Lufta/ Blinken refuzon thirrjet për armëpushim: Hamasi është ende në Gaza! Trupat izraelite 700 metra larg spitalit al-Shifa

Lufta/ Blinken refuzon thirrjet për armëpushim: Hamasi është ende në Gaza! Trupat izraelite 700 metra larg spitalit al-Shifa

Disa njerëz duke u lutur për pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, një pauzë tre-ditore në luftime për të lejuar përparimin në lirimin e disa prej pengjeve që janë ende në duart e Hamasit. Sipas propozimit që po diskutohet aktualisht midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Katarit, Hamasi do të lironte 10-15 pengje dhe do i përdorte tre ditët në vijim për të verifikuar identitetin e të gjithë pengjeve dhe për të dorëzuar një listë me emrat e tyre.

Ushtria izraelite njoftoi se ka vrarë Mohsen Abu Zina, kreun e prodhimit të armëve të Hamasit, në një sulm ajror gjatë natës. Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi ushtarak, sipas të cilit Abu Zina ishte "një nga zhvilluesit kryesorë të armëve të Hamasit dhe ishte ekspert në zhvillimin e armëve strategjike dhe raketave të përdorura nga terroristët". Zëdhënësi shtoi më pas se mbrëmë "një celulë terroriste që planifikonte të lëshonte raketa antitank kundër ushtarëve" u eliminua.

Disa burime lokale të cituara nga agjencia e lajmeve Al Jazeera, ushtria izraelite ndodhet 700 metra larg spitalit al-Shifa në Gaza, ku sipas izraelitëve, ndodhet qendra komanduese e Hamasit. 

Numri i viktimave në Rripin e Gazës vazhdon të rritet pas operacionit ushtarak izraelit në enklavën palestineze. Sipas Ministrisë vendase të Shëndetësisë, deri më tani kanë vdekur 10,500 persona, mes të cilëve 4,324 fëmijë, raporton Al Jazeera.

 

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:47
Izraeli sulmon objektet ushtarake në Sirinë jugore, raportohet për dëme të shumta materiale

1699079194_gaza.PNG

Sulmet ajrore izraelite goditën objekte ushtarake në Sirinë jugore, duke shkaktuar dëme materiale.

“Rreth orës 22:50 të mbrëmjes së sotme, armiku izraelit kreu një sulm ajror nga drejtimi i Baalbekut në Liban, duke goditur disa pika ushtarake në rajonin jugor, duke shkaktuar disa humbje materiale”, tha agjencia zyrtare e lajmeve SANA, duke cituar një burim ushtarak.

Izraeli ka goditur Sirinë disa herë gjatë muajit të kaluar, ndërsa tensionet rajonale ziejnë për shkak të luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Muajin e kaluar, sulmet izraelite kishin rrëzuar dy aeroportet kryesore të Sirisë në Damask dhe Aleppo disa herë në dy javë.

Ora 20:38
Komisioneri i Lartë i OKB-së në Rafah: T'i japim fund makthit në Gaza

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, në përfundimin të vizitës së tij në Rafah të Egjiptit, ka shkruar për situatën në kufi me Rripin e Gazës.

"Në Rafah isha në portat e asaj që është një makth i gjallë në Gaza. Ndjej, thellë brenda, dhimbjen dhe vuajtjen e pamasë të çdo personi, të dashurit e të cilit janë vrarë. Ne të gjithë duhet ta ndiejmë këtë dhimbje të përbashkët dhe t'i japim fund këtë makth”.

Turk shtoi se kolegët e tij janë në mesin e shumë palestinezëve që luftojnë për të marrë ushqim, ujë, energji elektrike dhe karburant, vuajnë netë pa gjumë të mbushura me agoni, ankth dhe dëshpërim.

 

Ora 20:37
Hezbollahu: Nëse Izraeli vazhdon, ekziston rrezik real i zgjatjes së luftës

1699204001_gazaizraelhamas.jpg
Komandanti i dytë i Hezbollahut , Sheikh Naim Qassem, i tha BBC -së se vrasja e civilëve nga Izraeli në Gaza rrezikon të provokojë një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

"Zhvillime shumë serioze dhe shumë të rrezikshme mund të ndodhin në rajon dhe askush nuk do të jetë në gjendje t'i ndalojë pasojat," tha ai.

