Lufta/ Bisedime të reja në 1 prill! Putin: Paguani gazin me rubla ose iu ndërpresim kontratat! Franca dhe Gjermania: Gati të bllokojmë importin! Biden: Putin po izolohet në Rusi

36 ditë luftime mes Rusisë dhe Ukrainë e ndërsa situata vijon të mbetet mjaft e 'nxehtë'. Por shpresat mbeten ende dhe bisedimet për paqe midis Kievit dhe Moskës do të rifillojnë online nga e premtja, sipas një negociatori ukrainas.

Ndërkohë, sipas Pentagonit, forcat ruse po lëvizin trupat duke i tërhequr nga zona e Çernobilit. Nga ana tjetër Zelensky u shpreh se për momentin nga bisedimet vetëm fjalë, asgjë konkret". 

Moska ka shpallur armëpushimin në Mariupol. Ndërsa zëvendëskryeministrja ukrainase Irina Vereshchuk, tha për BBC se nuk ka ende marrëveshje dhe kërkon garanci për armëpushimin të ofruar nga Rusia për evakuimin e civilëve. Administrata e presidentit amerikan Joe Biden thuhet se po shqyrton lirimin e rreth një milion fuçi nafte në ditë nga rezervat strategjike të vendit. Sipas Bloomberg, nafta do të lirohet gjatë disa muajve në një përpjekje për të ulur çmimet e naftës, të cilat janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 mars.

Presidenti Zelensky nënshkroi një dekret duke tërhequr ambasadorët ukrainas nga Maroku dhe Gjeorgjia për dështimin për të "mbrojtur interesat e shtetit", shkruan The Kyiv Independent. Ndërsa forcat ukrainase rifitojnë kontrollin mbi Orlovon juglindore, Zahradivka, Kochubeivka, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Ndërsa ambasadori i Ukrainës në Poloni, Andriy Deshchytsia, tha se Ambasada e Ukrainës në Poloni po diskuton mundësinë e mbylljes së plotë të kufirit polak me Bjellorusinë, pavarësisht nga vendimi i BE-së, raporton agjencia e lajmeve Ukrinform. 

Takimi mes ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas, Serghei Lavrov dhe Dmitro Kuleba, mund të zhvillohet brenda një ose dy javësh. Kështu ka bërë të ditur ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu. Pasi priti të hënën rifillimin e bisedimeve ballë për ballë midis delegacioneve në Stamboll, Turqia po luan një rol kyç në ndërmjetësimin midis palëve.

Britania e Madhe ka shtuar në “listën e zezë” të sanksioneve edhe 14 rusë të tjerë, mes të cilëve edhe disa mediat. 

Në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:50
Biden njofton nxjerrjen e 1 mln fuçi nafte nga rezervat e vendit

Presidenti i SHBA Joe Biden ka njoftuar nxjerrjen e një milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike të vendit çdo ditë për gjashtë muajt e ardhshëm. Biden tha se kjo është një lëvizje për të ulur kostot e larta të karburantit. Lëshimi i deri në 180 milion fuçi nafte gjatë gjashtë muajve është më i madhi që nga krijimi i rezervës në 1974.

Biden premtoi veprime të mëtejshme për të rritur prodhimin e SHBA, duke thënë se lëshimi do të "shërbente si [një] urë deri në fund të vitit kur prodhimi vendas të rritet".

Ora 22:17
Draghi dhe Scholz bisedë telefonike: Sanksionet ndaj Rusisë efektive

Kryeministri italian Mario Draghi dhe kancelari gjerman Olaf Scholz kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku kanë diskutuar edhe për çështjen e gazit rus. Dy liderët ranë dakord që sanksionet ndaj Rusisë janë efektive dhe duhet të lënë ende në fuqi.

“Evropa duhet të shkojë përpara e bashkuar”, thanë krerët e qeverisë italiane dhe gjermane.

Ora 22:08
Biden: Nuk ka prova të qarta që Putin po i tërheq të gjitha trupat nga Kievi

Presidenti amerikan, Joe Biden në një komunikim me gazetarët ka thënë se është skeptik ndaj pretendimeve ruse se do të tërheqin trupat nga Kievi dhe do të fokusohet në lindje të vendit.

"Është një pyetje e hapur nëse ai në të vërtetë po tërhiqet," u tha Joe Biden gazetarëve.

"Deri tani, nuk ka asnjë provë të qartë se ai po tërheq të gjitha forcat e tij nga Kievi. Ka gjithashtu prova se ai po forcon trupat e tij në zonën e Donbass," tha ai.

Ora 21:56
SHBA: Rusia të respektojë kufijtë e Ukrainës siç ishin para luftës

“Duam që të respektohet sovraniteti i Ukrainës dhe kufijtë e saj si para fundit të shkurtit, kur Moska nisi pushtimin e saj.” Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Pentagonit John Kirby për Fox News.

Ora 21:47
Ministria ruse e Mbrojtjes: Më 1 prill hapim korridor humanitar në Mariupol

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të enjten se do të hapë një korridor humanitar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit në Zaporizhia të premten, njoftoi agjencia e lajmeve Tass.

Agjencia citonte gjeneral-kolonelin Mikhail Mizintsev, drejtor i Qendrës Kombëtare Ruse për Menaxhimin e Mbrojtjes, të thoshte se Moska po vepronte sipas një kërkese që presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz i kishin bërë presidentit rus, Vladimir Putin.

Ora 21:33
Biden: Putin po izolohet në Rusi

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin duket se po izolohet në Rusi dhe mund të ketë pushuar ose vënë në arrest shtëpie disa nga këshilltarët e tij. Biden tha se nuk do ta lejojnë Moskën të përdorë energjinë si ‘armë’ kërcënuese.

"Ai duket se është i izoluar dhe ka disa indikacione se ai ka pushuar nga puna ose ka vënë në arrest shtëpie disa nga këshilltarët e tij," tha Biden pa treguar dëshmi për këtë.

Biden ka komentuar edhe rritjen e çmimit të naftës dhe gazit duke kritikuar ashpër kompanitë duke përfituar nga kriza në Ukrainë për tu pasuruar.

"Disa kompani po rrisin prodhimin, por të tjerave u pëlqen rritja e çmimeve," tha ai, duke vënë në dukje se kompanitë kryesore të industrisë gjeneruan 80 miliardë dollarë fitime vitin e kaluar. Sipas presidentit amerikan, për të përballuar çmimet e larta, veçanërisht të benzinës, aleatët dhe partnerët mund të lëshojnë nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë dhe u ka kërkuar kompanive amerikane të rrisin prodhimin e naftës bruto.

Ora 21:25
SHBA: Amerikanët të largohen menjëherë nga Rusia dhe Bjellorusia

Departamenti Amerikan i Shtetit ka ripërsëritur edhe njëherë ftesën drejtuar qytetarëve amerikanë që të largohen menjëherë nga Rusia dhe Bjellorusia.

"Ekziston rreziku që ata të ndalohen nga autoritetet për shkak të kombësisë së tyre," tha Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price gjatë një konferencë për shtyp.

