Lufta e Ftohtë, kur Hrushovi
kërcënonte SHBA nga Kombinati!

Lufta e Ftohtë, kur Hrushovi<br />kërcënonte SHBA nga Kombinati!
Vizita e ish-kreut sovjetik Nikita Sergejeviç Hrushov në Shqipëri, në muajin maj 1959, përbën një pikë kulmore në shumë aspekte, duke e trajtuar së pari nga ai politik e tashmë edhe më shumë, nga ai historik. Në fakt, ajo do të shënonte edhe pikën e vdekjes në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare, riparimi i të cilave duket se nuk do të vinte më kurrë në përmasën që kishte qenë deri në atë kohë, pasi tashmë realitetet në të dyja vendet do të kishin ndryshuar thelbësisht.

Shumë është shkruar dhe shumë është thënë për qëllimet dhe objektivat e kësaj vizite, madje tashmë shumë detaje (shpesh edhe fare banale) interesante kanë dalë në faqet e shtypit shqiptar e më gjerë, por një element shumë i rëndësishëm i kësaj vizite, ishte vetë fjalimi i tij në një Kombinat të Tiranës, që kishte marrë, e si për ironi, vijonte të mbante emrin e ish-mësuesit të denoncuar prej vetë tij, Stalin.

Akoma më interesant na bëhet kjo dëshmi, nëse kemi parasysh se versioni që kemi sjellë sot (të plotë), është marrë nga arkiva e organit zyrtar të njërës prej partive - asokohe simotër - nga kampi i Demokracive Popullore, më konkretisht i asaj të “Socialistëve të Bashkuar Gjermanë” në ish-RDGJ, që mbante emrin “Neues Deutschland” ( ose në shqip: Gjermania e Re).

Është gjithashtu interesant të konstatohet ndërsa i hedh një sy kësaj arkive, se pikërisht ky vit përbën edhe zenitin e raportimit të saj për Shqipërinë, pasi më pas kurba do të vinte në rënie në mënyrë drastike, sidomos pas vitit 1960, për arsye që tashmë merren me mend.

(Në vijim fjalimi i plotë)

Shokë të shtrenjtë!

Ajo çka tashmë na shqetëson të gjithëve, është çështja luftë apo paqe, e kjo do të thotë, situata aktuale ndërkombëtare. Ne jemi të mendimit se situata ndërkombëtare sot nuk është keq dhe madje mund të thuhet shumë herë se ajo madje është përmirësuar. Ne jemi të bindur – e unë këtu po flas për Bashkimin Sovjetik dhe për qeverinë e tij – se nëpërmjet një politike të drejtë, konfliktet ushtarake mund të shmangen. Siç e dini,  në Gjenevë tashmë po zhvillohet konferenca e ministrave të jashtëm, të cilët po kryejnë negociata mbi çështje shumë të rëndësishme.

Dje mora lajmin se në punimet e Konferencës do të bëhet një pauzë triditore, pasi ministrat e jashtëm duhet të udhëtojnë për në SHBA, për të marrë pjesë në varrimin e Ministrit të Jashtëm amerikan, John Foster Dulles. Pas pauzës, konferenca do të vijojë me punën e saj. Ne shpresojmë se për problemet ndërkombëtare, duhen gjetur zgjidhje që kontribojnë në shmangien e Luftës së Ftohtë dhe në vendosjen e paqes në mbarë botën.

ÇFARË ROLI LUANTE DULLES?

Shokë! - Unë dua ta shfrytëzoj fjalimin tim për t’i shprehur qeverisë së SHBA ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e zotit Dulles, i cili për shumë vite me radhë mbuloi postin e Ministrit të Jashtëm. Disa mund të mendonin: A përputhet kjo dhimbje me fjalimet e mia të shpeshta kundër Dulles dhe kundër politikës së ndjekur prej tij? Po, përputhet. Ne ishim kundërshtarë të Dulles në çështjet themelore, ato principiale. Dulles bënte politikën e tij.

Kush ndjek me vëmendje politikën botërore, mund të konstatojë pa vështirësi, se mes politikës së jashtme që Dulles ndërmori fill pasi mori postin e Ministrit të Jashtëm të SHBA, dhe politikës së tij në kohët e fundit, hasej një ndryshim i qenësishëm.  Kur Anastas Ivanoviç Mikojan ishte në SHBA, pati atje një bisedë me zotin Dulles. Nga kjo bisedë mund të shihej se Dulles ishte tërhequr nga lufta kundër komunizmit në vendet e  Europës Lindore.

Kjo sigurisht, nuk do të thotë se Dulles i ka pranuar mësimet e komunizmit dhe e ka ndërprerë luftën e tij ideologjike. Kjo deklaratë duhet kuptuar hapur se Dulles kishte ndërmarrë një kthesë nga metodat e mëparshme, kur ai i injoronte dëshirat e popujve të Europës Lindore, kur qarqe të caktuara në SHBA donin të vendosnin sistemin e vjetër në këto vende, dhe kur me ndihmën e të ashtuquajturës politikë e forcës, përpiqeshin t’i rikthenin këto vende në të shkuarën e tyre kapitaliste.

Dulles, me ç’duket, kishte parë më në fund të mirat e kësaj politike. Këtë meritë të zotit Dulles, duhet t’ia njohim. Për të pasur qëndrime të tilla, duhet pasur guxim. Edhe deklaratat e zotit Dulles rreth çështjes së Gjermanisë kërkojnë respekt. Ai thoshte se rruga e ribashkimit të Gjermanisë, nuk çon vetëm në “zgjedhje të lira”, por edhe se kjo mund të arrihet në mënyra të ndryshme.

Si kryetar i qeverisë sovjetike, unë e vlerësova pozitivisht deklaratën e zotit Dulles. Natyrisht mund të thuhet se Hrushovi flet për këtë pasi Dulles tashmë ka vdekur. Por unë pata folur rreth kësaj edhe më parë në takime e biseda me disa diplomatë të huaj.  Dulles ishte një politikan i rëndësishëm. Ai mbronte, natyrisht, interesat e klasës së tij.

Ai kishte një nam aq të madh si antikomunist, saqë  nëse ai ndërmerrte një vendim, i cili në dukje nuk përputhej me doktrinat imperialiste, askush nuk mund të thoshte se ai simpatizonte komunizmin. Një tjetër, përballë propozimeve të llogjikshme të kampit socialist, do të druhej dhe s’do të kishte guxuar t’i pranonte ato, pasi ai do të kishte frikë e do të dyshohej si simpatizant i komunizmit. Por nuk ndodhi kështu me Dulles: në muajt e fundit të jetës së vet, ai tregoi një mirëkuptim më të madh për situatën ndërkombëtare.

FJALËT DHE VEPRAT E FUQIVE PERËNDIMORE

Politika e një qeverie përcaktohet pikësëpari jo vetëm nga qëndrimi i një personi, por nga qëndrimi i një klase në pushtet. Fuqitë perëndimore në konferencën ministeriale të Gjenevës, kanë bërë të qarta pikëpamjet e tyre. Por këto pikëpamje nuk ndryshojnë në thelb nga propozimet e tyre të mëparshme dhe nuk parashtrojnë asnjë themel për të arritur në një akord.

Ata flasin sigurisht për gjetjen e një gjuhe të përbashkët, por nuk e synojnë vërtetë atë. Propozimet e vendeve perëndimore kanë sjellë një pështjellim dhe në këtë formë janë të papranueshme. Ka shumë çështje të rëndësishme, të cilat të shtyjnë drejt mirëkuptimit. Ne duam të takohemi me kryetarët e qeverive dhe bashkë me ta, të gjejmë nën një themel të llogjikshëm, ku, në cilin vend do të mund të bëhet ky takim, për ne nuk ka asnjë kuptim

 Për ne, çështja kryesore është që takimi të ketë rezultate  dhe që paqja të vendoset në mbarë botën. Për këtë, ne jemi të gatshëm të shkojmë deri në fund të botës, nëse bota njeh një fund të tillë. Teknika jonë do të na mundësojë ta arrijmë këtë fund të botës.

Shokë! Ne do të këmbëngulim fort që gjendja e luftës me Gjermaninë të marrë fund dhe të nënëshkruhet një traktat paqeje. Nëse nuk ia dalim dot të nënshkruajmë traktatin e paqes me të dyja shtetet gjermane, një traktat të tillë ne do ta bëjmë me Republikën Demokratike Gjermane.

Do të kalojë një farë kohe dhe do t’i ndriçojë edhe mendjet e sferave drejtuese në RFGJ, se nënshkrimi i një traktati paqeje është i domosdoshëm: e pastaj ata do ta nënshruajnë atë. Se kur do të ndodhë kjo, për këtë s’ia vlen ta vrasim mendjen, pasi nuk ka edhe ndonjë nxitim. Ne do presim.

Por ne nuk do të neglizhojmë në përpjekjet tona që të arrijmë në zgjidhje të llogjikshme e të pranueshme për të gjitha palët, si përsa i përket traktatit të paqes me të dyja shtetet gjermane, si asaj të Berlinit Perëndimor, si edhe në lidhje me çështjet e tjera ndërkombëtare.

NJË LUFTË ËSHTË SI NJË ZJARR

Më tej unë dua të flas pak edhe për fqinjët tuaj, Italinë dhe Greqinë. Në luftën e shkuar botërore, fashistët italianë luftuan kundër Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Bashkimi Sovjetik nënshkroi një traktat paqeje me Italinë dhe ne duam të kemi me të marrëdhënie miqësore. Unë mendoj se një gjë e tillë ishte me përfitime, si për Italinë, ashtu dhe për ne. Ne sot ushqejmë ndjenja miqësore për popullin e zellshëm italian.

Por fatkeqësisht, klasat në pushtet atje ushtrojnë një politikë që nuk i shërben popullit italian. Qeveria italiane na dërgon herë pas here nota, në të cilat shkruhet se ne duhet të përgjigjemi se ku kanë shkuar ushtarët italianë që luftuan kundra nesh, që janë varrosur në dheun e vendit tonë, e që nuk u kthyen më në vendlindje.

A nuk është akoma e njohur për ta se ç’do të thotë luftë? Një luftë është si një zjarr, në të cilën hyhet kollaj, por që zor se dilet po aq kollaj, sepse digjesh. Kështu që edhe në këtë luftë, janë djegur edhe ushtarët italianë. Natyrisht se ata nuk vdiqën për interesat e tyre, por për interesat e Mussolinit, i cili  bashkëpunonte me Hitlerin për të bërë atë që bënë. E çfarë lidhje kemi ne me këtë? Nuk ishim ne që i ftuam ata, e ata as nuk ishin si miq tek ne: dhe armiqtë tek ne trajtohen ashtu si duhet. Miqtë ne i presim me bukë e kripë, e armiqtë me një thupër të trashë.  Kështu ishte, e kështu do të jetë gjithmonë.

Para pak kohësh, qeveria italiane, përkundër dëshirës së popullit italian, u dha leje ngritjes së bazave raketore amerikane në territorin e saj. Aktualisht qeveria amerikane po kryen bisedime me qeverinë greke mbi ndërtimin e të tillave baza raketore edhe në territorn grek. Është e qartë se këto baza drejtohen kundër Bashkimit Sovjetik, kundër Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Kampit Socialist.

BALLKANI DUHET TË JETË NJË GADISHULL TË PAQES

Qeveria e Bashkimit Sovjetik e drejtoi vëmendjen e qeverive të Italisë dhe të Greqisë në çështjen se një politikë e tillë do sjellë pasoja serioze dhe se ajo kërcënon sigurinë e popujve. Ne propozojmë që Ballkani të kthehet në një gadishull të paqes, në mënyrë që këtu të mos ketë më as raketa, e as armë bërthamore. Kjo do të kishte qenë me përfitime, si për popullin grek, si për atë italian, e ashtu edhe për popujt e tjerë që jetojnë në gadishullin ballkanik, apo në zonën e Mesdheut.

Duhet të përpiqemi që i gjithë rruzulli të çlirohet nga armët bërthamore. Ky do të kishte qenë një çlirim i madh për të gjithë banorët e rruzullit. Nëse amerikanët me lejen e qeverive të Italisë dhe të Greqisë do të ndërtojnë në territoret e tyre baza raketore, kësisoj edhe ne do të ishim, me shumë gjasa, të detyruar të ndërmerrnim në bashkëpunim me qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë, kundërmasa.

Amerikanët po instalojnë në Itali raketa me bazë të mesme veprimi. Por nëse këto raketa apo raketa të thjeshta, do të viheshin në përdorim në Shqipëri për objektiva të afërta luftarake, atëherë ato do të kapnin të gjithë territorin e Italisë. Pas pak kohësh këtu do të ketë edhe raketa të mjaftueshme për objektiva të afërt luftarakë. A është kështu, Shoku Malinovski?

Malinovski: Ashtu është plotësisht!

E njejta gjë mund të thuhet edhe për Greqinë. Populli grek është një popull shumë i mirë. Populli sovjetik dëshiron të rrojë në paqe me të. Dikur ishin rusët që derdhën gjakun për çlirimin e Greqisë nga zgjedha turke. Tashmë qevëria greke don të verë në dispozicion territorin e vet për ndërtimin e bazave raketore amerikane.

Nëse atje do ketë baza, atëherë edhe ne do të ndërtojmë të tilla. Kush do të vuajë prej tyre? Para së gjithash, populli grek. Faktet tregojnë se qeveria e Greqisë nuk kupton se është në interesin e Greqisë, të popullit grek dhe edhe në interes të paqes, të pengojë ngritjen e bazave raketore në territorin e Greqisë.

Por nëse, siç dëgjojmë të thuhet, qeveria greke do të rrëshkasë e do ta lejojë marrjen e një vendimi të tillë dhe do t’u lejojë amerikanëve të ndërtojnë në territorin e tyre baza raketore, atëherë do na detyrojë me veprimin e vet, që të shtrëngojmë forcat tona për të dhënë një përgjigje dinjitoze. Se ku do të vendosen bazat tona raketore, nëse këtu, në terrotorin e Shqipërisë, apo nëse raketat do të nisen nga Bullgaria drejt bazave raketore greke, apo nga ndonjë vend tjetër, mbi këtë do të flasim dhe do ta diskutojmë me njëri-tjetrin.

Por për këtë, nuk bëhet fjalë. Tashmë ka raketa, të cilat nuk godasin objektivat në një distancë prej qindra, por prej mijëra kilometrash në mënyrë të saktë, dhe për instalimin e këtyre raketave, ne kemi mundësi të mëdha.

KUSH SULMON, SHKATËRROHET!

Ne kemi thënë e themi akoma se: Bashkimi Sovjetik dhe të gjitha vendet socialiste duan sigurimin e paqes në mbarë botën. Për këtë, do të kishte qenë e llogjikshme të mos instaloheshin baza raketore rreth kufirit të Bashkimit Sovjetik apo vendeve të Bllokut Socialist, por të likujdoheshin ato. Kjo do të kontribonte në forcimin e paqes.

Por nëse qeveritë e Italisë e Greqisë do të ndërtojnë në territoret e tyre baza raketore amerikane, atëherë këto vende do të thithin në këtë mënyrë si një magnet raketat tona. Forcat e Kampit Socialist, rriten çdo ditë, e imperialistët duhet ta bëjnë mirë llogarinë. Ne duam paqe dhe nuk do  të nisim kurrë një luftë. Por nëse imperialistët do të na sulmonin, ne do t’u shkaktojmë atyre një dhimbje aq të hidhur, saqë ata të mos munden më dot ta marrin më veten.

Kështu, ne, shokë, punojmë dhe nuk i vendosim duart në prehër, për të zhvilluar ekonomitë e vendeve tona, për të ngritur kulturën dhe standardin e jetesës së popujve akoma dhe më lart, thelluar miqësinë vëllazërore të vendeve socialiste, për t’i papaprirë me besim e me solidaritet objektivit tonë madhor – komunizmit.    

KUSH MORI PJESË DHE SI U ORGANIZUA VIZITA?

Sipas kronikave të kohës nga shtypi shqiptar, “Zëri i Popullit” e përshkruante Hrushovin si “një nxënës besnik të Leninit, një udhëheqës militant dhe të përkushtuar të KQ PK BRSS dhe të shtetit sovjetik, i cili ia kishte kushtuar të gjitha energjitë e veta ndërtimit të socializmit etj. Gazeta më pas shkruante se: Nikita Hrushov është miku më i madh dhe më i dashur i popullit shqiptar, i cili gjithmonë kishte dëshmuar prova të një mbështetje të veçantë dhe bujare, duke ndihmuar popullin shqiptar për të ndërtuar me sukses jetën e tij të lumtur në socializëm”.

Vizita e Hrushovit në Shqipëri zgjati më shumë se ç’kishte ndodhur më parë në asnjërin prej vendeve të tjera të ish-Bllokut në Europën Lindore ( 25 maj -4 qershor 1959)dhe asaj, mediat e atëhershme të Kampit Socialist i kushtuan një vëmendje të madhe, pasi përtej anës propagandistike, fjalimi i tij në Kombinatin e Tekstileve përmbante në fakt pohime shumë ambivalente, ku kërcënimet kombinoheshin me propozimet për paqe e anasjelltas.

Gjithashtu, mesazhet e vizitës së Hrushovit rezulton të jenë raportuar shumë dhe shpesh kanë zënë hapësira të konsiderueshme edhe në mediat perëndimore, sidomos nga fqinjët tanë të Adriatikut, të cilët ndjeheshin të kërcënuar në mënyrë direkte nga këto pohime. Delegacioni konsistonte në nëntë anëtarë, duke përfshirë Hrushovin, Ministrin e Mbrojtjes, Malinovski dhe anëtarin e Presidiumit, Mukhidinov – të ndarë në tri grupe për të përshkuar vendin gjatë pesë ditëve të para të vizitës.

Më 30 maj, tri grupet u kthyen në Tiranë ku u hartua edhe një deklaratë e përbashkët, në të cilën thuhej se BRSS kishte kredituar Shqipërinë qysh nga viti 1957 me një shumë prej 526 milionë rublash ( rreth 131.6 milionë dollarë USA). Më 31 maj, të gjitë anëtarët e delegacionit, përveç Hrushovit dhe Malinovskit, u kthyen në BRSS. Këta të dy i shpenzuan ditët e mbetura të vizitës së tyre, duke shkuar në jug të vendit; Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër, si dhe në zonat ku ishin instaluar bazat e marinës e atyre të nëndetësve ushtarake të Pashalimanit.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.03.2103

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ushtria dhuron spektakël/ Valvit flamurin kuq e zi në 'qiellin' e Vlorës

Ushtria dhuron spektakël/ Valvit flamurin kuq e zi në 'qiellin' e Vlorës