TIRANE- Kur kanë kaluar vetëm dy javë nga aksioni për kontrollet e bizneseve, mes punonjësve të tatimeve dhe pronarëve të bizneseve kanë nisur edhe përplasjet e para. Tre raste të tilla janë shënuar dje në Korçë, Lezhë e Peshkopi.

Në Korçë, pronari i një hoteli ka ushtruar dhunë ndaj inspektorëve duke mos i lejuar ata të kryenin kontroll në aktivitetin e tij. Po ashtu, ndaj pronarit ka nisur procedim në gjendje të lirë pasi u konstatua se hoteli ka funksionuar i pa liçensuar që prej vitit 2010. Lidhur me këtë rast, në gjendje të lirë do të procedohen edhe 6 inspektorë, si dhe 3 ish-punonjës të Tatim-Taksave, për “Shpërdorim detyre”.

Ndërsa, në Lezhë, 2 punonjës të tatimeve ranë pre e dhunës nga pronari i një dyqani, i cili nuk lejoi që të ushtrohej kontroll në biznesin e tij. Po ashtu, një rast i tillë ka ndodhur edhe në Peshkopi, ku një 51 vjeçar ka kërcënuar me sëpatë inspektorët e tatimeve. Ndërkohë, për çdo tatimpagues i cili pengon kontrollin e punonjësve tatimor, dënohet me gjobë 100 000 lekë për biznesin e vogël dhe 1 000 000 lekë për bizneset e tjera.
 
Korçë
Policia e Korçës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj një 51 vjeçari me iniciale Th.L i cili është pronar i një hoteli në lagjen 13 të këtij qyteti. Punonjësit e tatimeve kanë shkuar për të kryer kontoll në biznesin e tij, por janë ndaluar nga 51 vjeçari. Burime nga Policia e Korçës thanë se pronari i hotelit ka ushtruar dhunë dhe ka përdorur fjalor fyes ndaj inspektorëve duke mos i lejuar ata që të futeshin brenda.

Pas kësaj, punonjësit e tatimeve kanë denoncuar ngjarjen, ku edhe është konstatuar se biznesi i shtetasit Th.L figuronte i pa liçensuar që prej 5 vitesh më parë dhe akuzohet për veprën penale “Fshehje e të ardhurave”. Në vijim te hetimeve lidhur me këtë rast, filloi proçedimi penal në gjendje të lirë edhe për 9 inspektorë të tatimeve, 3 prej të cilëve janë larguar që prej vitit 2013. Procedimi penal ndaj tyre filloi që nga viti 2010 e në vazhdim, këta punonjës nuk kanë ushtruar kontroll në hotelin e 51 vjeçarit.
 
Lezhë
Policia e Lezhës ka arrestuar një 56-vjeçar pasi është konfliktuar dhe ka ushtruar dhunë ndaj 2 punonjësve të tatimeve. Këta 2 të fundit kishin shkuar për të kontrolluar dokumentacionin në biznesin 56 vjeçarit. Në prangat e policisë u vu Aleksandër Përndoka, ndërsa pre e dhunës ranë 2 punonjësit, L.D, 51 vjeç, dhe B.L, 28 vjeçe.
 
Peshkopi
Hasan Ademi, 51 vjeçari nga Peshkopia është duke u ndjekur në gjendje të lirë, pasi gjatë kontrollit që punonjësit e tatimeve po kryenin në lokalin e tij, ai i ka kërcënuar ata me sëpatë. 51 vjeçari i cili nuk kishte dokumentacion të rregull për biznesin e tij u ka kërkuar tatimorëve të tërhiqen nga kontrolli duke i kërcënuar me jetë. Kanë qenë punonjësit e policisë ata që kanë qetësuar situatën.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)