Ora 21:21
U larguan nga Çernobili, rusët marrin peng ushtarët ukrainas

Forcat ruse që u larguan nga termocentrali bërthamor i Çernobilit kanë marrë me vete rojet kufitare ukrainase që ishin mbajtur robër që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt. Lajmin e bëri të ditur kryetari i qytetit Slavutych, Yuriy Fomichev , qyteti ndodhet pranë uzinës ku qëndronte stafi .

"Njerëzit tanë të Gardës Kombëtare u morën nga termocentrali bërthamor i Çernobilit. Që nga dita e parë ata u mbajtën peng në termocentralin që ruanin. Ata u morën me makinë" , tha Fomichev.

Ora 20:30
A dështoi plani i Putin për pushtimin e Ukrainës? Ish-ministri i Jashtëm rus: Ai llogariti gjithçka gabim

Ish-ministri i Jashtëm i Rusisë, Andrei Kozyrev ka folur për BBC për pushtimin e Ukrainës.  I pyetur nëse planet e Vladimir Putin për të dobësuar NATO-n kanë dështuar duke pushtuar Ukrainën, Andrei Kozyrev thotë se "ai llogariti gabim gjithçka".

Ai vazhdon të kritikojë të kaluarën e Putinit në detyrë, duke thënë se Rusia është "në rënie" sepse është shumë e varur nga eksportet e lëndëve të para. Kozyrev shërbeu në qeverinë e Boris Yeltsin në vitet 1990.

Ora 20:24
Erdogan telefonon Zelenskyn, ja çfarë u diskutua

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka biseduar në telefon me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky. Lajmi është bërë me dije nga agjencia Anadolu, sipas së cilës Erdogan i ka përsëritur presidentit ukrainas se Turqia mund të punojë për një takim mes Zelenskyt dhe presidentit rus Vladimir Putin. Të dy presidentët diskutuan gjithashtu bisedimet midis delegacioneve nga Moska dhe Kievi që u mbajtën në Stamboll të martën .

Ora 20:17
Lufta në Ukrainë, OKB: 1.232 civilë të vrarë, 112 prej tyre fëmijë

Të paktën 1.232 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, duke përfshirë 112 fëmijë, sipas raportit të fundit nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (Ohchr).

Agjencia e Kombeve të Bashkuara, në fakt, nënvizon se “shifrat reale mund të jenë dukshëm më të larta”, duke pasur parasysh vështirësitë në gjetjen e informacioneve të verifikuara, veçanërisht nga disa zona të vendit. Ndërsa të plagosurit e konfirmuar janë 1935, nga të cilët 149 të mitur.

Ora 19:53
Ukraina: Një i vrarë nga sulmi rus në kolonën e evakuimit

Një person u vra dhe katër u plagosën rëndë kur forcat ruse bombarduan një kolonë evakuimi jashtë qytetit verior të Ukrainës, Çernihiv, thanë zyrtarët në Kiev të enjten.

"Pesë autobusë u vunë nën zjarr të drejtpërdrejtë nga armiku teksa ata u përpoqën të shkonin në qytetin e rrethuar për të evakuuar njerëzit," tha Avokatja i Popullit e Ukrainës, Lyudmyla Denisova në Telegram.

"Në autobusë kishte vetëm vullnetarë civilë. Si pasojë e granatimeve, një person ka mbetur i vdekur, katër janë plagosur rëndë", tha ajo

Ora 18:49
Muri evropian, Franca dhe Gjermania janë gati të bllokojnë importet e gazit me Rusinë

1647244346_gazprom.jpg

Franca dhe Gjermania janë gati të bllokojnë importet e gazit me Rusinë. Evropa dhe G7 kanë qenë shumë të qarta në këtë pikë, duke përsëritur se nuk kanë ndërmend të plotësojnë kërkesat e Moskës. Koncepti i riafirmuar sot edhe nga Gjermania dhe Franca, të cilat kanë hapur gjithashtu mundësinë e bllokimit të importeve të gazit.

“Ne duhet të marrim parasysh të gjithë skenarët, duhet të përgatitemi sepse nesër mund të mos ketë më gaz rus”, tha ministri francez Bruno Le Maire në një konferencë për shtyp me homologun e tij gjerman Robert Habeck.

‘Ne nuk duhet të japim një mesazh se po shantazhohemi nga Putini’, tha Habeck.

‘Kontratat duhet të respektohen’, shtoi ai.

“Ne nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë të paguajmë për gazin në monedha të tjera nga ato të parashikuara në kontrata”, përsëriti La Maire.

Dje, zëdhënësi i Kremlinit e kishte bërë tashmë të qartë se afati i 31 marsit nuk do të ishte i detyrueshëm për të shkaktuar masat e reja, sepse miratimi do të kërkonte pak kohë.

Ora 18:49
Kievi: Rusët po largohen nga Çernobili

Trupat ruse po largohen nga centrali bërthamor i Çernobilit dhe po shkojnë drejt kufirit me Bjellorusinë. Këtë e ka bërë të ditur agjencia bërthamore e Ukrainës, ‘Energoatom’, duke shtuar se ushtria ruse po përgatitet të largohet nga Slavutych, një qytet aty pranë ku jetojnë punëtorët e uzinës.

Energoatom tha se rusët kanë nënshkruar një dokument që konfirmon dorëzimin e uzinës së Çernobilit dhe thotë se administrata e uzinës nuk ka ankesa për trupat ruse që po "ruanin" centralin.

"Rezulton se banorët e kanë 'ruajtur' stacionin për më shumë se pesë javë, madje aq mirë sa nuk ka ankesa," tha Energoatom në një deklaratë në Telegram.

Ora 18:45
Kryeministri polak: Rusët po riorganizohen për të marrë një të tretën e Ukrainës

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki beson se trupat ruse shumë shpejt duan të marrin një të tretën e Ukrainës. Në një intervistë për CNN, Morawiecki tha se sheh që trupat ruse po rigrupohen.

“Mendoj se do të përpiqen të rrethojnë forcat ukrainase shumë shpejt, veçanërisht në rajonin e Donbasit. Dhe më pas, pasi të pushtojnë një të tretën e territorit në Ukrainë do të dëshirojë të negociojë nga ky pozicion shumë i fortë”.

Ora 18:39
SHBA sanksionon kompanitë ruse të teknologjisë

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja kundër një numri kompanish të teknologjisë ruse, duke përfshirë prodhuesin më të madh të çipave në Federatë. Mediat raportojnë se janë sanksionuar 21 subjekte dhe 13 individë.

Ora 18:22
Britania e Madhe: Ne nuk do të paguajmë gazin me rubla

Britania nuk ka në plan të paguajë për gazin rus në rubla, tha zëdhënësi i kryeministrit Boris Johnson, duke shtuar se qeveria po monitoron implikimet për tregun evropian të kërkesës së Presidentit Vladimir Putin. I pyetur nëse kishte ndonjë rrethanë në të cilën Britania do të paguante në rubla për gazin rus, zëdhënësi u tha gazetarëve: "Nuk është diçka që ne do të përpiqemi të bëjmë".

