Qarku i Shkodrës vijon të mbetet i pari edhe këtë vit për kultivimin e kanabis sativa. Në konferencën e përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza për misionet anti-kanabis deri më 31 tetor të këtij viti, kryepolici Ilir Proda deklaroi se më shumë se gjysma e bimëve të zbuluara dhe asgjësuara, u identifikuan nga ajri përmes partnerëve italianë.
“Gjatë 10-mujorit të vitit 2025 janë evidentuar dhe asgjësuar gjithsej 203 960 bimë kanabisi, nga të cilat 106 894 bimë të evidentuara nga monitorimi ajror dhe 97 066 të evidentuara nga kontrollet e territorit, nga strukturat e Policisë së Shtetit. Nga analiza e bërë, dhe këtë vit qarku i Shkodrës mbetet qarku me risk më të lartë, me 105 591 bimë të asgjësuara. Njëkohësisht, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë evidentuar dhe asgjësuar në fazë fillestare, 17 447 fidanë të dyshuar kanabis”, tha Proda.
Përveç ndihmës së partnerëve italianë, këtë vit policia kishte më shumë dronë në dispozicion për skanimin e territorit nga ajri. Në total pëgjatë 10 muajve u kryen më shumë se 200 mijë kontrolle.
"Deri më 31 tetor 2025, Policia e Shtetit kreu 217 119 kontrolle në 330 431 orë shërbimi. Objektet e kontrolluara përfshinë: sera, magazina, shtëpi të braktisura, tunele dhe ambiente të hapura. Për vitin 2025, përdorimi i dronëve u rrit në 76 pajisje. Sistemi elektronik “GIS-NARKOTIK” ofroi të dhëna më të plota dhe raporte analitike për ndjekjen e kultivimit të kanabisit. Nga analiza e bërë, dhe këtë vit qarku i Shkodrës mbetet qarku me risk më të lartë, me 105 591 bimë të asgjësuara.
", theksoi ai.
Vetëm gjatë fluturimeve të Guardia di Finanza-s u konstatuan dhe asgjësuan gati 107 mijë bimë kanabis dhe u monitorua 61% e territorit. Partnerët italianë thonë se kultivuesit preferojnë zona shumë të thella në veri të vendit.
“Edhe këtë vit preferohen të mbillen zona më të vështira apo zona të cilat arrihen me shumë vështirësi nga ajri të vendosura kryesisht në veri të Shqipërisë. Ka një ulje të vogël të bimëve të shkatërruara krahasuar me vitin e kaluar. Duhet vënë theksi tek fakti se trafikantët kanë ndërmarrë një modus tjetër operandi të bazuar në kultivimin në zona edhe më të vështira për t'u arritur apo për t'u identifikuar”, tha Luigi Vinciguerra.
Policia thotë se përgjatë 10 muajve të këtij viti, u evidentuan 580 raste kultivimi me 191 të implikuar, nga të cilët 106 u arrestuan. 36 të tjerë u ndaluan, 17 u hetuan në gjendje të lirë dhe 37 persona u shpallën në kërkim.
Komente









