Konflikti në Lindjen e Mesme midis SHBA-Izrael dhe Iranit vijon të jetë në ngërç. Tensionet në Ngushticën e Hormuzit vijojnë të jenë të larta ndërsa Irani ka rritur prezencën aty duke deklaruar se po “kontrollon fort” këtë rrugë ujore strategjike.

Negociatat e para mes SHBA-së dhe Iranit dështuan ndërsa Kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Baqer Ghalibaf thotë se një marrëveshje është larg, duke shprehur mosbesim ndaj amerikanëve.

"Ne duam paqe të qëndrueshme në mënyrë që lufta të mos ndodhë më kurrë". Ai theksoi se Republika Islamike dhe Shtetet e Bashkuara kanë pikëpamje të ndryshme për disa çështje bërthamore dhe Ngushticën e Hormuzit. Ai shtoi se mbeten dallime në mendime për këto çështje, megjithëse "është bërë përparim", por se një marrëveshje "mbetet e largët".

Së fundmi presidenti i SHBA-së Donald Trump ka publikuar në rrjete sociale një shkrim ku e cilëson Izraelin si “aleati i madh i Amerikës”.

“Pavarësisht nëse njerëzve u pëlqen apo jo Izraeli, ata kanë provuar të jenë një aleat i shkëlqyer i Shteteve të Bashkuara. Ata janë të guximshëm, të guximshëm, besnikë dhe inteligjentë, ndryshe nga të tjerët që kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë në një kohë konflikti dhe stresi. Izraeli lufton fort dhe di si të fitojë”, shkroi Presidenti i SHBA-së Donald Trump në Truth.

Sakaq, prej dje Trump ka thirrur në takim urgjent Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhe për të diskutuar për Ngushticën e Hormuzit dhe negociatat me Iranin. Sipas zyrtarëve amerikanë, nëse nuk do të ketë përparim të bisedimeve, lufta do të rifillojë përsëri.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:56
49 ditë luftë/ Kronologjia e bisedimeve SHBA-Iran që nga nisja e sulmeve më 28 shkurt

Ja një përmbledhje e negociatave midis SHBA-së dhe Iranit deri më tani:

28 shkurt: Shpërthen konflikti pasi SHBA-të dhe Izraeli nisin sulme ndaj Iranit, ndërsa bisedimet diplomatike dështojnë.

6 Mars: Donald Trump thotë se nuk do të ketë marrëveshje "përveç dorëzimit të pakushtëzuar" të Iranit.

21 Mars: Trump vendos një afat kohor, duke kërcënuar se do të shënjestrojë infrastrukturën energjetike të Iranit nëse ky i fundit nuk pranon të hapë Ngushticën e Hormuzit.

23 Mars: Trump shtyn afatin e tij, duke përmendur "biseda produktive" - ​​kjo pasohet nga një sërë shtyrjesh të mëtejshme.

7 prill: Trump paralajmëron se “një qytetërim i tërë do të vdesë” nëse ngushtica nuk hapet para një afati tjetër.

8 prill: Pakistani, duke vepruar si ndërmjetës, njofton një armëpushim dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit për bisedime të mëtejshme.

11 prill: Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance dhe ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi, takohen në Pakistan. Pas 21 orësh debatesh, Uashingtoni dhe Teherani mbeten larg njëri-tjetrit për sa i përket pikave kyçe të ngërçit.

12 prill: Trump njofton bllokimin e porteve iraniane.

17 prill: Araghchi i Iranit thotë se ngushtica do të mbetet e hapur për pjesën tjetër të armëpushimit. Trump thotë se bllokada amerikane do të vazhdojë.

18 prill: Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit thotë se do ta bllokojë përsëri ngushticën. Trump thotë se po zhvillohen "biseda shumë të mira", por SHBA-të nuk do të "shantazhohen" për rrugën ujore.