Teksa Shtëpia e Bardhë mohoi pretendimet se Presidenti amerikan ishte shtruar ditën e djeshme në spital, vetë Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, duke paralajmëruar shkatërrimin e gjithë urave dhe infrastrukturës energjitike të vendit, nëse Kanali i Hormuzit nuk hapet deri të martën.

"E marta do të jetë dita e urave dhe infrastrukturës energjetike në Iran, të gjitha në një. Nuk do të ketë asgjë të ngjashme!!! Hapni Ngushticat e mallkuara, ju kopilë të çmendur, ose do të shkoni në ferr - DO ta SHIKONI! Falënderimi i qoftë Allahut", ka paralajmëruar Trump.

Kreu i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i është përgjigjur drejtpërdrejt presidentit amerikan me një mesazh të fortë në rrjetet sociale.

“Veprimet e tua të pamenduara po i çojnë Shtetet e Bashkuara në një ferr të vërtetë për çdo familje, dhe i gjithë rajoni ynë do të digjet”, shkroi ai.

Dhe ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po hyn në ditën e 37-të, Irani dhe Omani po negociojnë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas Ministrisë së Jashtme të Omanit.

"Dje, Sulltanati i Omanit dhe Republika Islamike e Iranit zhvilluan një takim në nivelin e nënsekretarëve të ministrive të jashtme të të dy vendeve, gjatë të cilit u diskutuan opsionet e mundshme për të siguruar tranzit të qetë përmes Ngushticës së Hormuzit në rrethanat aktuale në rajon.Gjatë takimit, ekspertë nga të dyja palët paraqitën një sërë vizionesh dhe propozimesh që do të studiohen", thuhet në deklaratë.

Po ashtu ditën e sotme, forcat speciale amerikane kanë njoftuar se kanë gjetur pilotin e zhdukur në Iran pas rrëzimit të një F-15 të premten. Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe anëtarë të lartë të stafit të tij ndoqën operacionet e shpëtimit.

Trump ka njoftuar se piloti gëzon shëndet të plotë dhe i quajti operacionet e shpëtimet si një nga më të guximshmet në historinë e SHBA-së.

Ushtria amerikane ka dërguar dhjetëra avionë, të armatosur me armët më vdekjeprurëse në botë, për ta gjetur atë. Jam i lumtur të raportoj se ai është shëndoshë e mirë. Shpëtimi, i atribuohet suksesit të djeshëm me gjetjen e një piloti tjetër të guximshëm, një lajm që nuk e konfirmuam menjëherë, në mënyrë që të mos rrezikohej suksesi i operacionit tonë të dytë të shpëtimit", tha Trump në Truth.

Por Pasdaran pretendon se ka shkatërruar një nga avionët që ka marrë pjesë në operacionin e shpëtimit.

“Një avion armik amerikan që kërkonte pilotin e rrëzuar u shkatërrua në rajonin jugor të Isfahanit”, njoftuan Garda Revolucionare.

Ushtria izraelite nga ana tjetër ka deklaruar se ka nisur sulme të reja ndaj infrastrukturës së Hezbollahut në Bejrut. Po ashtu, grupi i mbështetur nga Irani, Hezbollah, thotë se ka lëshuar raketa drejt Izraelit verior - të cilat IDF pretendon se i ka kapur.

Ndërkohë, organizata e vendeve eksportuese të naftës dhe aleatët e saj (OPEC+) kanë vendosur të rrisin prodhimin me 206 mijë fuçi në ditë duke nisur nga muaji maj.

Vendimi u mor nga tetë vendet kryesore prodhuese, por zbatimi i tij mbetet i pasigurt për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:17
Postimi misterioz i Donald Trump: 'Të martën në orën 20:00!' Afat i ri për Teheranin?

