Një dron, i cili kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune pranë kufirit me Ukrainën dhe Moldavinë, u rrëzua këtë të diel nga një avion luftarak spanjoll, i cili ndodhet në mision në këtë vend anëtar të NATO-s.

Lajmin e bëri të ditur ministri rumun i Mbrojtjes që saktësoi se kapja e dronit, i cili vinte nga Moldavia, u krye nga një avion F-18 në orën 05:01 me kohën lokale, sqaroi i njëjti burim. Disa pjesë të mbetjeve ranë në një zonë të pabanuar të rajonit të Galatit, pranë kufirit me Ukrainën.

Një zëdhënës i selisë ushtarake të NATO-s deklaroi lidhur me dronin e rrëzuar më herët në hapësirën ajrore rumune se ai duket se ishte rus.

Ndërkohë sulmet me rreze të gjatë veprimi mes Rusisë dhe Ukrainës janë intensifikuar. Gjatë natës, Kievi u vu në shënjestër të një sulmi të ri me raketa në disa zona të tij por pa viktima.

Ukraina ndërkohë lëshoi një valë me 600 dronë gjatë natës. Kryebashkiaku i Moskës, Sergej Sobianin, njoftoi se tre persona mbetën të plagosur dhe se nga 600 dronë, 201 u rrëzuan në zonën përreth kryeqytetit.

Ukraina i ka intensifikuar sulmet e saj me rreze të gjatë në territorin rus, duke vënë veçanërisht në shënjestër infrastrukturën energjetike dhe atë të tregtisë online.