Lufta ndaj kultivimit dhe tregtimit të kanabisit ka mbledhur bashkë këtë të enjte task forcën e qarkut të Shkodrës ku të pranishëm kanë qenë dhe zëvendës ministrja Brendshme Rovena Voda dhe drejtori i policisë së Shkodrës Niko Brahimaj.
Drejtori i policisë Niko Brahimaj ka paraqitur statistikat mbi rastet e goditura teksa u shpreh se problem mbetet mungesa e infrastrukturës për zonat malore duke rritur kështu rrezikun e kultivimit të lëndës narkotike.
Nga ana tjetër zv/ ministrja e Brendshme Rovena Voda tha se pavarësisht progres raportit dhe vlerësimeve për luftën ndaj kanabisit, beteja me krimin vazhdon.
"Pavarësisht dhe vlerësimeve pozitive që ne kemi marrë, nuk duhet të kalojmë pra në një lloj vetëkënaqësie dhe të themi që ne jemi mirë, jo lufta me krimin nuk mbaron asnjëherë. Besoj se të gjithë aktorët që janë këtu në këtë tavolinë e dinë shumë mirë dhe ne duhet të vazhdojmë me të njëjtën këmbëngulje do të thoja unë me një koordinim ndoshta më të mirë pse jo dhe më perfekt të të gjitha institucioneve me njëri-tjetrin" tha ajo.
Gjithashtu në fjalën e saj ajo kërkoi më shumë vëmendje dhe përgjegjësi nga përfaqësuesit vendorë, si dhe kërkoi një informim më të detajuar në lidhje me aksionet e ndërmarra nga policia për të shmangur idenë se janë fiktive.
Shkodra prej vitesh ka qenë pjesë e hartës së zezë të vendeve që kultivojnë kanabis por sot të dhënat flasin për një minimizim të fenomenit por jo per nje zhdukje totale te tij.