TIRANE - Lufta kundër kriminalitetit dhe narkotikëve ishte në qendër të bisedimeve në takimin që ministri i Brendshëm Bujar Nishani, zhvilloi me përfaqësuesin e OKB-së, Yuri Fedotov. Takimi me Drejtorin Ekzekutiv të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën u zhvillua në kuadër të turit që ai ka ndërmarrë në rajonin tonë. Ministri Nishani e njohu drejtorin Fedotov me rezultatet e arritura nga Shqipëria në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës. “Në këto rezultate të larta ka ndikuar modernizimi i sistemeve të kontrollit kufitar, informacioni kriminal, e mbi të gjitha bashkëpunimit me vendet e rajonit. Ministri Nishani përmendi ndër të tjera, marrëveshjet e bashkëpunimit policor me të gjithë vendet e rajonit, patrullimet e përbashkëta policore, pikat e përbashkëta të kontrollit kufitar dhe operacionet e suksesshme të përbashkëta. Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i OKB për Krimin dhe Drogën, Fedotov vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe në veçanti përpjekjet dhe prioritetin që ajo ka vendosur për thellimin e bashkëpunimit rajonal në luftë kundër krimit dhe drogës.

(l.n/shqiptarja.com)