Trump do të mund ta vazhdojë konfliktin në Iran pa kufizime: Senati amerikan ka rrëzuar rezolutën që synonte të kufizonte kompetencat e presidentit për luftën në Lindjen e Mesme.

Në ditën e gjashtë, luftimet vazhdojnë në disa fronte: Iraku është në errësirë për shkak të një ndërprerjeje të madhe të energjisë elektrike; Izraeli deklaron se ka përfunduar me sukses një tjetër operacion kundër Hezbollahut në Liban, ndërsa kurdët dhe Shtëpia e Bardhë përgënjeshtrojnë disa media amerikane që kishin njoftuar një ofensivë tokësore kundër Iranit.

Izraeli ka kryer sulme në Liban dhe Iran, duke thënë se ka goditur një lëshues raketash në Qom dhe një “sistem mbrojtjeje ajrore” në Isfahan, ndërsa shpërthime janë raportuar edhe në Teheran, ndërsa në Jeruzalem bien sirenat e alarmit ajror për shkak të raketave iraniane.

Irani ka paralajmëruar SHBA-të se “do të pendohet”, pasi një anije luftarake iraniane u fundos dje në Oqeanin Indian. Iris Dena, me 130 marinarë në bord, u fundos pasi u godit duke shkaktuar të paktën 87 viktima.

Brenda Iranit, zyrtarët ende nuk e kanë konfirmuar pasardhësin e ajatollah Khameneit, pasi të mërkurën thanë se ishin “afër” një vendimi. Djali i tij 56-vjeçar, Mojtaba, është shfaqur si kandidati kryesor.

Ky i fundit, është nën shënjestrën e Izraelit, kurse SHBA-të janë shprehur se “po e vëzhgojnë”.

Gjithashtu, varrimi i Ali Khameneit me një ceremoni treditore të planifikuar të mërkurën, është shtyrë. Televizioni iranian tha se arsyeja është pjesëmarrja e shumtë dhe e paprecedentë e njerëzve, por nuk ka ende një datë të re për zhvillimin e saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:32
Irani shkatërron me raketë naftëmbajtësen amerikane në Gjirin Persik

Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit thanë se një raketë iraniane goditi një anije naftëmbajtëse amerikane në Gjirin Persik, ndërsa shënohet dita e gjashtë e luftës rajonale që ka përfshirë Lindjen e Mesme. Anija "u godit nga një raketë në Gjirin Persik verior" dhe "është në flakë tani", tha Garda Revolucionare në një deklaratë të transmetuar në televizionin shtetëror, i cili nuk dha detaje të mëtejshme.

Incidenti vjen ndërsa Garda Revolucionare, pretendon se ka "kontroll të plotë" të Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore kyçe për tregtinë globale të naftës. Po ashtu, këtë mëngjes u godit edhe një naftëmbajtëse në brigjet e Kuvajtit, por nuk ka dëme në njerëz.

Ora 09:29
Teherani: SHBA-të do të pendohen hidhur që fundosën anijen tonë

"Shtetet e Bashkuara do të pendohen hidhur për precedentin që krijuan duke fundosur një anije iraniane", shkroi Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në X. "Shtetet e Bashkuara kanë kryer një mizori në det, 2,000 milje larg bregdetit iranian. Fregata Dena, një mysafire e Marinës Indiane me gati 130 marinarë në bord, u godit në ujëra ndërkombëtare pa paralajmërim. Mbani mend fjalët e mia: Shtetet e Bashkuara do të pendohen thellë për precedentin që vendosën", shkruhej në postim.

Anija luftarake iraniane, IRIS Dena, u fundos pranë brigjeve të Sri Lanka-s ditën e djeshme, pasi u godit nga një sulm i një nëndetëseje amerikane.

Ora 08:51
Izraeli rihap aeroportin Ben Gurion, miraton planin me faza për hapësirën ajrore

Aeroporti Ben Gurion i Izraelit është rihapur pasi ishte mbyllur pesë ditë më parë kur nisën sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit.

Fluturimi i parë i riatdhesimit nga Athina ka zbritur këtë mëngjes në aeroport, duke kthyer në vend izraelitët që kishin mbetur të bllokuar jashtë. Linjat ajrore izraelite pritet të ndihmojnë në kthimin e rreth 100 mijë izraelitëve, të cilët nuk kanë mundur të kthehen që kur Izraeli mbylli hapësirën ajrore të shtunën.

Autoritetet izraelite kanë miratuar një rihapje të pjesshme të hapësirës ajrore, e cila do të bëhet me faza dhe do të varet nga zhvillimet e sigurisë.

Ora 08:50
Pentagoni identifikon dy ushtarët e tjerë amerikanë të vrarë në Kuvajt

Pentagoni ka identifikuar dy ushtarët e tjerë amerikanë që mbetën të vrarë në një sulm iranian në Kuvajt, ku humbën jetën gjashtë persona: majorin e rezervistëve Jeffrey O’Brien, 45 vjeç, nga Waukee, Iowa, dhe oficerin teknik Robert Marzan, 54 vjeç, nga Sacramento, Kaliforni.

Për identifikimin zyrtar të mbetjeve të Marzan pritet të kryhet ekzaminimi mjeko-ligjor, ndërsa fotoja e tij nuk është publikuar.

Ora 08:34
Raketa iraniane drejt Turqisë, forcat e Teheranit mohojnë se kishin si synim territorin turk: Respektojmë sovranitetin e vendit mik

1772638762_raketaturqi.jpg

Forcat e armatosura të Iranit lëshuan një deklaratë sot në mëngjes duke mohuar se kishin qëlluar një raketë balistike drejt Turqisë ditën e djeshme.

“Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit respektojnë sovranitetin e vendit fqinj dhe mik, Turqisë, dhe mohojnë çdo lëshim raketash drejt territorit të atij vendi”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit.

Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi dje se forcat e NATO-s e kishin rrëzuar raketën ndërsa ajo po drejtohej drejt hapësirës ajrore turke, me Aleancën e Atlantikut të Veriut që dënoi sulmin ndaj Turqisë.