Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, është ekstraduar sot nga Dubai drejt Belgjikës dhe është vendosur në një qeli atje.
Sipas mediave të huaja, lajmin e ka konfirmuar vetë ministrja e Drejtësisë e Belgjikës, Annelies Verlinden.
“Së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, ne po tregojmë se nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës”, ka shkruar Verlinden në një postim në rrjetet sociale.
Dizdari është dënuar nga autoritetet belge me 10 vite burg për rolin e tij në aktivitetin e trafikut të drogës. 37-vjeçari është konsideruar si një prej figurave kryesore të organizatës kriminale Kompania Bello.
Ai njihet edhe me pseudonimin “Shqiptari i gjatë” ose "Alduth". Në Belgjikë, ai do të përballet me vendimin e dhënë nga gjykata e Anversës, që e ka dënuar me 10 vite.
Grupi ku bënte pjesë Dizdari dhe Dritan Gjika është goditur nga SPAK pasi dyshohet se ka transportuar të paktën 50 ton kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në vitin 2020, kur Prokuroria e Posaçme nisi hetimin pasuror ndaj tij, mësoi se Dizdari kishte përfituar një tokë 500 m2 katrorë si dhuratë nga Qefsere e Eqerem Grori si dhe Osman Dervishi në një prej zonave super të shtrenjta të Tiranës, në rrugën Dervish Hima pranë stadiumit “Air Albania”.
Denis Matoshi u fut në një aeroplan në Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën dhe u ul disa orë më vonë në aeroportin ushtarak të Melsbroek. Prej andej, ai u transferua menjëherë në një burg belg.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento