Çmimi i naftës në tregun shqiptar është rritur përsëri këtë të martë. Në pikat kryesore po tregtohet me 198 lekë litri, duke u shtrenjtuar me 25 lekë që prej 4 marsit kur u bë rritja e parë e çmimit.
Teksa qeveritë e rajonit kanë marrë masa për të menaxhuar situatën e shtrenjtimit të karburantit, në Shqipëri ende nuk ka një vendimmarrje.
Report TV mëson se Ministria e Ekonomisë ka mbledhur përsëri në një takim kompanitë e hidrokarbureve këtë të martë, për situatën e krijuar në furnizimin me karburant dhe shtrenjtimin e naftës.
Në takim është diskutuar vetëm për kontrollin e kompanive. Sipas informacioneve do të shtohen kontrollet nga ministria e Financave dhe e Energjisë, për çdo ditë, dhe nëse do të konstatohen abuzime, do të ketë masa ndëshkuese nga sekuestro deri tek gjoba 10 fish më të larta sa tani.
Gjithashtu Ministria e Financave ka përgatitur një plan masash për të mbajtur në kontroll situatën, por që nuk pritet as ngritje e bordi të transparencës dhe as rishikim taksash.
Ndërkohë Konfindustria i bën thirrje qeverisë të ndërtojë impiantin e përpunimit të naftës shqiptare, ndryshe çmimi i naftës në treg shumë shpejt mund të arrijë në 250 lekë për litër, siç ndodhi kur filloi lufta në Ukrainë.
"Konfindustria i kërkon qeverisë të fillojë sa më shpejt projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare, si mënyra më efektive për përballimin e pasojave të paparashikuara ekonomike dhe sigurisë kombëtare nga lufta në Gjirin Persik. Në këtë rast kërkohet, që të ndryshojë Buxheti 2026, me qëllim përfshirjen e shpejtë të ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare në vend si investim shtetëror. Gjithashtu, kërkohet të përmirësohet thelbësisht organizimi i prodhimit, tregëtimit, ngarkesës fiskale dhe monopolizimit të sotëm të gjithë tregut të hidrokarbureve. Është krejtësisht e papranueshme, që Shqipëria si vend zotërues i rezervave të mëdha të naftës, të jetë në varësi të plotë të importeve dhe lëvizjeve të cmimeve të tregjeve botërore. Çmimi i naftës në tregun shqiptar po arrin në kufirin e 200 lekë/litër dhe parashikohet, që shpejt të rrezikojë tejkalojë kufirin e 250 lekë/litër të vendosur në vitin 2022 në rastin e fillimit të luftës në Ukrahinë. Ndërtimi i impiantit shqiptar të përpunimit të naftës vendore është mjeti më efektiv i përhershëm për të lehtësuar pasojat shkatërruese ekonomike dhe financiare nga furnizimet dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. karburanteve", thuhet në reagim.
Komente











