Lufta në Ukrainë, Bollino: Përfshirja e Lavrov, shpresë për zgjidhje diplomatike! Është pjesa e moderuar e Rusisë! Situata ndihmon hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershor

Emisoni ‘Kontrast’ trajtoi mbrëmjen e së premtes në ekranin e ‘Report TV’ zhvillime më të fundit nga lufta në Ukrainë. I ftuar në studio, gazetari Carlo Bollino u shpreh optimist kur vuri në dukje se nga dje një aktor i tretë ka hyrë në skenë dhe ai është ministri Sergei Lavrov. Sipas Bollinos, kjo tregon se ekziston mundësia për të gjetur një zgjidhje diplomatike, pasi Lavrov përfaqëson pjesën e moderuar të qeverisë ruse.

“Nga dje është futur në skenë një aktor i dytë, që është ministri Lavrov. Nga njëra anë kishim pjesën agresive që ishte Putin me ministrin e Mbrojtjes dhe nga ana tjetër ishte Lavrov i cili nuk kishte folur ende. Dje zoti Lavrov foli me një gjuhë tjetër duke dhënë shpresë e duke u shprehur se mund të gjendet një zgjidhje diplomatike. Putin dhe Lavrov mund të luajnë si polici i mirë, polici i keq, për të kërkuar një rrugëdalje. Edhe pse negociatat janë fasadë, kanë një rëndësi. Fakti që kanë kërkuar takim nesër apo pasnesër tregon se pala ruse ka interes të mbyllet lufta. Sikundër pala ukrainase, sigurisht” – tha Bollino.

Por ndërkohë, Bollino shtoi se problemi më i madh për momentin me Putin është fakti që ky i fundit është bërë i pabesueshëm me deklaratat e tij. Ai shtoi se Putin synon të marrë nën kontroll ushtrinë në Ukrainë dhe më pas të instalojë një qeveri pro-ruse.

“Putin po kërkon të marrë kontrollin ushtarak në Ukrainë dhe më pas të vendosë një qeveri kukull nën kontrollin e tij siç ka qenë para vitit 2014. Të paktën kjo është publike dhe që ai e pranon. Por tek Putin bota nuk ka më besim sepse ai gënjen. Ne e dimë që pesë orë para se të sulmonte Ukrainën ai i siguroi në telefon disa zyrtarë që nuk do të kishte një hap të tillë” – tha Bollino.

Bollino u shpreh se kriza në Ukrainë do të sjellë edhe reflektimin e Brukselit sa i përket vendeve që janë në pritje për hapjen e negociatave. Ai u shpreh optimist dhe tha se Shqipërisë me shumë gjasa do t’i hapen negociatat në qershor.

“Unë mendoj se nga kriza e Ukrainës do të përfitojë edhe Shqipëria për hapjen e negociatave. Unë mendoj se në qershor Shqipërisë do t’i hapen negociata.

Anëtarësimi është një procedurë e gjatë që do kohën e vet, por hapja e negociatave që shqipëria e ka prej viteve, ndoshta Brukseli e ka kuptuar që nuk është ky momenti për t’i shtyrë. Të mos harrojmë se edhe në Maqedoni sapo kishte nisur lufta mes UÇK dhe qeverisë maqedonase në 2002, Brukseli vendosi statusin për marrëveshjen e stabilizim-asocimit”, u shpreh Bollino.

Ai shtoi se pavarësisht rreshtimit të Perëndimit në një kamp kundër luftës, ekziston një kontradiktë e madhe. Bollino tha se ndërkohë që BE ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ai vijon edhe sot e kësaj dite të blejë gaz prej saj.

“Deri diku kemi një Evropë të unifikuar, por ka një kontradiktë të madhe. Kemi sanksione shumë të rrepta që Perëndimi i ka vendosur Rusisë, por njëkohësisht Bashkimi Evropian vijon të importojë gaz çdo ditë dhe me paratë që blihet gazi Putin vijon të financojë luftën. Përpjekja dhe sfida e madhe për BE është që të gjejnë burime alternative. Ka një opsion që SHBA ta ndihmojë Evropën me gaz përmes transportit detar” – deklaroi Bollino.

Sipas tij, furnizimi i Ukrainës me armatim dhe ndihma nga Perëndimi është një operacion tepër i rrezikshëm pasi po kryhet nga vullnetarë dhe jo nga ushtarakë.  Ai solli në vëmendje deklaratat e Vladimir Putin dhe faktin se edhe vetë presidenti rus ka nisur t’i njohë humbjet.

“Ai deklaroi se do të japë 63 mijë euro për çdo ushtar rus të vrarë në këtë luftë, për familjarët e tyre. Dhe për çdo të plagosur 30 mijë euro” – tha deklaroi gazetari.

 

Emisioni i plotë (04.03.2022)

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion