Një anije iraniane mallrash është kapur nga marina detare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjirin e Omanit. Kjo anije u përpoq të thyente bllokadën amerikane në portet iraniane ndërsa pas urdhrit të evakuimit të ekuipazhit, Marina e SHBA ka goditur me predha pjesën motorike të anijes. Marina iraniane ka rivendosur kufizime në tranzitin përmes ngushticës, ndërsa ushtria amerikane ka vendosur një bllokadë në portet iraniane.
Një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm iranian ka shkruar në Telegram se SHBA ka shkelur armëpushimin dhe se do t’i përgjigjen së shpejti. "Forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit do të përgjigjen menjëherë dhe do të marrin masa hakmarrëse kundër këtij akti piraterie të armatosur dhe kundër ushtrisë amerikane".
Agjencia e lajmeve Tasnim raporton se Garda Revolucionare e Iranit i është përgjigjur SHBA me lëshimin e dronëve ushtarakë në drejtim të anijeve amerikane.
Me një deklaratë në rrjete sociale ka reaguar dhe zëvendëspresidenti iranian Mohammed Reza Aref, i cili ka kërcënuar SHBA-në me kalimin e sigurtë të anijeve të tjera në Hormuz dhe rritjen e çmimit të naftës.
“Siguria e Ngushticës së Hormuzit nuk është falas. Nuk mund të kufizosh eksportet iraniane të naftës dhe njëkohësisht të kërkosh siguri falas për të tjerët. Zgjedhja është e qartë: ose një treg i lirë nafte për të gjithë, ose rreziku i kostove të konsiderueshme për të gjithë. Stabiliteti i çmimeve globale të karburantit varet nga një fund i garantuar dhe i qëndrueshëm i presionit ekonomik dhe ushtarak kundër Iranit dhe aleatëve të tij”, shkruhet në postimin e tij.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump lajmëroi zhvillim e një tjetër raundi bisedimesh në Islamabad ndërsa edhe 2 ditë kanë mbetur nga skadimi i afatit të armëpushimit 2 javor, i hyrë në fuqi për të garantuar zhvillimin e negociatave. Irani ka mohuar pjesëmarrjen në bisedime për shkak të konflikteve në Ngushticën e Hormuzit.
Lajmi në përditësim...

Irani është i gatshëm të marrë pjesë në raundin e dytë të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara. Dy zyrtarë pakistanezë thanë se autoritetet iraniane kanë shprehur qëllimin e tyre për të dërguar një delegacion për një raund të dytë bisedimesh në Islamabad këtë javë. Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin me median, thanë se ekziston një optimizëm i kujdesshëm se si delegacionet iraniane ashtu edhe ato amerikane do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Islamabad. Burimet shtuan gjithashtu se Pakistani nuk do të zbulojë detajet e planeve të udhëtimit të secilës palë për arsye sigurie dhe i kërkuan medias të shmangë spekulimet rreth kohës së bisedimeve, duke theksuar se procesi mbetet në zhvillim e sipër.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë për New York Post se është “i gatshëm” të takojë “liderët e lartë iranianë nëse arrihet një përparim”, duke iu referuar raundit të dytë të negociatave që priten të zhvillohen në Pakistan, edhe pse nga ana e Teheranit deri më tani s’ka konfirmim për pjesëmarrje.
“Bisedimet duhet të zhvillohen. Supozoj se në këtë pikë askush nuk po bën lojëra”, vijoi Trump. JD Vance, Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të mbërrijnë në Islamabad në mbrëmje, saktësoi më tej ai.

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur për bllokadën detare kundrejt anijeve iraniane.
“Bllokada është shumë e fuqishme, shumë e fortë. Ata humbasin 500 milionë dollarë në ditë për sa kohë që bllokada është në fuqi. Ne e kontrollojmë atë, jo ata”, u shpreh ai për The Hill. Presidenti hodhi poshtë lajmin, të publikuar nga Reuters duke cituar një burim pakistanez, sipas të cilit presidenti amerikan po shqyrtonte këshillën e shefit të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, se bllokada amerikane e porteve iraniane përbën një pengesë për negociatat. “Ai nuk më ka thënë asgjë”, deklaroi Trump.
Më tej, ai njoftoi se delegacioni amerikan i udhëhequr nga JD Vance është nisur drejt Pakistanit dhe avioni pritet të ulet pas disa orësh.

Irani ka rihapur dy aeroportet kryesore civile të Teheranit, Imam Khomeini dhe Mehrabad, tha autoriteti i aviacionit të vendit në një deklaratë të cituar nga ISNA, pas mbylljeve të shkaktuara nga lufta me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Sipas mediave të huaja, në deklaratë njoftohej se rihapja e aeroporteve do të niste duke filluar nga dita e shtunë.
Po ashtu raportohet se që nga e shtuna, fluturimet e pasagjerëve do të jenë të mundura nga 10 aeroporte në të gjithë Iranin.

Rusia mirëpret të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese për situatën në Lindjen e Mesme, pasi Moska ndan të njëjtat qëllime, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Yevgeniy Ivanov.
"Ne mirëpresim të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese që synojnë promovimin e procesit të zgjidhjes. Iniciativa e Rusisë për të rifilluar dialogun mbi krijimin e një sistemi kolektiv sigurie në rajonin e Gjirit, me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve të interesuara rajonale dhe mbështetjen e ndërmjetësve ndërkombëtarë, synon gjithashtu zgjidhjen e kësaj çështjeje", deklaroi Ivanov në Forumin Bashkiak Gjithë-Rus.
Rusia kundërshton rifillimin e veprimeve agresive nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit dhe Libanit, shtoi diplomati i Moskës.

Shërbimet sekrete izraelite (Mossad), së bashku me ushtrinë dhe Shin Bet, kanë bërë të ditur sot se autoritetet e Azerbajxhanit kanë parandaluar një plan të Iranit për të goditur naftësjellësin Baku-Tbilisi-Ceyhan. Në një komunikatë, Mossad thekson gjithashtu se është penguar një sulm ndaj ambasadës izraelite në Baku, një sinagoge dhe liderëve të komunitetit hebre.
Qeliza po “çonte përpara plane për të goditur një objektiv strategjik, naftësjellësin që kalon nëpër Gjeorgji dhe Turqi (BTC), si dhe disa objektiva dhe institucione hebreje në vend, përfshirë ambasadën izraelite, sinagogën e Bakusë dhe liderët e komunitetit hebre”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke theksuar se bllokada detare e vendosur nga SHBA ndaj porteve iraniane është një pengesë për një raund të mundshëm të ri negociatash mes Teheranit dhe Uashingtonit. Këtë e ka bërë të ditur një burim i sigurisë pakistaneze për Reuters, sipas raportimit të al-Arabiya. Sipas të njëjtit burim, Trump është përgjigjur se do ta marrë parasysh këtë sugjerim të Munirit.

Mundësia e transferimit të rezervave bërthamore të Iranit "nuk ka qenë kurrë në tryezën e negociatave" me Shtetet e Bashkuara, përsëriti zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, i cituar nga mediat iraniane. "Në asnjë fazë të negociatave aktuale ose të mëparshme nuk është diskutuar transferimi i rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit në Shtetet e Bashkuara ose në ndonjë vend tjetër, dhe një opsion i tillë nuk është në axhendën e Republikës Islamike të Iranit", sqaroi ai. "Qëndrimi i vendosur i vendit është të ruajë arritjet e tij bërthamore brenda territorit iranian", shtoi ai.

Presidenti iranian Massoud Pezeshkian akuzoi Shtetet e Bashkuara për "provokime" dhe shkelje të armëpushimit. Pezeshkian "kritikoi ashpër" Uashingtonin për "shkelje të vazhdueshme të angazhimeve, ngacmime dhe sjellje të paarsyeshme" gjatë negociatave dhe periudhës së armëpushimit, raportoi agjencia e lajmeve iraniane, duke cituar një deklaratë në lidhje me një telefonatë midis presidentit dhe kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, i cili po ndërmjetëson midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Presidenti "falënderoi Pakistanin për përpjekjet e tij serioze për të promovuar paqen", por gjithashtu i përshkroi "veprimet provokuese dhe të paligjshme" të Shteteve të Bashkuara, të ashtuquajturën bllokadë detare, si "një shkelje të qartë të marrëveshjes së armëpushimit". Këto veprime, "së bashku me retorikën kërcënuese të zyrtarëve amerikanë kundër Iranit, vetëm sa thellojnë mosbesimin ndaj seriozitetit të Amerikës dhe zbulojnë më tej se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të përsërisin modelet e mëparshme dhe të tradhtojnë diplomacinë", paralajmëroi ai.

Irani i hedh poshtë kërcënimet dhe ultimatumet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. "Republika Islamike e Iranit, në mbrojtjen e interesave të saj kombëtare, nuk njeh as afate dhe as ultimatume", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim. "Mbrojtja e interesave kombëtare do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, dhe në rast të iniciativave të reja aventureske nga Shtetet e Bashkuara ose regjimi sionist, forcat e armatosura do të përgjigjen me forcë dhe me gjithë fuqinë e tyre", siguroi ai.

Nëse vijnë "sinjale pozitive" nga Shtetet e Bashkuara, Irani mund të dërgojë një ekip negociator në Islamabad, ku janë planifikuar bisedime të mëtejshme. Kjo është ajo që deklaroi kryetari i Komitetit Parlamentar Iranian për Sigurinë Kombëtare, Ebrahim Azizi, në një intervistë me Al Jazeera.
“Shkatërruesi me raketa i drejtuara USS Spruance ka interceptuar anijen Touska ndërsa lundronte në veri të Detit Arabik me shpejtësi 17 nyje, me drejtim Bandar Abbas, në Iran”, thuhet në një komunikatë të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara. “Forcat amerikane kanë lëshuar disa paralajmërime dhe kanë informuar anijen me flamur iranian se po shkelte bllokadën detare amerikane”.
Forcat e armatosura amerikane kanë publikuar një video që tregon një shkatërrues me raketa të Marinës amerikane duke hapur zjarr ndaj anijes tregtare iraniane. Sipas Centcom, pasi për gjashtë orë ekuipazhi i Touska-s “nuk iu bind paralajmërimeve të përsëritura”, Spruance urdhëroi anijen të evakuonte dhomën e motorëve.
Shkatërruesi me raketa çaktivizoi sistemin e shtytjes së anijes tregtare iraniane “duke qëlluar disa herë me topin e tij MK 45 prej 5 inçësh në dhomën e motorëve të Touska-s”. “Më pas, marinsat amerikanë të Njësisë së 31-të Ekspedicionare të Marinsave hipën në bord të anijes, e cila mbetet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Komandës Amerikane, sipas së cilës forcat e saj “kanë vepruar në mënyrë të matur, profesionale dhe proporcionale për të garantuar zbatimin e masës”.
Komente












Shikoni se Mos keni bere ndonje gabim. Ne titull thuhet"irani nuk terhiqet nga bllokada. Ndersa ne ne titull thoni se amerikanet godasin nje anije tregetareve Iraniane qe do te dalin nga bllokada. Kush e ben bllokimin Irani apo SHaBAni?
Përgjigju