Ora 18:07
Pagesat në rubla? Ukraina: Moska po shpall luftë gazi

1648043695_putingazirus.JPG

Rusia "ka shpallur një luftë gazi" duke kërkuar nga të ashtuquajturat "vendet armiqësore" të paguajnë në rubla për furnizimet që do të marrin nga Moska.

Kështu është shprehur kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, pas shpalljes së dekretit të nënshkruar nga Vladimir Putin, duke akuzuar rusët për "shkelje të të gjitha kushteve dhe logjikës së tregut" me qëllim "të kursyer" monedhën e tyre.

"Perëndimi tani duhet të përgjigjet sa më fort të jetë e mundur, duke braktisur burimet energjetike ruse," kërkoi Yermak, duke pranuar se disa vende nuk do të jenë në gjendje "shpejt", por "nuk ka rrugëdalje tjetër".

Ora 17:34
Kiev: Bombardohet nga rusët autobusi në Chernihiv

Trupat ruse bombarduan një autokolonë autobusi me vullnetarë pranë Chernihiv. Kjo u njoftua nga komisionerja për të drejtat e njeriut të Verkhovna Rada Lyudmila Denisova në Facebook.

"Pesë autobusë u bombarduan nga armiku kur u përpoqën të hynin në qytetin e rrethuar për të evakuuar njerëzit. Në autobus kishte vetëm vullnetarë civilë," shkroi Denisova. Si pasojë e bombardimeve një person ka mbetur i vrarë dhe katër janë plagosur rëndë. Një nga automjetet ka mundur të shpëtojë pavarësisht gomave të çara.

Ora 17:31
Pas refuzimit të vendeve europiane, Putin 'gjen mënyrën si t'ua shesë gazin natyror në rubla

Dekreti i Kremlinit për gazin, i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin, thotë se "vendet armiqësore" do të mund të vazhdojnë të paguajnë për gazin natyror në valutë të huaj përmes një banke ruse që do t'i konvertojë paratë në rubla.

"Për të blerë gaz, klientët "do të duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse", tha Putin.

Sipas njoftimeve nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve Ria Novosti, dekreti i nënshkruar nga Putin thotë se një bankë e caktuar do të hapë dy llogari për çdo blerës, një në valutë të huaj dhe një në rubla; blerësit do të blejnë në valutë të huaj dhe do të autorizojnë bankën që ta shesë atë monedhë për rubla, e cila do të vendoset në llogarinë e dytë dhe në atë llogari do të blihet zyrtarisht gazi.

Ora 17:29
Moska ndalon liderët e BE-së të hyjnë në Rusi

Moska ndalon hyrjen e liderëve evropianë si përgjigje ndaj sanksioneve kundër Rusisë. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Jashtme, sipas raporteve të TASS.

Ora 16:52
Erdogan: I gatshëm të punoj për një takim mes Putin dhe Zelenskyt

"Qëllimi ynë është të organizojmë një takim të liderëve të Rusisë dhe Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur." Kështu deklaroi presidenti turk, Recep Tayyp Erdogan.

"Ne jemi gati të ofrojmë platformën e nevojshme. Bazuar në besimin që Putin dhe Zelensky kanë në Turqi, shpresoj se do të jemi në gjendje të biem dakord për një datë takimi," tha Erdogan.

Erdogan foli edhe për rolin e Roman Abramovich në negociata, duke thënë se po punon "sinqerisht" për t'i dhënë fund konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Abramovich, theksoi lideri turk, "ka marrë pjesë në negociatat si pjesë e delegacionit rus.

“Në vend që të shikojmë se kush ishte në tryezë, ne duhet të shikojmë se kush janë ata atje në emër. Sigurisht bisedimet zyrtare janë të rëndësishme, negociatat janë të rëndësishme, por opinioni publik është i ndjeshëm, të gjithë duan të mbajnë pozicionin e tyre dhe ka kanale që duhet të mbahen të hapura midis liderëve dhe vendeve. Abramovich luan një rol të dobishëm."

Ora 16:47
Kryeministrja daneze: Të gatshëm të dërgojmë 800 ushtarë në Letoni me kërkesë të NATO-s

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha këtë javë se Danimarka është gati të dërgojë një batalion prej 800 trupash në shtetet baltike me kërkesë të NATO-s, megjithëse një kërkesë e tillë do të kërkonte ende miratimin parlamentar.

Ora 16:25
Kryetari i Melitopolit flet për rrëmbimin e tij nga rusët: Ushtarët e tyre ishin të papërgatitur, për ta nuk vlente jeta njerëzore

Kryetari i Melitopolit, Ivan Fedorov i rrëmbyer më 11 mars dhe më pas i liruar nga ushtria ruse, ka folur për ditët kur është rrëmbyer. Ai tha se ushtarët rusë “ishin të papërgatitur fare” dhe "që nuk dinin asgjë për Ukrainën". Aktualisht Fedorov ndodhet në Paris me një delegacion nga Kievi.

“Propaganda ruse është shumë e fortë. Edhe në Bashkimin Evropian informacioni objektiv ndonjëherë ka vështirësi të arrijë”, tha ai.

I arrestuar nga rusët, Fedorov tha se kishte pësuar dhunë psikike.

“Pesë ushtarë ishin me mua në dhomën e marrjes në pyetje. Ata nuk ishin të përgatitur fare. Ata nuk dinin asgjë për Ukrainën dhe Melitopolin. Dëgjova britmat e të torturuarve në qelitë pranë meje dhe kuptova se cili ishte niveli i dhunës së tyre, sepse jeta njerëzore nuk vlen për ta”, tha ai

Ora 16:24
Scholz i prerë me Putin: Vendet perëndimore do vazhdojnë ta paguajnë gazin rus në euro ose dollarë

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të enjten se vendet perëndimore do të vazhdojnë të paguajnë për gazin rus në euro ose dollarë, pavarësisht kërcënimit të presidentit rus Vladimir Putin për të ndërprerë furnizimet që nuk paguhen në rubla.

"Ne shikuam kontratat për dërgesat e gazit. ," u tha Scholz gazetarëve në Berlin.

“Ato thonë se pagesat bëhen në euro, ndonjëherë në dollarë... dhe unë e bëra të qartë në bisedën time me presidentin rus se kështu do të mbetet”, tha ai duke iu referuar një bisede telefonike me Vladimir Putin të mërkurën.

Ora 16:01
Putin kërcënon Europën: Paguani gazin me rubla ose do ju ndërpresim kontratat

Presidenti rus, Vladimir Putin ka kërcënuar perëndimorët se nëse refuzojnë që të paguajnë me rubla gazin e blerë në Rusi, atëherë do u ndërpresë kontratat. Sipas tij, ky është një hap drejt sovranitetit financiar të Rusisë, teksa nuk i ka kursyer edhe akuzat për SHBA.

