Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi takime me drejtuesit rajonalë të administratës tatimore dhe doganore, me fokus diskutimin e objektivave për periudhën në vijim dhe rritjen e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Takimet u zhvilluan së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, me fokus prioritetet e dy administratave për periudhën në vijim, luftën kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, si dhe përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënies me tatimpaguesit dhe subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik.
Ministri Malaj theksoi se forcimi i kontrollit dhe mbledhja e të ardhurave publike duhet të shoqërohen gjithmonë me korrektësi, profesionalizëm dhe respekt ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Në këtë drejtim, u nënvizua se lufta kundër evazionit dhe informalitetit nuk pengon administratën publike të jetë korrekte me ligjin, e sjellshme dhe e drejtë me qytetarët. Po ashtu, mbledhja e të ardhurave publike duhet të shoqërohet me respekt dhe transparencë ndaj çdo subjekti që kontribuon në ekonominë shqiptare.
Ministri u shpreh se “Besa” është kontrata politike që Kryeministri Rama dhe qeveria propozojnë qytetarëve, për të rikuperuar kapitalin e besimit përmes një shteti më të dëgjueshëm e më të matshëm.
Në përfundim të takimeve, Ministri i Financave nënvizoi se shërbime më të mira, transparencë dhe korrektësi duhet të vijojnë të jenë në qendër të punës së administratës tatimore dhe doganore, si pjesë e angazhimit për një administratë më efikase, më të përgjegjshme dhe më pranë qytetarëve e tatimpaguesve.












Komente
Komento