Lufta me Iranin po i kushton shtrenjtë Izraelit. Ekonomia e vendit po humbet rreth 9.4 miliardë shekelë në javë, afërsisht 3 miliardë dollarë, nëse kufizimet kombëtare vazhdojnë.

Vlerësimi vjen nga Ministria izraelite e Financave, e cila paralajmëron se masat e sigurisë po godasin rëndë aktivitetin ekonomik.

Komanda e Frontit të Brendshëm e ushtrisë izraelite vendosi që kufizimet të zgjasin deri në mbrëmjen e së shtunës, 7 mars. Masat ndalojnë grumbullimet, aktivitetet arsimore dhe hyrjen në shumicën e vendeve të punës, me përjashtim të shërbimeve thelbësore.

Punonjësit janë të detyruar të punojnë nga shtëpia dhe shkollat mbeten të mbyllura, ndërsa lëvizjet për të shkuar në punë janë të kufizuara.

Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Ilan Rom, i ka kërkuar ushtrisë që të lehtësojë masat dhe të kalojë në një regjim aktiviteti të kufizuar, në mënyrë që ekonomia të nisë të hapet gradualisht që nga nesër.

“Nuk ka debat për nevojën e masave të sigurisë, por mbyllja në shkallë të gjerë e ekonomisë ka kosto shumë të rënda”, tha Rom.

Ai theksoi se ekonomia izraelite ka paguar një çmim të lartë gjatë dy viteve e gjysmë të fundit për shkak të rritjes së kërkesave të sigurisë dhe pasojave të luftës me Hamasin.


Lajmi kryesor:

Lufta në Iran/ Blackout total në Irak, ambasada amerikane thirrje qytetarëve të saj: Largohuni nga vendi! Turqia: Një raketë e Teheranit drejt nesh u rrëzua nga mbrojtja e NATO-s