Djali i Ayatollah Ali Khamenei-t, Mojtaba Khamenei, është zgjedhur si pasardhësi i tij. Këtë e raportojnë mediat që janë të afërta me opozitën iraniane. Mojtaba Khamenei kështu zë vendin e Udhëheqësit Suprem të Iranit.

Ndërkohë konflikti në lindjen e mesme po zgjerohet dhe po nxehet edhe më shumë. Një sulm ajror izraelit thuhet se shkatërroi ndërtesën në Qom ku Asambleja e Ekspertëve po mblidhej për të zgjedhur Udhëheqësin e ri Suprem. Megjithatë, lajmi u mohua nga mediat e Teheranit, sipas të cilave, ndërtesa e Asamblesë ishte evakuuar më parë.

Irani po synon misionet diplomatike amerikane në Gjirin Persik. Ambasada në Riad u godit nga raketa e dronë, ndërsa ato në Irak, Bahrein, Jordani dhe Kuvajt janë evakuuar. Edhe konsullata e Shteteve të Bashkuara në Dubai është përfshirë nga flakët pasi dyshohet se është goditur nga një dron iranian.

Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer një valë të re sulmesh ndaj Teheranit dhe Isfahanit.

Në Shtëpinë e Bardhë, Trump u takua me kancelarin Merz: "Irani tani dëshiron të flasë, por është tepër vonë. Ne kemi shkatërruar marinën, forcën ajrore dhe mbrojtjen e tyre ajrore." Ai më pas sulmoi Londrën dhe Madridin për qëndrimin e tyre ndaj bazave ushtarake.

"Çmimet e naftës do të jenë të larta për një kohë, por ato do të ulen para se të mbarojë lufta", shtoi ai.

Teherani paralajmëroi vendet europiane që t’i qëndrojnë larg konfliktit në Lindjen e Mesme. Duke iu referuar deklaratave të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe në lidhje me "veprime mbrojtëse" të mundshme kundër raketave iraniane në bazat e tyre në vendet e Gjirit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmail Baghaei, deklaroi se "Irani e konsideron këtë një akt lufte dhe bashkëpunim me agresorët".

Teherani vajton nxënësit e vrarë në një shkollë në jug të vendit: mijëra marrin pjesë në funeral. OKB po bën thirrje për një hetim, duke pretenduar krime lufte.

IDF hyri në Libanin jugor nga toka, duke kapur disa pika aty pranë, sipas një zëdhënësi të ushtrisë izraelite. Një seli e grupit islamist Jamaa Islamiya, një aleat i Hamasit dhe Hezbollahut, u godit në qytetin e Sidonit.

"Hezbollahu bëri një gabim shumë serioz kur na sulmoi. Ne tashmë jemi përgjigjur me forcë dhe do të përgjigjemi me forcë edhe më të madhe", tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Në një intervistë për Fox News, ai tha se lufta nuk do të zgjasë. Ajo sipas tij do të sjellë benefite të mëdha për vendet myslimane të rajonit.

“Nuk do të kemi një luftë të pafundme këtu. Regjimi terrorist është në pikën më të dobët që kur ia rrëmbeu Iranin popullit të guximshëm iranian 47 vite më parë. Operacionet do të jenë me veprime të shpejta dhe precize. Mendoj se kjo do të hapë rrugën për shumë traktate paqeje me vende të tjera arabe dhe myslimane”, tha ai.

Sky News britanik ndërkohë zbuloi metodën nëpërmjet të cilës shërbimet sekrete izraelite dhe amerikane arritën të vrasin Ajatollahun Ali Khamenei. Spiunët izraelitë kishin hakeruar kamerat e trafikut në Teheran si dhe kishte bllokuar përcjellësit telefonik në zonë. Nëpërmjet një të infiltruari, amerikanët merrnin informacione. Burimi i kishte informuar për mbledhjen e Khameneit me zyrtarët e lartë, gjë që çoi në sulmin ndaj tij që në nisje të sulmeve të shtunën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:05
Media: U godit selia e CIA-s pranë ambasadës në Riad

1772575630_49AD4EB7F59AEF44E7844C1877AB7425low0.webp

Një dron iranian ka goditur dje edhe stacionin e Central Intelligence Agency pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Arabinë Saudite, në atë që do të përbënte një fitore simbolike për Republikën Islamike, e cila po sulmon objektiva dhe personel amerikan në të gjithë Lindjen e Mesme; kështu shkruan The Washington Post.

Qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe të Arabisë Saudite kanë konfirmuar se dy dronë kanë goditur kompleksin e ambasadës amerikane në Riad, por nuk kanë bërë të ditur se në sulm është goditur edhe qendra amerikane e spiunazhit.

Ora 22:14
Djali i Khameneit zgjidhet Lider Suprem i Iranit

1772572585_iranmojtabakhamenei.webp

Djali i Ayatollah Ali Khamenei-t, Mojtaba Khamenei, është zgjedhur si pasardhësi i tij. Këtë e raportojnë mediat që janë të afërta me opozitën iraniane. Mojtaba Khamenei kështu zë vendin e Udhëheqësit Suprem të Iranit.

Ora 21:31
Trump: Ushtria e SHBA do sigurojë anijet me naftë në Ngushticën e Hormuzit

1772468997_donaldtrump.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka lajmëruar sot ndërhyrjen e parë për adresimin e krizës financiare botërore të tregut të hidrokarbureve, pas sulmeve në Iran.

“Me efekt të menjëhershëm, kam urdhëruar Korporatën e Financimit për Zhvillim të Shteteve të Bashkuara (DFC) që të ofrojë, me një çmim shumë të arsyeshëm, sigurim kundër rrezikut politik dhe garanci për sigurinë financiare të TË GJITHË tregtisë detare, veçanërisht të energjisë, që kalon përmes Gjirit.

Këto masa do të jenë të disponueshme për të gjitha linjat e transportit detar. Nëse është e nevojshme, Marina e Shteteve të Bashkuara do të fillojë shoqërimin e cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit sa më shpejt të jetë e mundur.

Pavarësisht gjithçkaje, Shtetet e Bashkuara do të garantojnë RRJEDHËN E LIRË të ENERGJISË drejt BOTËS. Fuqia ekonomike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara është MË E MADHJA NË TOKË — Veprime të tjera do të pasojnë.

Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”

Ora 21:25
Macron dërgon aeroplanmbajtësen 'Charles de Gaulle' në Mesdhe

1772569675_2040520672add3c1a1f8744d7a7cab04053aab13a.webp

“Ngushtica e Hormuzit tashmë është e mbyllur”, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron, duke theksuar se po përpiqej “të ndërtonte një koalicion” për të garantuar “rrugët detare thelbësore”.

Ai gjithashtu urdhëroi që aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle të drejtohej drejt Mesdheut.

“Shumë gjëra mbeten ende të paqëndrueshme, por Franca mbetet një fuqi që kërkon të ruajë paqen, një forcë e fuqishme dhe e qëndrueshme”, shtoi ai.

Ora 21:16
Në zjarr konsullata amerikane në Dubai, dyshohet se u godit nga një dron iranian

1772519857_luftairan.avif

Konsullata e Shteteve të Bashkuara në Dubai është përfshirë nga flakët pasi dyshohet se është goditur nga një dron iranian. Lajmi është raportuar nga CNN, e cila citon një burim në rajon.

Ora 19:34
Media: Emiratet po shqyrtojnë sulme ndaj objekteve raketore iraniane

1772281442_EmirateteBashkuaraArabe.jpg

Emiratet e Bashkuara Arabe po shqyrtojnë mundësinë e goditjes së objekteve raketore iraniane për të ndaluar sulmet e Teheranit kundër vendit. Kështu shkruan Axios, duke cituar dy burime që kanë dijeni për çështjen, dhe duke theksuar se një sulm i Emirateve kundër Iranit do të ishte pa precedent.

Emiratet kanë qenë vendi më i sulmuar nga Irani që nga fillimi i luftës, madje më shumë se Izraeli. Vendi “po shqyrton miratimin e masave mbrojtëse aktive kundër Iranit. Megjithëse nuk janë të përfshirë në asnjë mënyrë në luftë, Emiratet kanë pësuar gjithsesi 800 goditje”, ka deklaruar një burim i njohur me diskutimet politike në Emirate.

Ora 18:49
Si do të ndikojë lufta në Iran në tregjet energjitike? Trump: Çmimet e naftës do të jenë të larta për pak kohë!

1772560340_Screenshot20260303185141.png

Presidenti amerikan Donald Trump pranoi të martën ndikimin e luftës në Iran në tregjet energjitike dhe paralajmëroi se çmimet e naftës do të rriten dhe do të jenë të larta për një periudhë kohe gjatë luftës me Iranin. Por ai siguroi se sapo kjo situatë të mbarojë, çmimet do të bien dhe do të jenë edhe më të ulëta se më parë.

Lufta në Lindjen e Mesme ka shtyrë tashmë çmimet e naftës më lart, me shqetësime për prishje të furnizimit si pasojë e tensioneve dhe bllokimit të trafikut në Ngushticën e Hormuzit.

Ora 18:37
Lufta në Iran/ Kancelari Merz në takimin me Trump: Jemi në një linjë me SHBA-të, të rrëzojmë regjimin e tmerrshëm në Teheran

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se është në të njëjtën linjë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump për sa i përket rrëzimit të regjimit iranian.

“Jemi në të njëjtën linjë për sa i përket rrëzimit të këtij regjimi të tmerrshëm në Teheran. Dhe do të flasim për të nesërmen, çfarë do të ndodhë atëherë”, tha Merz, i ulur pranë Trump në Zyrën Ovale përpara një takimi midis dy udhëheqësve.

“Ne të gjithë shpresojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Merz. “Pra, shpresojmë që ushtria izraelite dhe amerikane po bëjnë gjërat e duhura për ta përfunduar këtë dhe për të pasur, me të vërtetë, një qeveri të re në vend, e cila po kthehet në paqe dhe liri.”

Në Zyrën Ovale të martën, Merz tha gjithashtu se do të flasë me Trumpin rreth një marrëveshjeje tregtare SHBA-Gjermani, të cilën, shtoi ai, "do të donte ta miratonte sa më shpejt të ishte e mundur". Kancelari gjerman vuri në dukje se lufta në Ukrainë është gjithashtu në axhendën e tyre.

Ora 18:26
Operacioni 'Epic Fury'/ Mbi 1.700 objektiva ushtarake të goditura në Iran

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë goditur mbi 1.700 objektiva ushtarake në tre ditët e para të operacionit kundër Iranit. Lajmin e bëri të ditur Komanda Qendrore e SHBA (Centcom) e cila sot bëri publik bilancin e 72 orëve të para të operacionit të quajtur “Epic Fury”.

Sipas deklaratës, mes objektivave të goditura janë selia e Gardës Revolucionare Islamike, qendra komande dhe kontrolli, selia e forcave ajrore hapësinore të kësaj garde, sistemet e mbrojtjes ajrore, bazat e raketave balistike, anije dhe nëndetëse të marinës, si edhe kapacitete komunikimi ushtarak.

Ora 18:19
'Nafta do të arrijë në 200 dollarë'! Garda Revolucionare e Iranit paralajmëron SHBA-të dhe Izraelin: Nëse vazhdoni goditjet do sulmojmë qendrat ekonomike të Lindjes së Mesme

Garda Revolucionare e Iranit

Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit ka paralajmëruar se nëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk ndalojnë sulmet, Irani do të kthejë goditjet ndaj “të gjitha qendrave ekonomike” në Lindjen e Mesme. “Po i themi armikut se nëse vendos të godasë qendrat tona kryesore, ne do të godasim të gjitha qendrat ekonomike në rajon,” tha gjenerali Ebrahim Jabbari, duke iu referuar sulmeve të vazhdueshme. Sipas tij, përshkallëzimi i konfliktit mund të çojë çmimin e naftës deri në 200 dollarë për fuçi.

Deklarata e tij shoqërohet edhe me paralajmërime të tjera për rritje të tensioneve dhe ndikim në tregjet energjetike, ndërsa konflikti mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit po përshkallëzohet në një luftë më të gjerë rajonale.

Ora 18:05
Takimi me Merz në Shtëpinë e Bardhë, Trump: Kemi neutralizuar kapacitetet ushtarake të Iranit, operacioni po shkon shumë mirë!

1772557937_Screenshot20260303180510.png

Donald Trump dhe Friedrich Merz

Presidenti Donald Trump priti sot në Shtëpinë e Bardhë kancelarin gjerman Friedrich Merz për të diskutuar për një sërë çështjesh përfshirë situatën në Iran. 

Trump deklaroi se operacioni ushtarak në Iran “po shkon shumë mirë” dhe se SHBA kanë neutralizuar kapacitetet kryesore ushtarake të Teheranit. “Ata nuk kanë më Marinën, nuk kanë më Aviacionin, nuk kanë më sisteme të zbulimit ajror. Radari i tyre është neutralizuar, gjithçka është neutralizuar”, tha ai

 Ai hodhi poshtë edhe pretendimet se Izraeli e kishte shtyrë SHBA-në drejt përshkallëzimit, duke thënë: “ne i kemi shtyrë ata dhe jo e kundërta.”

Sipas raportimeve të mediave, Merz deklaroi mbështetjen e Gjermanisë për planin amerikan për çmontimin e regjimit iranian. 

Në të njëjtën dalje publike, Trump foli me tone të ashpra edhe ndaj disa aleatëve evropianë duke kritikuar hapur Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ai sulmoi kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, duke e akuzuar për mungesë mbështetjeje dhe qëndrime të paqarta në raport me zhvillimet e fundit, duke shtuar se  marrëdhëniet tregtare me Spanjën do të rishikohen.

Trump nuk kurseu as kryeministrin britanik Keir Starmer, për të cilin tha se “nuk është as Winston Churchill”, duke lënë të kuptohet se nuk e konsideron atë në lartësinë e figurave historike të Britanisë së Madhe në kohë krize.

Ora 17:55
Katari mohon përfshirjen në sulmet ndaj Iranit: Nuk jemi pjesë e luftës, por do të mbrohemi!

Katari mohon të jetë pjesë e fushatës ushtarake kundër Iranit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme deklaroi se Doha “nuk po merr pjesë në operacionet ushtarake kundër Iranit”, duke hedhur poshtë raportimet e disa mediave izraelite që flisnin për sulme nga Katari.

Megjithatë, ai theksoi se vendi “po ushtron të drejtën për t’u mbrojtur dhe për të frenuar sulmet iraniane kundër territorit tonë”, duke e bërë të qartë se çdo reagim i Katarit lidhet me mbrojtjen e sigurisë së tij.

Ora 17:49
Irani sulmon me dron bazën britanike, Londra dërgon në Qipro luftanijen për mbrojtje ajrore

1772556798_Screenshot20260303175232.png

Luftanija Mbretërore e Britanisë së Madhe

Britania e Madhe po forcon praninë ushtarake në Qipro pas sulmit me dron ndaj bazës britanike në Akrotiri. Kryeministri Keir Starmer njoftoi se Londra po dërgon në rajon luftanijen për mbrojtje ajrore HMS Dragon, si edhe helikopterë me kapacitete kundër dronëve.

Vendimi vjen pasi një dron i prodhimit iranian goditi gjatë fundjavës bazën e RAF Akrotiri, duke shkaktuar dëme të lehta, por pa të lënduar. Starmer e komunikoi lëvizjen edhe me presidentin e Qipros, duke theksuar se masat synojnë rritjen e mbrojtjes në zonë.

Ora 17:36
Mossad paralajmëron Iranin: Fati i çdo udhëheqësi të ri që do të zgjidhet është i shkruar!

1772556375_Screenshot20260303174550.png

Një postim në persisht nga llogaria që shfaqet si zëdhënëse e agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad thotë se fati i atij që do të zgjidhet si Udhëheqës i Suprem i Iranit wshtw i vulosur. Mesazhi, i ndarë në platformën X, thotë se “nuk ka rëndësi se kush zgjidhet sot; fati i tij është tashmë vendosur” dhe se vetëm populli iranian do të zgjedhë liderin e ardhshëm.

Ky koment erdhi ndërsa Asambleja e Ekspertëve po organizonte votimin për pasardhësin e Ali Khameneit pas sulmeve të fundit amerikano–izraelite.

Ora 16:26
Presidenti amerikan mbron sulmet ndaj Iranit dhe sfidon kritikët konservatorë, Trump: MAGA jam unë!

Tucker Carlson, Donald Trump dhe Megyn Kelly

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj kritikave nga disa figura të njohura konservatore në SHBA, si Tucker Carlson dhe Megyn Kelly, që kanë shprehur rezerva për sulmet ndaj Iranit. “Duhet të bëj atë që është e drejtë. Nuk mund të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore. Kjo është prioriteti im”, tha ai.

Më pas ai shtoi: “MAGA jam unë, jo ata të dy”, duke iu referuar sloganit të tij “Make America Great Again”. Për Megyn Kelly-n u shpreh se “më ka kritikuar prej vitesh dhe unë kam fituar çdo herë”, ndërsa theksoi se mbështetësit e tij “duan një Amerikë të sigurt dhe të fortë” dhe se veprimet e tij shkojnë pikërisht në këtë drejtim.

Ora 16:10
Lufta bllokon trafikun detar në Gjirin Persik, 3.000 anije të bllokuara pranë Ngushticës së Hormuzit

Mbi 3.000 anije janë bllokuar në portet e Gjirit Persik dhe presin të kalojnë Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për naftën në botë. Sipas Clarksons Research, rreth 4% e tonazhit global detar aktualisht është i ndalur në zonë.

Mes anijeve të bllokuara janë 241 anije për mallra të thata, 195 cisterna për produkte të përpunuara, 112 cisterna për naftë bruto, 114 anije kontejnerësh dhe 6 anije turistike. Rreth 20% e furnizimit global me naftë kalon nga Hormuzi, ndërsa rreth 500 anije bosh po presin në portet e prekura nga konflikti që shpërtheu pas sulmit ndaj Iranit.

Ora 16:04
Goditet asambleja që zgjedh udhëheqësin suprem të Iranit, raportohen viktima

Godina e Asamblesë e goditur nga raketa 

Asambleja e Ekspertëve, struktura fetare që zgjedh Udhëheqësin Suprem të Iranit, është goditur me raketa në qytetin Qom. Media iraniane raportojnë për të vrarë dhe të plagosur mes anëtarëve, por deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për numrin e viktimave.

Kjo asamble ka në dorë zgjedhjen e liderit të ri pas vdekjes së Ali Khameneit në sulmet e së shtunës dhe kishte nisur mbledhjet për pasardhësin. Edhe zyra e saj në Teheran u godit një natë më parë.

Ora 15:36
'Djali i Khameneit është gjallë'! Mediat në Iran: Gëzon shëndet të plotë e po merret me çështje të rëndësishme!

Ali Khamenei dhe Mojtaba Khamenei

Mediat iraniane raportojnë se Mojtaba Khamenei, djali i Ali Khameneit, është gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Agjencia Mehr shkruan se ai është “në shëndet të plotë” dhe po shqyrton “çështje të rëndësishme” që lidhen me vendin, pa dhënë detaje të tjera.

Emri i tij është përmendur prej kohësh si pasardhës i mundshëm, ndërsa konsiderohet si figurë me ndikim prapa skenave dhe me lidhje të forta me Gardën Revolucionare. Megjithatë, një kalim pushteti nga babai te djali do të përballej me kundërshti fetare dhe politike në Iran, pasi tradita shiite nuk e sheh me sy të mirë një trashëgimi të tillë, dhe Mojtaba nuk mban asnjë post zyrtar shtetëror.

Ora 15:29
Konflikti në Lindjen e Mesme, Netanyahu: Aksion i shpejtë në Iran, do i hapë rrugën paqes me arabët

Benjamin Netanjahu

Benjamin Netanyahu thotë se operacioni në Iran nuk do të zgjasë pafund. Në një intervistë për Fox News, ai deklaroi se “nuk do të kemi një luftë të pafundme këtu” dhe se regjimi iranian është “në pikën më të dobët që nga momenti kur mori pushtetin 47 vite më parë”. Sipas tij, “kjo do të jetë një veprim i shpejtë dhe vendimtar”.

Netanyahu shtoi se zhvillimet mund të hapin rrugën për marrëveshje të reja paqeje me vende arabe dhe myslimane. “Arabia Saudite ka shumë për të fituar. Të gjitha këto vende ndihen të kërcënuara nga Irani dhe duan që regjimi të bjerë, edhe nëse nuk e thonë publikisht”, u shpreh ai.

Ora 15:26
Mbi 12 mijë fluturime të anuluara në mbarë botën nga lufta në Lindjen e Mesme

 

Foto ilustruese

Lufta në Lindjen e Mesme po godet fort edhe trafikun ajror. Mbi 12.300 fluturime janë anuluar në mbarë botën, ndërsa kompanitë ajrore po pezullojnë linjat drejt disa prej nyjeve kryesore si Dubai dhe Doha. Të dhënat raportohen nga Bloomberg, duke iu referuar platformës Flightradar24.

KLM ka ndalur fluturimet drejt dhe nga Tel Avivi për pjesën e mbetur të sezonit dimëror, si edhe drejt Riadit, Damamit dhe Dubait deri më 9 mars. British Airways ka anuluar fluturimet për Amanin, Abu Dhabin, Bahreinin, Dubain, Dohan dhe Tel Avivin. Edhe grupi Lufthansa ka pezulluar linjat për Tel Aviv, Bejrut, Aman, Erbil, Damam dhe Teheran deri më 8 mars, ndërsa ka shmangur hapësirën ajrore mbi disa vende të rajonit.

Ora 15:14
NATO reagon ndaj kërcënimeve të Iranit, Rutte: Do të mbrojmë çdo vend anëtar nëse sulmohet!

1772547779_Screenshot20260303152239.png

Mark Rutte

'NATO nuk është e përfshirë në konfliktin në Lindjen e Mesme, por se do të mbrojë çdo centimetër të territoreve të vendeve anëtare'

Kështu deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë për shtyp krah presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Rutte tha gjithashtu se Irani është eksportues i kaosit. 

“Ne gjithashtu e dimë se Irani, si eksportues i kaosit, ka qenë përgjegjës për dekada me radhë për sulme terroriste dhe tentativa për atentate. Po flas për regjimin, jo për popullin iranian. NATO nuk është e përfshirë (në luftën aktuale – shën. red.). Mund t’ju siguroj se NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës. Komandantët tanë dhe burrat e gratë në uniformë punojnë për këtë çdo ditë, duke zbatuar një qasje 360-gradëshe, përfshirë edhe kundër çdo kërcënimi që vjen nga terrorizmi. Dobësimi i kapaciteteve bërthamore dhe raketore të Iranit, fakti që Khamenei tani nuk është më, përgjegjës për mijëra vdekje vetëm këtë vit gjatë protestave kundër regjimit — të gjithë jemi më mirë pa të dhe me kapacitetet bërthamore dhe balistike të Iranit të goditura dhe të dobësuara, siç po ndodh tani,” tha Rutte

Ora 14:06
Donald Trump në Truth Social: Irani kërkon të flasë, por është shumë vonë!

