Kuksianët po i shohin tunelet e nëndheshëm ndërtuar për ruajtjen nga sulmet e mundshme bërthamore e atomike të armiqve të atëhershëm të regjimit komunist, si vendstrehime të sigurta nëse në ndonjë moment Shqipëria do të cenohet nga lufta që ka shpërthyer mes Rusisë e Ukrainës.

Kukësi ka një qytet të nëndheshëm në 7 lagje, 30 metra nën këmbët e pallateve ku mund të stresohen më shumë se 30 mijë persona.

“Strehimet janë fenomen botëror për arsye të daljes së bombës atomike. Edhe pallatet kanë strehime të veçanta ku e gjithë popullata civile kishte mundësi të futej duke përjashtuar Forcat e Armatosura, që në rast lufte do ishin në terren të cilët kanë patur strehimet e tyre jashtë qytetit”, tha Haki Visha, ish-drejtues i punimeve të vendstrehimeve dhe tuneleve nëntokësore të ndërtuara në Kukës.

Por në çfarë gjendje janë këto tunele të nëndheshme?

 “Janë shkatërruar të gjitha instalimet elektrike, të ujit të pijshëm e instalime të tjera. Në hyrjet nga jashtë janë ndërtuar pallate. Grykat e tuneleve janë të zëna dhe nuk janë funksionale në rast lufte”, tha ai.

Në këto kushte, Haki Visha, e ka një apel jo vetëm për shtetin shqiptar, por edhe për NATO-n.

“Ne sot po dëgjojmë se popullsia civile në Ukrahinë po qëndron në vendstrehime mbrojtëse. Shteti duhet të prekupohet për rehabilitimin e tyre sepse Kukësi, është ngjitur me Kosovën. Këtu bëhet fjalë për fëmijët, gratë, vajzat, invalidët por edhe të plagosurit. Edhe Nato duhet të ndërhyjë me fonde për rifunskionimin e tyre pasi Nato është forcë ushtarake. Ata duhet të kontribuojnë pasi pika më e dobët është Ballkani Perëndimorë siç është Kosova dhe Serbia”, u shpreh ai.

Një pjesë e pallateve e ndërtuar në periudhën komuniste në Kukës, i kanë në çdo shkallë portat e blinduara dhe tunelet hyrëse për në qytetin e nëndheshëm që regjimi i Enver Hoxhës ngriti si mburojë kundër sulmeve bërthamore që asnjëherë nuk ndodhën.