TIRANË- Lufta në Ukrainë ka qenë temë e diskutimit në emisionin e sotëm 'Repolitix' në Report Tv të gazetarit Denis Minga. Ndonëse është e vështirë për të menduar se çfarë duhet të presim nga kjo luftë, gazetari Armand Plaka tha se Putin po luan blofin me kërcënime, duke thënë se objektivi i tij maksimal është marrja e Donbas.

"Bota ruse, do të marrë gjithçka që ka rus dhe mendoj që është e tepruar dhe blof e Putin se objektivi do të shkojë deri te Donbas që është realist,  të tjerat janë skenare që në situatë shumë të acaruar", tha Plaka.

Ish-deputeti socialist, Arben Çuko shkoi më tej duke krahasuar Putin me Hitlerin, teksa listoi edhe pikat ku sipas tij kanë ngjashmëri në mënyrën e të menduarit dhe vepruarit.

"Objektivat e agresorit, po bëj një lidhje mes Putin dhe Adolf Hitlerin, kështu filloi oreksi i madh i Hitlerit, dhe kanë shumë ngjashmëri, lufta do të zgjasë nga objektivat e Putinit, oreksi u vjen duke ngrënë këtyre diktatorëve. U prish rendi botëror me pushtimin e Ukrainës, po morëm masat për t'iu kundërpërgjigjur skenarit më të keq, se çdo lloj skenari tjetër është i menaxhueshëm. Aleanca e pa përgatitur për të përballuar një agresion, zgjidhjen përfundimtare Putin e ka pushtimin e Ukrainës. Të gjithë armët e rënda që ata kanë planifikuar kërkojnë kohë, sa t'i nxjerrin nga repartet, sa t'i trajnojnë duan kohë, dhe nga kjo duhet të diskutojmë se çfarë do të bëjnë shqiptarët", tha Çuko.

Ai tha se Shqipëria duhet të nxjerrë mësim, e të fusë shërbimin ushtarak të detyrueshëm dhe një rikonstruktim të ushtrisë.

"Duhet të ketë një rikonceptim të ushtrisë nga e para, të rifusim shërbimin e duhur ushtarak, shoqëria shqiptare duhet të ndryshojë perceptimin, se kambanat po vijnë", vijoi Çuko.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe ish- anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, Gent Malko. Ai thotë se vendi ynë duhet të ketë një strategji të re të mbrojtjes.

"Jemi të vonuar, shumë njerëz po reflektojnë, por ne jemi të vonuar, ushtrinë e kemi shkatërruar, se mund ta modernizonim, por ama e kemi shkatërruar dhe duhet të kishte kohë që të inicionim një strategji të re të mbrojtjes, se nuk duhet të varemi vetëm nga NATO, por të kemi dhe mbrojtjen kombëtare", tha Malko.

Një pyetje e tillë mund të jetë edhe në Këshillimin Publik që pritet të bëhet nga viti i këtij viti, tha deputeti socialist Lavdrim Krashi.

"Brenda vitit do bëhet Këshillimi Publik, dhe mund të jetë një pyetje", tha deputeti socialist, Krashi.

Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e saj të 64-të, dhe kërcënimet verbale të Putinit janë rritur sërish.