President Donald Trump deklaroi se Irani po kërkon bisedime pas goditjeve të fundit, por përgjigjja e tij ka qenë e prerë. “Duan të flasin. U thashë: ‘Shumë vonë’”, shkroi ai në Truth Social.

Sipas Trump, “mbrojtja e tyre ajrore, Forcat Ajrore, Marina dhe udhëheqja janë zhdukur”, duke lënë të kuptohet se kërkesa për dialog ka ardhur pasi Teherani ka pësuar goditje të rënda.

Ora 13:26
Kina ndërhyn në luftën e Iranit, i bën presion për të hapur Ngushticën e Hormuzit

Kina po ushtron presion ndaj Iranit që të shmangë ndërprerjen e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, veçanërisht eksportet e energjisë nga Katari, pasi konflikti në rajon po kërcënon furnizimet globale, sipas Bloomberg.

Pekini thuhet se u ka bërë thirrje homologëve iranianë të mos marrin në shënjestër cisternat e naftës dhe anijet transportuese të gazit natyror të lëngshëm që kalojnë nëpër këtë kanal të ngushtë, si dhe të përmbahen nga sulmet ndaj qendrave të rëndësishme të eksportit, si Katari.

Ora 12:49
Sirenat e alarmit bien sërish në Aman, 4 raketa iraniane kapen mbi Jordani

1772538788_ammanbluemosque.webp

Sirenat e alarmit janë rikthyer në kryeqytetin jordanez, Aman, për herë të dytë brenda një ore, teksa përshkallëzimi mes Iranit dhe Izraelit vazhdon. Sipas rmediave situata mbetet e tensionuar në qiellin mbi Jordani.

Media izraelite raportojnë se katër raketa balistike iraniane janë kapur mbi Jordani, pranë Jerusalemit dhe në hapësirën ajrore të Cisjordanisë. Pozicioni i Amanit, shumë pranë Cisjordanisë dhe hapësirës ajrore izraelite, e bën Jordaninë veçanërisht të ekspozuar ndaj kalimit të raketave dhe sistemeve të interceptimit në këtë fazë të konfliktit.

Ora 12:43
Zgjerohet harta e konfliktit në Lindjen e Mesme, Irani paralajmëron vendet e Gjirit Persik: Mos u bëni bashkëpunëtorë!

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei

Irani akuzon Izraelin se po përpiqet ta zgjerojë konfliktin në gjithë rajonin. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, tha se Teherani ka goditur “vetëm disa qendra ushtarake” në vendet e rajonit për të shënjestruar bazat amerikane, duke mohuar që objektiv të kenë qenë zona civile.

Sipas tij, “është Izraeli që ka kryer sabotime në vendet e rajonit për të njollosur imazhin e Iranit dhe për ta shtrirë luftën”. Baghaei paralajmëroi vendet e Gjirit të jenë të kujdesshme që të mos bëhen “bashkëpunëtore të veprimeve izraelite” dhe shtoi se do të ishte më mirë që SHBA-së të mos i lejohej përdorimi i territoreve të tyre për sulme kundër Iranit.

Ora 12:39
Katari rrëzon 100 raketa iraniane! Dështon përpjekja e Iranit për të goditur aeroportin e Doha-s

1772538050_katarirandangelenikisu24savasucagini196175077072amp.webp

Katari thotë se ka përballuar një valë të madhe sulmesh nga Irani. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari, deklaroi se mbrojtja ajrore ka rrëzuar 101 raketa lundruese dhe 39 dronë të lëshuar drejt objektivave në vend.

Sipas tij, pati edhe përpjekje për të goditur aeroportin ndërkombëtar Hamad në Doha, por “të gjitha u zmbrapsën” dhe asnjë raketë nuk arriti objektivin. Al-Ansari shtoi se Katari nuk ka qenë në kontakt me Iranin që nga nisja e sulmeve.

Ora 12:36
Luftë edhe në Karaibe? Aleati i Trump: Pas Iranit, radha e Kubës

Një politikan i lartë amerikan ka kërcënuar udhëheqësit e Kubës, disa ditë pas vrasjes së kreut të shtetit iranian.

Lindsey Graham, senator republikan nga Karolina e Jugut dhe aleat i Donald Trump, la të kuptohet se regjimi komunist në Havanë mund të jetë objektivi i radhës i SHBA-ve.

“Regjimi iranian, anija mëmë e terrorizmit ndërkombëtar, është drejt kolapsit”, tha Graham për Fox News të hënën. “Kapiteni i anijes, ajatollahu, është i vdekur pa asnjë dyshim.” Ai shtoi: “Radha e Kubës... Ata do të bien. Kjo diktaturë komuniste në Kubë, ditët e saj janë të numëruara.”

Ora 12:31
Irani paralajmëron ashpërsim të sulmeve, Pasdaran: Dyert e ferrit do të hapen gjithnjë e më shumë

Gardianët e Revolucionit iranian kanë paralajmëruar se synojnë të godasin edhe më ashpër Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

“Armiku duhet të presë sulme të vazhdueshme ndëshkuese: dyert e ferrit do të hapen gjithnjë e më shumë, moment pas momenti, mbi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin”, deklaroi për televizionin shtetëror zëdhënësi i Pasdaranëve, Ali Mohammad Naini.

Ora 12:27
Teherani paralajmëron sërish: Rrëzimi i raketave tona nga Europa është akt lufte!