"SHBA përpiqet të zgjidhë problemet në kurriz të të tjerëve, të Europës dhe të hedhë gabimet e saj. Po përfiton nga paqëndrueshmëria botërore. Evropa do të paguajë një çmim më të lartë për gazin që blen nga SHBA", tha Putin.

Ora 15:51
Lufta në Ukrainë, 30 mijë refugjatë janë zhvendosur në Spanjë

Pothuajse 30,000 refugjatë ukrainas janë regjistruar zyrtarisht në Spanjë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Kështu ka deklaruar të enjten kryeministri Pedro Sanchez. Sanchez shtoi se numri mund të rritet në 70 mijë refugjatë në ditët në vijim.

Ora 15:48
Kryeministri norvegjez bisedë telefonike me Putin: Jepi fund luftës

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, tha se i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, që urgjentisht të tërheqë trupat e tij nga Ukraina dhe të lejojë qasjen humanitare.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, të dy liderët biseduan në telefon një orë më parë.

Stoere tha se “duhet të provohet gjitha në situatën aktuale”.

Ora 15:37
Shuhen sërish shpresat për tërheqjen e trupave ruse, shpërthim i fuqishëm në qendër të Kievit

Një shpërthim i fortë është ndjerë në qendër të Kievit. Kjo është raportuar nga Kiev Independent duke specifikuar se nuk mund të tregojë shkakun e shpërthimit.

“Shpërthimet mund të nënkuptojnë se një raketë ruse që po afrohej është rrëzuar nga forcat e mbrojtjes ajrore ose ka goditur objektivin e saj”, thuhet në llogarinë e gazetës në Twitter.

Ora 15:35
Shpërthim i fortë në qendër të Kievit

Një shpërthim i fortë është ndjerë në qendër të Kievit . Kjo është raportuar nga Kiev Independent duke specifikuar se nuk mund të tregojë shkakun e shpërthimit.

“Shpërthimet mund të nënkuptojnë se një raketë ruse që po afrohej është rrëzuar nga forcat e mbrojtjes ajrore ose ka goditur objektivin e saj”, thuhet në llogarinë e gazetës në Twitter.

Ora 15:24
Zelensky pritet me himnin ukrainas në parlamentin belg: Mariupoli, një nga qytetet më të bombarduara, kanë vdekur me mijëra

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë shfaqjes së tij virtuale në parlamentin belg tha se një krizë humanitare po shpalosej në Mariupol.

Qyteti port jugor ka qenë skena e disa prej bombardimeve më të rënda që nga fillimi i pushtimit muajin e kaluar.

Zelenskyy i tha parlamentit të Belgjikës se mijëra njerëz janë vrarë në Mariupol, duke shtuar se të gjithë e dinë se atje ka një katastrofë humanitare.

Ai gjithashtu kërkoi më shumë ndihmë edhe për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Zelenksy u prit nga deputetët e parlamentit belg me himnin ukrainas, në shenjë respekti dhe nderimi.

Ora 14:04
Humbi bashkëshortin nga bombardimet ruse, deputetja ukrainase: U vra për shkak të kësaj lufte të mallkuar

Burri i deputetes ukrainase Olga Stefanyshyna është vrarë ditën e djeshme gjatë një bombardimi pranë Cernihiv,

“I dashuri im Bogdan vdiq nga një raketë ruse, duke u përpjekur të shpëtonte disa njerëz. Unë do të qëndroj me fëmijët tanë. Jam shumë e sëmurë për shkak të kësaj lufte të mallkuar”., ka shkruar ajo.

Ora 13:54
U bombardua dy ditë më parë, nxirren 19 trupa të pajetë nga rrënojat e pallatit të guvernatorit në Mykolaiv

Në 19 ka shkuar numri i viktimave të nxjerra nga rrënojat e pallatit të guvernatorit në Mykolaiv, i cili u bombardua dy ditë më parë nga rusët.

 Këtë e deklaroi Ilyana Patsyuk, kryetarja e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës në rajonin e Mykolaiv, cituar nga Ukrinform.

Ora 13:48
Kiev: Situata në Çernobil, jashtë kontrollit! Do të ketë efekte katastrofale

“Situata në Çernobil është katastrofike, rusët nuk po kontrollojnë situatën. Ekziston rreziku i efekteve të gjera. Zona e uzinës duhet të çmilitarizohet. Unë i shkrova në dorën time një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Guuteres për ta kërkuar atë”.

Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk e tha këtë kur u takua me mediat ndërkombëtare në një video-telefonatë në Lviv. Sipas disa burimeve nga mediat ushtria ruse e cila qëndron atje ka filluar të sëmuret.

Ora 13:39
Mariupol: Armëpushimi vlen vetëm për korridoret humanitare, pjesa tjetër e qytetit po bombardohet

"Nuk ka armëpushim në Mariupol, qyteti është ende nën sulm. Armëpushimi ka të bëjë vetëm me korridoret humanitare, segmentin nga Berdyansk në Zaporizhzhia".

Kështu deklaroi zëvendëskryeministrja ukrainase me përgjegjësi për riintegrimin e territoreve të okupuara, Iryna Vereshchuk, gjat ënjë konference me mediat ndërkombëtare në Lviv përmes videokonferencës.

Më tej, ajo tha “nuk kemi ndërmjetës, nuk ka palë të treta që mund të verifikojnë shkeljen e mundshme të armëpushimit”.

Ora 13:23
NATO: Rusia gënjen vazhdimisht për tërheqjen e trupave nga Kievi


“Ne shohim deklarata për tërheqjen e forcave ruse nga Kievi, por Rusia ka gënjyer vazhdimisht për tërheqjen. Ne mund të gjykojmë pwr veprimet dhe jo me fjalët”.

Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke prezantuar raportin e tij vjetor për vitin 2021.

Ora 13:17
Zgjerohet ‘lista e zezë’ e Britanisë së Madhe, shtohen 14 rusë dhe media, mes tyre edhe ‘Kasapi i Mariupolit’

Ka pasur 14 shtesa në listën e sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar këtë mëngjes kryesisht nga mediat ruse.

Ndër të sanksionuarit janë:

  • Aleksandr Zharov, shef ekzekutiv i Gazprom-Media
  • Alexey Nikolov, drejtor menaxhues i Rusisë Sot (RT)
  • Anton Anisimov, kreu i Transmetimit Ndërkombëtar Sputnik

Diku tjetër listës i shtohet edhe njeriu i quajtur “kasapi i Mariupolit”, gjeneral-koloneli rus Mikhail Mizintsev, i cili akuzohet për bombardimin e shumë civilëve në qytet. 

Ora 11:45
Moskë: Kemi bombarduar 52 baza ushtarake mbrëmjen e djeshme në Ukrainë

Forcat ruse kanë shkatrruar 52 baza ushtarake ukrainase mbrëmjen e djeshme, duke përfshirë një sistem raketash anti-ajrore S-300 pranë Izyum, në lindje. Kjo u njoftua nga zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Moskës, Igor Konashenkov, siç raportohet nga Interfax .

Ndër objektivat e tjera, kishte edhe katër poste komandimi, një sistem raketash tokë-ajër Buk-M1, dy raketahedhës, një depozitë raketash dhe municionesh artilerie dhe dy depozita karburanti.

Ora 10:46
Bombardojnë shtëpi dhe shkolla në Lugansk, vriten dy persona, 2 fëmijë në gjendje kritike për jetën

Një shkollë dhe një depo nafte morën flakë për shkak të bombardimeve ruse në Sievierdonetsk, në rajonin e Luganskut. Kështu deklaroi kreu i administratës ushtarake të Luganskut, Serhiy Haidai, sipas raporteve të Ukrainas Pravda. Sipas Haidait, rusët po sulmojnë me të gjitha llojet e armëve dhe kufomat mbeten në tokë për ditë të tëra para se të hiqen. Bombardimet ruse shkaktuan gjithashtu zjarre në nëntë ndërtesa banimi në Lysychansk, pesë në Sievierdonetsk dhe një në Rubizhne. Gjithashtu, disa shtëpi janë dëmtuar edhe pse nuk kanë marrë flakë.

Dhjetëra ndërtesa janë shkatërruar. Dy persona kanë vdekur, dy fëmijë janë në gjendje kritike.

Ora 10:17
Takim Kuleba-Lavrov, ministri i Jashtëm turk: Do të bëhet i mundur brenda 2 javësh

Takimi mes ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas, Serghei Lavrov dhe Dmitro Kuleba, mund të zhvillohet brenda një ose dy javësh. Kështu ka bërë të ditur ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu. Pasi priti të hënën rifillimin e bisedimeve ballë për ballë midis delegacioneve në Stamboll, Turqia po luan një rol kyç në ndërmjetësimin midis palëve.

"Mund të ketë një takim në një nivel më të lartë, të paktën në nivelin e ministrave të jashtëm, brenda një ose dy javësh," siguroi Cavusoglu në një intervistë në TV.

Ora 10:05
Rusët qëlluan me plumba fosfori në Donetsk, plagosen 11 persona, mes tyre 4 fëmijë

Ushtria ruse gjuajti predha fosfori në pjesën qendrore të rajonit të Donetsk gjatë natës. Lajmin është raportuar nga Pravda Ukraine duke cituar kreun e administratës ushtarake rajonale të Donetsk Pavlo Kyrylenko.

“Rusët qëlluan me plumba fosfori në Maryinka, Krasnohorivka dhe Novomykhailivtsi në rajonin e Donetsk”, tha Kyrylenko në Telegram, duke shtuar se njëmbëdhjetë të plagosur u dërguan në spital, 4 prej tyre ishin fëmijë.

Ora 09:05
Zyrtarët e inteligjencës amerikane: Putin është i keqinformuar mbi luftën në Ukrainë! Udhëheqësit ushtarakë kanë frikë t'i tregojnë të vërtetën

1648471399_123444861putindesk.jpg

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë thënë se  Putini u keqinformuar nga për ecurinë e luftës në Ukrainë, sepse udhëheqësit ushtarakë rusë "kanë frikë" të tregojini atij se sa gjendje të vështirë ndodhen forcat e armatosura të Moskës dhe kjo do të shkaktonte një tension të vazhdueshëm me Ministrinë e Mbrojtjes, sepse presidenti rus nuk u beson udhëheqësve ushtarakë".

I njëjti version u konfirmua edhe nga diplomatët evropianë, të cilët thanë "Putini mendon se gjërat po shkonin më mirë, por është problemi i atyre që e rrethojnë që nuk i tregojnë atë që po ndodh në të vërtetë".

Ora 08:19
Negociatat dhe premtimet e Moskës, Zelensky: Trupat ruse nuk tërhiqen vullnetarisht! S’kemi asgjë konkrete nga negociatat

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se nuk beson se trupat ruse do të tërhiqen vullnetarisht nga Kievi dhe Chernihiv.

Në një fjalim drejtuar botës, udhëheqësi ukrainas tha gjithashtu se ndërsa po vazhdonin negociatat midis dy kombeve nuk ishin përcaktuar specifika.

 “Po, ka një proces negociatash i cili është në vazhdim, por këto janë ende fjalë deri tani. Nuk ka specifika. Ka edhe fjalë të tjera për gjoja tërheqjen e trupave ruse nga Kievi dhe Chernihiv, për gjoja reduktimin e aktivitetit në këto zona. Ne e dimë se kjo nuk është tërheqje, por rezultat i shtyrjes. Rezultatet e punës së mbrojtësve tanë. Ne mund të shohim se, në të njëjtën kohë, ka një grumbullim të trupave ruse për sulme lajmesh në Donbas.", tha ai.

Ora 07:56
Zbardhet biseda telefonike mes Draghit dhe Putinit

‘President, po ju bëj thirrje të flasim për paqen’. Kështu e nisi dje kryeministri italian Mario Draghi në telefonatën e tij me Vladimir Putin. Të dy duhej të takoheshin në Moskë një muaj më parë, por takimi u anulua pas pushtimit rus në Ukrainë, të cilin kryeministri italian e dënoi ashpër. Draghi u interesua për ecurinë e negociatave me Ukrainën dhe i përsëriti Putinit "gatishmërinë e qeverisë italiane për të kontribuar në procesin e paqes, në prani të shenjave të qarta të de-përshkallëzimit nga ana e Rusisë". Në takim të dy liderët diskutuan edhe mënyrën e pagesës së gazit rus. 

Ora 07:48
Rubla ‘merr veten’, rimëkëmbet kundrejt dollarit dhe kthehet në nivelin e paraluftës

Rubla ruse u rikuperua në vlerë pavarësisht sanksioneve perëndimore ndaj eksporteve dhe sistemeve financiare të vendit.

Monedha po tregtohet me 75.5 rubla për dollar, krahasuar me gati 140 për dollar në fillim të marsit, kur ajo ra me ardhjen e sanksioneve. Vlera është më e mirë se 22 shkurti, dy ditë para pushtimit, kur ishte 80 për dollar.

Ora 06:45
Nuk e parashikoi pushtimin rus, shkarkohet nga detyra shefi i inteligjencës franceze

Drejtori i inteligjencës ushtarake franceze, gjenerali Éric Vidaud, shkarkohet nga posti i tij për mospërfillje të mundësisë së pushtimit të Rusisë në Ukrainë, njoftuan mediat franceze të enjten.

Duke cituar një burim të brendshëm në Ministrinë e Forcave të Armatosura, media lokale l'Opinion tha se gjenerali Vidaud u shkarkua për shkak të "informacioneve të pamjaftueshme" dhe "mungesës së zotërimit të lëndëve", shkruan BBC.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Francës, Thierry Burkhard, pranoi në një intervistë për Le Monde se shkarkimi erdhi kur shërbimet e inteligjencës franceze, përfshirë Vidaud, kuptuan se kishin bërë një analizë të gabuar të kërcënimit rus në Ukrainë, që binte ndesh me vlerësimin e SHBA-së.


