Për herë të parë qytetarët shqiptarë do të kenë të drejtën të kërkojnë kompensim nga shteti, kur shëndeti i tyre dëmtohet nga ndotja e ajrit. Në projektligjin e ri për cilësinë e ajrit theksohet se rregullat sesi do të funksionojë kjo praktikë do të caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
“Çdo person që ka pësuar dëmtim të shëndetit si pasojë e një shkeljeje serioze të detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj nga autoritetet kompetente, të kryer me dashje ose nga pakujdesia, mund të kërkojë kompensim për dëmin e pësuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi, me kusht që të provohet ekzistenca e një lidhjeje të drejtpërdrejtë shkakësore midis shkeljes dhe dëmit”, thuhet në nenin 19/1.
E drejta për të kërkuar kompensim thuhet në projektligj nuk mund të ushtrohet pas kalimit të 10 vjetëve nga momenti i kryerjes së shkeljes.
Njëkohësisht përmes ndryshimeve të propozuara thuhet se Shqipëria do të ketë një “Super-stacion monitorimi”, që kombinon disa pika matjeje për të mbledhur të dhëna afatgjata për disa ndotës. Ndërsa në relacion theksohet se matjet për cilësinë e ajrit deri më tani kanë qenë të cunguara.
“Megjithatë, kuadri aktual ligjor, i përcaktuar nga ligji nr.162/2014 “Për Mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis” i ndryshuar, paraqet boshllëqe dhe mangësi në lidhje me monitorimin e cilësisë së ajrit, përcaktimin e metodologjive dhe zbatimin masave në rastet e tejkalimit të niveleve të përcaktuara të ndotësve”, thuhet në relacion.
Në nenin 1 të projektligjit theksohet se do të caktohen vlera limit, vlera target, ato kritike dhe pragjet e alarmit, që do të përdoren për të monitoruar cilësinë e ajrit. Përmes matjeve më të sakta dhe gjithëpërfshirëse mund të evidentohen edhe “pikat e nxehta të ndotjes së ajrit’, ndaj të cilave popullsia ekspozohet direkt ose indirekt.
Këto ndryshime vijnë si ‘detyra’ që duhen plotësuar të diktuara edhe nga negociatat me BE, pasi direktivat thuhet në relacion kërkojnë mbulim të gjerë për të kryer matje për ndotjet, jo vetëm në zonat urbane por edhe ato me sfond rural.
Kapitulli i mjedisit është ndër më të vështirët për tu mbyllur i përputhur 100% me BE-në ndaj edhe qeveria ka kërkuar kohë përtej 2027-ës për të përmbushur standardet e BE për kapitullin 27 të Mjedisit.
Lista e ndotësve të ajrit mund të përditësohet ose plotësohet me akte nënligjore të miratuara në zbatim të këtij ligji, në përputhje me zhvillimet e legjislacionit të Bashkimit Evropian.”

Kliko këtu për relacionin e plotë

Kliko këtu për projektligjin e plotë
Komente









