Irani ka njoftuar tashmë se “anijet jo armiqësore” mund të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Disa anije nga Kina, India dhe Pakistani tashmë po kalojnë këtë rrugë ujore jetike. Madje raportohet se janë vendosur edhe pagesa deri në 2 milionë dollarë për të kaluar.
Irani është tallur me pretendimet e Trump se po zhvillohen bisedime për një marrëveshje paqeje duke thënë se “SHBA po negocion me vetveten. Ne nuk do të pajtohemi kurrë me ju”, tha një zëdhënës i ushtrisë iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio po udhëheqin negociatat me Iranin, duke shprehur optimizëm se një marrëveshje është afër. Një burim iranian i tha CNN se Teherani është i gatshëm të dëgjojë propozime “të qëndrueshme” për t’i dhënë fund luftës.
Komentet e Iranit erdhën pasi Trump këmbënguli se Irani e dëshiron “shumë” një marrëveshje” dhe Irani u ka dhënë SHBA-ve një “dhuratë shumë të madhe, me vlerë të jashtëzakonshme”.
“Mund të themi që ky është ndryshim regjimi” dhe “e kemi fituar këtë luftë”, u shpreh presidenti në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij, Irani ka rënë dakord që “mos të ketë kurrë armë bërthamore”.
Deklaratat e Trump kanë ndikuar menjëherë në çmimet e naftës, të cilat ranë më shumë se 5% në 94.42 dollarë për fuçi.
Raportime ende të pakonfirmuara thonë se SHBA-të i kanë dorëzuar Teheranit një plan paqeje me 15 pika ku përfshihet çmontimi i objekteve bërthamore iraniane në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Rreth 1,000 ushtarë amerikanë nga Divizioni i 82-të Ajror i Ushtrisë pritet të dislokohen në ditët në vijim në Lindjen e Mesme, si dhe 3200 parashutistë do të dërgohen në Iran.
Izraeli dhe Irani po vazhdojnë të shkëmbejnë sulme, ndërsa gjashtë persona kanë humbur jetën në jug të Libanit, sipas mediave shtetërore. Dronë të dërguar nga Pasdaranët kanë goditur gjithashtu Arabinë Saudite, Bahreinin dhe Kuvajtin.
Regjimi islamik po rikonsolidohet pas eliminimit të drejtuesve të tij. Gjenerali Mohammad Bagher Zolghadr është emëruar në krye të Këshillit të Lartë për Sigurinë Kombëtare, në vend të Ali Larijani, i cili mbeti i vrarë në një bombardim.
Japonia njoftoi se do të fillojë të lëshojë naftë për 30 ditë nga rezervat shtetërore duke filluar nga e enjtja, ndërsa Filipinet, një tjetër aleat i SHBA-ve, shpallën gjendje emergjence kombëtare për shkak të krizës energjetike.
Komente









