Europa duhet të ketë një vend në tryezën e negociatave për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, por nuk duhet të luajë rolin e ndërmjetësit neutral. Ky është mesazhi që dha ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, në një intervistë për POLITICO, ndërsa në Bashkimin Europian po rritet debati për përfshirjen direkte të BE-së në bisedimet me Moskën.

Deklaratat e Eide vijnë në një moment kur ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së po diskutojnë mundësinë e emërimit të një të dërguari special europian për luftën në Ukrainë. Sipas ministrit norvegjez, Europa nuk mund të qëndrojë jashtë negociatave, sepse shumë nga temat që diskutohen lidhen drejtpërdrejt me interesat europiane.

“Mendoj se është e drejtë që Europa të ketë një zë në tryezë. Europa ka interesa reale të sajat, që në disa raste përputhen me ato të Ukrainës, por edhe shkojnë përtej tyre”, deklaroi ai pas një takimi me shefen e diplomacisë europiane, Kaja Kallas.

Sipas Eide, çështje si heqja e sanksioneve ndaj Rusisë apo rruga e Ukrainës drejt Bashkimit Europian janë tema që vetëm Europa mund t’i vendosë, ndaj BE-ja duhet të jetë pjesë e negociatave.

“Duhet të ketë një zë europian”, insistoi ai.

Por pikërisht këtu nis përplasja me Kaja Kallas. Kryediplomatja e BE-së deklaroi se negociatat direkte me Rusinë mund të jenë “një kurth” i ngritur nga Vladimir Putin për Europën.

“Mendoj se është një kurth ku Rusia dëshiron të futemi… dhe ata tashmë po zgjedhin vetë kush u përshtatet”, tha Kallas, duke iu referuar sugjerimit të Putinit që ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder mund të ishte personi i duhur për të përfaqësuar Europën në bisedime.

Eide, i cili ka qenë i përfshirë prej vitesh në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme, bëri një dallim të qartë mes një negociatori që përfaqëson interesat europiane dhe një ndërmjetësi neutral mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Mendoj se ka një konfuzion këtu. Ndërmjetësimi do të thotë që dikush, idealisht neutral ndaj konfliktit, përpiqet të gjejë terren të përbashkët mes palëve”, tha ai. “Europianët dhe, sipas mendimit tim, edhe amerikanët duhet të jenë qartësisht në anën mbështetëse të Ukrainës.”

Debati po intensifikohet edhe për shkak se SHBA duket se ka reduktuar rolin e saj në negociatat për luftën. Sipas artikullit, njerëzit e Donald Trumpit që merreshin me ndërmjetësimin – Steve Witkoff dhe Jared Kushner – janë aktualisht të fokusuar te përpjekjet për armëpushim mes Iranit dhe palëve të tjera në Lindjen e Mesme.

Në të njëjtën kohë, si Vladimir Putin ashtu edhe Volodymyr Zelensky kanë mbështetur idenë që Europa të ketë një përfaqësues në tryezë, megjithëse secili ka ide krejt të ndryshme se kush duhet ta marrë këtë rol.

Pasi Putin përmendi emrin e Gerhard Schröderit, ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha ironizoi publikisht këtë ide. Duke folur për POLITICO, ai tha se edhe aktori francez Gérard Depardieu apo ish-ylli amerikan i filmave aksion Steven Seagal “do të ishin po aq të kualifikuar” për atë rol.

Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm në Qipro u shfaqën ndarje të forta mes vendeve europiane për mënyrën se si duhet të veprojë BE-ja ndaj Rusisë. Vendet baltike mbetën skeptike ndaj negociatave direkte me Moskën, ndërsa Belgjika mbështeti hapur idenë.

Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, deklaroi se Europa duhet të shfrytëzojë momentin pas tërheqjes relative të SHBA-së nga procesi i negociatave.

“Duhet të marrim një vendim të përbashkët, jo vetëm për personin që do të përfaqësojë Europën, por edhe për përmbajtjen që duam të vendosim në tryezën e negociatave”, tha ai.

Megjithatë, Franca dhe Gjermania kanë shfaqur kujdes ndaj idesë së emërimit të menjëhershëm të një të dërguari europian, duke argumentuar se momenti mund të mos jetë ende i duhuri. Ndërkohë, liderët e vendeve baltike vazhdojnë të mbështesin linjën e Kallas, duke paralajmëruar se Putin po përpiqet ta përdorë procesin e negociatave për të përçarë Europën.

Por për Eide, momenti aktual e bën të nevojshme përfshirjen europiane, sidomos duke parë se Ukraina ka arritur goditje të suksesshme në territorin rus dhe po frenon ofensivën verore të Moskës. Në fund, ministri norvegjez e përmblodhi me një krahasim të thjeshtë:

“Është si në gjykatë: është edhe avokati, edhe gjyqtari. Të dy kanë role të rëndësishme, por nuk janë e njëjta gjë.”