Lufta në Ukrainë/ Putin shpall gjendje lufte në 4 rajone ukrainase! Biden: Putini brutalizon ukrainasit sepse ata janë në telashe, por do të dështojnë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ka shpallur gjendje lufte në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, pasi pretendon se i ka aneksuar. Gjithashtu akuzoi Kievin për refuzimin e negociatave dhe bombardimeve në territorin rus. Teksa janë dëgjuar shpërthime në qendër të Kievit, sulmet me raketa në termocentrale në Ukrainë kanë lënë në errësirë 1/3 e vendit pasi pati ndërprerje të energjisë në disa qytete. Ndërkohë ka filluar edhe evakuimi i civilëve në Kherson.

Kreu i operacioneve të Moskës në Ukrainë, Sergei Surovkin , paralajmëron: "Veprimet e mëtejshme në Kherson do të varen nga zhvillimi i situatës, e cila nuk është e lehtë. Vendimet e vështira nuk mund të përjashtohen." Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara  vijojnë të theksojnë se trajnerë iranianë po ndihmojnë rusët për sulmet me dronë.

Teksa lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizë në hidrokarbure, gjë që ka shkaktuar dhe rritjen e tyre të çmimit, presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se nga dhjetori do të nxirren 15 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike, për të ulur çmimin e karburanteve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:11
Shefi i mbrojtjes britanike: Retorika bërthamore e Putinit, thellësisht e papërgjegjshme

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Britanisë, admirali Tony Radakin, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të qëndrojë i bashkuar, kundër asaj që ai e quajti retorikë “thellësisht të papërgjegjshme” të presidentit rus, Vladimir Putin, sa i përket kërcënimeve për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

“Atij [Putinit] i kanë mbetur pak opsione. Prandaj po përdor retorikë bërthamore.  Dhe përderisa kjo është shqetësuese dhe thellësisht e papërgjegjshme, është shenjë e dobësisë, dhe kjo është arsyeja kryesore pse komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë i fortë dhe i bashkuar”, shtoi Radakin.

Ministri i Mbrojtjes së Britanisë, Ben Wallace, u takua gjatë kësaj jave me homologun e tij amerikan për të diskutuar për shqetësimet e sigurisë lidhur me situatën në Ukrainë, që po përballet me pushtimin rus që nga 24 shkurti. I pyetur nga gazetarët se sa ka gjasa që Putin po përgatitet të kryejë sulme bërthamore në Ukrainë, Radakin refuzoi që t’i përgjigjej drejtpërdrejt kësaj pyetjeje.

“Unë vetëm dua të theksojë pamaturinë e Rusisë në përdorimin e retorikës lidhur me armët bërthamore, dhe mendoj se kjo tregon dëshpërim... Ne duhet të përqendrohemi në mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën dhe të mos shpërqendrohemi nga kjo retorikë e pamatur”, tha ai.

“Diktatorët zakonisht frymëzohen nga diktatorët e tjerë”, tha Jakup Kalensky, i cili mendon se rehabilitimi i figurës së Josef Stalinit gjatë udhëheqjes së Putinit, tregon se udhëheqësi rus justifikon krimet e së kaluarës me qëllim që të kryejë krime të reja.

Britania, së bashku me shtetet e tjera perëndimore po i dërgojnë armë dhe ndihmë tjetër Ukrainës, teksa kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës. Më 19 tetor, Putin përshkallëzoi edhe më tej konfliktin duke shpallur gjendje lufte në katër rajone ukrainase, që Moska pretendon se i ka aneksuar. Rajoni i Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjës – që Moska thotë se i ka aneksuar – janë të pushtuara pjesërisht nga forcat ruse.

Ora 21:22
Biden: Putin brutalizon ukrainasit sepse ata janë në një situatë 'tepër të vështirë', por ai do të dështojë

Presidenti i SHBA, Joe Biden thotë se presidenti rus Vladimir Putin është gjendje tepër të vështirë dhe do të dështojë. Këtë koment Biden e bëri teksa deklaroi lëshimin e 15 milionë fuçive të tjera nafte nga rezervat strategjike

"Vladimir Putin është në një situatë tepër të vështirë dhe mjeti i tij i vetëm është të brutalizojë qytetarët ukrainas, por ai do të dështojë”, tha Biden.  

Ora 19:21
Lufta në Ukrainë, BE jep 175 milionë euro për strehimore të përkohshme në sezonin e dimrit

Komisioni Evropian shpall një program të ri të strehimoreve emergjente dhe objekteve dimërore për Ukrainën. Komisioni do të sigurojë 175 milionë euro shtesë në ndihmë humanitare për të mbështetur ata që kanë më shumë nevojë në Ukrainë dhe Moldavi.

"Ndërsa Rusia është duke përshkallëzuar më tej sulmet e saj brutale ndaj Ukrainës, duke synuar infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit në veçanti, unë jam këtu në Kiev për të përsëritur se BE-ja është po aq e përkushtuar sa kurrë për mbështetjen e saj për Ukrainën. Ka gjasa që dimri i ardhshëm do të sjellin sfida të mëdha për vendin dhe ne duhet të jemi të përgatitur”, shpjegoi komisioneri për Menaxhimin e Emergjencave, Janez Lenarçiq. "Përmes rezervës sonë rescEU, strehimoret e përkohshme do të vendosen menjëherë në tre rajone të ndryshme të Ukrainës: Rivne, Bucha dhe Kharkiv. Përveç kësaj, BE-ja po rrit fondet e saj të ndihmës humanitare me një shtesë prej 175 milionë eurosh për të ofruar arsim, ushqim, akses në ujë dhe mbrojtje nga dimri i ftohtë për më të cenuarit. Ne po punojmë gjithashtu së bashku për të përgatitur rrugën për anëtarësimin e Ukrainës në mekanizmin e mbrojtjes civile të BE-së", shtoi ai.

Ora 19:08
PE i jep 'popullit të guximshëm ukrainas' çmimin Sakharov 2022! Zelensky: Mirënjohje, mbështetja e Brukselit e rëndësishme për Ukrainën

Parlamenti Evropian ka ndarë Çmimin Sakharov për “popullin e guximshëm të Ukrainës” në betejën e tyre kundër pushtimit të paprovokuar rus. PE-ja tha se çmimi i ndahet “ukrainasve të guximshëm, të përfaqësuar nga presidenti i tyre, Volodymyr Zelensky, liderët e tyre të zgjedhur dhe pjesëtarët e shoqërisë civile”.

“Ky çmim është për ata ukrainas që po luftojnë në terren. Për ata që janë detyruar të largohen. Për ata që kanë humbur familjarët dhe miqtë e tyre. Për të gjithë ata që janë ngritur dhe po luftojnë për atë që besojnë”, tha presidentja e PE-së, Roberta Metsola.

Presidentja e Komsionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian Charles Michel uruan Zelenskyn për çmimin.

"Urime popullit ukrainas, i përfaqësuar nga presidenti i tyre Zelensky. Fryma dhe vendosmëria e tyre për të luftuar për vlerat që na interesojnë është një frymëzim për të gjithë ne. BE-ja është në anën e popullit të guximshëm ukrainas. Tani dhe për për aq kohë sa është e nevojshme”.

 “Çmimi Sakharov për Popullin e Ukrainës është një tjetër njohje e guximit të tij dhe luftës së tij për liri, demokraci dhe vlerat e patjetërsueshme të BE-së. Në Këshillin Evropian do të fokusohemi në vazhdimin e ndihmës, do të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Slava Ukraini", theksoi Michel.

Nga ana tjetër presidenti Zelenksy i shprehu mirënjohjen  Parlamentit të BE-së për çmimin Saharov.

"Mirënjohës për Parlamentin Evropian për dhënien e çmimit Sakharov për popullin ukrainas. Ukrainasit demonstrojnë çdo ditë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë në fushën e betejës, kundër shtetit terrorist të Federatës Ruse. Ukrainasit demonstrojnë çdo ditë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë në fushën e betejës kundër shtetit terrorist rus”. Mbështetja nga Brukseli është shumë e rëndësishme për Ukrainën", shkroi Zelensky.

Ora 14:53
Putin shpall gjendje lufte në katër rajonet e aneksuara ukrainase

1665760654_fdghsrfhrehy.JPG

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ka shpallur gjendje lufte në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, duke u dhënë fuqi shtesë krerëve të rajoneve të Rusisë.

Këto katër rajone ukrainase Moska pretendon se i ka aneksuar.

“Kam nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së luftës në këto katër subjekte të Federatës Ruse”, tha Putin gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, që u transmetua drejtpërdrejt.

Kremlini më pas publikoi dekretin ku thuhet se gjendja e luftës do të hyjë në fuqi që në mëngjesin e 20 tetorit.

Ora 11:39
Gjenerali rus: Situata është e tensionuar! Pritet të merren vendime të vështira

1666172440_generalsergeisurovikinsixteennine.jpg

“Situata është e tensionuar”, kështu tha komandanti i forcave ruse në Ukrainë, Sergei Surovin duke shtuar se po bëhet evakuimi i civilëve në Kherson. Sipas tij, forcat ukrainase sulmojnë pozicionet e forcave ruse.

“Veprimet e mëtejshme në Kherson do të varen nga zhvillimet taktike dhe ushtarake të situatës, gjë që nuk është e lehtë. Nuk do të përjashtohen vendimet e vështira," tha ai.

/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 19/10/2022 19:38

    Tani filloi lufta Zoti na ruajt nga lufte nxitesit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Jasir Asani zbulon prapaskenat: Pa kaluar kufirin isha i Kukësit, më pas vendosi telefonata

Jasir Asani zbulon prapaskenat: Pa kaluar kufirin isha i Kukësit, më pas vendosi telefonata