PRISHTINE - Më 24 mars mbushen 16 vjet nga fillimi i fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në mbrojtje të Kosovës.

Përfshirja e Aleancës së Atlantikut të Veriut në luftën e Kosovës ka mundësuar, pas fushatës 78-ditëshe, dëbimin e forcave serbe nga Kosova, kthimin e gati një milion refugjatëve shqiptarë dhe instalimin e një administrate ndërkombëtare, e cila ka administruar vendin deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Megjithatë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet ende aktiv, ndërsa pavarësia nuk e ka zgjidhur plotësisht mosmarrëveshjen me Serbinë, me të cilën Kosova tani zhvillon bisedime kryesisht për të zgjidhur çështjen e veriut të vendit, që ende mbetet jashtë kontrollit nga institucionet e shtetit të Kosovës.

Megjithatë pa fushatën e NATO-s, që nisi më 24 mars 1999, Kosova do ta kishte pothuajse të pamundur arritjen e shtetësisë dhe të pavarësisë nga Serbia.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)