"Rreziku është real, sepse Izraeli po rrit agresionin e tij kundër civilëve dhe po vret gjithnjë e më shumë gra dhe fëmijë. A është e mundur që kjo të vazhdojë dhe të rritet, pa sjellë rrezik real për rajonin? Unë mendoj se jo."- tha Naim Qassem, teksa këmbënguli se çdo përshkallëzim do të lidhej me veprimet e Izraelit.

Ora 20:13
Netanyahu: Nuk ka armëpushim dhe asnjë lirim të pengjeve

1698696455_Netanjahu2.jpg

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu , përsëriti se nuk do të ketë armëpushim në Gaza pa lirimin e pengjeve.

"Dua të lë mënjanë të gjitha thashethemet e kota që dëgjojmë nga të gjitha drejtimet dhe të përsëris një gjë qartë: nuk do të ketë armëpushim pa lirimin e pengjeve tanë," tha ai.

Kështu, Netanyahu duket se hedh poshtë një sërë raportesh në rritje që vijnë nga Katari, Egjipti dhe vetë Hamasi, sipas të cilave një marrëveshje është e afërt për lirimin e 10-15 pengjeve nga Izraeli në këmbim të një pauze shumëditore në luftime.

Komentet e kryeministrit nuk e bënë të qartë nëse lirimi i një numri të konsiderueshëm pengjesh do të mjaftonte për një lloj pauze në një armëpushim.

Ora 20:05
Tajani nesër në Paris në konferencën humanitare për Gazën: Italia është gati të bëjë pjesën e saj

Zëvendëspresidenti i Këshillit dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Antonio Tajani do të jetë nesër në Paris për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Humanitare për popullsinë e Gazës.

Konferenca është thirrur nga presidenti francez Macron për të koordinuar mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për civilët palestinezë.

Ora 20:01
Ushtria izraelite: Hamasi ka humbur kontrollin në veri të Gazës, mijëra banorë po lëvizin drejt jugut

1697359457_gaza.jpg

Hamasi ka humbur kontrollin e Gazës veriore, ndërsa mijëra banorë të enklavës janë zhvendosur në jug.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i ushtrisë izraelite, kundëradmirali Daniel Hagari në një deklaratë televizive.

"Mbi 50 mijë bnaorë të Gazas lëvizën nga veriu i Rripit të Gazës në jug. Ata po lëvizin sepse e kuptojnë se Hamasi ka humbur kontrollin në veri," tha ai.

Ora 19:56
Lufta në Rripin e Gazës, Von der Leyen: Hamasi nuk mund të kontrollojë dhe qeverisë Gazën

1698673794_lkjed.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian ka prekur çështjen e konfliktit Izrael-Hamas, i cili vazhdon të shënojë sulme të ashpra me viktima dhe të plagosur.  

“Gaza nuk mund të jetë një strehë e sigurt për terroristët dhe disa ide janë duke u diskutuar se si kjo e fundit mund të sigurohet. Së dyti, organizata terroriste Hamas nuk mund ta kontrollojë apo qeverisë Gazën, vetëm një Autoritet Palestinez dhe një shtet Palestinez mundet.

Gaza është një pjesë thelbësore e çdo shteti të ardhshëm palestinez dhe territori i Gazës nuk mund të reduktohet apo amputohet." - tha Von der Leyen.

Ora 19:37
Izraeli: Gjyqi për Hamasin do të përfshijë 700 dëshmi për përdhunimet

1699213521_izraelgazahamas.jpg

Prokurori i Përgjithshëm dhe Prokurori i Shtetit do të hapin zyrtarisht një hetim për sulmin e Hamasit më 7 tetor. Hetuesit kanë mbledhur tashmë 700 dëshmi nga të mbijetuarat dhe ankesat për përdhunim.

“Qëllimi ynë është të hetojmë dhe të fillojmë procedimet ligjore kundër atyre që kryen, planifikuan ose morën pjesë në këto akte mizore, kudo që ndodhen”, thonë ata në një deklaratë.

“Izraeli do të ndëshkojë terroristët e Hamasit përgjegjës me rreptësinë më të madhe, në përpjesëtim me krimet e tyre".

200 militantë të Hamasit u arrestuan më 7 tetor dhe në ditët në vijim.

Ora 19:33
Izraeli, Hamasi përdor ambulanca për të transferuar armë dhe njerëz

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka deklaruar se Hamasi shfrytëzon ambulancat, spitalet, klinikat, xhamitë dhe shkollat për qëllime terroriste.