1773243217_donaldtrump.jpg

“Të martën, ora 20:00 (sipas orës së bregut lindor të Shteteve të Bashkuara)!” – kështu, në një postim në Truth Social, presidenti i SHBA-së Donald Trump duket se përcakton orën e skadimit të ultimatumit ndaj Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Në një postim tjetër dje, Donald Trump i kishte kujtuar Teheranit se kishte ende 48 orë në dispozicion për të arritur një marrëveshje, pra deri të hënën. Ndërsa me mesazhin e fundit, duket se po u jep edhe 24 orë shtesë.

Ora 18:56
'Situata po del jashtë kontrollit', Kina i kërkon bashkëpunim Rusisë për të ndalur luftën në Iran

Kina kërkon të bashkëpunojë me Rusinë për një de-eskalim të luftës në Lindjen e Mesme. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm Wang Yi gjatë një telefonate me homologun rus Sergey Lavrov, të iniciuar nga ky i fundit.

Sipas mediave shtetërore kineze, Wang Yi theksoi se “Kina dhe Rusia duhet të sigurojnë drejtësi në çështjet kryesore”, ndërsa paralajmëroi se situata në rajon “po përkeqësohet dhe luftimet po intensifikohen”.

Ai përsëriti thirrjen e Pekinit për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin e nisur më 28 shkurt pas sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane ndaj Iranit.

Po ashtu, Wang nënvizoi se Kina synon të vazhdojë bashkëpunimin me Rusinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke koordinuar qëndrimet për të ulur tensionet dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.

Pekini dhe Moska mbajnë marrëdhënie të forta politike dhe ekonomike, të cilat janë forcuar edhe më shumë pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Ora 18:41
'Po i çon SHBA-të në ferr', Irani i kundërpërgjigjet Donald Trump-it: Ndalo ose rajoni do të digjet!

Tensionet mes Iranit dhe SHBA-ve janë përshkallëzuar, pasi Teherani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Donald Trump.

Kreu i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i është drejtuar drejtpërdrejt ish-presidentit amerikan me një mesazh të fortë në rrjetet sociale.

“Veprimet e tua të pamenduara po i çojnë Shtetet e Bashkuara në një ferr të vërtetë për çdo familje, dhe i gjithë rajoni ynë do të digjet”, shkroi ai.

Reagimi vjen pasi Trump ka kërcënuar me goditje ndaj infrastrukturës energjetike dhe urave, nëse Irani nuk hap Ngushticën e Hormuzit brenda një afati të shkurtër.

Ghalibaf akuzoi gjithashtu SHBA-të se po ndjekin interesat e Izraelit, duke shtuar:

“Mos u mashtroni: nuk do të arrini asgjë duke kryer krime lufte”.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje mbetet respektimi i të drejtave të popullit iranian dhe ndalimi i përshkallëzimit të situatës.

Ora 17:37
Vendet eksportuese të naftës rrisin prodhimin me 206 mijë fuçi në ditë, por eksportet nga Gjiri Persik mbeten të bllokuara

Organizata e vendeve eksportuese të naftës dhe aleatët e saj (OPEC+) kanë vendosur të rrisin prodhimin me 206 mijë fuçi në ditë duke nisur nga muaji maj, sipas burimeve të cituara nga Bloomberg dhe Interfax.

Vendimi u mor nga tetë vendet kryesore prodhuese, por zbatimi i tij mbetet i pasigurt për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

Sipas raportimeve, lufta në Iran dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit kanë ndërprerë eksportet nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku – vendet që kanë kapacitetin më të madh për të rritur prodhimin.

Kjo situatë rrezikon që rritja e njoftuar të mbetet vetëm në letër, ndërsa tregjet globale të naftës përballen me pasiguri të shtuar.

Ora 17:26
Luftërat po zbrazin arsenalet e raketave mbrojtëse, New York Times: Perëndimi drejt një krize mbrojtjeje ajrore

Rezervat e raketave interceptorë po shterojnë me shpejtësi për shkak të përdorimit intensiv në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, shkruan New York Times.

