Deputeti socialist Erion Braçe i është rikthyer debatit për zaptimin e hapësirave publike në Tiranë duke reaguar ndaj fjalëve që sipas tij qarkullojnë se hapësirat që u liruan vitin e kaluar në zonën e Komunës së Parisit po rikthehen sërish në përdorim nga bizneset me miratimin e tij.

Braçe e mohon kategorikisht këtë spekullim duke insistuar se nuk ka pasur asnjë komunikim apo marrëveshje me askënd për t’i rikthyer këto hapësira në përdorim privat.

“Im atë me tha javën e shkuar se qarkullojnë fjalë në Komunën e Parisit sipas të cilave, hapësirat publike që janë rizënë nga lokale e parkingje, i ke lejuar ti! I thashë dhe po ua them dhe juve: kur unë ndërmarr një veprim në territor, siç ishte aksioni për lirimin e hapësirave publike kudo, e mendoj mirë dhe nuk kthehem kurrë pas; ndjek interesin publik dhe jo atë privat, edhe kur ky interes është i miqve të mi! Kështu që zero marrëdhënie, zero komunikim, zero fjalë dhënë nga unë që privatët të rimarrin përsëri hapësirën publike për lokale e parkingje, të cilën ne e rimorëm vjet gjate verës e vjeshtës! zeeeroooo! Është dikush tjetër që kur ndodhin prishjet ju thotë njerëzve “e keni prej Braçes” dhe kur rimarrin territorin u thotë njerëzve “i ka lënë Braçe”!! Ju gënjen! Unë kam veç një busull: interesi publik i qytetareve dhe jo interesi privat edhe i miqve te mi” shkroi ai në rrjete sociale

Deputeti thotë se këtë shqetësim e ka ngritur edhe dy javë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar me qeverinë. Sipas tij, kryeministri ka kërkuar që të nxirret sa më shpejt një rregullore e re për menaxhimin e hapësirave publike.

“Kryeministri dha porosi të qartë për nxjerrjen sa me parë të rregullores së re për hapësirat publike; ndërkohë që projektet për hapësira publike e private në këto zona janë hartuar nga studio të huaja arkitekture dhe po bëhen gati për bashkinë që duhet t’i mbështesë dhe të interesuarit” tha Braçe

Në fund të reagimit të tij, Braçe thotë se institucionet duhet të reagojnë dhe të mos fshihen përballë rasteve të paligjshmërisë. Njësoj siç tha edhe kryeministri Rama më herët, zaptimi i hapësirave publike duhet të marrë fund njëherë e mirë.