Shqipëria po preket nga Lufta në Lindjen e Mesme. Pasojat ekonomike kanë nisur të reflektohen menjëherë në tregun e hidrokarbureve. Këtë të mërkurë në disa pika karburantesh në Tiranë çmimi ka arritur në 179 lekë litri, nga 173-175 lekë/ litri një ditë më parë. 

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim. Në njoftimin e tij, Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve.

 Shtrenjtimi i karburantit menjëherë vjen pas rreth 1 viti të pandryshuar, edhe pse në fakt duhet të ishte ulur, pasi dollari monedha me të cilën importohet nafta është zhvlerësuar me gati 12.48 lekë brenda vitit. Nga 95 lekë një dollarë vjet, këtë mars ka zbritur në 82.5 lekë.

Deputeti socialist Erion Braçe një ditë më parë ka ngritur në kryesinë e PS, shqetësimin për abuzimin e mundshëm me cmimet, ndërsa ka kujtuar funksionimin e bordit të hidrokarbureve, kur 4 vjet më parë nisi lufta në Ukrainë.

“Nëse do jetë profesional dhe me fokus interesin publik, mund të jetë një nga kundërmasat ndaj abuzimit”, thekson Braçe.

Por shtrenjtimi i karburantit është vetëm fillimi i një zinxhiri që rrezikohen të shtrihet dhe në produkte e shërbime të tjera, për shkak të rritjes së kostove të transportit. Njëjtë siç ndodhi edhe në vitin 2022, kur nisi lufta në Ukrainë.

Një ditë më parë konfindustria i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa për të mbajtur nën kontroll tregun e karburanteve. Në reagim theksohej se duhet të garantohet rezerva strategjike 3 mujore. Aktualisht në bursë, çmimi i naftës bruto për fuçi luhatet në 82-83 dollarë.

Shqipëria është vend importues i naftës dhe gazit që konsumon, dhe vetëm gjatë vitit të kaluar konsumi i karburantit në vendin tonë arriti në 761 mijë tonë, nga 683 mijë tonë në vitin 2024.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:00
Nafta shtrenjtohet me 6 lekë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, 'Konkurrenca': Po monitorojmë karburantet, s'do tolerohen rritjet e pajustifikuara

1772633076_90001772632593xfotomonitorimiikarburantevengaak695.png

Shqipëria po preket nga Lufta në Lindjen e Mesme. Pasojat ekonomike kanë nisur të reflektohen menjëherë në tregun e hidrokarbureve. Këtë të mërkurë në disa pika karburantesh në Tiranë çmimi ka arritur në 179 lekë litri, nga 173-175 lekë/ litri një ditë më parë. 

Autoriteti i Konkurrencës njofton se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim. Në njoftimin e tij, Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve.

Njoftimi i plotë:

Autoriteti i Konkurrencës njofton se, mbështetur në ligjin nr. 9121/2003, ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.

Bëjmë me dije se, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim nga Autoriteti i Konkurrencës. Në rast se vërehen luhatje të çmimeve që tejkalojnë masën e ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, Autoriteti, në zbatim të ligjit nr. 9121/2003, do të ndërmarrë masat e nevojshme sipas kompetencave të tij.

Në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillime të tjera ekonomike apo gjeopolitike. Si rrjedhojë, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, pritet që luhatjet e çmimeve në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me masën e ndryshimeve që regjistrohen në bursë. Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë edhe rritje e pakoordinuar por më e shpejtë apo më e theksuar se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si dhe asnjë formë të mundshme koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktikash të bashkërenduara mes operatorëve të tregut.

Me këtë proces monitorimi, Autoriteti synon të garantojë transparencë, funksionim të rregullt të tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmime të padrejta apo nga sjellje që cenojnë konkurrencën.

Sqarojmë se, në përputhje me misionin dhe kompetencat e përcaktuara për Autoritetin e Konkurrencës, të gjitha monitorimet dhe procedurat e mundshme hetimore kryhen vetëm në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pa u ndërthurur me atributet që i përkasin institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend.