Ditën e sotme autoritetet në Abu Dhabi raportuan për një shpërthim zjarri në një gjenerator jashtë perimetrit të brendshëm të termocentralit bërthamor Barakah në rajonin Al Dhafra të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Burime nga autoritetet iraniane bënë të ditur se zjarri shpërtheu nga një goditje me dron, por ende nuk dihet nëse droni ishte lëshuar nga Irani. Zyra e shtypit e Abu Dhabit në një njoftim të shpërndarë në rrjetin social ‘X’, shkroi se nga sulmi nuk u raportuan të lënduar dhe nuk pati pasojë në nivelet e sigurisë radiologjike.

Ndërkohë po ditën e sotme, Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me fokus te Irani. Mediat duke cituar burime izraelite bënë të ditur se Netanyahu deklaroi se Trump duhet të marrë një vendim, nëse do të rinisë veprimet ushtarake në Iran ose jo. Në rast të nisjes së luftimeve në Iran, Izraeli ka shumë të ngjarë t'i bashkohet aksionit të SHBA-së. Fill pas bisedës telefonike me Netanyahun, Trump përmes një postimi në Truth Social kërcënoi se 'nuk do të mbetet asgjë nga Irani, nëse ata nuk bien dakord për një marrëveshje që do t'i jepte fund konfliktit.

Ditën e djeshme Trump deklaroi se Irani ka "interes për të arritur një marrëveshje". Në një intervistë me korrespondentin amerikan të BFMTV, Antoine Heulard, mes negociatave të bllokuara mbi programin bërthamor të Iranit dhe konfliktit të vazhdueshëm, Trump tha se nuk e dinte nëse një marrëveshje me Iranin do të arrihej së shpejti.

"Nuk kam asnjë ide. Nëse nuk arrijnë një të tillë, do të kenë një kohë të keqe. Ata kanë interes për të arritur një marrëveshje", tha dje presidenti i SHBA-së.

Sipas raporteve të shtypit amerikan, përfshirë New York Times , Trump pritet të vendosë në orët e ardhshme nëse do të rifillojë apo jo sulmet kundër regjimit iranian, duke pasur parasysh se bisedimet për t'i dhënë fund luftës dhe programit bërthamor të Iranit deri më tani nuk kanë dhënë rezultate.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha në Neë Delhi të premten se kishte "marrë mesazhe" nga Uashingtoni në favor të rifillimit të negociatave, duke shtuar se ishte i hapur për ndihmën e Pekinit.

Më parë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Irani "mbetet i përkushtuar ndaj diplomacisë dhe zgjidhjeve paqësore".

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, shkroi në një postim në rrjetin social ‘X’ se bota ndodhet në prag të një rendi të ri.

Sipas Ghalibaf, rezistenca 70 ditore e Iranit e ka përshpejtuar këtë transforimim që sipas tij pritet të prekë gjithë globin.

"Bota ndodhet në prag të një rendi të ri. Siç ka deklaruar Presidenti Xi Jinping, 'një transformim i paparë në një shekull po përshpejtohet në të gjithë globin', dhe unë theksoj se rezistenca 70-ditore e Iranit e ka përshpejtuar këtë transformim. E ardhmja i përket Jugut Global", shkroi Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, në rrjetin social ‘X’.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:26
CNN: Irani synon të vendosë taksa për përdorimin e kabllove nënujore të internetit, të vendosura në Ngushticën e Hormuzit

1777889661_ngushticaehormuzit.jpg

I inkurajuar nga bllokada e suksesshme e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës, Irani tani po synon një nga infrastrukturat më të ndjeshme në ekonominë globale: “kabllot nënujore që kalojnë nëpër ngushtuicë dhe mbajnë ‘vëllime’ të mëdha interneti dhe trafiku financiar midis Evropës, Azisë dhe Gjirit Persik”.

Sipas mediave të lidhura me regjimin, Teherani synon të vendosë tarifa për kompanitë e mëdha globale të teknologjisë, për përdorimin e kabllove të vendosura nën Ngushticën e Hormuzit.

Javën e kaluar, raporton CNN, parlamenti iranian diskutoi një plan që mund të ndikojë në infrastrukturën nënujore që lidh vendet arabe me Evropën dhe Azinë.

"Ne do të vendosim taksa për kabllot e internetit", shkroi zëdhënësi ushtarak iranian Ebrahim Zolfaghari në rrjetin social ‘X’.

Sipas mediave të lidhura me Gardën Revolucionare, kompani të tilla si Google, Microsoft, Meta dhe Amazon do të duhet të zbatojnë legjislacionin iranian, ndërsa operatorët e kabllove do të duhet të paguajnë tarifa licencimi për kalimin e tyre.

Aktivitetet e riparimit dhe mirëmbajtjes do t'u jepen ekskluzivisht kompanive iraniane. Është e paqartë se si Teherani mund t'i detyrojë gjigantët e industrisë të përmbushin këto kërkesa, veçanërisht pasi sanksionet e rrepta të SHBA-së i pengojnë kompanitë amerikane të bëjnë pagesa për Iranin.

Për këtë arsye, shumë kompani mund t’i shohin deklaratat e Iranit si një formë presioni politik dhe jo si një plan të zbatueshëm menjëherë.

Megjithatë, mediat e mbështetura nga shteti kanë sugjeruar se mospagesa mund të rezultojë në dëmtime të kabllove, duke ndikuar potencialisht në një pjesë të trafikut të të dhënave prej triliona dollarësh që kalon çdo ditë dhe në lidhjen globale.

Ora 21:06
Mediat izraelite: Trump ende beson se Teherani dëshiron të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit

1778855393_mojtabakhameneidonaldtrump.jpg

Donald Trump vazhdon të besojë se Irani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje dhe pret një propozim të përditësuar nga Teherani në ditët në vijim, sipas transmetuesit izraelit Channel 12, me të cilin foli Presidenti i SHBA-së pas bisedës telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Trump refuzon të caktojë një afat për negociatat, por kërcënon me veprime të ashpra ushtarake, siç bëri më herët në një postim në Truth Social, ku deklaroi se ‘koha po mbaronte’, nëse Teherani nuk i pranon kushtet e tij për programin e tij bërthamor.

"Nëse ata nuk vijnë tek ne me një ofertë më të mirë, ne do t'i godasim ata më fort se kurrë më parë", tha Presidenti i SHBA-së.

Ora 19:09
Trump paralajmëron: Nuk do të mbetet asgjë nga Irani, nëse nuk pranojnë një marrëveshje

1778532741_6400trump1776700143.png

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se ‘nuk do të mbetet asgjë’ nga Irani ‘nëse nuk pranon një marrëveshje’.

Kërcënimet Trump i bëri përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Truth Social, pas një bisede telefonike që zhvilloi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të fokusuar te zhvillimet në Iran.

Pika kryesore për një marrëveshje të mundshme që do t'i jepte fund konfliktit, ndaj së cilës Trump nuk bën asnjë lëshim, është ndalimi për 20 vite i programit bërthamor në Iran.

Ora 18:46
Netanyahu bisedë telefonike me Trump: Presidenti amerikan duhet të marrë një vendim nëse do të rinisë veprimet ushtarake në Iran

1778927743_benjaminnetanyahudonaldtrump.jpg

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zhvilluar ditën e sotme një bisedë telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump.

Mediat e huaja raportojnë se biseda zgjati më shumë se gjysmë ore dhe u zhvillua menjëherë para një mbledhjeje të mbyllur të kabinetit qeveritar në Izrael.

"Trump duhet të marrë një vendim. Nëse vendos të rifillojë luftën me Iranin, Izraeli ka të ngjarë të thirret të marrë pjesë", raportoi Ynet, duke cituar një burim izraelit.

Ora 18:34
IDF: Hezbollahu lëshoi 200 raketa drejt Izraelit gjatë fundjavës

1779035766_jxftcyu.JPG

Një zyrtar ushtarak izraelit tha se Hezbollahu qëlloi rreth 200 raketa drejt Izraelit dhe trupave të tij gjatë fundjavës, pavarësisht marrëveshjes midis Izraelit dhe Libanit për të zgjatur armëpushimin.

"Kjo është një shkelje e qartë dhe e vazhdueshme e marrëveshjeve të armëpushimit", tha zyrtari. Përleshjet midis forcave izraelite dhe Hezbollahut vazhduan edhe pasi të dërguarit nga të dy vendet ranë dakord të premten për të zgjatur armëpushimin për 45 ditë të tjera.

Në javët e fundit, militantët kanë përdorur vazhdimisht dronë me kosto të ulët të pajisur me kamera video me fibra optike (FPV) kundër forcave izraelite, duke paraqitur një sfidë të re për ushtrinë izraelite.

"Ky është një kërcënim specifik dhe direktiva ime për ekipin është të gjejë një zgjidhje për këtë dhe kërcënimin tjetër që lind", tha kryeministri Benjamin Netanyahu.

Libani u përfshi në luftën që ka ‘mbërthyer’ Lindjen e Mesme pasi Hezbollahu qëlloi raketa drejt Izraelit më 2 mars, në përgjigje të një fushate të përbashkët ushtarake SHBA-Izrael kundër Iranit.

Në hakmarrje, Izraeli pushtoi Libanin jugor dhe vazhdoi të godiste objektivat e Hezbollahut në të gjithë vendin. Sulmet e IDF-së kanë vrarë më shumë se 2,900 njerëz në Liban që nga fillimi i luftës, përfshirë mbi 400 që nga fillimi i armëpushimit më 17 prill, sipas autoriteteve libaneze.

Ora 17:38
Katari dënon sulmin ndaj centralit bërthamor në Emiratet e Bashkuara Arabe: Kërcënim serioz për stabilitetin

1779032446_Katarr.JPG

Ministria e Jashtme e Katarit ka dënuar "fuqishëm" sulmin e fundit me dron që goditi një gjenerator energjie jashtë perimetrit të brendshëm të termocentralit bërthamor Barakah në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar shpërthim zjarri.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social ‘X’, ministria shkroi se sulmi përfaqëson një "shkelje të qartë të normave ndërkombëtare dhe një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin rajonal".

Autoritetet e Dohas vazhduan të pohonin se këto "sulme të papërgjegjshme" kanë kaluar një vijë të kuqe, duke goditur infrastrukturën kritike dhe vendet civile.

Ora 17:18
Dyshimet për pamundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Iranit, bien tregjet e aksioneve në Lindjen e Mesme

1779031319_dfzyii.JPG

Tregjet e aksioneve në Lindjen e Mesme u mbyllën me rënie të dielën, pasi Presidenti Donald Trump dhe ministri i jashtëm i Iranit hodhën dyshime mbi pamundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për t'i dhënë fund tensioneve në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas mediave të huaja, tregjet në Arabinë Saudite, Katar dhe Egjipt shënuan humbje.

Trump tha se po i mbaronte durimi me Iranin, ndërsa ministri iranian Abbas Araghchi tha se qeveria e tij është “në dyshim” për “seriozitetin” e SHBA-së për të arritur një marrëveshje.

Rënia e tregut të aksioneve erdhi pasi Irani njoftoi se do të rihapte tregun e aksioneve të martën, për herë të parë që nga fillimi i konfliktit të fundit.

Një zyrtar në autoritetin iranian të tregut tha se tregu i aksioneve ishte mbyllur për të parandaluar "tregtimin e nxitur nga paniku".

Ora 16:54
NYT: Izraeli operonte me dy baza sekrete ushtarake në shkretëtirën e Irakut

1779029761_dtruuu.JPG

Për më shumë se një vit, Izraeli ka operuar me dy baza ushtarake sekrete në Irak, jo një, siç zbuloi së fundmi Wall Street Journal.

Lajmin e raportoi sot New York Times, duke cituar burime irakiane, teksa shtoi se të dy bazat ishin në shkretëtirën në pjesën perëndimore të vendit.

Baza, e zbuluar në fillim të marsit nga një bari irakian i vrarë, thuhet se është ngritur në fund të vitit 2024 dhe do të ishte përdorur në luftën kundër Iranit në qershor 2025.

Sipas NYT, Shtetet e Bashkuara ishin në dijeni të kësaj baze, e cila fillimisht iu atribua forcave amerikane, por Uashingtoni nuk e ndau informacionin me Bagdadin.

Ora 16:36
Pavarësisht armëpushimit, Izraeli urdhëron evakuimin e katër qyteteve dhe fshatrave libaneze! Gati të ndërmarrë sulme

1777812940_liban.jpg

Izraeli u ka bërë thirrje banorëve të katër qyteteve dhe fshatrave libaneze të evakuohen, raporton Sky News.

Në një postim në rrjetet sociale, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Avichay Adraee, u bëri thirrje banorëve të largohen "të paktën 1,000 metra" larg nga zonat ku banojnë.

"Kushdo që ndodhet pranë elementëve të Hezbollahut dhe objekteve të tyre po vë jetën e tij në rrezik", shtoi ai.

Katër zonat për të cilat Izraeli ka urdhëruar evakuimin e banorëve janë Arzi, Al-Marwaniya, Al-Babilya dhe Al-Baysariyah.

Kjo thirrje nga Izraeli i paraprin sulmeve të mundshme nga forcat izraelite në Liban dhe vjen në një moment kur në fuqi është armëpushimi mes dy vendeve.

Ora 15:38
Sulm me dron pranë centralit bërthamor në Emiratet e Bashkuara Arabe, gjeneratori shpërthen në flakë

1779025171_gcyiii.JPG

Autoritetet e Abu Dhabit raportuan ditën e sotme shpërthimin e një zjarri në një gjenerator jashtë perimetrit të brendshëm të termocentralit bërthamor Barakah në rajonin Al Dhafra.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social ‘X’, zyra e shtypit e Abu Dhabit njoftoi se zjarri ishte shkaktuar nga sulmi nga një dron.

Fatmirësisht autoritetet bënë të ditur se suk u raportuan të lënduar dhe nuk pati pasoja në nivelet e sigurisë radiologjike.