"Nëse sulmohemi, jemi gati të luftojmë sonte.”
Me këtë mesazh, Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë (SACEUR), Alexus Grynkewich, prezantoi sot strategjinë e re ushtarake të Aleancës, e cila synon që çdo sulm ndaj një vendi anëtar të përfundojë pa sukses.
Duke folur në Forumin e Sigurisë në Varshavë, Grynkewich tha se plani i ri, i quajtur “Theory of War”, është hartuar për t'u mohuar kundërshtarëve çdo mundësi për të hyrë në territorin e NATO-s dhe për të mbajtur një ofensivë.
“Do të vazhdojmë të përgatitemi dhe të stërvitemi çdo ditë, në mënyrë që nesër të jemi edhe më të gatshëm, e pasnesër edhe më shumë. Nëse dikush është aq i pamend sa të na sulmojë, ne do të luftojmë”, deklaroi ai.
Mesazhi i komandantit ishte i qartë: strategjia nuk synon vetëm të sigurojë rreth një miliard banorët që jetojnë nën ombrellën e NATO-s, por edhe t'u japë një sinjal kundërshtarëve të Aleancës, përfshirë Rusinë, se çdo përpjekje për të sulmuar një shtet anëtar do të dështojë.
“Formacionet armike do të mbeten pa furnizime. Komandantët e tyre nuk do të jenë në gjendje të kontrollojnë forcat. Trupat dhe kapacitetet mbështetëse do të reduktohen dhe do të shkatërrohen. Me pak fjalë, çdo sulm ndaj çdo aleati do të jetë krejtësisht i kotë”, u shpreh ai.
Tre fazat e planit
Strategjia e re është miratuar nga të 32 vendet anëtare të NATO-s dhe kombinon forcat tradicionale ushtarake me teknologjitë më të avancuara, si dronët, sistemet kundër dronëve, inteligjenca artificiale dhe rrjetet moderne të sensorëve.
Sipas Grynkewich, plani mbështetet në tre shtylla: “Blloko”, “Freno” dhe “Shkatërro”.
Në fazën e parë, NATO synon të ndalojë menjëherë çdo përpjekje për të pushtuar territorin e një vendi aleat. Forcat tokësore do të angazhohen për të bllokuar dhe goditur trupat sulmuese, duke mos u lënë mundësi të fitojnë terren.
Nëse agresioni vazhdon, nis faza e dytë, “Freno”. Në këtë moment Aleanca do të përdorë një kombinim të forcave tokësore, ajrore, detare, sistemeve autonome dhe sensorëve inteligjentë për të penguar çdo avancim të mëtejshëm të armikut.
Faza e tretë është “Shkatërro”. Në këtë fazë objektivi nuk janë vetëm trupat kundërshtare, por edhe gjithë sistemi që i mban ato në luftë: qendrat e komandës, rrjetet e furnizimit, logjistika dhe komunikimet. Për këtë do të përdoren goditje precize me rreze të gjatë dhe teknologji të avancuara të zbulimit.
Çfarë ka mësuar NATO nga Ukraina
Komandanti i Aleancës tha se strategjia është ndërtuar duke analizuar luftën në Ukrainë, por edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
“Po mësojmë jashtëzakonisht shumë nga partnerët tanë ukrainas”, tha Grynkewich, duke nënvizuar se përvoja e fushëbetejës ka ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si NATO po rishikon mbrojtjen e saj.
“Nuk kemi ambicie për territore”
Grynkewich këmbënguli se strategjia është plotësisht mbrojtëse dhe nuk ka si qëllim zgjerimin territorial.
“Nuk kemi plane, synime apo ambicie përtej mbrojtjes së njerëzve tanë dhe territorit tonë”, deklaroi ai.
Sipas tij, rreziku për një sulm të afërt ndaj NATO-s mbetet i ulët, por situata e sigurisë është bërë më e ndërlikuar, sidomos në krahun lindor të Aleancës, ku janë raportuar raste sabotimi, zjarrvënieje dhe hyrje të dronëve, disa prej tyre me eksploziv ushtarak.
I pyetur nëse strategjia mbetet e besueshme mes diskutimeve për angazhimin amerikan ndaj NATO-s, Grynkewich kujtoi se SHBA riafirmoi në samitin e korrikut “angazhimin e hekurt” ndaj Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas të cilit një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës.










Komente
Komento