Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike zyrtare, Indrit Sefa, i ftuar në “5 Pyetjet” në Report Tv nga Ilir Babaramo u shpreh se, çdo deputet mund të ketë qëndrimet e tij personale, por aksioni opozitar duhet të jetë i koordinuar dhe i përbashkët.
“E gjithë mënyra e funksionimit të PD, nuk është normale për këtë forcë politike. Çdo deputet mund të ketë qëndrimin e tij, por aksioni partiak, aksioni opozitar, duhet të jetë i koordinuar. Janë organet legjitime të Partisë Demokratike që vendosin nëse Kuvendi që u mblodh është apo jo i ligjshëm. Secili nga deputetët është i lirë ti përgjigjet pozitivisht ose jo thirrjes së z. Bardhi për tu mbledhur për të diskutuar çështjet për të cilat do duan.”, u shpreh ndër të tjera Sefa në fjalën e tij.
Duke folur për ligjin e dosjeve të sigurimit, Sefa tha se, Partia Demokratike ka qenë e qartë dhe është e vendosur që, asnjë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, nuk ka më vend në këtë forcë politike.
“Çdo bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit nuk ka vend në Partinë Demokratike.”, tha në lidhje me këtë çështje Sefa.
Ai vijoi më tej duke thënë se, edhe pse Partia Demokratike ka qeverisur për shumë vite vendin dhe nuk ka hapur kurrë këto dosje, kjo gjë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Sefa u shpreh se, qëndrimi i kësaj force politike është i qartë, në mbështetje të plotë e pa kushte të organeve të drejtësisë. Në këtë drejtim ai shtoi se, nuk kishte ndodhur kurrë më parë që një ish-zv.kryeministër të jetë në arrati, apo që një ish-ministër të jetë nën hetim e për këtë ai veçoi kontributin e Partisë Demokratike në këtë drejtim.
“Sa i përket çështjeve të drejtësisë, qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë, mbështetje totale e pa kushte ndaj organeve të drejtësisë. Sot kemi rezultate konkrete të drejtësisë. Nuk ka ndodhur kurrë që një ish-zv.kryeministër të jetë në arrati. Nuk ka ndodhur kurrë që një ish-ministër të jetë nën hetim. E për këtë PD ka dhënë një kontribut maksimal në këtë drejtim.”, tha në lidhje me këtë çështje, Sefa.