhe Platina kishte qenë frekuentues i Akademisë së Pomponio Letos, në Romë. Interesi për “të gatuarit”, që ngjalli vepra e Platinas, ndikoi drejtpërsëdrejti në eksperimentimet gjuhësore të poezisë së hollë makaroneske, sektor me të cilin pas pak do të merret edhe de Vitali, e cila po lulëzonte atë kohë pikërisht në mjedisin universitar padovan. Për t’u shënuar është edhe vëmendja për botën e studimeve astronomike, vëmendje që do vazhdojë në vite. Bernardino i qaset kësaj fushe me botimin në vitin 1501 të Traktatit të astrologjisë të Francesco Allegrit e të Kodit kishtar e astronomik të Arnaldo Villanovas. Le të mos harrojmë, që në Padova kishte jetuar deri aty nga mesi i shek. XV një personazh i rëndësishëm, Gjon Gazulli, profesor i matematikës dhe i astronomisë. Ky vdiq në 1465, duke ia lënë katedrën nxënësit të vet, Prosdocimo Beldomandit. Duke filluar nga gushti i vitit 1501, Donà u dërgua si ambassador i jashtëzakonshëm pranë perandorit Maksimilian, për ta shtyrë këtë që të rrokte armët kundër turqve: prej vitesh Venediku po përballonte i vetëm peshën e luftës kundër tyre. Mos të harrojmë, që në vitin 1479 kishte qenë i detyruar të lëshonte Shkodrën bashkë me gjithë Shqipërinë e veriut; në 1499 kishte pësuar disfatë në betejën detare të Navarinos.

Vetë papa Aleksandri VI i bënte thirrje sovranëve të Europës të bashkoheshin në një lidhje kundër turkut dhe dërgonte lajmës në Hungari, Poloni, Francë, Gjermani. Në Hungari dërgoi një njëri shumë besnik, Pietro Isvalies, që, para pak kohe ishte emëruar arqipeshkëv, i cili udhëtoi shpesh edhe në Venedik në funksion të marrëveshjeve antiturke. Të mos harrojmë mbi të gjitha, që me të ishte lidhur murgu i Beneventos, Marco, i cili më vonë do të jetë redaktor i Gjeografisë së Ptolemeut, botuar nga de Vitali. Marco di Benevento kishte në Venecia një shok të ngushtë nga vitet e shkollës, Giovanni Badoer. Ky ishte mik i Bembos, dhe në vitin 1500 e shohim si ambasador në Napoli e vitin tjetër, në 1501, në Hungari e Poloni, ku pas gjasave u takua me Pietro Isvalies. Po në vitin 1501, Venecia do të humbte Durrësin. Venedikut i duhej, kështu, të ushtronte trysni mbi fuqitë e ndryshme europiane, si mbi Filipin I të Kastiljes, ashtu edhe mbi Luigjin XII të Francës. Por më urgjente ishte ndërhyrja tek perandori i Gjermanisë, ku për këtë qëllim u dërgua Girolamo Donà.

Mandati i tij në vitin 1501 ishte tejet delikat. Vini re: në qershor, kur Donà akoma nuk ishte kthyer në Venedik, de Vitali boton fjalimin e mbajtur prej tij përpara Maksimilianit, në variantin latin e në atë italian. Teksti, pra, u shpërnda në kohën kur misioni ishte në zhvillim e sipër. Dhe këtu lind pyetja: e mori nga vetë Donà përpara se ky të merrte rrugën e kthimit, apo e shtiu në dorë me rrugë të tjera, ndërsa misioni ishte në vazhdim e sipër? Gjithsesi, ky fakt flet për një lidhje të ngushtë që ekzistonte tashmë midis intelektualit politikan dhe botuesit. Ky përfshihet edhe personalisht në fushatën antiturke me një trakt, një ekzemplar tipografik i papërsëritshëm, që sot ruhet në bibliotekën e Fondacionit Giorgio Cini të Venedikut (shih fig. 2 dhe 2a). Ishte një përfshirje e ndjerë dhe e përjetuar, nëse kihet parasysh që bëhej fjalë për një shqiptar, i cili, për shkak të valës pushtuese osmane në Ballkan, kishte humbur atdheun e vet. Gjuha veçanërisht e ashpër kritike kundër tukut, që lexohet në atë fletë, është në sintoni me urrejtjen veneciane të atij momenti historik.

Donà u kthye në Venedik në gusht 1501 dhe qëndroi aty deri në 1503, vit në të cilin do emërohet podestà (gjykatës i lartë) i Cremonas. Atij, si një mbrojtës i arteve dhe kutivues i hollë i muzikës, i kushtohet vepra Harmonic e musices odhecaton e Ottaviano Petruccit dhe e Bartolomeo Budrios, botuar në Venedik pikërisht në 1501. Ishte e para vepër muzikore që shtypej me shkronja të lëvizshme. Pasioni muzikor i Donàsë do të zërë vend më vonë në vetë veprimtarinë botuese të Bernardino de Vitalit, i cili do të kthehet në një botues të dëgjuar edhe në këtë sektor. Për të hapet një dyvjeçar tejet pjellor, sigurisht për shkak të afërsisë së ngushtë të Donàsë me Venecien: Në katalogun e tij, të ngjeshur e shumë interesant, gjenden 15 tituj në 1501 e 13 tituj në 1502: aty figurojnë autorë klasikë, si Nepoti, Plutarku (aq shumë i dashur për humanistët për biografitë e njerëzve të shquar të historisë, Teokriti, Censorini (gramatikani që citon burime të rëndësishme, si Varronin e Svetonin), Flavio Filostrati; përfshihen gjithashtu autorë të mesjetës së hershme, si Maksimian Etrusku, shok bisedash i Severino Boezios (një autor i vlerësuar nga Donài), Petrarka, bashkëkohës si Gregorio Amaseo (që zuri vendin e Sabellicos në Udine), friulani P. Fausto Andrelini; gjejmë gjithashtu, siç e donte rregulli, edhe fjalimet e mbajtura me rastin e dogjit të ri Leonardo Loredan; më tej gjejmë botime me karakter shkencor e mjekësor, siç është rasti i Almenarit 8 Venezia 1501.

Petrucci e la stampa musicale, Venezia, Biblioteca Nazionale Marciana, Fond. Levi, Ediz. Laguna, 2001, Cat. Mostra. me të dhënat mbi sifilizin; më tej, gjejmë vepra që kanë për subjekt astronominë e gjeografinë, siç është rasti i Computus të Arnaldo di Villa Nova ose i De mundi et spherae të C. Giulio Igino dhe i Cosmographia me autor papa Piun II, apo edhe matematikën (përmendim Algorismus të Sacroboscos, vepra e të cilit, Sfera, e vitit 1492 përmbante edhe një koment të Gasparino Borros, si dhe një kushtim për nder të Girolamo Donàsë); përmbante edhe një operetë, që korri sukses të madh në vitin 1502, por që gjithashtu ngjalli polemika të ashpra: Prognosticon me autor Luca Guaricon; ringjallja e interesit për artin e të gatuarit dëshmohet nga botimi aty i veprës De re coquinaria të Apicios; dhe në fund gjejmë një poemë makaronike akoma më interesante: Nobile opus të autorit H. Vigonça.

Tradita makaronike, që ishte një traditë shkrimesh satirike me nuanca linguistike të huazuara sa nga gjuha e popullit, aq edhe nga ajo e salloneve e madje edhe nga latinishtja, e kishte vendlindjen e saj në Padova, në mjedisin universitar dhe ishte frut i manipulimeve të holla gjuhësore. Ishte, pra, frut i një kulture eprore. Dëshmi mbi veprimtarinë krijuese të kohës së rinisë të Girolamo Donàsë, që për fat të keq ka humbur, si dhe mbi mjedisin padovan, na provojnë se patrici riosh ishte i dhënë pas studimeve të astronomisë, të shkencës por edhe pas krijimeve satirike. Kjo na jep të drejtë të hamendësojmë që ishte pikërisht Donài ai i cili, duke qenë “këshilltar” për veprimtarinë botuese të Bernardinos, e joshi këtë drejt krijimtarisë së rafinuar makaronike, të cilën vetë Donài e kishte ushtruar gjatë viteve të studimit në Padova dhe që vazhdonte të lulëzonte në mjedisin universitar.

Krijuese e traditës mund të konsiderohet vepra Macaronea e Tifi Odasit, e cila ishte bërë e njohur në vitin 1490, duke u kthyer në një pike referimi për atë gjini krijimtarie. Në fakt, satira që kishte në qendër jetën universitare dhe që bazohej në eksperimentime gjuhësore, ku e folura e salloneve alternohej me të folurën e popullit, pati ndikim të gjërë dhe siç dihet, ishte edhe më e hershme se vetë vepra Baldus e Teofilo Folengos. “Kumbarë” të Tifi Odasit ishin Domizio Parenzo e Niccolò Leonico, ky i fundit pinjoll i një familjeje epirote të shpërngulur në Venedik. Në veprën Nobile opus (“Punë fisnike”) përqeshet figura e profesorit universitar, të mishëruar në personazhin Vigonça, me kapërcime nga gjuha latine në atë dialektore, të cilat kontribuojnë për të vënë në lojë jetën akademike në përgjithësi.

Për referimet bibliografike lidhur me traditën e quajtur makaronike, khs. A. Në janar të vitit 1503, Donà vendoset si podestà (gjykatës i lartë i qytetit) në Cremona: i urojnë mirëseardhjen Marin Beçikemi, shqiptar si edhe Bernardini, i ikur nga Shkodra pas vitit 1478, që atë kohë ishte mësues në Breshia. Në fjalën përshëndetëse të tij Beçikemi përmend edhe bashkatdhetarin “Trypho”, të cilin e quan gramatikan të famshëm, që ishte formuar nën kujdesin e mbrojtjen e Girolamo Donàsë, në shtëpinë e këtij të fundit, në Venedik.

Beçikemi do bëhet mësues i njërit prej djemve të Donàsë, Filipit. Ndërkohë, nuk është vërtetuar, siç pohohet në ndonjë burim, se ishte mësues edhe i djalit tjetër të tij, Agustinit. Pra, ndodhemi përballë një shumëllojshmërie marrëdhëniesh midis përfaqësuesve të botës kulturore dalmato shqiptare dhe humanistit aristokrat nga Venediku. Viset e Epirit, nga ku vinin intelektualë të shumtë të shpërngulur në territoret e Republikës, konsideroheshin edhe si ura nga ku mund të kalohej në zbulimin e botës helene. Aty zinte fill mbështetja që patricë të shumtë venecianë u dhanë gjatë atyre viteve të ardhurve nga trevat shqiptare e dalmate. Në rastin tonë, Girolamo Donà u ofrua për vite të tëra si mbrojtës i çmuar i Beçikemit, i Trifonit, i Niccolò Liburnios, i Bernardino de Vitalit e, kemi arsye të besojmë, edhe i Marin Barletit.

lucia nadin














































lucia nadin












































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë