TIRANË – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth tha sot se lufta ndaj krimit të organizuar në Shqipëri nuk mund të jetë e suksesshme pa një bashkëpunim mes policisë së shtetit dhe prokurorisë.
Ambasadori mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të disa aparaturave policisë në prani të drejtorit të përgjithshëm Hysni Burgaj.
“Krimi përbën kërcënim për shoqërinë shqiptare, ndaj hapat e marra në këtë fushë janë një shërbim i rëndësishëm. Ai është një forcë e errët dhe shpeshherë i sofistikuar, megjithatë qytetarit paqedashës kjo gjë nuk i shërben”, tha ambasadori Wollfarth.
Ai ka nënvizuar se është vënë re progres në punën e uniformave blu, por një gjë e tillë duhet të vijojë.
“Nëse policia e shtetit do t’i kapërcejë këto sftida kërkohen trajnime dhe pajisje të specializuara. Pasjisjet teknike do të përdorten në operacionet e infiltruara të policisë, për tu përdorur si fakte në gjykatë. Që kjo të ndodhë me sukses, duhet të ruhen linja bashkëpunimi mes policisë së shtetit dhe prokurorisë”, deklaroi titullari i prezencës së OSBE-së në Tiranë.