Shpërthime në Lviv, pesë të plagosur! Rusët godasin një reaktor bërthamor kërkimor në Ukrainë! Biden në Poloni: Putin diktator, nuk mund të qëndrojë në pushtet! Kremlini: S'e vendos ti kush udhëheq

Presidenti amerikan Joe Biden është treguar i ashpër me homologun e tij rus, Vladimir Putin duke e quajtur atë një kasap. Nga Varshava e Polonisë ku takoi refugjatët ukrainas, Biden ka dhënë një mesazh të qartë, “neni 5 i NATO-s është i shenjtë” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Neni 5 i NATO-s përcakton se sulmi ndaj një vendi anëtar të aleancës është sulm për të gjitha vendet e tjera. Ky është një mesazh i qartë i Biden kundrejt Putin, teksa NATO ka dislokuar mijëra trupa në Poloni.

Nga Kështjella Mbretërore në Varshavë, ku mbajti një fjalim Biden ka shkuar edhe më tej, duke e konsideruar Putin si një diktator i cili nuk duhet të qëndroj në pushte. Menjëherë pa skësaj deklarate ka reguar edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili tha se kush qeveris në Moskë nuk e vendos Biden, por zgjedhin qytetarët.

Ndërkohë, Rusia sulmoi një rafineri të naftës në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv. Nga bombardimi u raportua për pesë persona të lënduar. Në Kharkiv u bombardua reaktori kërkimor bërthamor i Institutit të Fizikës dhe Teknologjisë.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko anuloi shtetrrethimin e zgjatur në kryeqytet, duke filluar nga e shtuna. Ora policore mbetet në fuqi nga e shtuna në orën 20:00 deri të dielën në orën 07:00.

Qeveria britanike ka vendosur sanksione ndaj 65 individëve dhe kompanive të tjera në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Moska, sipas burimeve amerikane, po përpiqet të sjellë përforcime nga Gjeorgjia. Kostot në jetë njerëzore nga lufta janë shumë të larta. Nga ana tjetër Një batalion bjellorus i është bashkuar Forcave të Armatosura të Ukrainës. Sipas presidentit Zelensky, 16 mijë ushtarë nga Moska kanë vdekur që nga fillimi i ofensivës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky foli në Forumin e Dohas në Katar nëpërmjet një lidhje online, ku u kërkoi vendeve prodhuese të energjisë të rrisin prodhimin e naftës dhe gazit në mënyrë që t'i shpëtojnë "shantazhit" global të Rusisë.

Po ashtu ai u shpreh se OKB duhet të reformohet pasi në sepse nuk ka drejtësi të brendshme në këto struktura. Edhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani ka dënuar pushtimin rus, duke e konsideruar luftën në Ukrainë 'të padrejtë'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:24
Di Maio: Lufta e Putin në Ukrainë ka ngecur, kjo mund të rrisë agresionin e presidentit rus

Ministri i Jashtëm italian Luigi di Maio thotë se nëse lufta e Vladimir Putin në Ukrainë ka ngecuar dhe nuk po përparon. Por, sipas tij një gjë e tillë mund të rrisë agresionin e Putin.

«Lufta e Putinit po tërhiqet, nuk po përparon. Lufta e tij nuk po shkon mirë dhe kjo mund të rrisë agresionin e tij”, tha Di Maio.

“Presidenti Biden bëri një fjalim të qartë, ai përdori fjalë të sakta, por nga ana tjetër, Putin përdor bomba. Fjalët e Bidenit duhet të shërbejnë për ta bërë Putinin të kuptojë qartë se ai duhet të ndalojë”.

Ora 22:07
‘Putin nuk duhet të qëndrojë në pushtet’, Shtëpia e Bardhë sqaron deklaratën e Biden

Joe Biden "nuk po fliste për ndryshimin e regjimit në Rusi". Shtëpia e Bardhë e saktëson këtë pasi presidenti amerikan tha se Vladimir Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”. Ajo që presidenti donte të thoshte “ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin. Ai nuk po diskutonte fuqinë e Putinit në Rusi apo ndryshimin e regjimit”.

Ora 22:03
Blinken: 100 milionë dollarë të tjera ndihmë për civilët

Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka deklaruar se SHBA do të vë në dispozicion edhe 100 milion dollarë të tjera ndihmë për civilët në Ukrainë.

"Ne do të ofrojmë një ndihmë shtesë prej 100 milion në siguri për civilët, duke përfshirë automjete të blinduara dhe pajisje për Rojet Kufitare të Ukrainës dhe Policinë Kombëtare, të cilët janë në vijën e parë për të shpëtuar dhe mbrojtur civilët nga sulmi brutal i Putinit”, tha Blinken.

Ora 21:57
Rusia ka shkatërruar rreth 4,500 ndërtesa banimi në Ukrainë

Rusia ka shkatërruar rreth 4,500 ndërtesa banimi, 100 ndërmarrje, 400 institucione arsimore dhe 150 institucione mjekësore në Ukrainë, thotë një ministër i qeverisë ukrainase.

Dëmi i përgjithshëm në të gjithë vendin do të vlerësohet pas përfundimit të luftimeve dhe heqjes së minave, thotë Ministri për Zhvillimin e Komunitetit dhe Territorit Oleksiy Chernyshov, përcjell agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.

Sipas vlerësimeve paraprake, humbjet e shkaktuara kanë arritur në dhjetëra miliarda dollarë amerikanë, dhe shuma pritet të rritet çdo ditë.

Ora 21:56
Biden: Evropa duhet të çlirohet nga varësia energjetike nga Rusia

Evropa "duhet t'i japë fund varësisë së saj nga karburantet fosile të Rusisë". Kështu deklaroi presidenti amerikan Joe Biden në fjalimin e tij nga Kështjella Mbretërore në Varshavë. “Ne, si Shtetet e Bashkuara, do të ndihmojmë”, shtoi ai.

Ora 21:37
Zelensky bisedë telefonike me kryeministrin e Bullgarisë: Së bashku duhet ta ndalojmë katastrofën humanitare

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin bullgar Kiril Petkov.

“E informova për rrjedhën e kundër-reagimit ndaj agresionit rus. Ne folëm për situatën kritike humanitare në qytetet dhe qytezat e Ukrainës. Së bashku duhet ta ndalojmë katastrofën humanitare”, shkruan Zelensky.

Ora 21:32
Rusët goditën një reaktor kërkimor bërthamor në Ukrainë

Reaktori kërkimor bërthamor i Institutit të Fizikës dhe Teknologjisë në Kharkiv u bombardua nga rusët, sipas Kyiv Independent. Konfirmimi vjen edhe nga një postim në Twitter nga parlamenti ukrainas. Sipas Inspektoratit Kombëtar të Energjisë Bërthamore, për momentin është e pamundur të vlerësohet shkalla e dëmit.

Ora 21:22
Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës: 12 gazetarë të vrarë deri më tani

Dymbëdhjetë gazetarë janë vranë deri tani në luftën në Ukrainë. Këtë e ka bërë të ditur prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Irina Venediktova, cituar nga BBC.

"Zbulimi i së vërtetës për agresionin e Putinit në botë është vdekjeprurëse: 12 gazetarë kanë vdekur tashmë në luftë. Ata ndoqën krimet e luftës të Federatës Ruse dhe u bënë viktima të tyre. 10 të tjerë pësuan lëndime me ashpërsi të ndryshme”, tha ajo.

Ora 20:51
Biden: Lufta në Ukrainë nuk mbaron shpejt

Në përmbyllje të vizitës së tij dyditore në Poloni, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Ukraina nuk duhet të frikësohet pasi që nuk do të jetë e vetme në luftën e saj.

Biden tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka përdorur gënjeshtra si justifikime për të pushtuar Ukrainën. Duke ushtruar agresion mbi Ukrainën, Biden tha se Rusia, ka mbytur demokracinë.

“Në këtë betejë ne duhet t’i kemi sytë hapur. Kjo betejë nuk do të fitohet as për disa ditë e as për disa muaj. Ne duhet të forcojmë veten për luftën e gjatë përpara nesh”, tha Biden në fjalimin e tij.

Ora 20:46
Lufta në Ukrainë, mijëra protestues në Varshavë shtrihen në tokë në nder të viktimave (VIDEO)

Mijëra protestues në Varshavë u shtrinë në tokë për të nderuar kujtimin e të gjithë njerëzve të vrarë në Ukrainë për shkak të pushtimit rus. Gjatë protestës ata i bën thirrje liderëve botërorë që të mbyllin hapësirën ajrore mbi Ukrainë.

Ora 20:26
Një batalion ushtarak bjellorus bashkohet me ushtrinë ukrainase

1647291969_BelarusRussiaUkraineAnnexationPutin.jpg

Një batalion bjellorus i është bashkuar Forcave të Armatosura të Ukrainës, sipas Kyiv Independent. Gazeta ukrainase në Twitter publikon një video që tregon ushtarët e njësisë, të quajtur pas Kastus Kalinouski, një shkrimtar bjellorus dhe revolucionar i shekullit të 19-të, duke bërë një betim në gjuhën bjelloruse të besnikërisë ndaj Kievit me një flamur bjellorus, por me simbolet ukrainas në uniforme. Kyiv Independent komenton se gjuha bjelloruse "është e rrezikuar nga diktatori Alexander Lukashenko, i cili favorizon rusishten dhe diskriminon ata që flasin bjellorusisht, të cilët tashmë janë bërë pakicë".

Ora 20:25
Biden: Putin kërcënon se do të na kthejë në tmerret e luftës botërore, kësaj lufte duhet t’i japë fund

«Putini kërcënon se do na bëjë të kthehemi në tmerret e luftës botërore». Kështu tha presidenti amerikan Joe Biden, duke folur nga Varshava. Vladimir Putin "mund dhe duhet t'i japë fund kësaj lufte", shtoi ai.

Ora 19:22
Biden: Putin është diktator, nuk mund të qëndrojë në pushtet! Kremlini: Nuk e vendos ti kush udhëheq, zgjedhje e qytetarëve

Deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden nga Polonia kundrejt Vladimir Putin kanë qenë shumë të ashpra. Pasi e quajti Putin kasap, Biden ka mbajtur një tjetër qëndrim. Biden e ka quajtur presidentin rus diktator dhe sipas Biden ai nuk mund të qëndrojë në pushtet.

“Putini është diktator, ai nuk mund të qëndrojë në pushtet”, tha Biden.

Menjëherë pas deklaratës së Biden ka ardhur edhe reagimi zëdhënësi Kremlinit, Dmitry Peskov.

"Kush qeveris në Moskë nuk është diçka që e vendos Biden. Është vetëm një zgjedhje e qytetarëve të Federatës Ruse”, tha Dmitry Peskov.

Ora 19:05
Biden-Putin: As mos mendoni të prekni territorin e NATO-s

“Faji për luftën është vetëm i Vladimir Putinit dhe ai nuk duhet as të mendojë të prekë një centimetër të territorit të NATO-s”.  Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Joe Biden në Varshavë të Polonisë.

Presidenti amerikan iu drejtua drejtpërdrejt Putinit, duke thënë se “armiku nuk është populli i madh rus”. Biden në mesazhin e tij drejtuar Polonisë, theksoi dallimin midis demokracisë së Perëndimit dhe autokracisë së Rusisë.

“Mos e merrni demokracinë si të mirëqenë, ka qenë një rrugë e gjatë. Ne e dimë mirë ndryshimin midis demokracisë dhe autokracisë. Ukrainasit dhe polakët janë në ballë për të mbrojtur vlerat demokratike, zgjedhjet e lira, lirinë e shprehjes, lirinë për të abortuar, nëse dikush e dëshiron atë. Ne jemi në anën tuaj”.

Presidenti i SHBA Joe Biden mendon se udhëheqësi rus Vladimir Putin është befasuar ka zbuluar se ai nuk është në gjendje të ndajë aleatët e NATO-s në reagimin e tyre ndaj pushtimit të tij në Ukrainë.

"Unë jam i sigurt se Vladimir Putin po llogariste në aftësinë për të ndarë NATO-n, për të ndarë krahun lindor nga perëndimi, për të qenë në gjendje të ndante kombet bazuar në historitë e kaluara. Por ai nuk ka mundur ta bëjë këtë, ne kemi qëndruar të gjithë së bashku”, tha Biden.

Ai thotë gjithashtu se historia ka treguar rëndësinë që SHBA të mos qëndrojnë mënjanë gjatë konfliktit në Evropë.

“Ne kemi mësuar nga përvoja e trishtuar në dy luftëra botërore, kur kemi qëndruar jashtë dhe nuk kemi qenë të përfshirë në stabilitetin në Evropë, ajo na ndjek gjithmonë në Shtetet e Bashkuara.

“Kështu që unë kam thënë për një kohë të gjatë, si senator që vizitova këtu dhe anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, si zëvendëspresident dhe tani si president, se stabiliteti në Evropë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara për sa i përket interesit tonë. Jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën”.

Biden ka folur gjatë një udhëtimi në kryeqytetin polak Varshavë , ku është takuar me ministrat e qeverisë ukrainase, si dhe me presidentin e Polonisë Andrzej Duda.

Ora 18:12
Shpërthimet në Lviv, raportohet për 5 të plagosur

Të paktën pesë persona u plagosën nga sulmet në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, njoftuan autoritetet lokale të këtij qyteti.

“Ndodhën dy sulme me raketa brenda Lvivit”, tha guvernatori rajonal Maksym Kozytsky.

Ora 17:11
Deklarata e Biden se Putin është Kasap, reagon Kremlini: Ulin hapësirat për negociata

1648311395_620785c63b86990018b31131.webp

"Fyerjet e reja të Biden ndaj Putinit ngushtojnë më tej dritaren e mundësisë për të përmirësuar marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara".

Kështu deklaroi Kremlini, cituar nga TASS, pasi presidenti amerikan e përkufizoi sot atë rus si “kasap”.

Ora 16:29
Shpërthime në Lviv, kryebashkiaku-qytetarëve: Shkoni në qendrat e strehimit (FOTO)


Tre shpërthime janë raportuar në Lviv, në perëndim të Ukrainës. Kryetari i Lviv Andriy Sadovyi, në profilin e tij në Telegram iu bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore. Nga disa pamje të publikuara nga disa banorë në një nga kodrat e qytetit, shihet një kolonë e dendur tymi i zi.

Ora 16:18
Ministrja ukrainase e Mbrojtjes: Rusët goditën memorialin e Holokaustit në Kharkiv, nazistët janë kthyer

Ministrja ukrainase e mbrojtjes ka deklaruar se ushtarët rusë kanë qëlluar mbi memorialin e Holokaustit në Drobitsky Yar, në periferi të Kharkiv.

«Pushtuesit rusë qëlluan mbi memorialin e Holokaustit në Drobitsky Yar, në periferi të Kharkiv, duke e dëmtuar atë. Nazistët janë kthyer. Pikërisht 80 vjet më vonë”. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka shkruar në Twitter.

Ora 15:46
Biden takon refugjatët ukrainas në Varshavë: Putini është kasap

Presidenti rus Vladimir Putin është një kasap. Kështu deklaroi presidenti amerikan Joe Biden gjatë takimit të tij me refugjatët ukrainas në Varshavë të Polonisë.

Ora 15:42
Biden nga Varshava: Neni 5 i NATO-s është i shenjtë

Presidenti amerikan Joe Biden, nga Varshava ka deklaruar se neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili përcakton se një sulm ndaj një vendi anëtar është një sulm ndaj të gjithë të tjerëve, është i shenjtë për Shtetet e Bashkuara.

Ora 15:21
Ukrainë, autoritetet e Kievit raportojnë bombardime në periferi

Autoritetet e Kievit, raporton CNN , kanë raportuar bombardime ruse në disa periferi në lindje dhe perëndim të kryeqytetit ukrainas. Kreu i administratës ushtarake të rajonit, Oleksandr Pavliuk, raportoi predha artilerie kundër Makariv, Bucha dhe Irpin dhe një sulm me raketa në lokalitetin Bilohorodka. Forcat ruse thuhet se po ndërtojnë llogore në Bucha dhe Nemishaeve, një tjetër periferi në perëndim të Kievit, shtoi Pavliuk.

Ora 15:20
Ukrainë: Stacionet e radios FM të Ukrainës janë jashtë funksionit në Kherson

1648304486_512x512bb.jpg

Stacionet radiofonike të Ukrainës FM nuk janë më të disponueshme në qytetin jugor Kherson të pushtuar nga trupat ruse. Ukrayinska Pravda shkroi në Twitter të cituar nga BBC. Vetëm radiostacionet ruse do të ishin në transmetim. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha më herët në përditësimin e tij të përditshëm se Kherson është një nga zonat ku Rusia ka dislokuar më shumë njësi ushtarake në mënyrë që të "shtypë rezistencën e banorëve".

Ora 15:02
Ukrainë, mbërrin furnizimi i parë i armëve të miratuar nga Berlini

1648272572_806x378germanytoprovideukrainewithantiaircraftmissiles1646294763398600x3601.jpg

Në Ukrainë mbërriti ngarkesa e parë e madhe e armëve antitank nga qeveria gjermane . Kështu bëjnë të ditur mediat vendase.

Ora 14:58
Biden takim me ministrat ukrainas në Varshavë: Do shtojmë ndihmën për Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë

1648201009_biden.jpg

Në takimin e sotëm me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Ukrainës, Dmytro Kuleba dhe Oleksii Reznikov, Joe Biden "i përditësoi ata mbi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të bashkuar botën në mbështetje të luftës së Ukrainës kundër agresionit rus". 

Biden diskutoi "ndihmat e rëndësishme ushtarake dhe humanitare që Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë Ukrainës dhe përpjekjet e mëtejshme për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë territorin e saj". 

Së fundi, u diskutua për "veprimet që Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin për të vendosur Presidentin Putin përballë përgjegjësive të tij për agresionin brutal, në koordinim me aleatët dhe partnerët“

Ora 14:57
Presidenti finlandez: Do të kishim probleme me Rusinë nëse do të hynim në NATO

Presidenti i Finlandës tha se vendi i tij ka të ngjarë të jetë në shënjestër të luftës kibernetike ruse dhe mund të përballet me shkelje të kufijve nëse vendos të kandidojë për anëtarësim në NATO. 

Disa sondazhe në javët e fundit kanë treguar se shumica e finlandezëve tani mbështesin anëtarësimin. Presidenti Sauli Niinisto tha në një intervistë se avantazhi më i madh do të ishte "për të marrë një efekt parandalues". 

Por ai vuri në dukje rrezikun e sjelljes destabilizuese nga ana e Rusisë gjatë një procesi pranimi, i cili do të zgjaste me muaj tensionet në kufi, shkeljet e mundshme "të fuqishme" të kufirit dhe territorit.

Ora 14:17
Presidenti i SHBA takon ministrat e Ukrainës në Poloni

Presidenti i SHBA Joe Biden po zhvillon bisedime me dy ministra ukrainas në Poloni, takimi i tij i parë ballë për ballë me zyrtarë të tillë të nivelit të lartë që kur forcat ruse pushtuan vendin një muaj më parë.

Shtëpia e Bardhë tha se ai do të ketw edhe një takim midis Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken dhe Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA Lloyd Austin me homologët e tyre ukrainas, Dmytro Kuleba dhe Oleksii Reznikov.

Ora 14:13
Kievi anulon shtetrrethimin e përforcuar! Mbetet në fuqi vetëm nga ora 20:00 deri në 7 të mëngjesit

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko anuloi shtetrrethimin e zgjatur në kryeqytet, duke filluar nga e shtuna.

"Do të jetë e mundur të lëvizësh nëpër kryeqytet dhe rajon të dielën pasdite", tha ai në Telegram. Ora policore mbetet në fuqi nga e shtuna në orën 20:00 deri të dielën në orën 07:00.

Ora 14:11
Tentuan të zbarkonin në Odesa, dështon përpjekja ruse

Trupat ruse u përpoqën të arrinin në Odessa nga deti dhe të zbarkonin një grup sabotazhi dhe zbulimi, por që nuk u realizua me sukses. Përpjekja për zbarkimin e anijeve u zhvillua përballë Yuzhne, urës që lidh Odessa me Mikolaiv. Dëshmitarët flasin për një anije të madhe në horizont këtë mëngjes, ndoshta ukrainase që arriti të zmbrapste sulmin.

Ora 11:42
OBSH: Mbi 70 sulme në spitale e ambulanca nga bombardimet ruse në Ukrainë

1648180506_1645877523870tdysaterinkyivukraine2202261920x10802wshb41.jpg

Deri më tani ka pasur më shumë se 70 sulme të veçanta ndaj spitaleve, ambulancave dhe mjekëve në Ukrainë, ku numri rritet "çdo ditë". Kështu deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e cituar nga BBC . Sipas OBSH-së, shënjestra e objekteve shëndetësore është bërë pjesë e strategjisë dhe taktikave të luftës. 

Ora 11:40
Lufta në Ukrainë, 136 fëmijë të vrarë që nga fillimi i pushtimit

1648274173_ukraineee.png

136 fëmijë u vranë dhe 199 u plagosën në pushtimin rus të Ukrainës: këtë e bëri të ditur Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës. Sipas OKB-së, sipas buxhetit të fundit të publikuar të premten, ka pasur 1,081 të vdekur civilë në Ukrainë dhe 1,707 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus.

Ora 11:39
Zelensky flet në forumin e Dohas: Prodhoni më shumë energji dhe naftë t’i shpëtoni shantazhit të Rusisë! OKB të reformohet, nuk ka drejtësi brenda strukturave

1647944491_zelenskyvidSOPPALCOkjtGU3330980520941soD656x492CorriereWebSezioni.jpg
Në një fjalim video në Forumin e Dohas në Katar, Volodymyr Zelensky u kërkoi vendeve prodhuese të energjisë të rrisin prodhimin e naftës dhe gazit në mënyrë që t'i shpëtojnë "shantazhit" global të Rusisë. "E ardhmja e Evropës është në përpjekjet tuaja: Unë ju kërkoj të rrisni prodhimin e energjisë për të siguruar që të gjithë në Rusi të kuptojnë se energjia mund të përdoret si armë."

Presidenti i Ukrainës, Zelensky tha se OKB duhet të reformohet pasi në sepse nuk ka drejtësi të brendshme në këto struktura.  

“OKB-ja dhe të gjitha strukturat e tjera ndërkombëtare nuk kanë forcën e brendshme të nevojshme për të rivendosur paqen në vendet, sepse nuk ka drejtësi të brendshme në këto struktura. Padrejtësia është baza e asaj që Rusia po bën kundër nesh, kundër Ukrainës, duke përdorur privilegjet e saj në organizatat ndërkombëtare, si dhe frikën e përdorimit të armëve bërthamore”, tha Zelensky

Ora 11:38
Papa: Kjo luftë është e turpshme

1647870133_papa2.jpg

“Shpresojmë dhe lutemi që kjo luftë e turpshme për të gjithë ne, për mbarë njerëzimin, të përfundojë sa më parë: është e papranueshme; çdo ditë shton më shumë vdekje dhe shkatërrime”. Papa e tha këtë në audiencën me Federatën Italiane të Transmetuesve. “Shumë njerëz janë mobilizuar për të ndihmuar refugjatët. Edhe këtu në Itali. Kontributi juaj është një mënyrë konkrete, artizanale e ndërtimit të paqes”, nënvizoi Papa.

Ora 11:31
Lufta në Ukrainë / Dhjetë korridore humanitare do të hapen sot nga Kievi dhe Donbass

Dhjetë korridore humanitare do të hapen sot në Ukrainë, ku civilët do të evakuohen nga katër qytete në provincën e Kievit dhe gjashtë nga ai i Luganskut. Kështu tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk. Ashtu si në ditët e mëparshme, refugjatët e Mariupolit duhet të shkojnë në Zaporizhzhia me makinat e tyre, pasi postblloqet ruse nuk lejojnë kalimin e autobusëve.

Ora 11:25
Emiri i Katarit: Jemi në solidaritet me miliona refugjatë që janë viktima të një lufte të padrejtë

Duke folur në hapjen e Forumit të Dohas, Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, tha se vendi i tij është me miliona refugjatë në luftën "e padrejtë" kundër Ukrainës. Tamim shtoi se Katari gjithashtu kundërshton çdo armiqësi kundër sovraniteteve kombëtare. “Ne qëndrojmë në solidaritet me miliona njerëz të pafajshëm dhe refugjatë që janë viktima të kësaj lufte të padrejtë dhe llogaritjeve gjeopolitike”, tha ai.

Ora 10:12
Rusia rekruton 800 luftëtarë të organizatës terroriste, Hezbollahut! Do paguhen 1500 dollarë në muaj

Organizata terroriste Hezbollah, ra dakord të dërgonte 800 luftëtarë në Ukrainë për të marrë pjesë në luftë në krah të Rusisë. Kjo është raportuar nga gazeta opozitare ruse Novaya Gazeta. Luftëtarëve iu premtuan 1500 dollarë në muaj.

Ora 08:52
OKB: Kemi informacione për disa varrezat masive në Mariupol

1646932744_okbtepakten227civiletevrareneukraine1020x600.jpg

OKB-ja ka marrë një numër "në rritje" të informacioneve që konfirmojnë ekzistencën e varrezave masive në qytetin ukrainas të rrethuar të Mariupolit dhe ka marrë "informacion satelitor" për një nga këto varre masive.   

Ora 08:51
Lufta në Ukrainë, sirenat për sulme aktivizohen në qytete të ndryshme

1648178049_623bc1f2d9eb4autoskynewskyivborodyankaukraine56927371647165051.jpg

Sirenat që njoftojnë bombardime janë ndezur sërish mëngjesin e sotëm në disa qytete të Ukrainës. Kjo është raportuar nga mediat lokale të cituar nga BBC. Alarmi ra në kryeqytetin Kiev dhe në qytetet Cherkasy dhe Kropyvnytsky në qendër të vendit, në Zaporizhia dhe Dnipro në juglindje, në Zhytomyr në lindje dhe në Kharkiv dhe Sumy në verilindje.

Ora 07:05
Ish presidenti rus: Sanksionet perëndimore nuk do të ndikojnë në Kremlin

Është "marrëzi" të besohet se sanksionet perëndimore kundër bizneseve ruse mund të kenë ndonjë efekt mbi qeverinë e Moskës, citohet të ketë thënë ish-presidenti rus dhe nënkryetari i këshillit të sigurisë Dmitry Medvedev.

Sanksionet vetëm do të konsolidojnë shoqërinë ruse dhe nuk do të shkaktojnë pakënaqësi popullore me autoritetet, tha Medvedev për agjencinë ruse të lajmeve RIA në një intervistë.

Perëndimi ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë pas pushtimit të saj në Ukrainë, me disa që synojnë veçanërisht biznesmenë miliarderë që besohet se janë të afërt me presidentin Vladimir Putin.

“Le të pyesim veten: A mundet ndonjë prej këtyre biznesmenëve të mëdhenj të ketë edhe sasinë më të vogël të ndikimit të pozicionit të lidershipit të vendit? tha zoti Medvedev.

"Unë ju them hapur: Jo, në asnjë mënyrë."

Medvedev tha se sondazhet treguan se tre të katërtat e rusëve mbështesin vendimin e Kremlinit për të kryer një operacion ushtarak në Ukrainë dhe akoma më shumë mbështetën Putinin.

Ora 06:54
OBSH: Sulmet ndaj spitaleve në Ukrainë po shtohen çdo ditë

Ka pasur më shumë se 70 sulme ndaj spitaleve, ambulancave dhe mjekëve në Ukrainë, ku numri rritet çdo ditë, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

OBSH thotë se shënjestrimi i objekteve të kujdesit shëndetësor është bërë pjesë e strategjisë dhe taktikave të luftës moderne.

Që nga 24 shkurti, OBSH ka shqyrtuar dhe verifikuar 72 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë, të cilët shkaktuan të paktën 71 të vdekur dhe 37 të plagosur.

Shumica kanë dëmtuar spitalet, transportet mjekësore dhe dyqanet e furnizimeve, por OBSH ka regjistruar gjithashtu rrëmbimin ose ndalimin "e mundshëm" të personelit të kujdesit shëndetësor dhe pacientëve.

"Ne jemi të shqetësuar se ky numër po rritet çdo ditë," i tha BBC-së përfaqësuesi i OBSH-së në Ukrainë, Jarno Habicht.

"Ambjentet shëndetësore duhet të jenë vende të sigurta si për mjekët ashtu edhe për infermierët, por edhe për pacientët për t'u drejtuar për trajtim. Kjo nuk duhet të ndodhë."


 

Ora 06:45
Ukraina: Po vazhdojmë të zmbrapsim sulmet e forcave ruse

Në përditësimin e tij të mëngjesit, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës thotë se trupat e tij po vazhdojnë të zmbrapsin sulmet e forcave ruse në kryeqytetin Kiev..

Ushtria e Ukrainës tha se forcat ruse kanë përjetuar vështirësi në rimbushjen e personelit cilësor dhe për të mbështetur humbjet e pësuar gjatë pushtimit, pjesërisht për shkak të ndikimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Po ashtu pretendoi se pajisjet ruse ishin në "gjendje të keqe teknike" për shkak të "shfrytëzimit të mëparshëm të pakujdesshëm dhe ruajtjes së zgjatur".

Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar Rusinë që të vazhdojë të sulmojë dhe të shkaktojë dëme në forcat ukrainase, shtoi përditësimi.

Forcat ukrainase pretendojnë se Moska ka vendosur njësi maksimale në territorin e Krimesë të kontrolluar pjesërisht nga Rusia, së bashku në zonat e rajoneve Kherson , Zaporizhzhia , Mariupol dhe Donetsk , në mënyrë që të "shtypë rezistencën e banorëve".

Në rajonet Donetsk dhe Luhansk, forcat ukrainase zmbrapsën sulmet ruse dhe shkatërruan 8 tanke dhe 11 njësi të pajisjeve të automjeteve të armikut.

Përditësimi pretendonte se njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës rrëzuan 3 avionë dhe 3 mjete ajrore pa pilot (UAV) që i përkisnin Rusisë.


 

Ora 06:28
Lufta kundër Rusisë, mbërrijnë në Ukrainë raketat anti-ajrore nga Gjermania

Një dërgesë prej 1500 raketash anti-ajrore Strela dhe 100 mitraloza MG3 kanë mbërritur në Ukrainë nga Gjermania, citoi agjencia gjermane e shtypit të ketë thënë zyrtarë të qeverisë ukrainase.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha të mërkurën se furnizimet e mëtejshme të raketave Strela ishin të lidhura me Ukrainën pas vonesave në dërgesat.

Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që Gjermania të ndryshojë politikën e saj historike për të mos dërguar armë në zonat e konfliktit, shkruan Kyiv Independent.

"Ne jemi një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve në këtë situatë, kjo nuk na bën krenarë, por kjo është ajo që ne duhet të bëjmë për të ndihmuar Ukrainën," citoi Reuters të thoshte zonja Baerbock.

Raketat Strela ishin në inventarët e ish-ushtrisë komuniste të Gjermanisë Lindore.


 

Ora 06:07
Lufta Rusi-Ukrainë, sirenat e sulmit ajror bien në shumë qytete

Sirenat e sulmit ajror kanë rënë në një numër të madh qytetesh në të gjithë Ukrainën, sipas raporteve të mediave lokale, shkruan BBC.

Disa nga qytetet janë kryeqyteti Kiev, Cherkasy dhe Kropyvnytskyi në Ukrainën qendrore, Zaporizhia dhe Dnipro në juglindje, Zhytomyr në lindje dhe Kharkiv dhe Sumy në rajonet verilindore në Ukrainë.

Ora 05:55
OKB: Kemi informacione që vërtetojnë ekzistencën e varrezave masive në Mariupol

Kombet e Bashkuara kanë marrë "informacione në rritje" që vërtetojnë ekzistencën e varrezave masive në qytetin ukrainas të rrethuar të Mariupolit dhe ka qenë në gjendje të marrë po ashtu "informacione satelitore" për varre të tillë, tha Matilda Bogner, kreu i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, e misionit në Ukrainë.

"Ne vlerësojmë se një nga ato varre masive mban rreth 200 njerëz," tha ajo në një konferencë shtypi të premten, shkruan CNN.

Ajo shtoi një vërejtje:  Nuk është e garantuar që të gjithë njerëzit e varrosur në varre “janë viktima civile, sepse kur dokumentojmë viktima civile, ne nuk i përfshijmë të dyja viktimat ushtarake dhe nuk përfshijnë njerëzit që vdesin për arsye të tjera, përveç luftës.”

Bogner e bëri këtë shënim ndërsa shpjegoi një pamje të zymtë të një qyteti ku "shkalla e zakonshme e vdekshmërisë është rritur" për shkak të mungesës së shërbimeve bazë si ushqimi, energjia elektrike dhe uji. 

"Njerëzit po vdesin në qytet që nuk janë vetëm viktima civile," theksoi ajo.


 

Ora 05:41
A do ta shtyjë Japoninë pushtimi i Ukrainës nga Rusia të bëhet fuqi bërthamore?

Si mund të mendojë ndonjëherë Japonia të marrë armë bërthamore? Është një ide qesharake. Japonia është i vetmi vend në botë që ka pësuar një sulm bërthamor. Dy herë madje. Kështu ka shkuar historia në 77 vitet e fundit.

Por Shinzo Abe, kryeministri më jetëgjatë i Japonisë i pasluftës ka filluar të thotë me zë të lartë dhe publikisht se Japonia duhet me të vërtetë të mendojë seriozisht dhe urgjentisht për armët bërthamore.

Nuk është rastësi që kjo thirrje për armë ka ardhur pikërisht kur Rusia ka pushtuar Ukrainën, shkruan CNN.

Abe është një politikan i zgjuar dhe ai e di se Ukraina ka ardhur si një tronditje e madhe dhe ai e di se publiku japonez është i shqetësuar për një Kore të Veriut të paparashikueshme të armatosur me armë bërthamore dhe një Kinë gjithnjë e më agresive, shkruhet më tej në artikullin e CNN.

Gjithçka duket ende shumë e largët. Ligji japonez ka ndaluar çdo armë bërthamore nga toka e saj që nga viti 1971.  


 

Ora 05:13
Zyrtari amerikan në Varshavë: Forcat ruse nuk po përgatiten për të sulmuar Kievin

Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se trupat ruse nuk po përgatiten të sulmojnë kryeqytetin ukrainas të Kievit. Zyrtari foli me një grup gazetarësh duke përfshirë BBC në Varshavë, në kushte anonimiteti, shkruan BBC.

Disa detaje të tjera nga fjalimi i tij:

-Rusia ka kryer 1250 lëshime raketash që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës

-Avionët ushtarakë rusë kanë filluar të fluturojnë më shpesh, duke bërë deri në 300 fluturime në ditë

-Luftimet për fshatin Makarov pranë Kievit vazhdojnë;

-Trupat ruse nuk përparuan në sulmin në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës;

-Trupat ruse ndaluan 15 km nga Mykolaiv në një përpjekje për të shkëputur qytetin jugor nga mbështetja ukrainase;

-Ushtria ruse ishte në gjendje të thyente mbrojtjen e Izyum dhe të avanconte në jug të Donbasit në Ukrainën juglindore

Më herët, një burim nga Pentagoni raportoi se ushtria ukrainase mund të rimarrë kontrollin e Khersonit. Rusia pretendoi kontrollin mbi qytetin jugor të Ukrainës në fillim të marsit.

Ora 05:05
Zyrtari rus: Faza e parë e luftës ka përfunduar, qëllimi kryesor është çlirimi i Donbasit

Një gjeneral i lartë rus dha disa nga komentet publike më të detajuara deri më tani mbi  strategjinë ushtarake të Rusisë  në Ukrainë, duke pretenduar të premten se "faza e parë" e planit ushtarak të Rusisë tani është e përfunduar, me fokusin e tyre kryesor tani në Ukrainën lindore.

"Në përgjithësi, detyrat kryesore të fazës së parë të operacionit janë përfunduar," tha gjeneral-koloneli Sergei Rudskoy, zëvendës shefi i parë i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, në një konferencë të së premtes. “Potenciali luftarak i forcave të armatosura të Ukrainës është reduktuar ndjeshëm, duke na lejuar, e theksoj sërish, të fokusojmë përpjekjet kryesore në arritjen e qëllimit kryesor, çlirimin e Donbasit”.

Vërejtjet e Rudskoy vijnë pasi përparimet e Rusisë duket se kanë ngecur rreth qyteteve kryesore të Ukrainës si Kievi dhe Kharkiv. Rusia gjithashtu ka dështuar të arrijë  epërsinë ajrore në Ukrainë dhe ka pësuar humbje të mëdha të personelit që nga fillimi i pushtimit.

“Publiku dhe ekspertët individualë po pyesin se çfarë po bëjmë në zonën e qyteteve të bllokuara të Ukrainës”, tha Rudskoy.

"Këto veprime kryhen me qëllim që të shkaktojnë dëme të tilla në infrastrukturën ushtarake, pajisjet, personelin e Forcave të Armatosura të Ukrainës, rezultatet e të cilave na lejojnë jo vetëm të lidhim forcat e tyre dhe t'i pengojmë ata të forcojnë grupimin e tyre në Donbas, por gjithashtu nuk do t'i lejojë ata ta bëjnë këtë derisa ushtria ruse të çlirojë plotësisht territoret e DPR dhe LNR."
Rudskoy i referohej Republikave Popullore të Donetskut dhe Luhanskut, territore separatiste në Ukrainën lindore që Rusia i njohu në prag të pushtimit të saj.

Ora 04:40
Lufta/ SHBA përgatit sanksione ndaj firmave ruse që ofrojnë shërbime për ushtrinë e Moskës

Administrata Biden po përgatit sanksione që synojnë kompanitë ruse që ofrojnë mallra dhe shërbime për shërbimet ushtarake dhe të inteligjencës të Moskës, ka raportuar Wall Street Journal. 

Sanksionet e Departamentit të Thesarit të SHBA-së mund të shpallen që në fillim të javës së ardhshme, thuhet në raport, duke cituar zyrtarë amerikanë.

Shumica e kompanive që pritet të nënshtrohen sanksioneve të raportuara, duke përfshirë Serniya Engineering dhe prodhuesin e pajisjeve Sertal, u shtuan më parë në një listë të SHBA që ndalon eksportet e teknologjive të ndjeshme ndaj tyre, sipas raportit, shkruan Sky News.


 

Ora 04:00
Lufta me Rusinë, Britania e Madhe do të dërgojë 2.4 milionë furnizime ushqimore

Qeveria britanike do të dhurojë dy milionë paund (2.4 milionë euro) ushqim për Ukrainën. 

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss. Dhurimi, theksoi ministrja, është një përgjigje ndaj kërkesës së drejtpërdrejtë të qeverisë ukrainase dhe do të përfshijë kryesisht ushqime të thata dhe që nuk prishen, produkte të konservuara dhe ujë. 

Mallrat do të dërgohen në magazina në Poloni dhe Sllovaki, të cilat do t'i furnizojnë qeverinë ukrainase duke filluar nga fillimi i javës së ardhshme, në koordinim me OKB-në dhe Kryqin e Kuq.


 

Ora 03:44
U kthye për të ndihmuar vendin, kampioni ukrainas i boksit lë ushtrinë për ndeshjen e rradhës

Kampioni i peshave të rënda, Oleksandr Usyk, ka konfirmuar se po përgatitet për një revansh me britanikun Anthony Joshua. Usyk do të përballet me Joshua-n në korrik pasi fitorja e tij vitin e kaluar e pa atë të kurorëzohet kampion i unifikuar i peshave të rënda. 35-vjeçari u largua të mërkurën nga vendlindja e tij Ukraina, ku kishte ndihmuar për të mbrojtur vendin nga pushtimi rus.

“Vendosa të filloj përgatitjet për një revansh me Anthony Joshua”, postoi Usyk në Instagram të premten.

Usyk u regjistrua në ushtrinë e Ukrainës në mars pas pushtimit rus. Një pankartë ku shkruhej "Larg duart nga Ukraina, Putin!" mund të shihej pas Usyk në videon e tij në Instagram.

“Një numër i madh i miqve të mi më përkrahin, gjithë të mirat dhe paqen, faleminderit Zotit për gjithçka”, ka shkruar ai.


 

Ora 03:27
Britania e Madhe: Mbrojtja ajrore e Ukrainës po detyron Rusinë të përdorë më shumë drone

Rusia ka shumë të ngjarë të jetë gjithnjë e më e varur nga rezervat e saj të dronëve pa pilot, sipas përditësimit të fundit të inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar.

"Mbrojtja ajrore e fuqishme ukrainase pothuajse me siguri ka kufizuar fluturimet me njerëz përtej vijave të tyre të frontit," thotë Ministria e Mbrojtjes, duke shtuar se dronët me siguri kanë zëvendësuar fluturimet e pilotuara.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë të premten se Rusia kishte rritur fluturimet e saj ajrore gjatë javës së kaluar, duke kryer rreth 300 fluturime në ditë.


 

Ora 03:09
Pushtimi nga Rusia, Ukraina do të ndërtojë banesa të përkohshme për personat e zhvendosur nga lufta

Qeveria dhe administratat rajonale po punojnë për të ndërtuar banesa të përkohshme për ukrainasit e zhvendosur nga zonat aktive të luftimit sa më shpejt të jetë e mundur. Presidenti Volodymyr Zelenskyi foli për këtë në fjalimin e tij të premten.

"Zyrtarët po përgatisin mbështetje të re për të zhvendosurit nga zonat e luftës. Administratat rajonale janë ngarkuar të caktojnë tokën sa më shpejt të jetë e mundur për ndërtimin e banesave të përkohshme për personat e zhvendosur," tha presidenti.

Në të njëjtën kohë, Zelensky theksoi se ky është një strehim i përkohshëm.

"Sapo të vendosim paqen, do të fillojmë menjëherë rindërtimin në shkallë të gjerë të shtetit tonë. Por tani njerëzit kanë nevojë për një shtëpi të përkohshme dhe do të jetë më mirë në Ukrainë sesa diku jashtë vendit," tha ai.

Ora 02:42
Këshilltari ukrainas: Grupi ushtarak rus 'Wagner' donte të vriste Zelenskyn dhe kryeministrin

Një këshilltar i lartë i ministrit ukrainas të mbrojtjes i tha CNN se grupi famëkeq ushtarak privat rus Wagner ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për atentat kundër presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrit Denys Shmyhal.

“Ata donin të vrisnin udhëheqjen e Ukrainës: Presidentin dhe Kryeministrin tonë. Ky ishte qëllimi dhe disa prej tyre u dërguan në Ukrainë, por pa asnjë sukses”, tha Markian Lubkivskyi, një këshilltar i ministrit të mbrojtjes të Ukrainës.

Lubkivskyi tha se komploti u konfirmua nga shërbimi i inteligjencës i Ukrainës dhe forcat speciale të ngarkuara për mbrojtjen e Zelensky, shkruan CNN.

“Të gjitha këto dokumente dhe provat e nevojshme do t'i paraqiten Gjykatës Ndërkombëtare,” tha ai, duke shtuar se nuk mund të zbulojë më shumë për arsye operacionale.

CNN nuk ishte në gjendje të konfirmonte në mënyrë të pavarur pretendimet.

Grupi Wagner u bë i njohur për herë të parë gjatë pushtimit rus të Ukrainës lindore në vitin 2014. Që atëherë, hulumtimet e pavarura dhe hetimet e CNN kanë zbuluar se kontraktori ushtarak privat ka vepruar në Siri dhe shumë vende në Afrikë. Ata janë akuzuar nga zyrtarët amerikanë dhe mbikëqyrësit e të drejtave të njeriut për abuzime të vazhdueshme të të drejtave të njeriut.

Grupi mendohet të jetë i lidhur, dhe financuar nga, Yevgeny Prigozhin, një oligark aq i afërt me Kremlinin sa që njihet si "kuzhinieri" i Putinit.

Kremlini ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo lidhje me grupin. Të enjten, Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i fundit që sanksionoi Wagner.

Lubkivskyi thotë se inteligjenca ukrainase ka gjurmuar grupin brenda dhe jashtë Ukrainës dhe se disa operativë të Wagner janë vrarë brenda vendit, të identifikuar nga etiketat e tyre unike të identitetit.


 

Ora 02:04
Pretendimet e SHBA-së për agjentët rus në Meksikë, reagon presidenti Lopez Obrador: Nuk kemi informacion

Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, tha të premten se qeveria e tij nuk ka informacion për ndonjë agjent rus me bazë në vend, pas komenteve të një gjenerali amerikan.

Të enjten, gjenerali Glen VanHerck tha në një seancë dëgjimore të Senatit se "pjesa më e madhe e anëtarëve të GRU në botë është në Meksikë për momentin, ata janë personel i inteligjencës ruse dhe ata vëzhgojnë shumë nga afër mundësitë e tyre për të pasur ndikim në SHBA, mundësi dhe akses”.

Lopez Obrador u përgjigj: “Ne nuk kemi informacion për këtë dhe nuk e pengojmë asnjë të huaj që dëshiron të kryejë veprimtari legale në vend që ta bëjë këtë.

“Është një deklaratë, ne nuk do të vëmë në dyshim asgjë, ne respektojmë shprehjen e lirë të ideve, Meksika është një vend i lirë, i pavarur dhe sovran, duhet ditur sepse ndonjëherë duket se nuk kuptohet sa duhet. Dërgojuni atyre telegrame për t'i informuar se Meksika nuk është koloni e ndonjë vendi të huaj. Ne kemi një politikë të mosndërhyrjes, nuk do të shkojmë në Moskë për të spiunuar askënd, as në Pekin, as në Uashington, as në Los Anxhelos, ne nuk përfshihemi në këtë," shtoi ai, shkruan CNN.

Ora 01:52
Teatri në Mariupol, raportohet për 600 të mbijetuar dhe 300 të vdekur

600 persona i mbijetuan sulmit në teatrin Mariupol më 16 mars. Këtë e tha në kanalin e tij Telegram, këshilltari i kryebashkiakut, Petro Andriushchenko. Ndërsa 300 persona kanë humbur jetën, të cilët ndodheshin në katet e sipërme të godinës dhe në pjesën e pasme të teatrit, shkruan La Repubblica

Ora 01:35
"I zhdukur" që nga 11 marsi, ministri rus i Mbrojtjes pëson atak në zemër

Anton Gerashchenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës, ka pohuar se ministri rus i mbrojtjes ka pësuar një atak në zemër.

Sergei Shoigu nuk ishte parë publikisht që nga 11 marsi, derisa u shfaq shkurtimisht në një video të lëshuar nga Putin të enjten më 24 mars.

“Infarkti i Shoigu-t ndodhi pas një akuze të ashpër nga Putini për dështim të plotë të pushtimit të Ukrainës”, shkroi Gerashchenko në Facebook, duke shtuar se ai aktualisht është duke “nënështruar rehabilitimin” në spital.

Nuk ka pasur asnjë konfirmim nga Rusia për problemet e supozuara shëndetësore të Shoigut.

Ora 01:20
Senatorja amerikane: Lirohet nga paraburgimi rus amerikani që tentoi të largohej nga Ukraina

Tyler Jacob, një amerikan që jeton në Ukrainë, u lirua nga paraburgimi në Rusi të premten, sipas zyrës së senatores Amy Klobuchar.

"Jam e lehtësuar që Tyler është ribashkuar i sigurt me gruan dhe vajzën e tij," tha Klobuchar në një deklaratë. “Gjatë dy javëve të fundit, ekipi im dhe unë kemi qenë në kontakt të ngushtë me familjen e tij, Departamentin e Shtetit dhe ambasadën e SHBA-së në Moskë duke punuar drejt këtij rezultati dhe jam mirënjohës që ishim në gjendje të ndihmonim për ta sjellë atë në siguri,” shkruan CNN. 

Zyra e Klobuchar tha se Jacob, i cili është me origjinë nga Winona, Minesota, u kap nga forcat ruse rreth dy javë më parë ndërsa përpiqej të largohej nga Ukraina. Ai u mbajt në Rusi për 10 ditë.

"Unë jam mirënjohës që Tyler, gruaja e tij dhe vajza e tyre janë në një vend të sigurt," tha babai i Jacob, John Quinn, në deklaratën nga zyra e Klobuchar.

Ora 01:09
Mbërritja e refugjatëve nga Ukraina, INTERPOL dërgon ekip në Moldavi kundër trafikimit dhe kontrabandistëve

INTERPOL ka vendosur një ekip mbështetës operacional në Moldavi pas rritjes së refugjatëve ukrainas që hyjnë në vend. 

Organizata ndërkombëtare e policisë tha se ka marrë tashmë raporte për trafikantët e qenieve njerëzore dhe kontrabandistët që presin në pika të ndryshme të kontrollit kufitar për të pritur njerëzit që mbërrinin nga Ukraina. 

Ekipi do të vendoset në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, dhe në kampe të ndryshme refugjatësh. 

Ai do të fokusohet në fusha të tilla si trafikimi i qenieve njerëzore, migrimi dhe menaxhimi i kufijve.

Ora 00:26
Biden për situatën në Mariupol: Është e paimagjinueshme, e kemi parë vetëm në filma horror

Presidenti amerikan Joe Biden beson se Putini është një kriminel i vërtetë lufte dhe se bota e civilizuar duhet të fokusohet në ndalimin e tij dhe ndihmën ndaj Ukrainës.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e bëri këtë deklaratë në një takim në Rzeszow të Polonisë, me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare joqeveritare që ndihmojnë refugjatët ukrainas, raporton korrespondenti i Ukrinform.

“Përpjekjet tona duhet të synojnë ndalimin e shkatërrimit të shkaktuar nga njeriu që e quajta kriminel lufte”, tha Biden.

Sipas tij, Perëndimi u bashkua në çështjen e sanksioneve kundër Rusisë, gjë që mund të jetë një “surprizë” për Rusinë. Sanksionet "më të ashpra në historinë botërore" tashmë janë vendosur ndaj Rusisë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë kujtoi se 10 milionë njerëz në Ukrainë ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, duke përfshirë 3.8 milionë, një milionë prej tyre fëmijë, të cilët ishin larguar nga vendi.

“Unë i kam parë këto katastrofa, fëmijë, bebe, nëna. Nuk është e nevojshme të kuptosh gjuhën e tyre, por mjafton të shohësh thellë në sy, këtë dhimbje që është në sytë e tyre... Nuk ka asgjë më të keqe për prindërit se vuajtja e fëmijëve”, tha Biden.

Në të njëjtën kohë, sipas tij, qindra mijëra njerëzve u ndërprenë ndihma, si në Mariupol.

“Është e paimagjinueshme, ne e kemi parë vetëm në filma horror”, tha Biden.


 

Ora 00:11
Kohë lufte/ Kafenetë në Kiev rihapen për t'i bërë njerëzit të buzëqeshin

Të rinjtë po bisedojnë me qetësi pranë një kafeneje në qendër të Kievit.

Është një nga vendet e shumta me kafe të shkëlqyer, diçka për të cilën qyteti është bërë i njohur vitet e fundit. Një grup miqsh po luajnë pingpong aty pranë në diellin e pasdites.

“Ne jemi rihapur dhe do të vazhdojmë të punojmë për aq kohë sa të kemi mundësi. Ne po e bëjmë këtë për t'i bërë njerëzit të buzëqeshin”, na thotë baristi Mykola, shkruan BBC.

Kafeneja Kashtan ku ai punon është një nga vendet që u shërben klientëve që ende qëndrojnë në qytet.

"Vdekje pushtuesve rusë. Kafeja për mbrojtësit është falas", thotë një tabelë në një kafene tjetër. 

Shumë restorante dhe kafene të modës në Kiev janë kthyer në kuzhina fushore, duke gatuar mijëra vakte falas për mbrojtësit e qytetit ose njerëzit në nevojë.

Disa u shërbejnë edhe klientëve, në përpjekje për të sjellë një ndjenjë normaliteti tek banorët, duke funksionuar me orë të kufizuara për të respektuar shtetrrethimin ditor. Autoritetet e Kievit kanë krijuar një hartë të kafeneve dhe bizneseve të tjera të hapura tani.


 

Ora 23:52
Zelensky: Rusia ka humbur më shumë se 16,000 trupa deri më tani

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia ka humbur më shumë se 16,000 trupa deri më tani. 

“Numri i humbjeve ruse ka tejkaluar 16,000 viktima”, tha Zelensky në një video-mesazh të postuar në mediat sociale të premten. “Midis tyre janë komandantë të rangut të lartë. Deri më tani nuk ka raporte për gjeneral-kolonelë apo admiralë rusë të vrarë. Megjithatë, në këtë numër kemi një komandant të njërës prej ushtrive pushtuese dhe një të dytë në komandë të Marinës së Detit të Zi”.

CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Zelensky.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një konferencë të premten se 1,351 personel ushtarak ishin vrarë në Ukrainë dhe 3,825 ishin plagosur, gjatë përditësimit të parë të viktimave që nga 2 marsi. 
Ndërkohë, dy zyrtarë të lartë ushtarakë të NATO-s të mërkurën vlerësuan se numri i ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë ishte midis 7,000 dhe 15,000. 


 

Ora 23:34
VIDEO/ Mijëra njerëz protestojnë në mbështetje të Ukrainës në Varshavë

Në Varshavë mijëra njerëz kanë dalë në një protestë në mbështetje të Ukrainës, e caktuar për të koinciduar me vizitën e presidentit amerikan Joe Biden në Poloni.

Kujtojme se më shumë se 2.2 milionë ukrainas kanë ikur nga lufta në Poloni, shkruan BBC.


 

Warsaw! @POTUS #StandWithUkraine pic.twitter.com/4fkzHty52r

— Hanna Hopko (@HopkoHanna) March 25, 2022
Ora 23:24
Lufta në Ukrainë, Mbretëria e Bashkuar sanksionon 65 individë dhe subjekte të tjera për lidhje me pushtimin e Rusisë

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar përditësimin më të fundit të inteligjencës mbi luftën në Ukrainë, ku sanksionuar 65 individë dhe subjekte të tjera me lidhje mbështetëse me pushtimin e paligjshëm të Rusisë, shkruan Sky News. 

Ndër të sanksionuarit përfshin Kronshtadt, një kompani ruse e mbrojtjes dhe prodhuesi kryesor i dronit rus Orion dhe mjeteve të tjera ajrore pa pilot.


 

Ora 23:18
Unicef: Gjysma e fëmijëve ukrainas janë të pastrehë, gjysmë milioni nuk kanë ushqim

Më shumë se gjysma e fëmijëve ukrainas janë të pastrehë, thotë UNICEF. Zëdhënësi James Elder dha gjithashtu të dhëna të tjera shqetësuese: "Rreth 1.4 milion njerëz nuk kanë akses në ujë të pastër. Gjysmë milion fëmijë nën moshën dy vjeç kanë nevojë për ushqim."

Ora 23:12
Zyrtari i Pentagonit: Putin po zhvendos një pjesë të trupave të tij në Gjeorgji

Moska po përpiqet të sjellë përforcime në Ukrainë duke zhvendosur një pjesë të trupave të saj në Gjeorgji. Kjo u raportua nga një zyrtar i lartë i Pentagonit, duke specifikuar megjithatë se ai nuk ishte në gjendje të përcaktojë sasinë e lëvizjeve, siç shkruan La Repubblica.

Ora 23:07
Putin miraton ligjin: Rusët që përhapin lajme të rreme për zyrtarët jashtë vendit mund të përballen me burg

Presidenti rus Vladimir Putin ka miratuar zyrtarisht një ligj që thotë se personat e shpallur fajtorë për përhapjen e lajmeve të rreme për punën e zyrtarëve jashtë vendit mund të dënohen deri në 15 vjet burgim, ka raportuar agjencia e lajmeve Interfax. 

Dënimet janë të ngjashme me ato të lejuara sipas një ligji të miratuar në fillim të këtij muaji, i cili synon të ndëshkojë ata që përhapin informacione të rreme për forcat e armatosura ruse, tha agjencia.

Ligji u miratua pas pushtimit të Ukrainës.

Interfax citoi një ligjvënës të lartë të thoshte se ligji i ri ishte i nevojshëm sepse njerëzit po përhapnin lajme të rreme për ambasadat e Rusisë dhe organizatat e tjera. 


 

G.B./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • NATO shpetimtarja jone: 26/03/2022 16:35

    Urgjent te pranohen ne NATO Finlanda Suedia bile edhe Ukraina qe krimineli te kapet si miu ne cark.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Erion Veliaj: SPAK të ecë vetëm para, kush ka gabuar të mbajë përgjegjësi! Llumi e fundërrinat kundër meje (FJALA E PLOTE)

Erion Veliaj: SPAK të ecë vetëm para, kush ka gabuar të mbajë përgjegjësi! Llumi e fundërrinat kundër meje (FJALA E PLOTE)