Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur qëndrimin e tij të prerë ndaj Iranit, duke theksuar se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Ai ka përshkruar propozimin e Teheranit për një marrëveshje si “një hap të madh”, por që “nuk është i mjaftueshëm” për Shtetet e Bashkuara.

Trump ka shtuar se: “Do të shohim se çfarë ndodh. Lufta mund të përfundojë shpejt nëse ata bëjnë disa veprime të caktuara”, duke nënvizuar më tej se “afati i nesërm është përfundimtar”.

Duke folur për pasojat, Trump ka theksuar se leja për Iranin të zotërojë një armë bërthamore do të ishte një krim lufte, duke e konsideruar këtë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë globale.

Nga ana tjetër, Irani ka refuzuar një marrëveshje armëpushimi të propozuar nga Pakistani për një armëpushim 45 ditor të luftimeve me SHBA-të dhe Izraelin. Këtë vendim Irani e ka argumentuar se në rajon nevojitet paqe e përhershme, duke propozuar edhe një plan me 10 pika që do ta realizonte këtë.

Diskutimet vijnë pas një momenti të tensionuar, sepse një ditë më parë, presidenti Donald Trump i vuri afat Teheranit që të hapë Hormuzin deri të martën, përndryshe vendi do të kthehej në 'ferr'.

Por pavarësisht bisedimeve për arritjen e paqes, luftimet në rajon vijojnë. Irani ka konfirmuar gjithashtu se shefi i inteligjencës i Gardës Revolucionare Islamike është vrarë, një akt për të cilin Izraeli ka konfirmuar autorësinë.

Sipas Iranit, SHBA nuk është e gatshme për një armëpushim, ndërsa zëvendëspresidenti i vendit e ka akuzuar Donald Trump për “çmenduri” lidhur me raportimet për sulme të reja që goditën një universitet në Teheran.

Nga ana tjetër, ditën e sotme raportohet se Izraeli dhe SHBA-të kanë sulmuar 2 uzina petrokimike të Iranit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:20
Presidenti Trump: SHBA plan për të shkatërruar të gjitha urat dhe termocentralet e Iranit brenda katër orësh

1775506957_rseyui.jpg

Shtetet e Bashkuara kanë një plan për të shkatërruar të gjitha urat dhe termocentralet në Iran "brenda katër orëve", deri në mesnatë nesër, pasi të skadojë ultimatumi.

Kështu deklaroi Presidenti Donald Trump, pasi Irani refuzoi ditën e sotme propozimin e ndërmjetësuar nga Pakistani për një armëpushim 45 ditor të luftimeve.

"Ne kemi një plan, falë fuqisë së forcave tona të armatosura, që kërkon që të gjitha urat në Iran të shkatërrohen deri në mesnatë nesër në mbrëmje (katër orë pas skadimit të ultimatumit), që të gjitha termocentralet në Iran të dalin jashtë funksionit dhe të mos përdoren më kurrë", deklaroi presidenti amerikan në një konferencë për shtyp.

"Dhe kjo do të ndodhë brenda katër orëve, nëse e duam ne", shtoi më tej Trump.

Ora 22:07
OKB paralajmëron SHBA-në: Mos sulmoni infrastrukturën civile në Iran, shkelni ligjin ndërkombëtar

1775506097_AntonioGuterres.jpg

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mos sulmojnë infrastrukturën civile në Iran.

“SHBA-të janë paralajmëruar se sulmi ndaj infrastrukturës civile është i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar”, tha një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Stephane Dujarric deklaroi se një sulm duhet të ndalohej, edhe nëse ndërtesa do të kualifikohej si një objektiv ushtarak, nëse rrezikon "dëm të tepërt ndaj civilëve".

Ai shtoi se në raste të tilla, një gjykatë do të duhet të vendosë nëse sulme të tilla ishin krime lufte.

Ky paralajmërim vjen pasi Donald Trump hodhi poshtë idenë se sulmet e tij kërcënuese ndaj infrastrukturës së Iranit do të ishin një krim lufte.

Trump u tha gazetarëve se nuk ishte "aspak" i shqetësuar për shkeljen e ligjit ndërkombëtar, ndërsa vazhdoi të kërcënonte me shkatërrimin e urave dhe termocentraleve të Iranit nëse nuk arrinte të përmbushte një afat për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.

Ora 21:06
Shefi i Pentagonit paralajmëron: Sot sulmojmë më fuqishëm se kurrë Iranin! Udhëheqësit në Teheran të tregohen të mençur, Trump s’po bën shaka

1773923559_petehegseth.JPG

Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, lështoi një paralajmërim të fortë për Teheranin, teksa tha se se Presidenti Donald Trump nuk po bën shaka kur kërcënon.

"Irani ka një zgjedhje. Zgjidhni me mençuri, sepse ky president nuk bën shaka: mund të shihni çfarë i ndodhi Soleimanit apo Maduros", tha Hegseth.

Ai po i referohej Qassem Soleimanit, udhëheqësit të Pasdaranëve të vrarë në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Trump dhe ish-Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i kapur në Karakas nga amerikanët në janar dhe i dërguar në Shtetet e Bashkuara.

"Ushtria iraniane është e turpëruar dhe e poshtëruar, dhe me të drejtë", pasi Shtetet e Bashkuara arritën të lironin dy pilotët, shtoi Hegseth.

"Sot do të shohim numrin më të lartë të sulmeve që nga dita e parë e këtij operacioni. Nesër, edhe më shumë se sot, dhe pastaj Irani do të duhet të bëjë një zgjedhje", përfundoi ai.

Ora 20:12
Trump: Kam planin më të mirë nga të gjithë për Iranin, por nuk do ta them publikisht

1775499635_lcimge902e636169048aea4f1163c14c2a421.webp

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë pretendimet se nuk ka një plan për konfliktin me Iran, duke u përgjigjur gazetarëve gjatë një konference për shtyp. Ai deklaroi se ka “planin më të mirë të mundshëm”, por refuzoi ta ndante atë me mediat.

“S’kam një plan? Jo — kam planin më të mirë nga të gjithë, por nuk po ua them mediave,” tha Trump ndërsa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke nënvizuar se strategjia e tij ndaj situatës me Iranin është e menduar dhe e fortë, por e mbajtur sekret për arsye sigurie dhe efektiviteti.

Deklarata e tij erdhi në një kohë kur tensionet midis SHBA-së dhe Iranit janë në kulm, me operacione ushtarake dhe diplomaci intensive që zhvillohen për të shmangur një konflikt edhe më të madh në rajon.

Ora 19:46
Trump kërcënon gazetarët me burg: Tregoni kush ju dha informacionet rreth operacionit për shpëtimin e pilotit në Iran

1775498014_69d3cfe2128de.jpeg

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar se ka kërkuar nga mediat të tregojnë emrin e personit që i ka dhënë informacion shtypit rreth operacionit të shpëtimit të pilotit amerikan. Ai gjithashtu ka kërcënuar me burg gazetarët që nuk do të zbulojnë “burimin e fshehtë”.

Ora 19:44
Trump: Nisëm armë për protestuesit në Iran, por u përvetësuan nga një ‘grup i caktuar njerëzish’

1775497533_RELIGIONEASTERWHITEHOUSE8217754909983011775491010032.jpeg

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar armë tek protestuesit në Iran, por ato janë përdorur nga një “grup i caktuar njerëzish” dhe nuk kanë arritur te destinacioni i synuar. Këtë e deklaroi Donald Trump, pasi dje kishte akuzuar kurdët për këtë veprim.

“Ne u kemi dërguar armë, shumë armë, që të shkonin tek iranianët për t’u mundësuar të luftonin kundër këtyre banditëve” – tha presidenti amerikan, duke iu referuar regjimit në Teheran. “Doni të dini çfarë ndodhi? Njerëzit tek të cilët i dërguam i mbajtën për vete. (...) Jam shumë i zemëruar me një grup të caktuar njerëzish dhe ata do të paguajnë një çmim të lartë për këtë.”

Ora 19:36
Trump: I gjithë Irani mund të shkatërrohet nesër

1775497115_c0cca77771413c51a2b819ed3331a03b.jpg

Donald Trump ka deklaruar se më shumë se 10,000 fluturime ushtarake, me 13,000 objektiva të goditura, janë kryer deri tani kundër Iranit. Ai paralajmëroi se “i gjithë vendi mund të shkatërrohet në një natë dhe kjo natë mund të jetë nesër”.

Trump ishte i shoqëruar nga këshilltarët kryesorë për sigurinë kombëtare, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe dërguarin special Steve Witkoff. Në konferencë ishin gjithashtu edhe fëmijët e tij, Eric dhe Tiffany Trump, bashkë me bashkëshortët e tyre.