Sipas analizës, këto sisteme përdoren për të rrëzuar raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë, ndërsa në shumë raste lëshohen dy interceptorë për çdo kërcënim, duke rritur ndjeshëm konsumin.

Vetëm në Gjirin Persik, Irani ka lëshuar 23 raketa lundruese, 498 raketa balistike dhe mbi 2.100 dronë, duke vënë nën presion të madh mbrojtjen ajrore.

Vende si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë përdorur mbi tre të katërtat e stokut të tyre të interceptorëve Pac-3.

Ndërkohë, prodhimi mbetet i ngadaltë për shkak të teknologjisë së avancuar, dhe sipas analistëve, kapacitetet aktuale nuk mjaftojnë për të përballuar kërkesën në rritje.

Ora 16:49
Trump: Ka gjasa të mira për një marrëveshje me Iranin nesër

1773331528_donaldtrump.JPG

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se beson që ekziston një “mundësi e mirë” për të arritur një marrëveshje me Iranin të hënën, përpara afatit 48-orësh që ai vetë ka vendosur që Teherani të nënshkruajë një marrëveshje dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, për të shmangur bombardime të rënda.

“Besoj se ka një mundësi të mirë nesër: ata po negociojnë pikërisht tani”, ka thënë ai për Fox News.

“Nëse nuk arrijnë një marrëveshje, dhe shpejt, po shqyrtoj mundësinë të hedh gjithçka në erë dhe të marr nën kontroll naftën”, ka shtuar ai.

Ora 15:31
Trump ‘lëshon gojën’ dhe bën paralajmërimin e fortë për Iranin: Hapni ngushticat o k*pilë të çmendur, ndryshe të martën do përjetoni ferrin

1775035068_donaldtrump.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën në një postim në Truth Social se e marta do të jetë një nga ditët më të këqija për Iranin.

Duke përdorur një gjuhë aspak të denjë për një President amerikan, Trump paralajmëroi se nëse ngushticat nuk do të hapen, Irani do të shkojë në ‘ferr’.

"E marta do të jetë dita e urave dhe infrastrukturës energjetike në Iran, të gjitha në një. Nuk do të ketë asgjë të ngjashme!!! Hapni Ngushticat e mallkuara, ju kopilë të çmendur, ose do të shkoni në ferr - DO ta SHIKONI! Falënderimi i qoftë Allahut", ka paralajmëruar Trump.

Ora 15:21
Irani pretendon se ka rrëzuar dy aeroplanë C-130 dhe dy helikopterë Blackhawk të SHBA-së, publikon pamje

1775395327_zdryftxu.jpg

Irani pretendon se dy avionë transporti amerikanë C-130 dhe dy helikopterë Blackhawk u rrëzuan.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se forcave amerikane iu desh të shkatërronin dy nga avionët e tyre gjatë misionit të shpëtimit, sipas Wall Street Journal.

Në postimin e tij duke festuar suksesin e misionit të shpëtimit, Donald Trump tha se nuk kishte vdekje, por nuk përmendi avionët.

“Fakti që ne ishim në gjendje t’i realizonim të dyja këto operacione, pa asnjë amerikan të vrarë apo të plagosur, vërteton edhe një herë se kemi arritur dominim dhe superioritet dërrmues ajror mbi qiellin iranian”, tha presidenti i SHBA-së.

Tani, mediat iraniane kanë publikuar imazhe dhe video të vendit të rrëzimit të mjeteve ajrore, rreth 45 km në jug të qytetit iranian të Isfahanit.

Sky News i verifikoi këtë pamje filmike duke i krahasuar malet e fotografuara me kreshtat aty pranë dhe duke i krahasuar pamjet fotografike me ato video.

Një zyrtar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se forcat amerikane u detyruan të shkatërronin të paktën një avion gjatë misionit të shpëtimit sepse ai kishte funksionuar keq.

Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se trupat amerikane shpërthyen dy aeroplanë transporti për shkak të një defekti teknik, duke i detyruar ata të dërgonin avionë shtesë për të përfunduar operacionin e shpëtimit.

Rrethanat që çuan në shkatërrimin e avionit nuk janë konfirmuar ende në mënyrë të pavarur. Imazhet tregojnë pjesë nga të paktën një aeroplan dhe një helikopter i madh.

Ora 14:34
Irani: Kemi shkatërruar plotësisht me raketa fabrikën e dronëve izraelitë

Fabrika e dronëve në Petah Tikva, në Izraelin qendror, e goditur nga një raketë iraniane të enjten e kaluar, është "shkatërruar plotësisht", tha për Yediot Ahronoth Israel Wassellauf, CEO i Aerosol, kompanisë që zotëron vendin.

Kompania ishte shitur vetëm dy ditë para sulmit në platformën tregtare Valorix për 35 milionë shekel (9.7 milionë euro), një shumë e barabartë me trefishin e humbjeve ekonomike të shkaktuara nga shkatërrimi i uzinës, theksoi menaxheri.

"Impakti i raketës shkatërroi të gjithë objektin", shpjegoi Wassellauf, "gjithçka u shkatërrua: një humbje totale. Disa pajisje shpëtuan, shumë informacione, shumë skedarë prodhimi, kompjuterë, të gjitha informacionet e rëndësishme".

"Ne arritëm të rikuperonim shumë informacione dhe komponentë kritikë, dhe madje edhe disa dronë mbijetuan, si dhe kallëpe të klientëve", vazhdoi CEO i Aerosol, e cila gjithashtu prodhonte helmeta pilotësh dhe komponentë bombash në uzinë.

Ora 14:32
VIDEO/ Shpëtuan pilotin e tyre, dy avionë dhe një helikopter amerikan të shkatërruar pas operacionit

 

Piloti amerikan i F-15-ës së rrëzuar të premtën u shpëtua në Iran, por 2 avionë të ushtrisë janë djegur. Dy avionë transporti dhe, me shumë mundësi, edhe një helikopter janë shpërthyer në ajër për të mos rënë në duart e pasdaranëve. Ky ka qenë një veprim për të mos i lënë pajisjet dhe teknologjinë ushtarake në dorë të forcave iraniane në zonë. Deri më tani nuk ka një bilanc të detajuar nga ana e komandës qëndrore amerikane në lidhje me operacionin që çoi në shpëtimin e pilotit të F-15 që u godit nga iranianët të premten. 

Ora 13:30
Irani dhe Omani bisedime për hapjen e Ngushticës së Hormuzit

1774633875_ngushticaehormuzit.jpg

Foto: Anije duke kaluar në Ngushticën e Hormuzit

Irani dhe Omani po negociojnë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas Ministrisë së Jashtme të Omanit.

"Dje, Sulltanati i Omanit dhe Republika Islamike e Iranit zhvilluan një takim në nivelin e nënsekretarëve të ministrive të jashtme të të dy vendeve, ku morën pjesë specialistë nga të dyja palët, gjatë të cilit u diskutuan opsionet e mundshme për të siguruar tranzit të qetë përmes Ngushticës së Hormuzit në rrethanat aktuale në rajon. Gjatë takimit, ekspertë nga të dyja palët paraqitën një sërë vizionesh dhe propozimesh që do të studiohen", thuhet në deklaratë.

Ora 12:58
Anija cisternë e Japonisë kalon Ngushticën e Hormuzit pa pengesa

Foto: Një anije duke kaluar në Ngushticën e Hormuzit

Një anije cisternë japoneze kalon ngushticën e Hormuzit. Kompania japoneze Mitsui Lines deklaroi se anija cisternë për transportin e gazit të lëngshëm në pronësi të një prej filialeve të saj, ka kaluar ngushticën pasi kishte mbetur e bllokuar në Gjirin Persik që prej shpërthimit të luftës në Iran në 28 Shkurt.

 “Është konfirmuar siguria e ekuipazhit, e anijes dhe e ngarkesës,” tha Kompania Mitsui, cituar nga Al Jazeera.

Anija cisternë ishte ndër 45 anijet e lidhura me Japoninë që kishin mbetur të bllokuara në rajonin e Gjirit, ndërsa kalimi i saj vjen vetëm pak orë përpara se të skadojë ultimatumi I presidentit amerikan Trump për zhbllokimin e Ngushticës.

Ora 11:59
Hezbollahu: Kemi goditur me raketa anijen luftarake izraelite

Milicia libaneze Hezbollah pretendoi se kishte goditur me raketa një anije detare izraelite 68 milje detare larg brigjeve të Libanit, sipas rrjetit televiziv të Katarit al-Jazeera .

Në një deklaratë, Hezbollahi tha se anija po përgatitej të niste "sulme kundër territorit libanez".

Në një deklaratë, ushtria izraelite u përgjigj se nuk ishte "në dijeni" të sulmit të marrë përsipër nga Hezbollah.

Ora 11:38
Ushtria e Bahreinit: Kemi kapur 466 dronë që nga fillimi i luftës

1775381956_dtriufyioo.jpg

Ushtria e Bahreinit ka deklaruar se ka kapur 466 dronë dhe 188 raketa që nga fillimi i konfliktit.

“Komanda e Përgjithshme e Forcës Mbrojtëse të Bahreinit pohon krenarinë e saj për gatishmërinë e avancuar luftarake dhe vigjilencën e lartë të demonstruar nga personeli i saj dhe vlerëson këtë efikasitet të vazhdueshëm operacional në mbrojtjen e Mbretërisë”, tha Forca Mbrojtëse e Bahreinit në një deklaratë.

Publikut iu kërkua nga Komanda që të tregonte kujdes të jashtëzakonshëm, të qëndronte larg vendeve të dëmtuara, si dhe të shmangte përhapjen e lajmeve të pavërteta.

Më herët Kompania e Industrive Petrokimike të Gulf në Bahrein u përfshi nga flakët.

Ora 11:24
Urdhri në SHBA, raketat me rreze të gjatë JASSM-ER do të përdoren në operacionet kundër Iranit

1775381138_htsdyiuyo.jpg

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vendosin pjesën më të madhe të arsenalit të tyre të raketave të ‘fshehta’ për radarët me rreze të gjatë veprimi JASSM-ER për operacione kundër Iranit.

Lajmin e ka bërë të ditur Bloomberg, duke cituar një burim të njohur me çështjen.

Raketat po tërhiqen nga rezervat në Paqësor dhe zona të tjera, përfshirë kontinentin e SHBA-së, dhe po transferohen në bazat e Komandës Qendrore të SHBA-së dhe në Fairford, Britani të Madhe, sipas raportimeve.

Urdhri për tërheqjen e raketave, të cilat kushtojnë afërsisht 1.5 milion dollarë secila, thuhet se u lëshua në fund të marsit.

Ora 10:42
Dronët iranianë godasin depon e karburantit në Bahrein (VIDEO)

 

Një zjarr ka shpërthyer në një depo karburanti në pronësi të Bahrein Petroleum Company (BAPCO), e cila u godit gjatë një sulmi me dron iranian. Kompania njoftoi incidentin në një deklaratë, të raportuar nga agjencia e lajmeve QNA .

Imazhet që qarkullojnë në internet tregojnë re të mëdha tymi dhe flakë që ngrihen nga rafineria, por sipas kompanisë, zjarri është shuar.

"Zjarri është shuar plotësisht dhe situata është nën kontroll. Dëmi po vlerësohet aktualisht", tha BAPCO në një deklaratë.

Ora 09:11
Irani mohon pretendimet e Trump për shpëtimin e pilotit të avionit të rrëzuar: Dy helikopterë dhe një aeroplan që merrnin pjesë në operacionin e shpëtimit u goditën

1775373392_dt76ifoo.jpg

Irani ka mohuar se piloti i avionit F-15 të rrëzuar të premten është shpëtuar, siç njoftoi Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Në vend të kësaj, ai pretendon se ka goditur dy helikopterë dhe një aeroplan që merrte pjesë në operacionin e shpëtimit.

"Përpjekjet e dëshpëruara të armikut për të shpëtuar pilotin e tij të rrëzuar u penguan nga hiri i Zotit të Plotfuqishëm, ndihma hyjnore, veprimet në kohë dhe operacionet e përbashkëta të luftëtarëve islamikë nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, Ushtria e Republikës Islamike të Iranit, Basixhët heroikë dhe forcat e sigurisë", tha Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i selisë së Komandës së Bashkuar Khatam al-Anbiya, sipas raporteve të mediave iraniane.

"Avioni sulmues i armikut, dy helikopterë Black Hawk dhe një aeroplan transporti ushtarak C-130, u goditën dhe u përfshinë nga flakët në jug të Isfahanit", shtoi ai.

Zyra e shtypit e IRGC-së e përshkroi atë si "një kurth të ngritur për aeroplanin armik amerikan që kishte hyrë në Iran për të shpëtuar pilotin".

Shtetet e Bashkuara, sipas një deklarate të publikuar nga agjencia e lajmeve Tasnim, "kanë pësuar përsëri një disfatë poshtëruese". Dhe sipas Tasnim, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump "pretendoi një operacion special për të shpëtuar pilotin", ky ishte thjesht "një përpjekje për të fshehur humbjen e tij të rëndë".

Ora 08:42
VIDEO/ Trump publikon pamjet e sulmeve masive ndaj Teheranit: Shumë nga udhëheqësit ushtarakë të Iranit u eliminuan!

1775371446_uyfofd.jpg

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar pamje që sipas tij tregojnë sulmet gjatë natës ndaj objektivave në Teheran.

Krahas pamjeve, Trump ka pretenduar se gjatë operacionit është eliminuar një pjesë e udhëheqjes ushtarake iraniane.

“Shumë nga udhëheqësit ushtarakë të Iranit, të cilët i kanë udhëhequr ata dobët dhe pa mençuri, janë vrarë, së bashku me shumë të tjerë, me këtë sulm masiv në Teheran! Presidenti DONALD J. TRUMP”, ka shkruar Trump në Truth Social.

Detaje të mëtejshme mbi identitetin e drejtuesve ushtarakë të pretenduar të eliminuar nuk janë bërë ende publike.

Nga ana tjetër, nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane lidhur me këto pretendime.

 

Ora 08:31
"Trump i shtruar në spital", Shtëpia e Bardhë mohon pretendimet në rrjetet sociale

1774958594_donaldtrump.jpg

Ditën e djeshme u përfol se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ishte shtruar në spital.

Sipas ‘thashethemeve’ që qarkullojnë në mediat sociale, presidenti amerikan u shtrua në Spitalin Ushtarak Walter Reed në Bethesda, Maryland.

Por Shtëpia e Bardhë i mohoi zyrtarisht këto lajme, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara.

Po ashtu mediat amerikane bëjnë të ditur se helikopteri presidencial nuk u pa në spital mbrëmë.

Dhe marinsat që qëndrojnë roje jashtë Zyrës Ovale, në kopsht, kur Presidenti është në punë, ishin në vendin e tyre.

Vetë Trump kishte postuar më herët sondazhe në favor të tij në Truth Social dhe një video tjetër të bombave amerikane që binin mbi Iranin.

Ora 08:29
Droni iranian godet ndërtesën qeveritare në Kuvajt

Një ndërtesë në Kuvajt City që strehon disa ministri, përfshirë Ministrinë e Financave, u godit nga një dron iranian, raportuan mediat lokale.

Sipas mediave fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.