Ushtria izraelite e denoncon këtë duke publikuar regjistrimin e një telefonate nga një operativ i Hamasit, i cili pretendon se mund të largohet nga Rripi me çdo ambulancë që dëshiron.

“Hamasi përdor ambulancat për të transferuar armë dhe operativë në Rrip dhe përdor strukturat civile dhe vetë civilët si mburoja njerëzore.”- shtoi zëdhënësi i ushtrisë izraelite.

Ora 19:32
Hamasi: 19 të vdekur në një bastisje pranë spitalit në veri të Gazës

1698599770_gazaizraelhamasshba.JPG

Nëntëmbëdhjetë persona u vranë në një bastisje izraelite pranë një spitali në kampin e refugjatëve Jabalia në Rripin e Gazës. Kjo është raportuar nga Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi, siç raporton al-Arabiya.

Sipas Ministrisë së Brendshme palestineze, një sulm ajror izraelit shënjestroi një "shtëpi të banuar, pranë spitalit al-Yemen al-Saeed" në mes të kampit të refugjatëve në Gazën veriore.

 

Ora 16:09
Kërkohet armëpushim, OKB: Një fëmijë vritet çdo 10 minuta në Gaza

1697956237_gaza.JPG

Që nga 8 tetori, mbi 10.000 njerëz janë vrarë në radhët e palestinezëve.Në këto shifra sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë përfshihen 3,900 fëmijë dhe mbi 2,400 gra.

Agjencitë kryesore të ndihmës së OKB-së dhe organizatat bamirëse ndërkombëtare vijojnë të bëjnë thirrje për një “armëpushim humanitar” të menjëhershëm.

Kjo mund të lexohet në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar, ndër të tjera, nga drejtuesit e Ocha, Unicef, Programi Botëror i Ushqimit, OBSH, Save the Children dhe Care International.

Kjo deklaratë e përshkruan situatën në Gaza si “të tmerrshme” dhe “të papranueshme”, ndërsa zyra e Kombeve të Bashkuara njofton se mesatarisht çdo dhjetë minuta në Gaza vritet një fëmijë palestinez dhe dy të tjerë plagosen.

“Për gati një muaj bota ka vëzhguar evolucionin e situatës në Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze. Ne lexojmë me tronditje dhe të tmerruar numrin marramendës të jetëve të humbura dhe të plagosurve. Vrasja e tmerrshme e shumë civilëve në Gaza është e rëndë, siç është edhe privimi i 2.2 milionë palestinezëve nga ushqimi, uji, ilaçet, energjia elektrike dhe karburantet. Një popullatë e tërë është e rrethuar dhe nën sulm, e privuar nga aksesi në mallra thelbësore për mbijetesën, bombarduar në shtëpitë e tyre, strehimore, spitale dhe objekte kulti. Kjo është e papranueshme”, thuhet më tej në deklaratë.

Ora 15:55
VIDEO/ Izraeli zgjat operacionin e evakuimit të civilëve në Gaza

1699455263_oper.jpg

Foto ilustruese në Gaza

Ushtria izraelite deklaroi se do të zgjaste me një orë korridorin humanitar, që do të lejojë njerëzit në veri të Rripit të Gazës të evakuohen në jug. Njoftimi u publikua në mediat sociale në gjuhën arabe nga një zëdhënës i Forcave Mbrojtëse të Izraelit.

“O banorë të Gazës, në përgjigje të reagimit tuaj të madh që nga orët e mëngjesit, ne kemi vendosur të zgjasim me një orë shtesë funksionimin e korridorit të sigurt në rrugën Salah al-Din për lëvizjen e banorëve në jug të Wadi Gazës! Për sigurinë tuaj, bashkohuni me mijëra të shumtë që u drejtuan në zonën jugore të Wadi Gazës që nga orët e mëngjesit, kështu që shfrytëzojeni mundësinë deri në orën tre pasdite për të mbrojtur veten dhe anëtarët e familjeve tuaja”, thuhet në njoftim.

Korridori do të mbyllej në orën 14:00, me orën lokale, por tani do të jetë i hapur deri në orën 15:00, raporton The Guardian.

Më herët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari postoi një video që sipas IDF tregon se palestinezët lëvizin masivisht nga veriu në jug. 

 

Ora 15:35
VIDEO/ Izraeli pretendon se ka shkatërruar 130 tunele të Hamasit brenda Rripit të Gazës

1699453997_news.jpg

Ekspozimi dhe shpërthimi i tuneleve

Izraeli ka pretenduar se ka shkatërruar 130 tunele të Hamasit brenda Rripit të Gazës që kur filloi operacionet tokësore.