Në fillim të konferencës për shtyp, Trump komentoi shpëtimin e dy pilotëve amerikanë që ndodhi gjatë fundjavës në Iran, duke e quajtur këtë “një nga Pashkët më të mira” të tyre.

Ora 19:33
Trump: Amerikanët që nuk më mbështesin për luftën në Iran janë budallenj

1775496869_ëebp.ëebp

“Amerikanët që nuk më mbështesin? Janë budallenj.”

Kjo ishte përgjigjja e Donald Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë kur u pyet për amerikanët që nuk e mbështesin në lidhje me luftën kundër Iran. Ai i quajti “budallenj” ata që nuk mbështesin përpjekjet e tij ushtarake, duke thënë se arsyeja e konflikti është që Irani të mos ketë armë bërthamore.

Ora 19:26
Trump: Mbi 170 mjete ajrore të përfshira në shpëtimin e 2 pilotëve amerikanë në Iran

“Një operacion ndër më kompleksët e realizuar ndonjëherë”: kështu tha Donald Trump në një konferencë për shtyp për operacionin e shpëtimit për dy pilotët amerikanë në Iran.

“Jemi ndihmuar nga njerëz fantastikë, ishte një nder të merrja pjesë në këtë operacion historik. Të dy pilotët u hodhën me katapultë pas rrëzimit dhe ne u gjendëm përballë detyrës për të rimarrë plot dy persona në territor armik. Kemi dislokuar 21 mjete fluturuese në një lartësi të ulët, ku goditeshin nga plumbat. Për shtatë orë, në dritën e diellit, pati zjarr armik pa ndërprerje. Avionët luftarakë, duke marrë një rrezik të jashtëzakonshëm, arritën t’i shpëtojnë këta ushtarakë.

Piloti i F15 u nxor nga territori armik nga dy helikopterë, në një distancë shumë të shkurtër, është fantastike kur shikon këto mjete. Ndërkohë anëtari i dytë i ekuipazhit kishte zbritur shumë larg nga ushtaraku tjetër; edhe nëse hidhet me sekonda diferencë, mund të përfundosh shumë larg. Ai ishte i plagosur dhe i rrethuar nga milicianët iranianë dhe autoritetet lokale që kishin vendosur një shpërblim për këtë pilot. Por pasi qëndroi në këtë territor malor, filloi të ngjitej për t’u larguar nga shikimi i armikut.

Ishte i plagosur, megjithatë arriti të ngjitej edhe pse po humbte gjak. Kontaktoi forcat amerikane, dërgoi pozicionin e tij me një pajisje emergjence dhe funksionoi, i shpëtoi jetën. Menjëherë mobilizuam një operacion për ta liruar. Misioni i dytë i shpëtimit përbëhej nga 155 mjete fluturuese. Dislokuam shumë mjete, por i shpërndamë në zona të ndryshme për t’i çorientuar.

Kishim 9 mjete që fluturonin mbi një zonë 75 milje nga bregu, në mënyrë që iranianët të mendonin se ishte aty. Në të vërtetë ai ishte diku tjetër. Qëndroi i sigurt për mbi 48 orë, edhe pse ishte i plagosur. Preferuam t’i shpërthenim mjetet tona në vend sesa të lejonim që dikush t’i merrte. Ky shpëtim ishte fantastik.

Nuk folëm menjëherë për të, por pati një rrjedhje informacioni: do ta gjejmë fajtorin, sepse kjo është diçka që nuk duhet bërë, pasi kështu iranianët e dinin që kishte një pilot që ende luftonte për jetën dhe po përpiqej të shpëtonte" tha Trump 

Ora 19:10
Irani refuzoi armëpushimin 45 ditor me SHBA-në, reagon Khamenei: Vrasësit nuk do ta ndalojnë ushtrinë tonë

1774111246_mojtabakhamenei.jpg

Lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka reaguar për herë të parë pasi Teherani refuzoi propozimin e Pakistanit për një armëpushim 45 ditor me SHBA-në dhe Izraelin.

Përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, Khamenei shkroi se SHBA-të dhe Izraeli, të cilët i konsideroi vrasës, nuk mund ta ndalonin ushtrinë iraniane (duke nënkuptuar se ata s’mund ta ndalojnë Iranin të pajiset me armë bërthamore apo të shtojë kapacitetet e raketave balistike).

