Lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka kërcënuar me hakmarrje, për sulmet e SHBA-së dhe Izraelit që vranë babain e tij, Ajatollah Ali Khamenei në muajin shkurt.
Përmes një mesazhi me shkrim, Mojtaba Khamenei ka deklaruar se hakmarrja për paraardhësin e tij të vrarë është kërkesë e Kombit dhe ‘duhet patjetër’ të ndodhë.
"Këta kriminelë, të cilëve u është dhënë një listë e plotë, nga i pari deri te i fundit, do të çojnë në varret e tyre dëshirën për një vdekje paqësore në shtretërit e tyre", deklaron Khamenei.
"Ata duhet ta dinë se e gjithë kjo nuk varet nga prania ime apo e autorëve të tjerë", shtoi më tej Khamenei, duke nënkuptuar se kërkesa për hakmarrje vjen nga populli iranian.
Ndërkohë një kthesë 180 gradë ka ndodhur lidhur me bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Iranit.
Një zyrtar i Katarit i tha CBS News se SHBA-të nuk do të marrin pjesë në bisedimet me Iranin në Oman, ku Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi mbërriti për konsultime me Muscatin mbi zhvillimet që lidhen me Ngushticën e Hormuzit.
CBS News fillimisht supozoi se ekipi negociator i SHBA-së, i udhëhequr nga Zëvendëspresidenti J.D. Vance, dhëndri i Presidentit, Jared Kushner, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari Special Steve Witkoff, pritej në Oman për vazhdimin e bisedimeve.

Gazeta iraniane Hamshari publikoi një "listë të zezë" me foto të atyre që dyshohen se janë përgjegjës për vdekjen e Ajatollah Ali Khamenei, ditën kur u publikua një mesazh i shkruar nga djali i tij Mojtaba që kërcënonte me "hakmarrje" kundër vrasësve të babait të tij.
Mes fotove të publikuara është Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu me një shënjestër në ballë dhe të veshur me uniformë burgu.
Krah tyre janë edhe foto të udhëheqësve evropianë si, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friderich Merz, si dhe politikanë ndërkombëtarë si Hegseth dhe Rubio.

Ministria e Shëndetësisë e Iranit njoftoi se sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA-të të mërkurën dhe të enjten rezultuan në vdekjen e 17 personave dhe plagosjen e 115 të tjerëve, në gjashtë qytete në të gjithë vendin.
Në një deklaratë të bërë sot, ministria vuri në dukje se u kryen 14 ndërhyrje kirurgjikale dhe se 102 nga të plagosurit tashmë janë larguar nga spitali pasi kanë marrë trajtim.
Komente