“Aktiviteti i luftëtarëve tanë brenda ekipeve luftarake që luftojnë në Gaza përfshin shkatërrimin e armëve të armikut, lokalizimin, ekspozimin dhe shpërthimin e tuneleve. Me zgjerimin e operacionit tokësor në Rripin e Gazës, luftëtarët po pengojnë infrastrukturën terroriste të Hamasit. Në kuadër të aktivitetit të forcave tokësore në Rripin e Gazës, po punohet për zbulimin dhe shkatërrimin e tuneleve të organizatës terroriste Hamas dhe që nga fillimi i luftimeve janë shkatërruar 130 tunele”, tha zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari.

The Guardian nuk ka verifikuar në mënyrë të pavarur kohën ose vendndodhjen e videove.

Izraeli filloi fushatën e tij në Gaza pas masakrës së 7 tetorit të Hamasit në brendësi të Izraelit, e cila vrau më shumë se 1400 izraelitë dhe gjatë së cilës Hamasi ka kapur 240 pengje. 

 

Ora 14:44
Spitali Al-Quds në Gaza pritet të mbetet pa karburant

1699450979_ikhkdsh.jpg

Njerëzit presin jashtë spitalit Al-Quds të qytetit të Gazës të dielën, ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit hyn në javën e saj të katërt

Spitali Al-Quds në qytetin e Gazës pritet të mbetet pa karburant të mërkurën.

Kështu deklaroi Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS), raporton Al Jazeera.

“Sot, spitali PRCS Al Quds shkurtoi shumicën e operacioneve në një përpjekje për të racionuar përdorimin e karburantit dhe për të siguruar një nivel minimal shërbimesh gjatë ditëve të ardhshme”, thuhej në një deklaratë në platformën X (ish-Twitter)

Ora 13:53
Zelensky: 43 shtetas ukrainas janë evakuar nga Gaza

1699181710_luftaneukraineukrainerusivolodymyrzelenskysulmohetizraeliluftanerripinegazes.jpg

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se 43 shtetas ukrainas janë evakuuar nga Gaza. Ai tha se qytetarët janë “tani të sigurt në Egjipt, ku diplomatët ukrainas po u ofrojnë ndihmën e nevojshme”.

Zelensky gjithashtu përshkroi përfshirjen e Ukrainës në evakuimin e 36 qytetarëve të Moldavisë, raporton agjencia e lajmeve ukrainase Ukrinform.

“Ne jemi të kënaqur që ndihmojmë fqinjin tonë miqësor", tha Zelensky.

Të martën, ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevgen Korniychuk , tha në një deklaratë të ndarë me agjencinë shtetërore të lajmeve të Ukrainës Ukrinform, se 367 persona do të evakuohen nga Izraeli.

Ora 13:34
Sulmet në Rripin e Gazës, Ministria e Shëndetësisë: Mbi 10 mijë viktima, mes tye mbi 4 mijë fëmijë

1699195344_imazh.jpg

Pamje pas sulmeve izraelite në Gaza

Numri i viktimave në Rripin e Gazës vazhdon të rritet pas operacionit ushtarak izraelit në enklavën palestineze. Sipas Ministrisë vendase të Shëndetësisë, deri më tani kanë vdekur 10,500 persona, mes të cilëve 4,324 fëmijë, raporton Al Jazeera.

Ora 13:22
Shkëmbim zjarri midis Hezbollahut dhe Forcave të Mbrojtjes izraelite, përgjatë vijës së frontit me Libanin

1699446104_pa.jpg

Bombardime në Rripin e Gazës

Një shkëmbim zjarri është duke u zhvilluar midis Izraelit dhe Hezbollahut libanez përgjatë vijës së frontit të hapur një muaj më parë midis Izraelit verior dhe Libanit jugor. 

Kjo është bërë e ditur nga media libaneze dhe burime lokale pranë vijës ndarëse mes dy vendeve. 

Në këto orë zonat më të prekura nga shkëmbimi i zjarrit janë sektori qendror dhe ai perëndimor i vijës së demarkacionit. Për momentin nuk raportohet për viktima.

Ora 13:17
Borrell: Situata në Gaza është shumë serioze, ne duhet të mbrojme civilët

1697617375_borrell.webp

Josep Borrell

Në një fjalim para Ministrave të Jashtëm G7 në Tokio, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se situata në Gaza është shumë serioze dhe se ata po bëjnë çdo gjë për të mbrojtur civilët.

"Situata aktuale në Gaza është shuë serioze nga pikëpamja humanitare, por ne duhet të bëjmë çmos për të mbrojtur civilët. Ne mbështesim fuqimisht - Bashkimi Evropian mbështet fuqishëm - hapjen e korridoreve humanitare dhe pauzave humanitare për të bërë ndihma dhe Lirimi i pengjeve është i mundur”, tha Borrell.

Borrell gjithashtu tha se ishte në dijeni që "ndalimi dhe de-përshkallëzimi aktual duket i vështirë, por ne duhet të bëjmë çmos për të liruar pengjet".

"E di që ndalimi dhe de-përshkallëzimi aktual duket i vështirë, por ne duhet të bëjmë çmos për të liruar pengjet, për të lejuar dykombëtarët të largohen nga Gaza, për të rritur ndihmën humanitare. Bashkimi Evropian ka dhënë 100 milionë euro ndihma humanitare – duke e rritur atë ditët e fundit. Por e rëndësishme nuk është vetëm të kesh burime financiare, por aftësi për të hyrë në Gaza. Dhe për këtë kufiri duhet të garantojë një kapacitet më të madh transportues të ndihmave humanitare', tha Borrell.

Ora 13:11
Hamasi mohon përparimin e trupave izraelite në Gaza

1699445487_hamas.jpg

Ushtarët e Hamasit

Zëdhënësi i Hamasit, Gazi Hamad, duke folur nga Bejruti, mohoi se trupat izraelite kishin bërë përparim të rëndësishëm dhe po avanconin thellë në qytetin e Gazës. 

"Ata kurrë nuk u tregojnë të vërtetën njerëzve", tha Hamad. 

Ai shtoi se shumë ushtarë izraelitë u vranë të hënën dhe "shumë tanke u shkatërruan" dhe se palestinezët "luftojnë, luftojnë dhe luftojnë kundër Izraelit, derisa t'i japim fund okupimit". 

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit gjatë luftës njëmujore. Associated Press nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimet e asnjërës palë.

Ora 12:01
VIDEO/ Në shënjestër mjetet e blinduara të ushtrisë izraelite, Hamasi publikon pamje nga luftimet në veri të Gazës

1699441474_amje.jpg

Pamje nga luftimet në veri të Gazës

Hamasi ka postuar një video të luftës në Rripin e Gazës, ku shihen militantët e këtij grupi duke shkrepur raketa mbi mjetet e blinduara izraelite që po marrin pjesë në luftime nëpër lagje të banuara.

Në video shihen po ashtu edhe pjesëtarët e brigadës Izz ad-Din Qassam, duke zhvilluar luftimet nëpër rrugë në lagjen Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës. Pjesëtarët e Hamasit kanë përdorur raketa Yassin-105 që janë prodhuar brenda Rripit të Gazës, raporton Al Jazeera.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi, ka njoftuar sot se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës nga 7 tetori ka shkuar në mbi 10 mijë.

Në mesin e të vrarëve janë 4.237 fëmijë dhe 2.717 gra. Më shumë se 25 mijë tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Gazë. 

 

Ora 11:26
Mjekët po kryejnë operacione pa anestezi! OBSH: Asgjë nuk e justifikon tmerrin që përjetojnë civilët në Gaza

1699439103_for.jpg

Forcat tokësore të Izraelit tani janë duke lokalizuar dhe shkatërruar rrjetin e gjerë të tuneleve të Hamasit

Gjendja në Gaza është alarmuese, mjekët po kryejnë operacione, duke përfshirë edhe amputime pa anestezi, bën me dije Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Asgjë nuk e justifikon tmerrin që po durojnë civilët në Gaza”, tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier të martën gjatë një konference shtypi në Gjenevë, duke theksuar “nevojën e tyre të dëshpëruar për ujë, karburant, ushqim dhe akses të sigurt në kujdesin shëndetësor për të mbijetuar”.

Lindmeier përsëriti thirrjet e Kombeve të Bashkuara për “qasje të papenguar, të sigurt dhe të sigurt” për rreth 500 kamionë ndihma në ditë – jo vetëm përtej kufirit, por edhe “deri në pacientët në spitale”, ku u kryen operacione duke përfshirë amputime e cila kryhet pa anestezi.

Niveli i vdekjes dhe vuajtjes është “i vështirë për t’u kuptuar”, shtoi ai. Lindmeier tha gjithashtu se të paktën 16 punonjës të kujdesit shëndetësor janë vrarë gjatë detyrës, duke theksuar se çdo sulm ndaj kujdesit shëndetësor është i ndaluar nga ligji ndërkombëtar humanitar.

Mjekët pa Kufij, të njohur edhe si Médecins Sans Frontières (MFS), thanë të martën se një nga kolegët e saj dhe disa nga anëtarët e familjes së tij u vranë në një shpërthim në kampin e refugjatëve Al Shati.

Një teknik laboratori i MSF dhe disa anëtarë të familjes së tij vdiqën në shpërthim të hënën, tha organizata. MSF tha në një deklaratë se “është jashtëzakonisht i shqetësuar për të gjithë kolegët tanë në Gaza, shumë prej të cilëve ende punojnë në spitale në të gjithë Rripin e Gazës duke ofruar kujdes shpëtimi”.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka bërë me dije se karvani i tij humanitar u sulmua kur po dërgonte furnizime mjekësore thelbësore në objektet shëndetësore në qytetin e Gazës, raporton CNN. Sipas ICRC, dy kamionë u dëmtuan në sulm dhe një shofer pësoi lëndime të lehta.

“Këto nuk janë kushtet në të cilat personeli humanitar mund të punojë. Ne jemi këtu për të sjellë ndihmë urgjente për civilët në nevojë. Sigurimi që ndihma jetike mund të arrijë objektet mjekësore është një detyrim ligjor sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha në një deklaratë William Schomburg, kreu i delegacionit të KNKK-së në Gaza.

Ora 11:18
Blinken: Izraeli nuk duhet të ripushtojë Gazën

1698821636_antonyblinken.jpg

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, ka deklaruar se elementët kryesorë të një paqeje të ardhshme përfshijnë “mos zhvendosjen me dhunë të palestinezëve nga Gaza”.

“Jo tani, jo pas luftës”, tha Blinken.

Ai gjithashtu shtoi se kushtet e tjera përfshijnë:

-Asnjë përdorim i Gazës si një platformë për terrorizëm apo sulme të dhunshme

-Asnjë riokupim i Gazës pas përfundimit të konfliktit

-Asnjë përpjekje për të bllokuar apo rrethuar Gazën

-Asnjë reduktim në territorin e Gazës

Blinken vazhdon të adresojë hapat për një “paqe të qëndrueshme”. Ai tha se planet duhet të përfshijnë bashkimin e Gazës me Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez, raporton Barrons.

Blinken shtoi se “duhet të përfshijë një mekanizëm të qëndrueshëm për rindërtimin e Gazës” dhe një “rrugë drejt izraelitëve dhe palestinezëve që jetojnë krah për krah” në dy shtete të veçanta.

“Të gjithë ne duam t’i japim fund këtij konflikti sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe ndërkohë, për të minimizuar vuajtjet e civilëve. Por siç diskutova me kolegët e mi të G7, ata që bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm kanë detyrimin të shpjegojnë se si të trajtojnë rezultatin e papranueshëm që ka të ngjarë të sjellë. Hamasi mori më shumë se 200 pengje, me kapacitetin dhe synimin e deklaruar për të përsëritur 7 tetorin. Gaza nuk mund të vazhdojë të drejtohet nga Hamaso. Është gjithashtu e qartë se Izraeli nuk mund ta pushtojë Gazën. Tani, realiteti është se mund të ketë nevojë për një periudhë tranzicioni në fund të konfliktit. Ne nuk shohim një riokupim dhe ajo që kam dëgjuar nga udhëheqësit izraelitë, është se ata nuk kanë qëllim të ripushtojnë Gazën”, tha Blinken.

Ora 11:11
Izraeli hap korridorin humanitar për civilët e Gazës që të ikin në jug deri në orën 14:00

1698915605_sulmohetizraeliluftanerripinegazes.jpg

Pika kufitare Rafah

Zëdhënësi i mediave arabe të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit thotë se një korridor humanitar është i hapur për civilët në veri të Gazës që dëshirojnë të ikin në jug.

Avichay Adraee tha se rruga Salah al Din, e cila shkon nga veriu në jug të enklavës, do të ishte e sigurt për të udhëtuar midis orës 10:00-14:00 me orën lokale.

“Për sigurinë tuaj, përfitoni herën tjetër për të lëvizur në jug. Zona veriore e Rripit të Gazës konsiderohet një zonë e ashpër luftimi dhe koha po kalon për ta evakuuar atë. Ata u bashkohen qindra mijërave që u janë përgjigjur thirrjeve dhe janë zhvendosur në jug ditët e fundit”, tha Avichay Adraee.

Ditën e djeshme, Izraeli pretendoi se trupat e tij po vepronin në zemër të qytetit të Gazës.

Ora 10:06
Diplomatët e G7 deklaratë të përbashkët për luftën Izrael-Hamas: Nevojiten masa urgjente për të trajtuar krizën humanitare

 

Ministrat e Jashtëm të G7-ës, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, janë takuar sot në Tokio, ku ata po përcaktojnë një linjë konsensusi për Gazën.

Grupi do të lëshojë një komunikatë së shpejti – pritet që ai të bëjë thirrje për pauza të përkohshme në luftime për të lejuar ndihmën në Rripin, por nuk do të kërkojë një armëpushim. Udhëheqësi izraelit Netanyahu ka refuzuar gjithashtu thirrjet për një armëpushim që ai thotë se do të lejonte Hamasin të rigrupohet, por ka thënë se do të konsiderojë “pauza të vogla taktike”.

Deklarata e përbashkët nga grupi i kombeve të pasura – SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian – do të jetë vetëm e dyta nga grupi që nga fillimi i luftimeve muajin e kaluar.

Komunikata gjithashtu ka të ngjarë të përsërisë mbështetjen e G7 për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, të nxjerrë në pah nevojën për angazhim me Kinën për shqetësimet e përbashkëta dhe të dënojë testet raketore të Koresë së Veriut dhe transferimin e armëve në Rusi, raporton Reuters.

“Shpresojmë të jemi në gjendje të paraqesim një qëndrim të bashkuar të G7-ës për situatën në Lindjen e Mesme në deklaratën e ministrave të jashtëm të G7-ës, e cila ne e kuptojmë se aktualisht është duke u koordinuar”, tha kryesekretari i kabinetit japonez Hirokazu Matsuno.

Çështja e pauzave humanitare në konflikt u ngrit në një darkë pune ku morën pjesë ministra nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të martën, tha në një deklaratë Japonia mikpritëse.

Komunikata e së mërkurës pritet të përfshijë një thirrje për pauza të tilla, pushime të përkohshme në luftime për të lejuar ndihmën në enklavën e rrethuar, raportuan disa media japoneze.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli do të konsideronte "pauza të vogla taktike", por, së bashku me aleatin e tij të ngushtë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, ka refuzuar thirrjet për një armëpushim që thotë se do të lejonte Hamasin të rigrupohej.

G7 duket se ka luftuar për të rënë dakord për një qasje të fortë dhe të bashkuar ndaj luftës së Izraelit në Gaza, duke ngritur pikëpyetje mbi rëndësinë e saj si një forcë për të trajtuar krizat e mëdha. E vetmja deklaratë tjetër e G7 erdhi pas një takimi të ministrave të financave më 12 tetor dhe arriti në disa fjali të shkurtra. Anëtarët e tjerë të grupit kanë lëshuar deklarata të përbashkëta.

Ndarjet e G7 kanë qenë gjithashtu të dukshme në Kombet e Bashkuara, me Francën që votoi në favor të një rezolute që bën thirrje për një armëpushim humanitar në konflikt më 26 tetor, SHBA-të e kundërshtuan atë dhe anëtarët e tjerë të grupit abstenuan.

Ora 10:00
Mbi 40 gazetarë të vrarë në një muaj luftë mes Izraelit dhe Hamasit

1699433932_40.jpg

Vdekja e një gazetari

Shifra e gazetarëve të vrarë është rritur në 41 në luftën që vazhdon që nga 7 tetori midis Izraelit dhe grupit ekstremist palestinez Hamas. Lajmi është konfirmuar nga Reporterët pa Kufij, të cilët njoftuan se është vrarë "më shumë se një gazetar në ditë", duke bërë thirrje për mbrojtje të shtypit.

Në një shënim, RSF saktësoi se "36 gazetarë janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza", duke kujtuar se "një nga viktimat e fundit është Mohammad Abou Hassira, i cili u vra së bashku me shumë anëtarë të familjes së tij, në një nga sulmet nisur në qytetin e Gazës natën mes 5 dhe 6 nëntorit”.

Për më tepër, mbi 50 zyra shtypi u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht nga sulmet izraelite, raportoi organizata. E fundit është selia e Agence France Presse, më 3 nëntor.