1772537443_Gi4J3MXcAASqoI.jpg

Irani po i përforcon mesazhet ndaj Europës edhe më tej. Pasi ministri i Jashtëm Abbas Araghchi paralajmëroi se çdo aksion ushtarak europian do të konsiderohet akt lufte, zëdhënësi i diplomacisë iraniane, Esmail Baghaei, dha një paralajmërim të dytë kundër Europës. 

Nëpërmjet tij Teherani kërcënon hapur: nëse  vendet europiane ndërhyjnë për të rrëzuar raketat iraniane në bazat e tyre në Gjirin Persik, kjo do të konsiderohet akt lufte dhe bashkëpunim me agresorët”.

Sipas tij, Gjermania, Franca dhe Britania po ndjekin “qasje kontradiktore” ndaj konfliktit aktual. “Pasojat e çdo shkeljeje të ligjit dhe të luftës janë një zjarr që shumë shpejt do të përhapet edhe në vendet europiane dhe në botë”, u shpreh Baghaei.

Ora 12:25
Për herë të parë prej sulmeve ndaj Iranit, Izraeli hap pikën kufitare me Gazën

Izraeli njofton se ka rihapur pikën e tij kryesore të kalimit me Rripin e Gazës, një rrugë thelbësore për hyrjen e ndihmës humanitare në territorin e shkatërruar nga lufta, për herë të parë që nga sulmet ajrore të ndërmarra ndaj Iranit.

OKB-ja dhe agjencitë humanitare kishin paralajmëruar se mbyllja e pikave të kalimit po bënte që Gaza të mbetej me shpejtësi pa rezerva ushqimore dhe karburanti. Blerjet nga paniku çuan në rritje të ndjeshme të çmimeve në tregjet lokale.

Organi izraelit i mbrojtjes Cogat, i cili kontrollon pikat e kalimit, deklaroi se mbyllja e Kerem Shalom ishte për shkak të “kërcënimit nga raketat”, që rrezikonte si punonjësit izraelitë ashtu edhe ata palestinezë. Më herët, ai kishte këmbëngulur se furnizimet ekzistuese do të “mjaftonin për njëfarë kohe”.

Burime lokale thanë për BBC se kamionë palestinezë me ndihma u dërguan këtë mëngjes në Kerem Shalom, por ende nuk janë kthyer me mallra.

Ndërkohë, pika kufitare e Rafahut me Egjiptin, dalja kryesore për evakuimet mjekësore. mbetet e mbyllur. Cogat tha se ajo “do të rihapet sapo ta lejojë situata e sigurisë”.

Ora 12:22
Hezbollahu akuza Izraelit: Kërkon luftë të hapur, do t'i rikthehemi rezistencës

1772537145_Capture.JPG

Hezbollahu paralajmëron për luftë të hapur me Izraelin. Zyrtari i lartë i grupit shiit, Mohamoud Komati, tha se pas më shumë se një viti respektim të armëpushimit, ndërsa sipas tij Izraeli vazhdonte sulmet në Liban, “nuk na mbetet tjetër veçse të kthehemi në rezistencë”.

“Armiku sionist donte një luftë të hapur, që nuk e ndaloi kurrë pas marrëveshjes së armëpushimit. Atëherë, le të jetë luftë e hapur”, deklaroi Komati. Ai sulmoi edhe qeverinë libaneze që i ka quajtur të paligjshme veprimet e Hezbollahut dhe i ka kërkuar të dorëzojë armët, duke thënë se autoritetet nuk ndërhynë për të ndalur sulmet ajrore izraelite që, sipas tij, kanë vazhduar pothuajse çdo ditë për 15 muaj.

Ora 12:18
Konflikti në Lindjen e Mesme, reagon Ankaraja: Në luftë s’futemi, por dimë të mbrohemi!

1772536817_thumbsbcfe9ff0bc79a6dd6071764521807c58471.jpg

Turqia nuk do të përfshihet në konflikt, por paralajmëron se është gati të mbrojë veten nëse preket. Ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, e bëri të qartë se Ankaraja nuk ka ndërmend të hyjë në luftë, edhe pse situata në rajon po përshkallëzohet.

“Për Iranin flas në mënyrë të pavarur sepse nuk do të hyjmë në këtë konflikt. Turqia ka gjithçka për t’u mbrojtur, por u kam thënë qartë palëve: stabiliteti i rajonit është në interes të të gjithëve. Shpresoj në fundin e menjëhershëm të përplasjeve dhe në diplomaci”, deklaroi Fidan.

Ora 12:12
Rusia i del në mbrojtje Iranit, Lavrov: Nuk ka prova që Irani ka armë bërthamore

1770382208_sergeilavrov.jpeg

“Nuk ka prova që Irani ka armë bërthamore.” Kështu u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke theksuar se sipas të dhënave nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe inteligjenca amerikane, Teherani “nuk ka prodhuar armë bërthamore dhe nuk kishte në plan ta bënte këtë”.

Lavrov shtoi se është “jorealiste” t’i kërkohet Iranit të jetë i vetmi vend në botë që heq dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit. “Kjo e drejtë u përket të gjitha shteteve të tjera”, tha ai, duke shtuar se Moska mbetet e hapur për dialog me SHBA dhe Izraelin, por se “nuk ka qartësi” për objektivat që ndjek Uashingtoni në Iran.

Ora 12:06
Turqia kritikon Izraelin për sulmet në Iran, Ministri Fidan: Netanyahu synon ndryshim regjimi

1772536028_HakanFidan.JPG

Ankaraja akuzon hapur Izraelin se po synon rrëzimin e regjimit në Teheran. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se Benjamin Netanyahu “tani nuk e sheh më vetëm kapacitetin e Iranit si kërcënim, por vetë regjimin” dhe se “objektivi është një ndryshim regjimi”. Sipas tij, për momentin “nuk duket se ka një valë trazirash brenda Iranit” që mund ta çojë vendin në atë pikë.