 

Ora 06:27
Negociatori i Ukrainës: Referendumi i neutralitetit mund të zgjasë të paktën një vit

Mund të duhet të paktën një vit që Ukraina të mbajë një referendum për neutralitetin e saj, sipas kreut të delegacionit të Ukrainës në bisedimet e paqes me Rusinë.

Neutraliteti ukrainas është një kërkesë kryesore ruse për t'i dhënë fund luftës. Në fillim të kësaj jave, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se është i hapur ndaj kësaj ideje, me kusht që Ukraina të marrë garanci sigurie.

Në një intervistë televizive, negociatori ukrainas David Arakhamia tha se një vendim i tillë duhet të merret përfundimisht nga populli i Ukrainës, në vend të politikanëve, në një referendum kombëtar.
Shpallja e neutralitetit, tha ai, do të kërkonte tre milionë nënshkrime për t'u regjistruar.

"Kjo është një procedurë e madhe që nuk mund të zhvillohet jashtë territorit paqësor," tha ai.

Ora 05:55
Lufta/ OKB krijon komisionin për të hetuar krimet ruse në Ukrainë

Paneli i pavarur, i udhëhequr nga Erik Mose i Norvegjisë, do të shqyrtojë të gjitha akuzat për abuzime të të drejtave dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar "në kontekstin e agresionit kundër Ukrainës nga Federata Ruse", sipas një deklarate të 30 marsit nga OKB, shkruan The Kyiv Independent.

Ora 05:53
CNN: Forcat e Kievit rifitojnë terren në Chernihiv

CNN raporton mbi një video të postuar në mediat sociale që tregon se trupat ukrainase po fitojnë terren mbi forcat ruse pranë qytetit verior të Chernihiv. Në videon e xhiruar në fshatin Sloboda, rreth 19 kilometra larg Chernihiv, shihen një sërë forcash ukrainase, një tank rus i bombarduar dhe djegur dhe tym i trashë i bardhë në rrugë. Fshati është jetik për përpjekjet e Ukrainës për të thyer rrethimin rus të Chernihiv. Videoja është gjeolokuar dhe autenticiteti i saj është verifikuar nga CNN.

Ora 05:40
Çmimet e naftës bien, teksa Biden shqyrton lëshimin e rezervave të SHBA-së

Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm pas raportimeve se SHBA do të ndërmarrë hapa të rinj për të ulur kostot e larta të karburantit, shkruan BBC.

Administrata Biden thuhet se po shqyrton lirimin e deri në 180 milion fuçi nafte në muajt e ardhshëm nga Rezerva Strategjike e Naftës.

Nëse konfirmohet, ky do të jetë lëshimi më i madh ndonjëherë që nga krijimi i rezervës në 1974.

Menjëherë pas raportimeve, tregtia e mëngjesit në Azi pa standardin e naftës në SHBA, në West Texas Intermediate me 5.6% më të ulët, ndërsa Brent Crude u ul me 4.8% më të ulët.

Lufta në Ukrainë ka tronditur tregjet globale të energjisë në javët e fundit mbi shqetësimet se furnizimet do të shkurtohen.

Ora 05:25
Shënime nga një kafene në Kiev: Shpresojmë për më të mirën!

Rrugët e zbrazëta të Kievit dukeshin edhe më të shkreta të enjten, në një ditë të ftohtë me një shi të lehtë. Reagimi ndaj pretendimeve të Rusisë për të reduktuar aktivitetin ushtarak rreth kryeqytetit ishte po aq i mërzitshëm.

"Nuk funksionon kështu," më tha Anya, e ulur në një kafene në një rrugë me kalldrëm në qendër të qytetit. 

"Ata thjesht duhet të largohen nga vendi ynë. Ne nuk duhet t'u japim rusëve asnjë lëshim. Ne duhet të qëndrojmë të vendosur deri në fund. Përndryshe, do të jetë ashtu siç kemi pasur këtu për tetë vjet, kjo frikë e vazhdueshme për të pasur një agresor pranë," shtoi shoqja e saj Dasha.  

Ndërkohë, ushtaraku Oleksandr thotë se ka besim se trupat ruse nuk do të arrijnë në Kiev. "Sigurisht që gjithçka do të përfundojë. Kjo thjesht kërkon më shumë kohë," tha ai i gëzuar ndërsa priste sanduiçin e tij, shkruan BBC.

"Ne vërtet dëshirojmë që e gjithë kjo të marrë fund. Të gjithë duan të kthehen në jetën e tyre paqësore. "Por unë nuk mendoj se ka përfunduar ende," tha Maryna, e cila zotëron kafenenë Bassano aty pranë.  

Restoranti i saj u zhvendos nga Donetsk në Kiev në vitin 2014 kur shpërtheu lufta me militantët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës. 

"Ne menduam se ishte ajo. Por tani kemi déjà vu," thotë ajo.

Këtë herë ata nuk kanë ndërmend të largohen. Shpresojmë për më të mirën," shpjegon Maryna.


 

Ora 05:15
Lufta/ Pse Putini ndihet i mashtruar nga ushtria e tij?

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield, thotë se SHBA-të kanë informacione se Putin "u ndje i mashtruar nga ushtria ruse" dhe kjo ka rezultuar në "tensione të vazhdueshme midis Putinit dhe udhëheqjes së tij ushtarake".

“Lufta e Putinit ka qenë një gabim strategjik që e ka lënë Rusinë më të dobët në terma afatgjatë dhe gjithnjë e më të izoluar në skenën botërore”, tha ajo.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby i quajti vlerësimet "të pakëndshme" sepse një Putin i painformuar mund të rezultojë në një përpjekje "më pak se besnike" për t'i dhënë fund konfliktit përmes negociatave të paqes.

“Tjetër gjë është se ju nuk e dini se si do të reagojë një lider si ai ndaj marrjes së lajmeve të këqija,” tha ai.

Ndërkohë, Jeremy Fleming, kreu i agjencisë së inteligjencës kibernetike të Mbretërisë së Bashkuar, tha se masa shtoi indikacionet që Rusia kishte "keqvlerësim të situatës" dhe ishte detyruar të "rimendonte në mënyrë të konsiderueshme".


 

Ora 04:59
Lufta/ Forcat Ajrore të Ukrainës shkatërrojnë katër avionë, dy raketa lundrimi dhe një dron

Më 30 mars, Forcat Ajrore të Ukrainës goditën katër avionë, një UAV dhe dy raketa lundrimi, sipas zëdhënësit të Komandës së Forcave Ajrore, Yuriy Ignat.

“Gjatë dy ditëve të fundit, armiku ndryshoi taktikën e luftimeve në qiell dhe i përqendroi aktivitetet e tij në lindje të vendit. Gjatë sulmeve ajrore në rajonin e Kharkiv, rusët humbën katër avionë, gjuajtës-bombardues Su-34 dhe një UAV nga zjarri i njësive tona raketore kundërajrore. Gjithashtu ka informacione për rrëzimin e dy raketave të lundrimit armik në drejtime të ndryshme," tha ai.

