Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se më shumë se 7,000 ushtarë të Koresë së Veriut me pajisje dhe armë ruse u transportuan në zonat afër Ukrainës.
Të paktën 2 banesa ndërtimi u përfshinë nga flakët pas një sulmi që Rusia bëri gjatë orëve të natës në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i bashkisë, Vitaly Klitschko me anë të një postimi në Telegram. Më tej ai informoi se edhe një person ka mbetur i plagosur.
Në lagjen Sviatoshynskyi, sulmi me dron shkaktoi një zjarr në një sipërfaqe prej 50 metrash katrorë dhe dëmtime të pjesshme në apartamente në katet e 15-të dhe të 16-të të një ndërtese banimi 16-katëshe.
Ndërsa në zonën Dniprovskyi, bastisjet ruse shkaktuan zjarr në ballkonin e një ndërtese banimi nëntëkatëshe, me një sipërfaqe prej 2 metrash katrorë.
Ndërkohë Shërbimi i Emergjencave evakuuan banorët e ndërtesave.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:12
Kievi: 7 mijë ushtarë të Koresë së Veriut po vijnë drejt territorit tonë
Inteligjenca ushtarake ukrainase ka njoftuar se më shumë se 7,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë pajisur me armatime ruse dhe po transportohen në zonat afër Ukrainës.
Agjencia e inteligjencës brenda Ministrisë së Mbrotjes ukrainase, thotë se trupat e Koresë së Veriut janë trajnuar për të luftuar përkrah Moskës kundër Kievit.
Së fundmi, ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son-Hui, u prit në Moskë nga homologu rus, Sergei Lavrov.
Ajo tha se vendi i saj do të qëndrojë përkrah Rusisë deri në “fitoren” në Ukrainë, ndërsa Lavrov pretendoi një lidhje të ngushtë mes ushtrisë së Moskës dhe asaj të Phenianit.
Sipas mediave ndërkombëtare, Korea e Veriut ka dërguar 10-12 mijë ushtarë në Rusi, numër i pakonfirmuar zyrtarisht nga palët.