“Situata është urgjente, ne kërkojmë mbrojtjen e gazetarëve në Gaza dhe që gazetarët e huaj të mund të hyjnë dhe të punojnë lirisht atje”, është apeli i drejtuar nga Jonathan Dagher, kreu i zyrës së Reporterëve pa Kufij në Lindjen e Mesme.

Ora 09:23
Përshpejtohet evakuimi nga Gaza pas rihapjes së pikëkalimit Rafah

1699431787_pak.jpg

Palestinezët me pasaporta të huaja presin lejen për t'u larguar nga Gaza

Numri i njerëz që u larguan nga Rripi i Gazës përmes Egjiptit u rrit të martën, një ditë pasi pikëkalimi Rafah u rihap. Të paktën 500 persona, shumica të huaj apo shtetas me dyshtetësi kaluan përmes Rafahut, pikëkalimit të vetëm që nuk është në kufi me Izraelin, sipas burime të sigurisë egjiptiane.

Evakuimi përmes këtij pikëkalimi ishte pezulluar të shtunën dhe të dielën, pasi një ambulancë që po shkonte drejt Rafahut u godit nga një sulm ajror izraelit. Burimet e sigurisë egjiptiane thanë se Egjipti po e vazhdon trysnin për rritjen e ndihmave dhe karburantit, si dhe të sigurisë për ambulancat në Rripin e Gazës, raporton Reuters.

Ministria e Jashtme e Jordanisë tha se 262 jordanezë u evakuuan të martën, nga 569 të tillë sa kishin ngecur në Gazë pas shpërthimit të luftimeve atje. Kanadaja tha se 59 qytetarë të saj, banorë të përhershëm dhe familjarë, u evakuuan.

Po ashtu, 19 banorë të Gazës që kishin nevojë për mjekim u lejuan ta kalojnë kufirin. Ata iu bashkuan dhjetëra të tjerëve që janë duke u mjekuar nëpër spitalet e Egjiptit. Vendet e tjera shtetasit e të cilëve morën dritën jeshile për t’u larguar nga Gaza të martën ishin, Rumania, Gjermania, Moldavia, Ukraina, Filipinet dhe Franca, sipas autoriteteve kufitare të Gazës.

Ora 08:40
Forcat e Mbrojtjes izraelite: CIA po punon me ne për shpëtimin e pengjeve

1699344668_lal.jpg

Foto ilustruese e një personi pas sulmeve izraelite në Gaza

CIA po punon me inteligjencën izraelite në planet për shpëtimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF). 

Drejtori i agjencisë amerikane të spiunazhit Bill Burns e diskutoi këtë çështje dje me shefin e shtabit të IDF, Herzi Halevi, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari. 

Sipas Hagarit, gjatë takimit midis Burns dhe Halevit në Izrael, u prezantuan materialet e inteligjencës dhe planifikimit operacional për të ndihmuar në lirimin e pengjeve.

Ora 08:34
Vritet shefi i prodhimit të armëve të Hamasit

1699352242_ca.jpg

Ushtarët Izraelitë

Ushtria izraelite njoftoi se kanë vrarë Mohsen Abu Zina, kreun e prodhimit të armëve të Hamasit, në një sulm ajror gjatë natës. 

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi ushtarak, sipas të cilit Abu Zina ishte "një nga zhvilluesit kryesorë të armëve të Hamasit dhe ishte ekspert në zhvillimin e armëve strategjike dhe raketave të përdorura nga terroristët". 

Zëdhënësi shtoi më pas se mbrëmë "një celulë terroriste që planifikonte të lëshonte raketa antitank kundër ushtarëve" u eliminua.

Ora 08:33
Biden i kërkon Netanyahut një pauzë tre-ditore nga lufta

1699428794_biden.jpg

Joe Biden dhe Benjamin Netanyahut

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, një pauzë tre-ditore në luftime për të lejuar përparimin në lirimin e disa prej pengjeve që janë ende në duart e Hamasit.

Këtë e bën të ditur Axios, duke cituar disa burime, sipas të cilave kërkesa është bërë në telefonatën e djeshme.

Sipas propozimit që po diskutohet aktualisht midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Katarit, Hamasi do të lironte 10-15 pengje dhe do i përdorte tre ditët në vijim për të verifikuar identitetin e të gjithë pengjeve dhe për të dorëzuar një listë me emrat e tyre.

S.S/M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur