Kompania lider në tregun e bulmetit, Lufra, ka festuar 25-vjetorin e krijimit të saj. Mes miqsh dhe bashkëpunëtorësh, ndër vite themeluesit e LUFRES e kanë quajtur një rrugëtim që nisi si biznes familjar, por që sot synon tregun evropian.

Një mbrëmje gala e organizuar për 25-vjetorin e krijimit mblodhi miq, bashkëpunëtorë dhe klientë të kompanisë lider në tregun e bulmetit, Lufra. E konceptuar si një familje që rritet vazhdimisht, themeluesi i LUFRËS, Arben Ndreka, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar në atë që e quan “rrugën e vet të qumështit”. 

“Vërtet gjithçka nisi rastësisht në vitin 1992, por ama nisi me një lloj kurioziteti dhe përkushtimi, të cilin dhe sot arrij ta gjej brenda vetes sime dhe brenda atyre bashkëpunëtorëve të mi më të afërt. Dhe sot që Lufra numëron mbi 200 punonjës, mbi 5 mijë klientë me shpërndarje të produktit në të gjithë Shqipërinë çdo ditë, nuk mund të mos mblidheshim këtu për t’iu thënë ‘faleminderit’”, tha Ndreka. 

Ndërsa Luisi dhe Franci, e quajnë Lufrën një rrugëtim të pandalur që ecën vetëm përpara. 

“Në çdo ditë të jetës së vetë ka qenë një kompani që ka sjellë produktin e bulmetit nga familja jonë te çdo familja shqiptare dhe do vazhdojë të jetë një kompani shqiptare që do sjellë produktin nga familja jonë në çdo familje shqiptare, ballkanase apo evropiane dhe globale”, tha Luisi.

“Vëllai im dhe unë jemi shumë krenarë që mbajmë emrin e kësaj kompanie të madhe dhe jemi entuziastë në zgjerimin e saj. Jam i lumtur që në këtë ditë jo vetëm po festoj të kaluarën, por po mirëpres dhe të ardhmen”, tha Franci. 

Në këtë vit “të artë”, Lufra po synon eksportet jashtë vendit, për shkak të përbërësve natyralë dhe standardeve evropiane të cilësisë. Kompania Lufra numëron mbi 200 punonjës dhe investime serioze që i tejkalojnë vlerat e disa milion Eurove, duke e përgatitur kompaninë të vendoset në arenën e lojtarëve më të mëdhenj të industrisë së bulmetit jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në Evropë. 

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com