"Vrasësit nuk do ta ndalojnë ushtrinë iraniane", shkroi udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, në një postim në Telegram.

Ora 17:32
Irani refuzoi armëpushimin 45-ditor, Trump: Nesër është afati i fundit, propozimi i tyre për paqe nuk është i mjaftueshëm

1774298849_donaldtrump.jpeg

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se ditën e nesërme është afati i fundit për gjetjen e një marrëveshjeje me Iranin, për t’i dhënë fund luftës.

Reagimi i Trump erdhi pasi Irani refuzoi propozimin e Pakistanit për një armëpushim 45 ditor, me argumentin se nevojitej një paqe e përhershme.

"Nesër është afati i fundit. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Propozimi i tyre për paqe nuk është i mjaftueshëm", deklaroi mes të tjerash Trump, teksa mbërriti në Shtëpinë e Bardhë.

Ora 17:13
Irani refuzon propozimin për armëpushim 45 ditor me SHBA-në, paraqet planin me 10 pika për t’i dhënë fund luftës

1775488506_xtdudtiii.jpg

Irani ka refuzuar propozimin e paraqitur nga Pakistani për një armëpushim 45-ditor të luftimeve me SHBA-të, me argumentin se nevojitet paqe e përhershme.

Sipas IRNA-s, Irani nuk pajtohet me një armëpushim, por thekson "nevojën për një përfundim të përhershëm të luftës, duke respektuar konsideratat e Iranit".

Teherani ka propozuar një plan me 10 pika, për t’i dhënë fund luftimeve, një protokoll që sipas zyrtarëve vendas do të mundësonte kalim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit dhe heqjen e sanksioneve.

Po ashtu në planin me 10 pika të Iranit, veç fundit të përhershëm të luftimeve, bën pjesë edhe rindërtimi i vendit.

Ora 16:54
Ushtria iraniane: Ne do të vazhdojmë të luftojmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme

1775392695_raketa.JPG

Zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akraminia ka deklaruar se Irani do të vazhdojë të luftojë, për sa kohë që udhëheqësit politikë e konsiderojnë të përshtatshme.

“Irani do të vazhdojë të luftojë për sa kohë që udhëheqësit politikë e konsiderojnë të përshtatshme", tha zëdhënësi i ushtrisë iraniane. Armiku sigurisht që duhet të pendohet (për fillimin e konfliktit) në mënyrë që pas kësaj lufte të mund të rifitojmë sigurinë dhe të shmangim një tjetër", tha ai.

Ora 16:27
Shtëpia e Bardhë: Trump ende nuk e ka miratuar armëpushimin 45-ditor për luftën në Iran

1775485743_fxtguiiuo.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ende nuk e ka miratuar një armëpushim 45-ditor të luftimeve me Iranin, të propozuar nga ndërmjetësit (Pakistani ndërmjetësi kryesor).

Sipas mediave të huaja, lajmin e bëri të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, përmes një deklarate.

Ora 16:22
SHBA dhe Izraeli sulmojnë uzinën e dytë petrokimike iraniane

1775485388_xduiygioop.jpg

Një tjetër kompleks petrokimik në Iranin jugor është sulmuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, raportoi sot agjencia e lajmeve Fars e Iranit.

Kompleksi petrokimik Marvdasht në provincën jugore të Fars thuhet se u godit, por zjarri u vu nën kontroll brenda pak minutash, duke mos shkaktuar dëme të konsiderueshme në objektin industrial.

Ora 16:08
Ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Iranit zhvillojnë bisedë telefonike, diskutime rreth luftës dhe përpjekjeve për ulje të tensioneve

1775484641_ydrtutydi.jpg

Ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Iranit, Hakan Fidan dhe Abbas Araghchi, kanë zhvilluar një bisedë telefonike me njëri-tjetrin.

Sipas mediave të huaja, ata diskutuan sot për luftën në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ndaluar konfliktin.

Burime diplomatike cituan agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu të Turqisë të thoshin se Fidan dhe Araghchi diskutuan një sërë çështjesh gjatë bisedës telefonike.

Ora 15:51
Irani dritë jeshile për disa anije franceze e turke për të kaluar në Ngushticën e Hormuzit

1774183976_aeypo.jpg

Foto: Një anije duke kaluar në Ngushticën e Hormuzit

Disa anije franceze, indiane, turke dhe pakistaneze kanë marrë leje për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, thanë burime iraniane për Al Jazeera.

 Një zyrtar i Teheranit i tha për transmetuesin arab se disa anije tregtare nga "vende mike" u lejuan të kalonin në këmbim të pagesës së taksave që Republika Islamike ka vendosur si kompensim për dëmet e luftës.

Ora 15:11
Forcat izraelite: Kemi vrarë gjatë sulmeve Komandantin e Forcës Quds të Iranit

1775481405_htrduiyfuio.jpg

Ushtria izraelite njoftoi vrasjen e komandantit të Forcës Quds të Iranit në një sulm në Teheran dje.

Forca Quds është krahu i operacioneve jashtë vendit i Gardës Revolucionare Iraniane.

"Dje, Forcat Ajrore Izraelite kryen një sulm në Teheran dhe eliminuan Asghar Bagheri, komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale të Forcës Quds që nga viti 2019", thuhej në deklaratë.

IDF shtoi se Bagheri kishte mbajtur një numër pozicionesh të larta brenda Forcës Quds në vitet e fundit dhe ishte "i përfshirë në sulme kundër individëve izraelitë dhe amerikanë në të gjithë botën".

Ora 14:03
Izraeli: Kemi sulmuar një uzinë petrokimike iraniane

1774950376_iran.webp

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar se ata kanë goditur një uzinë petrokimike në Iran, ndërsa thotë se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) janë udhëzuar të vazhdojnë të sulmojnë infrastrukturën iraniane "me të gjithë forcën".

"IDF tani ka sulmuar objektin më të madh petrokimik në Iran që ndodhet në [Asaluyeh]", pas një sulmi ndaj një objekti tjetër javën e kaluar, thotë Katz.

"Tani të dy objektet, të cilat së bashku janë përgjegjëse për rreth 85% të eksporteve petrokimike të Iranit, janë jashtë funksionit", thuhet  më tej në deklaratë.

Ora 13:10
‘Jepini fund ultimatumeve’, Irani: Kemi bërë propozimet tona për armëpushimin, nuk po dorëzohemi

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit ka deklaruar se është hartuar një përgjigje për ndërmjetësit që po punojnë për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit.

Kjo vjen pas raportimeve të Reuters, që citojnë burime anonime, sipas të cilave Pakistani po luan një rol të madh në hartimin e një plani të ri për përfundimin e konfliktit.

Esmail Baghaei, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, ka thënë se plani me 15 pika i paraqitur nga SHBA përmes ndërmjetësve “nuk ishte në asnjë mënyrë i pranueshëm për ne”.

Ai shton se negociatat për t’i dhënë fund konfliktit janë “të papajtueshme me ultimatume dhe kërcënime për të kryer krime lufte”, duke iu referuar paralajmërimit të Trump se SHBA do të godasë infrastrukturën civile të Iranit nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet.

Në vend të kësaj, ai thotë se Irani ka përpiluar një sërë kërkesash “të bazuara në interesat dhe konsideratat tona” dhe kjo “nuk është dorëzim.”

“Ne e dinim që në fillim çfarë donim dhe cilat ishin vijat e kuqe që nuk ishim të gatshëm t’i kalonim, dhe qëndrimi ynë është i qartë edhe tani. Që në momentin kur kjo çështje u ngrit, përgjigjet tona ishin gati,” tha ai, duke shtuar se Irani ka formuluar përgjigjet e veta dhe “do të bëjë publike detajet në kohën e duhur”.

Ora 11:52
Ish-këshilltari i Obamës: Do të shihet nëse ushtria amerikane është e gatshme t’i thotë ‘jo’ Trump

Foto: Ben Rhodes

Ish-zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA-së gjatë presidencës së Barack Obama, Ben Rhodes, ka kritikuar ashpër qasjen e Donald Trump ndaj luftës me Iranin, duke paralajmëruar për rreziqe serioze në vendimmarrje.

Në një intervistë për BBC, Rhodes deklaroi se mënyra si po vepron Trump “ngjan gjithnjë e më shumë me një njeri që merr vendime i vetëm në një dhomë”, pa u mbështetur te këshilltarët politikë dhe ushtarakë apo te procedurat standarde.

Ai shkoi më tej duke akuzuar presidentin amerikan se po kërcënon me veprime që mund të përbëjnë krime lufte, pas paralajmërimeve të fundit për goditje ndaj infrastrukturës civile të Iranit.

“Do të shohim nëse ushtria amerikane është e gatshme t’i thotë ‘jo’ Trump-it”, u shpreh Rhodes.

Sipas tij, presidenti amerikan duhet të pranojë se ky konflikt mund të marrë fund vetëm përmes negociatave.

Rhodes theksoi gjithashtu se, megjithëse Irani është dobësuar nga sulmet e fundit, në një farë mënyre ai ka fituar avantazh strategjik, duke demonstruar përmes kontrollit të Ngushticës së Hormuzit, ndikimin e madh që mund të ushtrojë mbi ekonominë globale.

Ora 11:35
Izraeli merr përgjegjësinë për vrasjen e shefit të inteligjencës së Gardës Revolucionare të Iranit

Foto: Majid Khademi

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë marrë përgjegjësinë për vrasjen e Majid Khademit shefin e inteligjencës së Gardës Revolucionare të Iranit.

Përmes një njoftimi në Telegram IDF thotë se vrasja e tij është "një tjetër goditje e rëndë" për Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).

Khademi u emërua komandant i organizatës së inteligjencës së IRGC-së katër ditë pasi paraardhësi i tij, Mohammad Kazemi, u vra në një sulm izraelit më 15 qershor 2025.

Ora 11:11
Irani: Nuk do ta rihapim Hormuzin në këmbim të një armëpushimi të përkohshëm

1775134823_ngushticaehormuzit.jpg

Irani nuk do të rihapë Ngushticën e Hormuzit në këmbim të një “armëpushimi të përkohshëm”, tha një zyrtar i lartë iranian i cituar nga Reuters, duke kërkuar të mbetet anonim. Ai shtoi se Teherani beson se Uashingtoni nuk është i gatshëm për një armëpushim të përhershëm.

Ai konfirmoi gjithashtu se Irani ka marrë propozimin e Pakistanit për një armëpushim të menjëhershëm dhe po e shqyrton atë, duke theksuar se Teherani nuk pranon të vihet nën presion për të pranuar afate dhe për të marrë një vendim.

Ora 10:58
Armëpushimi në Lindjen e Mesme, media: Nëse ndodh marrëveshja, Hormuzi hapet që sot

1774450609_ngushticaehormuzit.webp

Plani i armëpushimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mund të hyjë në fuqi që sot dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, raporton Reuters.

Marrëveshja, e cila do të marrë formën e një memorandumi mirëkuptimi, është hartuar nga Pakistani dhe i është dërguar Iranit dhe Izraelit gjatë natës, saktësoi burimi, duke konfirmuar atë që ishte paralajmëruar më parë nga Axios ,mundësinë e një marrëveshjeje në dy faza, me një armëpushim të menjëhershëm, të ndjekur nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Të gjitha elementet duhet të bien dakord sot,” tha burimi, duke theksuar, ndryshe nga ajo që shkroi Axios, se Pakistani është i vetmi kanal komunikimi midis palëve.

Ora 10:44
Vritet kreu i inteligjencës së Gardës Revolucionare të Iranit

Komandanti i inteligjencës i Gardës Revolucionare është vrarë. Në njoftimin e Pasdaranëve bëhet i ditur “martirizimi i gjeneralit të divizionit Seyed Majid Khadami, kreut të fuqishëm dhe të ditur të organizatës së inteligjencës të trupave të Gardës Revolucionare Islamike”.

Khadami ishte emëruar në qershorin e kaluar pas vrasjes së Mohammed Kazemi gjatë luftës 12-ditore. “Ai komandant i shquar, gjatë pothuaj gjysmë shekulli në mbrojtje të sinqertë dhe të guximshme të Revolucionit, regjimit dhe atdheut islamik në fushat e inteligjencës dhe sigurisë, ka regjistruar rezultate madhështore, të qëndrueshme dhe të frytshme, që për shumë vite mund të shërbejnë si udhërrëfyes për komunitetin e inteligjencës të vendit, veçanërisht në përballjen me armiqtë e jashtëm dhe planet e tyre të liga dhe djallëzore për t’u infiltruar dhe për të minuar sigurinë dhe qetësinë e Iranit krenar”, thekson komunikata.

Ora 10:36
Konfirmon Reuters: Irani dhe SHBA-të kanë marrë planin e armëpushimit nga Pakistani

“Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrë një plan për të dhënë fund armiqësive dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit”, raporton Reuters. Drafti “është përgatitur nga Pakistani dhe është shkëmbyer me Iranin dhe Shtetet e Bashkuara gjatë natës”, tha burimi, “duke përcaktuar një qasje në dy faza me një armëpushim të menjëhershëm, i ndjekur nga një marrëveshje globale”. E quajtur përkohësisht “Marrëveshja e Islamabadit”, ajo parashikon rihapjen e Hormuzit “brenda 15–20 ditëve”, ndërsa bisedimet përfundimtare mund të mbahen në Islamabad.

