Presidenti Donald Trump thotë se SHBA-të kanë “shkatërruar plotësisht” çdo objektiv ushtarak në ishullin Kharg të Iranit dhe paralajmëron se mund të goditet edhe infrastruktura e naftës.
“Kam zgjedhur të mos shkatërroj infrastrukturën e naftës në ishullin Kharg. Nëse Irani ose të tjerë do të ndërhyjnë në kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, do ta rishqyrtoj menjëherë këtë vendim”, tha Trump.
Në përgjigje, Teherani paralajmëron se infrastruktura e naftës dhe energjisë që u përket kompanive që bashkëpunojnë me SHBA-të do të “kthehet në një grumbull hiri” nëse sulmohen objektet energjitike të Iranit.
Rreth 90% e eksporteve të naftës së Iranit kalojnë përmes këtij ishulli, duke e bërë atë një linjë jetike ekonomike për Teheranin.
Ambasada e SHBA-ve në Bagdad është goditur nga një raketë, sipas zyrtarëve irakianë.
Është hera e dytë që ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bagdad sulmohet që nga fillimi i luftës amerikano-izraelite kundër Iranit. Disa grupe të armatosura të mbështetura nga Teherani, të bashkuara nën ombrellën e lëvizjes Rezistenca Islamike në Irak, kanë marrë përgjegjësinë për sulme të përditshme me dronë dhe raketa kundër bazave amerikane në rajon. Para sulmit, dy milicë të grupit Kataeb Hezbollah ishin vrarë; njëri prej tyre thuhet se ishte një “figurë kyçe” e rrjetit të lidhur me Teheranin.
SHBA pritet të dërgojë një njësi marinsash dhe më shumë anije luftarake në Lindjen e Mesme.
Shpërthime të forta janë dëgjuar edhe në Doha. Ministria e Brendshme e Katarit deklaron se ka parandaluar një sulm raketor iranian.

CNN ka publikuar një video që tregon tym dhe flakë duke u ngritur nga godina e ambasadës së SHBA-ve në Bagdad, Irak.
Reuters dhe Associated Press raportojnë se një raketë goditi ambasadën, ndërsa AFP citon burime që thonë se dëmet u shkaktuan nga një sulm me dron.
Sulmi ndodhi pak pasi dy ushtarë të mbështetur nga Irani u vranë nga sulmet mbi Bagdad.
Në fillim të këtij muaji, Departamenti i Shtetit urdhëroi që një pjesë e stafit dhe anëtarët e familjeve të tyre të largohen nga vende përfshirë Irakun, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Izraeli po planifikon “një pushtim masiv tokësor” të jugut të Libanit, me qëllimin për “të marrë kontrollin” e zonës që shtrihet në veri deri tek lumi Litani dhe për “të shkatërruar infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut”, raporton Axios, duke cituar disa zyrtarë izraelitë dhe amerikanë.
Ndërhyrja e planifikuar nga Izraeli mund të përbëjë “pushtimin tokësor më të madh” të këtij vendi në territorin libanez që nga viti 2006, shkruan media.
“Do të bëjmë atë që bëmë në Gaza”, deklaroi një zyrtar i lartë izraelit duke iu referuar shembjes së ndërtesave që, sipas Izraelit, Hezbollahu i përdor për të magazinuar armë dhe për të nisur sulme.
Të paktën katër persona mbetën të vrarë në një sulm ajror izraelit në Taamir Haret Saida, në jug të Libanit.

Pas sulmeve ndaj ishullit Kharg, që sipas Uashingtonit, shkatërruan të gjitha objektivat ushtarake, por jo infrastrukturën e naftës, presidenti Trump reagoi në Truth Social.
“Mediat e lajmeve të rreme urrejnë të raportojnë sa mirë u soll ushtria e Shteteve të Bashkuara kundrejt Iranit, që u mund plotësisht, dhe se Irani dëshiron një marrëveshje, por jo një marrëveshje që unë do ta pranoja!”, shprehet ai.

Në një postim në Truth, presidenti amerikan Donald Trump shkruan se Irani s’do të ketë kurrë armë bërthamore. Ai këshillon terroristët iranianë që të heqin armët dhe të shpëtojnë vendin.
“Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore, as aftësinë për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lindjen e Mesme apo, në fakt, botën! Ushtria iraniane dhe të gjithë të tjerët e përfshirë në këtë regjim terrorist do të bënin mirë të heqin armët dhe të shpëtojnë atë që ka mbetur nga vendi i tyre, që nuk është shumë”, shkroi Trump.
Komente











