Rusia ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar për “pasoja” pas konfirmimeve se dronë të prodhuar në Britani janë përdorur nga Ukraina në sulmet ndaj objektivave brenda territorit rus.
Moska akuzon Londrën se po përshkallëzon qëllimisht konfliktin dhe se përfshirja britanike në luftë po bëhet gjithnjë e më e drejtpërdrejtë.
Ambasada ruse në Britani e Madhe deklaroi se Londra po vepron si “bashkëpunëtore dhe bashkëkryese” e sulmeve ndaj Rusisë.
“Veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të sjellin pasoja për të cilat ajo do të duhet të përgjigjet”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Ruse.
Moska paralajmëroi gjithashtu se sa më e thellë të jetë përfshirja e Britanisë në konflikt, aq më i lartë do të jetë “çmimi” që do të paguajë.
Britania e Madhe i është përgjigjur deklaratave të Moskës duke përsëritur mbështetjen e saj për Ukrainën. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes britanike tha se Londra qëndron “krah për krah” me Ukrainën dhe se Rusia nuk duhet të ketë dyshime për vendosmërinë e qeverisë britanike për t’iu kundërvënë agresionit rus. Sipas tij, Britania mbetet e angazhuar për t’i siguruar Ukrainës pajisjet që i nevojiten për t’u mbrojtur ndaj pushtimit rus.
Sipas BBC, dronët janë prodhuar nga dy kompani britanike dhe janë përdorur nga Ukraina në sulme brenda Rusisë. Mes objektivave të goditura janë raportuar infrastruktura ushtarake dhe industriale, rafineri nafte dhe qendra logjistike të kompanisë ruse të shitjeve online Wildberries.
Një burim ushtarak thotë se dronët britanikë janë përdorur në sulme dhe se dëmet ekonomike të shkaktuara nga operacionet ukrainase në Rusi vlerësohen në më shumë se 35 miliardë paund.








Komente
Komento