Edhe Irani e ka konfirmuar tashmë se ka marrë një marëveshje në duar dhe “po e vlerëson.”

Ora 08:10
‘S’ka armëpushime të përkohshme’, Irani reagon pas lajmit për bisedime: Përpjekje të Mossad-it, Trump kërkon t’i shmanget vendosmërisë sonë

Agjencia iraniane Tasnim, e lidhur me Pasdaranët, e cilëson Axios, i cili raportoi për armëpushimin e mundshëm 45-ditor, si “mjeti i komunikimit i Mossad-it për operacione psikologjike.”

Presidenti amerikan, “i vetëdijshëm për vendosmërinë e fortë të Iranit për t’iu përgjigjur çdo çmendurie që lidhet me centralet elektrike dhe infrastrukturat e tjera, me gjasë po përpiqet të tërhiqet nga ky kërcënim për herë të tretë, dhe këto lloj lajmesh ndoshta po shpërndahen për të përgatitur këtë mundësi”.

Irani, thekson agjencia, “ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk pranon armëpushime të përkohshme” pa një marrëveshje për përfundimin e konfliktit. “Armiqtë amerikano-sionistë, të cilët janë nën presionin e luftës dhe të hutuar, synojnë të shfrytëzojnë mundësinë e armëpushimit për të dalë nga kriza e municioneve dhe nga situata e vështirë strategjike”.

Ora 07:48
17 viktima nga sulmet gjatë natës mbi Iranin, humbin jetën edhe 6 fëmijë

1775454709_1774904592iran.jpg

Të paktën 17 persona kanë humbur jetën në sulmet ajrore të kryera gjatë natës mbi Iran nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Bilanci më i rëndë vjen nga dy pallate në Ghaleh Mir ku numërohen 13 viktima. Guvernatori lokal ka bërë të ditur se kërkimet në rrënoja janë ende në vazhdim për të gjetur të mbijetuar apo për të nxjerrë trupa të tjerë. Gjithashtu janë vrarë 6 fëmijë nën moshën 10 vjeç.

Një sulm ndaj zonave rezidenciale në lindje të Teheranit ka shkaktuar 4 të vdekur dhe 7 të plagosur, ndërsa 3 banesa janë shkatërruar plotësisht dhe rreth 50 ndërtesa janë dëmtuar.

Janë goditur gjithashtu struktura energjetike në Universitetin Sharif të Teknologjisëë, në verilindje të kryeqytetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në zonë. Është dëmtuar edhe një xhami universitare.

Nuk ka një bilanc zyrtar të viktimave në Iran që nga fillimi i luftës: pas javës së parë, Teherani raportoi 1.230 të vrarë nga sulmet ajrore, ndërsa OJQ-ja HRANA, që kundërshton regjimin dhe ka selinë në Shtetet e Bashkuara, ka folur për më shumë se 3.400 të vdekur në total, prej të cilëve 1.500 civilë.

Ora 07:40
Bisedime për një armëpushim 45-ditor në Lindjen e Mesme, çfarë parashikojnë dy fazat e marrëveshjes

SHBA-të, Irani dhe një grup ndërmjetësish rajonalë po diskutojnë kushtet e një armëpushimi të mundshëm 45-ditor që mund të çojë në një përfundim të luftës.

Ndërmjetësit po diskutojnë me palët kushtet e një marrëveshjeje në dy faza: faza e parë do të parashikonte një armëpushim të mundshëm 45-ditor, gjatë të cilit do të negociohej përfundimi i luftës. Armëpushimi mund të zgjatet nëse do të nevojitej më shumë kohë për bisedimet, ka thënë një nga burimet. Faza e dytë do të konsistonte në një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Negociatat po zhvillohen përmes ndërmjetësve pakistanezë, egjiptianë dhe turq, si dhe përmes mesazheve të shkëmbyera mes të dërguarit të Donald Trump, Steve Witkoff, dhe ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se administrata e Trump i ka paraqitur Iranit disa propozime ditët e fundit, por deri tani zyrtarët iranianë nuk i kanë pranuar.