Takimi i pritshëm në Florida mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, vjen një javë pasi delegacioni amerikan i kryesuar nga Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, bisedoi me ato ruse dhe ukrainase.
Sot Presidenti ukrainas teksa dha sinjale për një takim të afërt me Trump, tha se shumë mund të vendoset përpara fundvitit.
'Rustem Umerov raportoi për kontaktet e tij më të fundit me palën amerikane. Nuk po humbasim asnjë ditë. Ne kemi rënë dakord për një takim në nivelin më të lartë – me Presidentin Trump së shpejti. Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri. Lavdi Ukrainës', tha ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi se plani 20-pikësh i paqes i SHBA-së për Ukrainën është rreth 90% gati.
Zelensky, pasi u informua nga delegacioni i tij për rezultatet e bisedimeve la të hapur mundësinë e një zone të çmilitarizuar në rajonet lindore të vendit të tij. Ndërkohë, rusët ende nuk kanë dhënë sinjale të qarta pas bisedimeve në Miami fundjavën e kaluar.
Putin kërkon tërheqjen e Ukrainës nga rajonet lindore ndërsa këtë të premte, sipas Kommersant, ai ka zhvilluar një takim më sipërmarrës të cilëve u ka folur për centralin bërthamor të Zaporizhias, një nga temat e diskutuara nga delegacionet.
Kjo sipas Putin është ende një temë e hapur mes rusëve dhe amerikanëve. Sipas planit të propozuar për bisedimet e paqe, Centrali Bërthamor i Zaporizhias, që është më i Madhi në Evropë, mund të bashkëmenaxhohet nga SHBA, Ukraina dhe Rusia.
'Ndërsa bisedimet në Miami vazhdojnë, nuk ka indikacione se Rusia është e interesuar për paqe ose një armëpushim. Qasja e Evropës mbetet e dyfishtë: vazhdimi i mbështetjes së Ukrainës dhe rritja e presionit mbi Rusinë për t'u angazhuar seriozisht në negociata”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podestà, duke raportuar kontakt të vazhdueshëm me partnerët ukrainas për të arritur një fund të drejtë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të luftës ruse.
Zëdhënësja kujtoi telefonatën e 23 dhjetorit midis Ursula von der Leyen dhe Volodymyr Zelensky, duke theksuar se Brukseli mirëpret iniciativën e paqes së Trump.
“Megjithatë, që çdo plan paqeje të ketë sukses, mbështetja e Evropës do të jetë thelbësore”, theksoi ajo.
Plani 20-pikësh i paqes i SHBA-së për Ukrainën është "rreth 90% gati", njoftoi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duke konfirmuar se do të takohet me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Florida të dielën.
"Plani 20-pikësh mbi të cilin kemi punuar është 90% gati. Detyra jonë është të sigurohemi që gjithçka është 100% gati. Nuk është e lehtë, por duhet t'i afrohemi rezultatit të dëshiruar me çdo takim, me çdo bisedë", tha Zelensky.
Takimi i njoftuar është zhvillimi më i fundit në një iniciativë të gjerë diplomatike të udhëhequr nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës gati katërvjeçare në Ukrainë, por përpjekjet janë përballur me kërkesa të ashpra kontradiktore nga Moska dhe Kievi.
Komente