Fidan paralajmëroi edhe për rrezikun e përhapjes së krizës në rajon, duke thënë se sulmet iraniane ndaj vendeve të Gjirit mund të krijojnë një krizë sigurie dhe se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të sillte luhatje të forta në tregjet globale të energjisë. “Duam që sulmet të ndalen menjëherë dhe diplomacia të rifillojë”, tha ai, duke shtuar se asnjë nga rreth 20 mijë qytetarët turq në Iran nuk është lënduar nga sulmet.

Ora 11:56
Konflikti në Lindjen e Mesme, OKB: Të paktën 30 mijë njerëz janë zhvendosur në Liban

1772535433_Capture.JPG

Të paktën 30 mijë persona janë zhvendosur në Liban si pasojë e përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i UNHCR-së, Babar Baloch, tha në Gjenevë se “po raportohen lëvizje të mëdha të popullsisë” në jug të Libanit, në Luginën Bekaa dhe në periferinë jugore të Bejrutit, pasi Izraeli paralajmëroi evakuimin e mbi 53 fshatrave dhe kreu sulme të forta ajrore.

Agjencia e OKB-së shtoi se, deri tani, nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme përtej kufijve të Iranit me Afganistanin dhe Turqinë, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar.

Ora 11:55
Ushtria izraelite: Kemi goditur presidencën e Iranit

Ushtria izraelite njofton se forcat ajrore kanë goditur kompleksin e udhëheqjes së regjimit iranian.

Në një deklaratë në Telegram, IDF raporton se  janë hedhur “municione të shumta” mbi Zyrën Presidenciale dhe Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare.

Gjithashtu, shtohet se janë goditur edhe një institucion ushtarak për trajnimin dhe “infrastrukturën kyçe të regjimit”.

Ushtria izraelite thekson se kompleksi është përdorur më parë nga Lideri Suprem, ajatollahu Ali Khamenei, i cili u vra në kompleksin e tij gjatë sulmeve amerikano-izraelite gjatë fundjavës.

Ora 11:52
Sulmi iranian ndaj ambasadës amerikane në Riad, Arabia Saudite: Kemi të drejtë të kundërpërgjigjemi

Arabia Saudite ka dënuar sulmin e Iranit ndaj ambasadës amerikane në Riad dhe ka theksuar se ruan të drejtën për t’iu përgjigjur.

Arabia Saudite ka dënuar “me forcë” sulmin iranian ndaj ambasadës amerikane në Riad, duke e cilësuar atë “të pabesë dhe të paarsyeshëm”.

Në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme, Riadi thekson se sulmi ndodhi pavarësisht se e kishte bërë të qartë se “nuk do të lejojë përdorimin e hapësirës ajrore dhe territorit të tij për të goditur Iranin”.

Komunikata nënvizon se mbretëria ripohon të drejtën e plotë për të marrë të gjitha masat dhe vendimet e nevojshme për të mbrojtur sigurinë, integritetin territorial, qytetarët dhe banorët e saj, si dhe interesat vitale, përfshirë edhe mundësinë për t’iu përgjigjur çdo agresioni.

Ora 11:49
Lufta në Iran/ Kremlini: S’ka asnjë telefonatë mes Putin-it dhe Trump-it, por Rusia kërkon uljen e tensioneve

1772535100_Capture.JPG

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Mes përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme, Kremlini konfirmon se nuk ka asnjë bisedë të planifikuar mes Vladimir Putinit dhe president Donald Trump për situatën në Iran. “Për momentin nuk është parashikuar një telefonatë me Trump, nuk është në axhendën e presidentit”, tha zëdhënësi Dmitry Peskov.

Ai shtoi se Putin “po bën çdo përpjekje për të kontribuar të paktën në një ulje të pjesshme të tensioneve”, duke theksuar se në bisedat me liderët e rajonit është premtuar se shqetësimet për sulmet ndaj infrastrukturës do t’i përcillen Iranit.

Ora 11:48
Lufta në Iran, Gjysmëhëna e Kuqe raporton 787 viktima

Deri tani, 787 persona janë vrarë në Iran nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit qw nisën të shtunën, njofton Shoqata e Kuqës së Gjysmëhënës së Kuqe iraniane.

Ndërkohë, Aktivistët për të Drejtat e Njeriut me bazë në SHBA (HRANA) raportojnë se 742 civilë kanë humbur jetën, përfshirë 176 fëmijë.

Ora 11:40
Irani kërcënon Europën: Çdo aksion ushtarak i tyre do konsiderohet akt lufte

1772535129_aragchi.JPG

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar vendet evropiane të mos përfshihen në konfliktin aktual në Lindjen e Mesme, duke thënë se çdo aksion ushtarak evropian do të konsiderohet një akt lufte që kërkon përgjigje. Kjo deklaratë, sipas raportimeve, u bë publike përmes medias iraniane Teheran Times, duke iu referuar mesazhit të qeverisë së Teheranit për Brukselin, dhe pas një vale sulmesh e kundër-sulmesh që kanë shpërthyer mes Iranit dhe forcave të tjera ndërkombëtare. Kjo deklaratë vjen në një moment tensioni të lartë, pasi konflikti është zgjeruar dhe disa vende evropiane tashmë po shqyrtojnë mënyra mbrojtjeje ose angazhimi, përfshirë edhe përforcime të sigurisë së bazave të tyre ushtarake në rajon. Të hënën një dron iranian shpërtheu në bazën ajrore britanike në Akrotiri të Qipros. 

Ora 08:39
Trupat izraelite hyjnë në Liban, ministri i Mbrojtjes: Hezbollahu do të paguajë për sulmet

 

 

Trupat e Forcës së Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë hyrë në Liban.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, thotë se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu “kanë autorizuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të avancojnë dhe të marrin në kontroll zona strategjike shtesë në Liban për të parandaluar zjarrin mbi komunitetet izraelite në kufi”.