"Duke pësuar humbje të mëdha një ditë më parë, avionët e armikut shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me luftëtarët ukrainas dhe përpiqen të mos hyjnë në zonën e mbrojtjes sonë ajrore. Megjithatë, minus katër të tjerë në ditën e 30 marsit,” shtoi më tej Ignat.


 

Ora 04:41
Sanksionet e Perëndimit, Rubla ruse kthehet në nivelet e paraluftës

Rubla ruse është rikthyer në rreth nivelit që ishte kur filloi lufta në Ukrainë, pasi ra në mënyrë dramatike përballë sanksioneve globale.

Të mërkurën, rubla po tregtohej me 85 për një dollar amerikan, afërsisht me të njëjtën vlerë që kishte përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt.

Ai kishte rënë në nivelin më të ulët prej 150 rubla për dollar më 7 mars, kur administrata e Biden njoftoi një ndalim të importeve të naftës dhe gazit rus.

Rusia është detyruar të zbatojë masa të rrepta financiare për të rritur rublën, duke përfshirë rritjen e normave të interesit në 20% dhe futjen e kontrolleve të kapitalit ndaj rusëve që shpresojnë të shkëmbejnë monedhën e tyre kombëtare me dollarë ose euro.

Ekspertët paralajmërojnë, megjithatë, se banka qendrore e Rusisë po merr rreziqe duke rritur normat e interesit, gjë që mund t'i detyrojë rusët të anashkalojnë kontrollet e kapitalit dhe të lëvizin monedhën në shuma më të vogla.

Në një fjalim të mërkurën në parlamentin e Norvegjisë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Perëndimit të rrisë sanksionet ndaj Rusisë.

"Sa më të forta të jenë paketat e sanksioneve, aq më shpejt do të rikthejmë paqen," tha ai.


 

Ora 04:15
Forcat e Armatosura: Ushtria e Ukrainës rifiton kontrollin mbi Orlovon juglindore, Zahradivka, Kochubeivka

Forcat ukrainase rifitojnë kontrollin mbi Orlovon juglindore, Zahradivka, Kochubeivka. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës e bëri njoftimin në Facebook më 30 mars.

Ora 04:02
Lufta/ Ukraina bisedime me Poloninë për mbylljen e plotë të kufirit me Bjellorusinë

Ambasadori i Ukrainës në Poloni Andriy Deshchytsia, tha se Ambasada e Ukrainës në Poloni po diskuton mundësinë e mbylljes së plotë të kufirit polak me Bjellorusinë, pavarësisht nga vendimi i BE-së, raporton agjencia e lajmeve Ukrinform. 

Deshchytsia tha se diplomatët ukrainas po zhvillojnë gjithashtu bisedime me Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë për mbylljen e kufijve të tyre gjithashtu.


 

Ora 03:48
Senatori amerikan: Lufta në Ukrainë po hyn në "periudhën vendimtare", Rusia ndryshoi strategjinë

Lufta në Ukrainë po hyn në një "periudhë vendimtare" pasi trupat ruse ripërqendrojnë përpjekjet e tyre dhe presidenti rus Vladimir Putin bëhet gjithnjë e më i dëshpëruar, tha senatori amerikan Angus King për CNN.

“Dy javët e ardhshme do të jenë vërtet vendimtare për të parë nëse forcat ukrainase mund të mbajnë nivelin e jashtëzakonshëm të luftës që kanë gjatë javëve të fundit”, tha King.

King foli për CNN pasi mori një informim të klasifikuar nga zyrtarë të administratës amerikane.

"Rusët duket se po ripërqendrohen drejt lindjes dhe rreziku është që ata të rrethojnë trupat ukrainase dhe t'i shtrëngojnë ato në mënyrë të konsiderueshme," tha ai.

Taktikat ruse: Senatori i dha besimin raportimit se disa forca ruse po largohen nga Kievi, por gjithashtu tha se lëvizjet mund të jenë thjesht një mundësi për të rifurnizuar në rajon.

"Unë mendoj se është pak nga të dyja," tha King. "Ata e ndanë ushtrinë e tyre në tre pjesë dhe tani ajo që po bëjnë po rikonsolidohet. Ata kanë vendosur se nuk do të jenë në gjendje të marrin Kievin, të paktën jo tani, dhe po konsolidohen në jug dhe në perëndim."


 

Ora 03:36
Boris Johnson: Mos lejoni që skema e refugjatëve të bëhet 'zgjidhje për trafikantët e seksit'

Boris Johnson ka mbrojtur shpejtësinë e ofrimit të strehimit për ata që ikin nga Ukraina pasi u paralajmërua se skema rrezikonte të shndërrohej në "shkëndijë për trafikantët e seksit".

Kryeministri tha se po ndërmerren "kontrolle të rëndësishme në të dyja drejtimet".

Johnson tha se tashmë kishte raste të "njerëzve që vinin nga ajo zonë lufte, të cilët mund të mos jenë plotësisht ata që thonë se janë".

U zbulua se vetëm 2,700 viza u janë dhënë njerëzve që duan të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar sipas skemës Homes For Ukraine, pavarësisht se aplikimet kanë arritur në 28,300.

Në total, më shumë se katër milionë njerëz janë larguar nga vendi që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt. 


 

Ora 03:10
Kostot e larta të karburanteve, SHBA shqyrton lëshimin e një milion fuçi nafte në ditë

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden thuhet se po shqyrton lirimin e rreth një milion fuçi nafte në ditë nga rezervat strategjike të vendit.

Sipas Bloomberg, nafta do të lirohet gjatë disa muajve në një përpjekje për të ulur çmimet e naftës, të cilat janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 mars.

Burime të paidentifikuara të cituara nga Bloomberg thanë se sasia totale e naftës e lëshuar mund të arrijë në 180 milionë fuçi, shkruan BBC.

Biden pritet të flasë për përpjekjet e administratës së tij për të ulur çmimet të enjten.

Një sondazh i Universitetit Quinnipiac i publikuar të mërkurën tregon se 41% e amerikanëve besojnë se Biden është fajtori për kostot më të larta të karburantit, me 24% që thonë se sanksionet kundër Rusisë shkaktuan rritjen e çmimeve.


 

Ora 02:21
Zelensky bisedime me Biden: Mbështetja e SHBA është jetike për ne

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshkroi një tjetër "ditë diplomatike shumë aktive" dhe tha tre prioritetet e tij kryesore: armët për Ukrainën, sanksionet e reja kundër Rusisë dhe mbështetjen financiare për shtetin e tij. 

Duke iu referuar telefonatës së tij me presidentin amerikan Joe Biden, lideri ukrainas tha se biseda ishte "shumë e detajuar" dhe "zgjati një orë". 

"Mbështetja e SHBA-së është jetike për ne, tha Zelensky. 

"Unë e falënderova për një paketë të re ndihme humanitare prej 1 miliard dollarësh dhe 500 milionë dollarë shtesë në mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore. Dhe theksova se kjo është një pikë referimi për përparim. Tani është veçanërisht e rëndësishme për t'i dhënë dorën Ukrainës, për të treguar gjithë fuqinë e botës demokratike," shtoi më tej ai.

Ora 02:02
Kryebashkiaku: Gjysma e qytetit ukrainas Irpin është shkatërruar

Gjysma e qytetit ukrainas të Irpin është shkatërruar, sipas Oleksandr Markushin, kryebashkiaku i qytetit.

Markushin zbuloi vlerësimin gjatë një konference për shtyp të mërkurën, duke thënë se "Ne mund të shohim 50% të qytetit dhe infrastruktura kritike është shkatërruar dhe rrënojat nuk janë pastruar ende".

Forcat ruse kishin sulmuar qytetin e Irpin ditët e fundit, por qyteti tani është nën kontrollin e plotë të Ukrainës pasi forcat ukrainase u kundërpërgjigjën, sipas kryebashkiakut në një intervistë të veçantë për CNN më herët të mërkurën.

Kryebashkiaku tha se pavarësisht luftimeve, shumë individë mbeten ende në qytet. 

“Nga furnizimi i restauruar me ujë dhe energji, kjo nuk ka ndodhur ende dhe është shumë e rrezikshme sepse qyteti bombardohet vazhdimisht,” tha gjithashtu Markushin.


 

Ora 01:47
Zelensky nënshkruan dekretin, tërheq ambasadorët nga Gjeorgjia dhe Maroku

Presidenti Zelensky nënshkroi një dekret duke tërhequr ambasadorët ukrainas nga Maroku dhe Gjeorgjia për dështimin për të "mbrojtur interesat e shtetit", shkruan The Kyiv Independent.

Ora 01:29
Britania e Madhe: Disa ushtarë rusë refuzojnë të ndjekin urdhrat

Disa ushtarë rusë në Ukrainë sabotuan pajisjet e tyre dhe rrëzuan aksidentalisht një prej avionëve të tyre. Këtë e ka bërë të ditur shefi i selisë së komunikimit të qeverisë britanike, Jeremy Fleming, siç raporton Reuters. 

"Ne kemi parë ushtarë rusë me mungesë armësh dhe morali që refuzojnë të ndjekin urdhrat, sabotojnë pajisjet e tyre dhe madje rrëzojnë aksidentalisht avionët e tyre," tha Fleming në një fjalim në Canberra në Universitetin Kombëtar Australian. 

"Putini e vlerësoi gabim situatën," shtoi Fleming. "Ne besojmë se këshilltarët e Putinit kanë frikë t'i thonë të vërtetën."

Ora 01:08
Zelensky: Ukraina po përgatitet për sulmet ruse në Donbas

Në një fjalim televiziv, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bisedimet e paqes me Rusinë vazhdojnë "por për momentin ka vetëm fjalë, asgjë konkrete". Kështu shkruan The Guardian. Zelenskiy tha gjithashtu se Ukraina po përgatitet për sulmet ruse në Donbas.

Ora 00:55
Pentagoni: Pushtuesit rusë nisin të tërhiqen nga termocentrali bërthamor i Çornobilit

AFP raportoi, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të mbrojtjes së SHBA-së, se Rusia ka filluar të tërheqë trupat e saj nga qendra e zhdukur e energjisë bërthamore pasi ka marrë kontrollin e objektit më 24 shkurt.

“Çornobili është (një) zonë ku ata kanë filluar të ripozicionojnë disa prej trupat e tyre - duke u larguar, duke u larguar nga objekti i Çornobilit dhe duke u zhvendosur në Bjellorusi,"tha zyrtari.

Ora 00:39
Rusia dhe Ukraina do të rifillojnë bisedimet më 1 prill

Bisedimet e paqes midis Kievit dhe Moskës do të rifillojnë online nga e premtja, sipas një negociatori ukrainas.

David Arakhamia tha se Ukraina kishte propozuar që Volodymyr Zelenskyy dhe Vladimir Putin të takoheshin, por Rusia u përgjigj duke thënë se duhej bërë më shumë punë për një projekt-traktat. 

Siç kemi raportuar më poshtë, Z. Zelenskyy tha këtë mbrëmje se negociatat nuk kanë dhënë ende ndonjë marrëveshje konkrete.

Megjithatë, negociatori i paqes i Ukrainës tha më herët se ai ishte "optimist" pas bisedimeve të paqes të djeshme me Rusinë në Stamboll.

Ukraina propozoi një plan që nuk do të shihte baza ushtarake të huaja në territorin e saj, si dhe një fund të ambicieve të saj të aleancës ushtarake.

Ora 00:01
Zelensky: Tani është një pikë kthese në Ukrainë

Më shumë tani nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelenskyy e përshkroi tani si një "pikë kthese" në luftën e Ukrainës me Rusinë, duke shtuar se deri më tani në bisedimet e paqes nuk ka pasur "asnjë specifikë".

Ai shtoi: “Ka edhe fjalë të tjera për tërheqjen e supozuar të trupave ruse nga Kievi dhe Chernihiv. Për reduktimin e pretenduar të aktivitetit të pushtuesve në këto drejtime.

“Ne e dimë se kjo nuk është një tërheqje, por pasoja e mërgimit. Pasojat e punës së mbrojtësve tanë. 


 

Ora 23:08
Ukraina: Ne duam garanci për një armëpushim në Mariupol

"Nuk ka ende marrëveshje. Ne i kemi shkruar një letër Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe presim një përgjigje. Na duhen garanci." 

Kështu u shpreh zëvendëskryeministrja ukrainase Irina Vereshchuk i tha BBC-së për armëpushimin në Mariupol të ofruar nga Rusia për evakuimin e civilëve.

Ora 23:00
Veprimet e presidentit, sondazhi: 83% e rusëve mbështesin Putinin

Sondazhi i organizatës së pavarur të kërkimit sociologjik të Rusisë, Levada Center, i kryer në periudhën 24-30 mars, tregoi se mbështetja e publikut rus për veprimet e presidentit të tyre u rrit me më shumë se 10% krahasuar me shifrat në janar ose shkurt. 

69% ishte në janar dhe 71% në shkurt, shkruan The Kyiv Independent


 

Ora 21:04
Rusia ofron armëpushim në Mariupol

Rusia ka ofruar armëpushim në Mariupol. Kjo nuk është hera e parë që ndodh: dy javë më parë rezidentëve në qytetin e rrethuar iu ofrua një pushim në këmbim të dorëzimit të armëve dhe evakuimit të vetë qytetit. Këtë herë armëpushimi do të fillojë në orën 10 të mëngjesit.

G.B./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • emri: 31/03/2022 18:57

    haha. me 1 prill i paskan lene?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Miratohet bonusi i qirasë për familjet e Kombinatit, Veliaj: Brenda verës hedhim shortin për shtëpitë e reja! I kemi fituar të gjitha gjyqet

Miratohet bonusi i qirasë për familjet e Kombinatit, Veliaj: Brenda verës hedhim shortin për shtëpitë e reja! I kemi fituar të gjitha gjyqet