Sot pritet dorëzimi i trupit të një togeri izraelit të vrarë në Gaza në 2014-ën. Krahu ushtarak i Hamasit ka njoftuar se trupi i togerit të IDF-së, Hadar Goldin, i vrarë në Gaza në vitin 2014, do të kthehet në Izrael. Fillimisht ishte njoftuar nga mediat se dorëzimi do të bëhej në orën 14:00 sipas orës lokale.
Por në fillim të një mbledhjeje të kabinetit të tij qeveritar, kryeministri Benjamin Netayahu bëri të ditur se eshtrat e togerit Goldin, do të kthehen në Izrael këtë pasdite, sipas një raportimi të Ynet.
"Ne thamë në fillim të luftës se do t'i sillnim të gjithë pengjet në shtëpi, pa përjashtim", theksoi Netanyahu.
Kryqi i Kuq është rrugës për në një pikë takimi me Hamasin në Gazën jugore për të marrë trupin.
Sipas mediave, vonesa në dorëzimin e trupit të Goldin, të cilin Hamasi pretendon se e ka gjetur dje në Rafah, lidhet me negociatat për të lejuar largimin e afro 150 militantëve të bllokuar në tunelet e Rafah-ut, në zonën nën kontrollin izraelit
"Parimi i dorëzimit ose i dorëzimit ndaj armikut nuk ka vend në leksikun e Brigadave Izzedin al-Qassam. Ndërmjetësit duhet të gjejnë një zgjidhje që garanton vazhdimin e armëpushimit", deklaroi krahu ushtarak i Hamasit, i cituar nga Times of Israel.
Përveç togerit Hadar Goldin, katër trupa të tjerë të pengjeve të vrarë ende nuk janë kthyer në Izrael sipas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi një muaj më parë.
Komente