 “IDF vazhdon të veprojë fuqishëm kundër objektivave të Hezbollahut në Liban. Organizata terroriste po paguan dhe do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë për sulmet e saj kundër Izraelit”, tha ai.

Katz shton se Izraeli është i vendosur të “mbrojë komunitetet në kufi”, duke thënë: “U premtuam siguri komuniteteve të Galilesë, dhe këtë do të realizojmë.”

Hezbollahu njoftoi se ka goditur bazën Nafah në Alpet e Golanit me një “breshëri të madhe raketash”, si dhe bazat ajrore Meron dhe Ramat David në veri të Izraelit, me dronë.

Ora 08:08
Netanyahu për sulmet në Iran: Po ndërtonin objekte të reja bërthamore, duhej të vepronim tani

1772521840_1760855199benjaminnetanyahu.webp

Në një intervistë për Fox News, Benjamin Netanyahu thotë se sulmet ndaj Iranit nisën për shkak se kishin nisur ndërtimin e objekteve të reja bërthamore.

“Arsyeja pse duhej të vepronim tani është sepse, pasi goditëm objektet e tyre bërthamore dhe programin e tyre të raketave balistike… ata filluan të ndërtonin objekte të reja… bunkerë nëntokësorë që do të bënin programin e tyre të raketave balistike dhe programin e tyre të bombave atomike imunë ndaj ndërhyrjes brenda disa muajsh,” tha kryeministri i Izraelit. “Nëse nuk veprohej tani, nuk do të mund të veprohej në të ardhmen,” shtoi ai.

Ora 07:57
Lufta në Iran, Rusia dhe Arabia Saudite: Jepini fund!

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, dhe ai saudit, Faisal bin Farhan Al Saud, kanë kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës në Lindjen e Mesme. “Ministrat”, thuhet në një njoftim, “shkëmbyen mendime për situatën në Iran përmes një bisede telefonike pas agresionit të SHBA-ve dhe Izraelit”.

Rusia dhe Arabia Saudite kërkojnë “përfundimin e menjëhershëm të çdo lufte dhe masa urgjente për të parandaluar sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, si në Iran ashtu edhe në vendet fqinje”.

Palët gjithashtu kanë njohur “pasojat e paparashikueshme që mund të ketë eskalimi pa precedent i konfliktit për të gjithë rajonin” dhe “kanë shprehur shqetësim për rreziqet që vendet e treta, kryesisht shtetet arabe të Gjirit Persik, të përfshihen në konflikt”.

Ora 07:52
Trump: Kemi përplot municione, mund të luftojmë përgjithmonë

1772520820_1770031889donaldtrump.JPG

Presidenti Donald Trump ka përdorur platformën Truth Social për të komentuar mbi rezervat amerikane të municioneve të “nivelit mesatar dhe mesatar të lartë”, duke shtuar se luftërat “mund të zhvillohen ‘përgjithmonë’… duke përdorur vetëm këto furnizime”.

“Kemi një furnizim pothuajse të pakufizuar me këto armë. Shtetet e Bashkuara janë të pajisura dhe gati për të fituar, shumë!!!” shkroi Trump.

Në deklaratat e tij më të fundit, ai akuzon gjithashtu paraardhësin e tij, Joe Biden, se i ka dhënë Ukrainës “shumë armë super të avancuara” të SHBA-ve.

Në fund të mandatit të tij katërvjeçar, Biden i kishte lejuar Ukrainës të përdorte raketat e fuqishme me rreze të gjatë ATACMS, të afta për të goditur deri në 300 kilometra.

Ora 07:47
Imazhet satelitore/ Prodhon rreth 550,000 fuçi nafte në ditë, dëmtohet rafineria në Arabinë Saudite

Imazhe të reja satelitore të analizuara nga BBC Verify tregojnë dëme në një rafineri të madhe nafte në Arabinë Saudite pas sulmeve me dronë. Imazhet tregojnë zjarr dhe djegie rreth kullave të ftohjes në zonën qendrore të rafinerisë, e cila ndodhet në qytetin lindor Ras Tanura.

Zona përbëhet nga një seri tubacionesh që lidhin njësitë e ndryshme të magazinimit me molin qendror të objektit, i cili zakonisht është në gjendje të furnizojë njëkohësisht katër cisterna. Objekti ka një kapacitet prodhimi prej 550,000 fuçish në ditë.

Kompania e naftës Aramco njoftoi sot se u detyrua ta mbyllë përkohësisht rafinerinë për shkak të sulmit.

Ora 07:40
Irani shkatërron bazat ajrore amerikane në Bahrein, Trump s’e humb toruan: Është pjesë e luftës

Sulmet iraniane kanë shkatërruar selinë kryesore të një baze ajrore amerikane në Bahrein. Valë raketash kanë shpërthyer objektivat e tyre në distancë dhe kanë shkaktuar shpërthimin e depozitave të karburantit.

Por Donald Trump nuk është i shqetësuar për sulmet iraniane ndaj bazave amerikane në rajon apo për veprime të mundshme në territorin amerikan. “Jo, është pjesë e luftës, është pjesë e luftës, të na pëlqejë apo jo, kështu funksionon,” tha presidenti amerikan për NewsNation.

Ora 07:35
Pas sulmit në Riad, SHBA mbyll ambasadën në Kuvajt

Ambasada e SHBA-ve në Kuvajt është mbyllur “deri në njoftim të dytë”, sipas një postimi në llogarinë e saj në X, duke përmendur “tensionet e vazhdueshme rajonale”.

Ambasada njofton se “kemi anuluar të gjitha takimet konsullore të rregullta dhe emergjente”.