Gazetari Alban Daci është shprehur se dialektika e Trump për kthimin e Iranit ‘në epokën e gurit’ nënkupton përdorimin e armës bërthamore.
Komentet Daci i bëri në një lidhje live nga Italia për emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se Trump shpresonte për rrëzimin e regjimit iranian kur nisi luftën, por sipas tij, dështoi njësoj se Presidenti rus Vladimir Putin me sulmin në Ukrainë.
“S’ka shanse që të bjerë regjimi në Iran. Edhe protestat e brendshme nuk e rrëzojnë dot. Po të shikosh dialektikën e Trump, ka hequr dorë... I njëjti gabim me Rusinë në Ukrainë, që mendoi se do rrëzonte Zelenskyn dhe do të vendoste dikë që do të varej prej tij. Me luftë konvencionale nuk ka zhdukje të civilizimit dhe as kthim në epokën e gurit. E vetmja armë që mund të na kthejë në epokën e gurit, është përdorimi i armës bërthamore. Dialektika e Trump është për përdorimin e armës bërthamore. A do e përdorë, nuk e di”, tha mes të tjerash Daci.
Ndërkohë për Gjeneralin Dedë Prenga, përdorimi i armës bërthamore në Iran, nuk mund të përjashtohet. Kjo pasi sipas tij, asnjë nga palët nuk pranon të dalë e humbur nga konflikti.
“Unë mendoj se nuk është e përjashtuar as përdorimi i armës bërthamore. Dështimi është i papranueshëm nga palët. Kjo rrezikon që në nivelin taktik të mund të ketë diçka të tillë. Uroj të mos ndodhë, sepse kapacitetet maksimale të armatimit asnjëra palë nuk i ka treguar”, tha Gjenerali Dedë Prenga.
Komente










